Bardhyl Berberi/ Të jesh i ri në Shqipëri është drithëruese

799
Të jesh i ri është privilegj, por aq sa është privilegj aq është edhe sfidë. Rinia është ardhmëria e një vendi, nëse ai dëshiron të ndryshojë ardhmërinë, së pari duhet të ndryshojë rininë. Sot të jesh i ri në Shqipëri do të thotë: Të jesh një i ri pa të ardhme, të ngelesh papunë edhe pse mund të kesh mbaruar universitetin shkëlqyeshëm, madje të kesh bërë edhe mastera, ngelesh i nënçmuar, i nënvlerësuar para dikujt tjetër që ka marrë një diplomë në një universitet privat nga ata që u mbyllën apo të kesh një teserë partie ke një të ardhme shumë më të mirë se kushdo që mund të jetë disa herë më i zoti se ty me gjuhë të huaja e tituj shkencorë. Natyrshëm lind pyetja, se kush është shkaktari i kësaj gjendjeje? Kush është fajtori kryesor për të gjitha këto fatkeqësi me të cilat ballafaqohet rinia jonë?! Sigurisht, fajtorë kryesorë janë ata që na përfaqësojnë ne, ata që kanë marrë vota tona për të mbrojtur të drejtat tona, për të siguruar jetë më të mirë për të gjithë ne, për të krijuar kushte për një të ardhme më të mirë për rininë… Por këto të ashtuquajtur “politikanë”, pasi i morën votat me premtime se vendin do ta bëjnë parajsë, ata e shndërruan në një ferr të vërtetë. Ëndrra e vetme e çdo të riu është që sa më shpejtë t’i jepet mundësia që të largohet nga vendlindja, dëshira e vetme e çdo studenti është që t’i përfundojë studimet dhe nga vendi të largohet, për arsye se nuk ka shpresë për t’u punësuar në këtë vend…
 
Punësohen vetëm argatët e politikës

Gjithashtu studentët shqiptarë që mbarojnë jashtë shtetit numërohen me gishtat e dorës. Ata që kthehen, pasi pjesa dërrmuese e tyre punojnë jashtë shtetit dhe nuk kthehen në Atdheun e tyre Mënyra e vetme që të punësohet një i ri që ka kryer një fakultet shtetëror është: Të bëhet argat apo rob i subjektit politik në pushtet… Pozicioni më i lartë për t’u punësuar një i ri shqiptar është puna në administratën shtetërore, apo ndonjë pozicion që të jepet nga kryetari i partisë për të cilin nuk je i detyruar, që t’i zbatosh urdhrat në mënyrë verbale deri në një përulje prej servile nëse do që të hash bukë. Pothuajse asnjë i ri që mbaron studimet nuk punësohet në profesionin e tij, sepse këta që na “përfaqësojnë” ne, dhe pa librezë partiake mund të punësohesh vetëm si kamerier apo shofer taksie që mund të kesh fatin të çosh me taksi kryeministrin e vendit në mesnatë në vilën e tij në Surrel… dhe asgjë më shumë, pavarësisht aftësive që i posedon se je jurist apo ekonomist i shquar. Vlen një ligj i pashkruar që zbatohet me fanatizëm, të cilin e kanë vendosur për punësim tek ne: “Edhe pa diplomë mund që të punësohesh, vetëm të kesh një teserë partie të asaj që është në pushtet”. Rinia shqiptare sot gjendet në një udhëkryq dhe nuk dinë se nga cila anë të shkojë, të gjithë ata të cilët nuk pranojnë të bëhen argatë dhe robër “të pushtetit” zgjidhjen e vetme e kanë largimin nga vendlindja… Rinia intelektuale dhe me potenciale është duke na u larguar, por bashkë me atë po largohet edhe ardhmëria e këtij vendi. Në këtë vend do të ngelin vetëm zullumqarët, kriminelët, hajdutët, argatët dhe shërbëtorët e subjektit politik në pushtet…

Largimi nga vendlindja, nuk është zgjidhje 

Por largimi nga vendlindja nuk është zgjidhja, sepse nuk duhet që të lejojmë vendin tonë ta udhëheqin këta të paaftë që ka 25 vjet që vranë ëndrrën e çdo të riu apo së reje që donin të jetonin të lirë në atdheun e tyre duke shembur diktaturën komuniste për një të ardhme më të mirë, por lufta e dikurshme e klasave u ndërrua me një luftë të re klase pasi partia që merr pushtetin ju vë fshesën të gjithë kundërshtarëve deri tek pastrueset e institucioneve… Rinisë së sotme i është dhënë vetëm një zgjidhje: Ikjen nga vendi i tyre. Kështu ata zullumqarët që abuzojnë dhe kryejnë korrupsion të mund të zhvatin me të dyja duart djersën e këtij populli fukara. Rinia beson tek faktori ndërkombëtar që do t’ia futi këmbët në një këpucë kësaj klase politike të papërgjegjshme, që me reformën në drejtësi të flaken tej si rroba të vjetruara kjo klasë politike që të rinjtë të mos bëhen argatë dhe robër të këtyre dështakëve. Ata nuk do t’i gënjejnë me një vend pune të pa punë, që nuk do të pranojnë të jenë shërbëtorë të tyre, që do t’i luftojnë deri në fund me gjitha potencialet që kanë. Dhe mos harroni se ende ka të rinj me besë, të arsimuar, të kulturuar, të moralshëm, të pakorruptuar, të cilët nuk do t’iu lejojnë të vazhdohet ende të tallen me rininë shqiptare dhe me këtë popull, fukara… Po ju vjen fundi edhe këtyre abuzuesve dhe deformuesve të pushtetit, që janë shkaktarë kryesorë për largimin e një numri të madh të të rinjve nga vendi. Rinia është ardhmëria e një vendi, ajo është ajka e kombit, ajo nuk është me ju dhe ju nuk jeni pjesë e ardhmërisë se saj. Ja pra pse sot është drithëruese të jesh i ri në Shqipëri.
Sigal