Vangjush SARO/ Lojëra me status…

578
Sigal

Fakti që para disa ditëve Rezoluta për Shqipërinë e BE-së nuk kaloi, për shkak të moskuptimeve mes dy krahëve të politikës shqiptare, edhe njëherë tregon se po jemi mbi thëngjij të ndezur. Ditë pas dite, afrohet qershori; kambanat për statusin kanë zënë e bien fort. Një nga pyetjet që vlen të shtrohet është: Cila është ideja e opozitës? Prej ditës së parë që u ndërruan pushtetet, ajo përpiqet të luajë lojën e të pakënaqurit ekstrem, ajo nuk pushon së deklaruari (edhe këto ditë) mungesën e legjitimitetit të Kuvendit, duke na kujtuar kohën kur socialistët bënin të njëjtën gjë, madje edhe me spektakle e duke iu fryrë bilbilave. Pavarësisht ditëve të errëta të këtij Kuvendi, atëherë dhe tani, legjitimiteti ka të bëjë më së pari, me legjitimitetin e zgjedhjeve parlamentare, në të cilat njerëzit votuan që e Djathta të kalojë në opozitë. Është një çështje e rëndësishme të kuptojmë si është krijuar kjo e Djathtë, sa ajo është e tillë, sa ajo përfaqëson parime dhe shtresa të djathta, por më e rëndësishme akoma, është të shohim në mënyrë konkrete sa ajo inspiron për përparimin e vendit? Jeta e sotme parlamentare dhe përgatitja për të marrë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Europian, qëndrimi ndaj këtij procesi-komedi, vjen si sfida kryesore e saj. Politikanët e opozitës, nëse mendojnë se janë ata që përfaqësojnë të Djathtën shqiptare, lipset t’i formulojnë si duhet kërkesat dhe pakënaqësitë e tyre, duke mos sajuar konflikte false dhe të paqena në Shqipëri. Përgjatë këtyre 23 viteve në demokraci, vendi ka vuajtur pa prerë vazhdimin e konfrontimit politik dhe moskuptimin e parimeve të demokracisë. (Një emër i njohur i kinemasë shqiptare, përdori këto ditë diku termin “demokrazi”) Çështjet për të cilat kjo e Djathtë duhet të përpiqet, duhet të jenë serioze dhe aspak të natyrës së “sebepit”. Një i tillë është ai për shkarkimet në administratë, “aksion” me të cilin ata vetë janë marrë shumë tinëzisht dhe barbarisht kur kanë qenë në pushtet për gjatë tetë viteve të mëparshme. (Që të mos kujtojmë se çfarë bënë në fillim të viteve ‘90, kur morën përpara me egërsi jo vetëm administratën, një pjesë e së cilës ishin thjesht punonjës e teknikë, por edhe të gjitha pasuritë ekonomike dhe kulturore të vendit.) Nëse është e Djathtë, opozita duhet ta përshpejtojë procesin e statusit, qoftë edhe duke dëmtuar interesat partiake apo ato të një pjese të militantëve të saj. Mund të thuhet se këta të fundit, vende-vende, janë përkëdhelur dukshëm me poste, toka dhe përparësi të tjera. (Në ndihmë të kësaj dukurie të stisur, janë gjendur drejtësia dhe mandej universitetet e shumta private, të cilët në të vërtetë, në masë, janë pikërisht ata që gëzojnë termin “ilegjitimitet”.) Por ndërkaq, legjitimitet do të thotë që edhe socialistët të mos fillojnë të përkëdhelin militantët e tyre. Ata po i punësojnë njerëzit me lista, (ku gjendet kush i ka përkrahur në opozitë dhe në fushata). Kjo është e turpshme, duhet të ndalet. Gjithsesi, loja me statusin duket se i pëlqen më shumë të djathtës. Në aksionin e sotëm politik të saj, janë vënë re jo thjesht lapsuse, por gabime. Në rastin e konfliktit të drejtuesve të furgonëve 8 plus 1 me qeverinë, e vetmja gjë që duhej të bënte opozita ishte ajo që qeveria e “menderosi”, të kërkonte që strukturat të mos nguteshin, të ndalonin vetëm të palicencuarit; pjesën tjetër të kësaj shtrese realisht në hall, duhej ta linin në punë, duke vënë përpara saj rregulla dhe duke i zbatuar masat drastike hap pas hapi e vetëm pasi të ishin krijuar kushtet për një zgjidhje përfundimtare të problemit. Mirëpo opozita e djathtë, kundër ligjeve dhe rregullave, shkoi të nxiste vërshimin e furgonëve në qendër të Tiranës, me qëllim që të kishte trazira. Për çudi, në krye të deputetëve që tentuan këtë skenar, që kërkuan sheshin dhe rrëmujën, ishte edhe një ish-Ministër i Brendshëm! Kjo situatë, na kujton ditët më të këqija të kësaj opozite në pushtet, kur militantë apo të punësuar fshehtazi të saj, njerëz të hurit e të litarit, kanë rrahur deputetë dhe publicistë, kanë djegur gazeta, janë vërsulur kundër popullit të cilit më parë i kishin vjedhur kursimet apo kanë pushtuar me dhunë edhe institucionet. (Ngjarjet e vitit ‘97 dhe ato të vitit ‘98.) Një e djathtë që do të duhej të përfaqësonte prurjet më të mira të demokracisë shqiptare ndër vite, duhej të distancohej tashmë nga kujtime, skena dhe sjellje të tilla, ku në mes të natës, ai që drejton sot qeverinë, u bë i vdekur nga një rrahje barbare. Po ashtu, socialistë a kundërshtarë të tjerë politikë, fshehtazi e natën apo ditën për diell e në sheshe. Mirëpo, me sa më kujtohet, s’është rrahur kurrë ndonjë demokrat! Me ndonjë përjashtim, kur atë e ka bërë policia. (Është ushtruar dhunë ndaj Azgan Haklajt gjatë ndalimit të tij, qysh në furgonin e policisë.) Dëgjuam ca ditë më parë “hartimin” që ish-drejtuesja e Kuvendit mbajti në interpelancën me Kryeministrin Edi Rama. Sigurisht, ka shumë probleme të rendit e të sigurisë dhe deputetja në fjalë duhet të jetë vërtet e shqetësuar. Por përmirësimi i rendit dhe i sigurisë nuk arrihet me fyerje dhe postulate të vetëshpikura, ndërkohë që, ajo dhe drejtues të tjerë të opozitës së sotme kanë dirigjuar dikur deformime të dukshme në polici dhe në drejtësi, përmes emërimeve nepotike, si dhe duke kultivuar abuzimet dhe bakshishet, që ende bëhen sheshit. Po ashtu, një e djathtë që do të duhej të përfaqësonte prurjet më të mira dhe emrat më të nderuar të pinjollëve të demokracisë shqiptare në kohëra, do të duhej t’i jepte kuptim kundërshtimit të ligjshëm të pushimeve nga puna, duke krijuar një urë me organet e drejtësisë dhe jo përmes kërcënimeve që kanë të bëjnë me shkatërrimin e jetës e të procesit parlamentar dhe pengimin e reformave që e çojnë vendin disa hapa përtej dyerve të Bashkimit Europian, ku ka ngecur prej dy dekadash. Unë nuk pretendoj se disa vende si Rumania apo Bullgaria janë krejt mirë sot; përkundrazi, ato po përjetojnë jo pak probleme. Por dua t’iu kujtoj drejtuesve të opozitës së sotme se shumë kohë përpara, në kapërcyell të rendeve, ata mburreshin se shumë shpejt do ta çonin vendin në Europë, se në shumicën e reformave Shqipëria ishte më përpara se Rumania e Bullgaria. Atëherë, bëhet fjalë? Apo tani? Le të themi, asnjëherë. (Që nga kohët e praktikës së egër të komunizmit ekstrem.) Pra, nëse i thotë vetes e djathtë, opozita duhet të ndërrojë kurs, nuk ka sesi, sepse në dy dekada, përjashto pallatet gjigande dhe ndonjë rrugë, Shqipëria ka shkuar mbrapsht, dhe kjo nuk përputhet me idealet dhe mendësinë e djathtë. Koha është që ajo të kuptojë misionin e saj demokratik, duke lënë mënjanë urrejtjet dhe interesat e ngushta partiake. E djathta është sot edhe njëherë tjetër në provë për të qenë e tillë, pasi ajo do të duhej të përfaqësonte përvojën më të mirë të pasurisë politike pluraliste dhe atë të parimeve demokratike të trashëguara (nuk e dimë sa) nga pjesa më e nderuar e qytetarisë së vendit, të cilat dikur do të quheshin “klasa të përmbysura” dhe do të trajtoheshin si mos më keq nga strukturat e rendit komunist. Flitet shumë për mijëra përfaqësues të atyre shtresave që vuajtën për idetë e tyre dhe shpresuan që një ditë vendi t’i bashkohej “familjes perëndimore”. Një e djathtë që duhet të përfaqësojë ato shtresa dhe atë mendësi, duhet t’i ndihë sot Shqipërisë të afrohet edhe më shumë në komunitetin e shteteve moderne perëndimore, duke marrë më së paku statusin e vendit kandidat të Bashkimit Europian. Deri më sot, politikanët shqiptarë ia kanë dalë mbanë që ta mbajnë vendin larg atij komuniteti për sa kohë ai ka qenë në lulëzim, nuk besojmë se “baballarët” e sotëm të kombit po presin që Europa të fillojë shpërbërjen dhe kështu ne të jemi gati për t’u bashkuar edhe njëherë me defektet e përhershme të historisë sonë tragji-komike.