Prof. Zyhdi Dervishi: Problemet në arsim janë të dyanshme si të studentëve dhe të pedagogëve

683
Sigal

INTERVISTA/ Flet Prof. Zyhdi Dervishi: Duhet propaganduar modeli i njeriut pozitiv të mençur

 Kohët e fundit janë parë shumë probleme në shoqëri dhe familje. Por mbi të gjitha vihet re se problemet ekonomike po ndikojnë shumë në jetën familjare dhe më gjerë. Divorcet, grindjet, vrasjet janë rrjedhojë e varfërisë. Por jo pak probleme ka  dhe në shkollat shqiptare. Studentë që nuk respektojnë pedagogët dhe pedagogë që  kryejnë mitmarrjen. Por dhe ekzistenca e teksteve alternativë e ka ulur seriozitetin në mësimdhënie. Këto janë disa nga problemet që do rreken në këtë bisedë.

 Kohët e fundit  janë shtuar shumë vrasjet, vetëvrasjet dhe problemet e kriminalitetit, përse vijnë në ngritje këto probleme kaq të theksuara të dëmshme për jetën njerëzore? Cilat janë shkaqet?

 Shoqëria shqiptare po përjeton një periudhe shumë të rëndë, dramatike, stresonte. Shprehja më e përqendruar e kësaj gjendje depresive është rritja e numrit të vrasjeve, vetëvrasjeve apo më mirë të themi vrasjeve makabre. Me keqardhje them se  ka shumë  faktorë që ndikojnë në këtë periudhë shumë të rëndë, që unë do t’i ndaja në disa kategori apo grupe.

Së pari, është gjendja e rëndë ekonomike në familjet shqiptare, të cilat  sjellin ndarjet, divorcet, kryesisht nga ata që mbajnë mbi kryer përgjegjësinë e familjes. Kjo bën që, në një farë mënyre divorci të përjetohet shumë rëndë, sidomos nga nënat, të cilat çojnë në vrasje apo vetëvrasje.

Faktori i dytë është ndryshimi i sistemit të vlerave. Shumë vlera të shoqërisë shqiptare, janë shpërbërë, nuk funksionojnë më. Nga ana tjetër vlerat e shoqërisë moderne ende nuk janë të konsoliduara në shoqërinë tonë. Në këto rrethana shumë njerëz veprojnë si atomet të cilat,  funksionojnë të mëvetësuara. Mëvetësia sjell shpërbërjen e organizimit, që përmban një grup i caktuar social. Një pjesë e fëmijëve tashmë duan më shumë liri, nuk pyesin shumë në familje, nuk dëgjojnë këshillat e tyre nga ana tjetër vetë familjarët për shumë arsye nuk kanë mundësi t’i ndjekin fëmijët në të gjitha rrugët e tyre të jetës për vetë problematikën e tyre. Lidhjet e vjetra, tradicionale në familje janë zbehur shumë. Fëmijët, që dikur ishin më të lidhur me familjen, me prindërit, e kishin më të lehtë të përballonin sfidat e jetës. Pra, kjo traditë e familjes shqiptare, që na dallonte, shohim se sot është shumuar shumë.

Faktori i tretë është se shoqëria shqiptare sot, përjeton strese shumë të rënda nga sistemi ynë i drejtësisë. Tani është krijuar bindja se në Drejtësinë shqiptare nuk mund të gjesh drejtësi. Sot drejtësia mund të blihet me para. Sot dënohet jo ai që ka bërë fajin, por ai që është i pafajshëm. Kështu që sot shqiptarët janë viktima të papunësisë, të padrejtësive dhe kanë humbur shpresat për të ardhmen. Mosfunksionimi i drejtësisë në mënyrë reale ka një kosto shumë të rëndë për shoqërinë shqiptare, kryesisht ndaj atyre që bie kjo padrejtësi.

 Faktor tjetër është përdorimi masiv dhe pa kriter i internetit. Në internet shikohen shumë programe kryesisht seksuale, të dëmshme, kryesisht nga të rinjtë dhe nga adoleshentët. Mendoj se, të rinjtë  programe tejet perverse, tejet të degjeneruara dhe të pakontrolluara, sepse nëse shikon në këtë moshë programe perverse deformohet ndjeshëm personaliteti i të rinjve,  deformohet ndjeshëm karakteri i tyre.

 Faktor tjetër është se në shoqërinë shqiptare, ka pak hapësirë, për të dëgjuar apo për t’u propaganduar burrat e mençur, apo njerëzit e mençur. P.sh në media shpesh herë flitet më shumë për kriminelët, se sa për të mençurit. Në këtë mënyrë krimineli nuk shihet si i përçmuar, që për shumë vite nuk duhet parë si fytyrë, për shkak të krimeve që ka bërë, por duke qenë në qendër të lajmeve televizive, bën që në një farë mënyre, krimi të marrë pasaportë në shoqërinë shqiptare, ku krimineli të mos shikohet si diçka e rrallë, e padëshirueshme, e frikshme, por si diçka krejt normale, e zakonshme. Pra duhet të ndryshojë raporti i lajmeve të tilla në media. Kjo mënyrë bën që, krimineli me popullaritetin që merr, të ndikojë tek një grup të rinjsh dhe mund të kërkojë atmosferë të përgatisë kriminelë të ardhshëm. Kam konstatuar se një grup fëmijësh, ishin organizuar për të vjedhur, vetëm nëpërmjet të të shikuarit programe të tilla televizive. Duhet korrektuar ndjeshëm ky lloj gabimi. Sot në televizion, të rinjtë dhe adoleshentët duhet të edukohen me modele intelektuale. Modele njerëzish të mençur që kanë bërë histori, si modele aktorësh, shkrimtarësh, artistësh, që ne nuk i kemi të pakët. Të propagandohen ato modele, që me punën dhe jetën e tyre kanë treguar vizion, dashuri për të tjerët, që ndikojnë në shoqërizimin e të rinjve, me vlerat e arrira. Mosha  e paraadoleshencës dhe e adoleshencës ndikohet shumë nga modelet. N.q.s modelet janë të mira, atëherë edukimi është perfekt, në rast të kundërt  atëherë ndikimi në personalitetin e tyre do të jetë shumë negativ. Kjo kategori është nën ndikimin më të madh të modeleve qoftë pozitiv, qoftë negativ. Programet televizive duhet të korrektohen në atë mënyrë që të përcjellin, dashuri, respekt, kulturë, ndjesi, përparim dhe jo dhunë dhe krime.

 Po të kalojmë tek ambientet shkollore. Si në auditorët e universiteteve, po ashtu dhe në ambientet e shkollave 9-vjeçare vihet re se është zbehur respekti i studentëve dhe nxënësve ndaj mësuesve dhe pedagogëve. Cili është mendimi juaj dhe n.q.s është i drejtë përse ka ardhur në zbehje ky respekt? Nga se vijnë këto nga mosfunksionimi i mirë i sistemit arsimor,  janë të shoqërisë, të familjeve, apo më shumë të vetë pedagogëve?

 Këto janë të tëra bashkë, por që zënë vende të caktuara, dikush më shumë, dikush më pak. Unë mendoj se shoqëria shqiptare, sot i ka këto probleme si pjesë të sistemit, por edhe të problemeve familjare. P.sh studenti shumë herë ndodhet i dyzuar, pasi mendon sa të mbarojë shkollën nuk do gjejë punë. Pra deri diku shkolla nuk vlerësohet. Janë ulur shumë kriteret e fitimit të universitetit, në këtë aspekt thyhen balancat. Në perëndim kërkesat ndaj shkollës janë të mëdha. Nisin 100 % shkollën dhe e mbarojnë 80%, pra ka konto gjatë rrugës. Ndërsa tek ne nisin shkollën po kaq dhe gjatë rrugës dalin dhe të tjerë, pra pas mbarimit të shkollës dalin 120%. Diplomime jo korrekte. Kur shkolla nuk ka vlerën që duhet të ketë, kur shoqëria nuk e vlerëson shkollën, kur studenti nuk e merr me qejf të madh shkollën, kur e ardhmja e studentit nuk është e sigurt, atëherë problemet rriten më tepër.

 Por mendoj se ka dhe raste të abuzimit të pedagogëve?

Unë jam pedagog vetë dhe nuk mund ta përjashtoj dhe këtë rast. Pra pedagogë që e ulin personalitetin, dinjitetin e tyre para studentëve me disa mënyra sjelljeje. Unë kam qenë vetë student në Universitetin e Tiranës, ku kam pasur një brez pedagogësh shumë të nderuar, të shquar. Një ndër ta ka qenë dhe Petrit Radovicka, Akademik, Profesor i ndërtimeve hidroenergjetike shqiptare, ku me atë energji furnizohet sot Shqipëria dhe një pjesë e Ballkanit. Ishte një burrë fisnik. Më ka dhënë mësim Eqerem Çabej, Aleks Buda, Alfred Uçi,  e shumë të tjerë, të cilët ishin vërtet personalitete që kanë lënë gjurmë në shkencë, por dhe në auditorët shqiptarë. Mbi të gjitha, ata shquheshin për sjellje korrekte. Ne as e shkonim në mend që Eqerem Çabej mund të merrte qoftë dhe një kafe, për të të dhënë një provim. As e merrnim me mend. Por dhe vetë ata gjigand të mendimit, nuk e çonin në mend se mund të kërkonin mitmarrje , në shkëmbin të notës. Ishte absurde, e pabesueshme për ‘ta. Ne kur i shikonim ata në fund të korridorit, hiqnim duart nga xhepat. Jo s’e kishim frikë, por kishim respekt. Ata me sjelljen, me dijen, me veprimet, me mënyrën e shpjegimit na ishin imponuar në çdo qelizë të trupit. Sot, kjo sjellje ndaj pedagogëve është zbehur, sa për faj të studentëve po aq dhe të pedagogëve, për çka thamë më lartë. Fan Noli një nga burrat më të ditur, të kombit në një diskutim në Parlament, ka thënë: Një mësues ka një rol më të madh se një gjeneral dhe se një ministër, pasi ai edukon të gjithë brezin. Ky mësim i tij për mua, është vlerësimi më real për edukatorët, pasi edukojnë brezin  e ri, përgatisin brezin e së ardhmes, japin dijet e tyre se si do të jetë e ardhmja e një vendi. Me keqardhje e them që  disiplina e shkollave tona është dobësuar shumë, por dhe roli i pedagogëve është dobësuar shumë. Mendoj se shteti duhet të zbatojë  rregullat për të mbajtur pedagogët më të mirë, më të aftë, më të mirinformuar, më të përgjegjshëm se vetëm kështu mund të formatohet apo modelohet një brez i ri, që mund të përballojë sfidat e shoqërisë shqiptare.

 Problemi i unifikimit të teksteve, një shqetësim më vete, pasi ka dhe shumë tekste alternative. Cili është mendimi juaj?

 Unë kam  punuar për 20 vjet rresht me përgatitjen e teksteve të shkollave të mesme. Për mua tekstet alternative kanë qenë një dëm i madh për shkollën shqiptare. Unë e kam me bindje këtë. Mendoj se duhet të ketë vetëm një tekst, ku të fitoj teksti më i mirë, teksti që merr miratimin e një jurie tejet profesionale. Kur një tekst nuk i reziston kohës, ai nuk është tekst. N.q.s një tekst nuk është përgatitur në mënyrë profesionale, me atë përgjegjësi qytetare dhe kombëtare, që t’i rezistojë kohës, atëherë është i destinuar që të dështojë.