Shpenzimet e merkatos së janarit/ 367 mln euro vetëm Çelsi, Anglia është një superfuqi

165
Sigal

Çelsi është klubi që shpenzoi më shumë në merkaton e janarit 2023, 367 milionë euro, ndërsa e gjithë Premier Liga gati dyfishoi rekordin e saj të shpenzimeve. Por 367 milionë eurot e shpenzuara nga blutë e Londrës janë edhe më shumë se 1/ 3-ta e totalit të 918 milionë eurove të investuara nga 20 klubet e elitës së futbollit anglez.

Në fakt, blutë shpenzuan në muajin që lamë pas sa gjithë Premier Liga në janarin e vitit 2022. Por totali i këtij viti mbetet gjithashtu më i larti sa të gjitha katër kampionatet kryesore të Europës së bashku: Spanjës, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

Kompania e auditit të financave, “Deloitte”, ka llogaritur se totali i të gjithë transferimeve të 20 klubeve të Premier Ligës këtë sezon, duke llogaritur edhe merkaton e verës, arriti në shifrën e 3.1 miliardë eurove. Dhe kjo shifër thyen rekordin e mëparshëm të 2 miliardë eurove të shpenzuara gjatë merkatos së 2017- ’18 dhe gati dyfishi i sezonit të shkuar.

Gjashtë ekipet e mëdha të Anglisë, dy Mançesterët, Çelsi, Arsenali, Liverpuli dhe Totenhemi kanë kontribuar në 54% të totalit të shpenzimeve, duke konfirmuar edhe njëherë se Premier Liga është një kampionat i pakrahasueshëm financiarisht me gjithë të tjerët. Rekordi i mëparshëm i shpenzimeve në merkaton e janarit ishte 485 milionë euro vendosur në 2018-ën.

Por këtë herë, klubet e Premier Ligës shpenzuan 310 milionë euro vetëm në ditën e fundit të merkatos. Shpenzimi neto (përfshirë shitjet) i merkatos së janarit 2023 ishte 811 milionë euro, duke pësuar një rritje 400% nga rekordi i vitit të shkuar. Ajo që është një trend shqetësues për anglezët është se 85% e parave të shpenzuara këtë merkato ishin për futbollistë jashtë Anglisë.

“Deloitte” zbuloi se katër kampionatet e tjera kryesore të Europës shpenzuan në total 253 milionë euro, ndërsa investimi neto ishte 120 milionë euro. Klubet e Serisë A shpenzuan vetëm 30 milionë euro, po aq sa edhe La Liga. Bundesliga shpenzoi 67 milionë euro, ndërsa Liga e Parë 124 milionë euro.