Vangjush Saro: Kryeministri bën “blof”

299
Sigal

Sjellja e klanit në pushtet vit pas viti e mandat pas mandati, është po ajo; qasja e qeverive të bëra me bujë, gjithashtu po e njëjtë: shumë fjalë e demagogji, por pak arritje, që të mos themi edhe kthim prapa në shumë aspekte. Kryeministri shqiptar bën “blof”; që do të thotë shtiret se e ka mbroth punën, po lundron në suksese… Dhe nuk është e nevojshme të kërkosh shumë përtej vetëm dy pistave, që janë: jeta e përditshme e qytetarëve pa favore dhe vetë INSTAT me të dhëna që shkojnë krah mendimit të shprehur më sipër. Jeta ka ardhur duke u përkeqësuar, pasiguria ekonomike dhe ajo e rendit është rritur. Bie fjala, inflacioni, që (siç thuhet në medie e në vetë parimet e këtij institucioni) mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, në muajin prill shkoi në 6.2%, në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Ky është një tjetër rekord i ri, pas nivelit të marsit, që arriti në 5.7%, thonë mediet e vendit. Kjo është rritja më e fortë e çmimeve me të cilën po përballen familjet dhe individët që nga viti 2001, kur inflacioni ishte 7.6%.

Nuk duket se kemi lajme të mira edhe në aspekte të tjera. Një gjendje e pakënaqshme në arsim. Gjithnjë sipas vetë INSTAT, në vitin shkollor 2020 – 2021, në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 32.179 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,3%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në arsimin e mesëm u diplomuan 31.136 nxënës, duke shënuar një ulje prej 1,7%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Nuk duket më e mirë gjendja as në arsimin e lartë. Sipas të njëjtit burim, në vitin akademik 2020 – 2021, u diplomuan në arsimin e lartë 32.690 studentë, duke shënuar një ulje të lehtë prej 0,6%, krahasuar me 2019 – 2020. Dhe, të ndalemi një moment, këtu nuk po bëjmë fjalë për cilësinë e mësimdhënies, për problemet e edukimit qytetar dhe për pamjet e vështira, në mos skandaloze ndonjëherë ndër shkolla, të zbuluara kohë pas kohe edhe nga mediet.

Ani. Ku e lamë e ku na mbeti… do thoshte Noli. Por nga të vërtitesh më parë? Ku shkuan fjalët e bukura për Teatrin Kombëtar dhe ku është ai? Është një mjerim i vërtetë që dramat shfaqen në ca teatro të sajuar e në ca “kutiçka” për faqe të zezë. Ndërkaq, në medie, herë pas here publikohen skandale të tjera, bie fjala nga fusha e shëndetësisë (kujtoni letrën e atij qytetarit hollandez) ose kritikohen në vijëmësi ndërtimet monstruoze, etj. Është një gjendje mediokriteti në përmasa të frikshme. Kështu, një qytetari në halle, që nuk di të vjedhë, që nuk di të gënjejë, por i duhet të përballojë një jetë të vështirë, me të drejtë mund t’i blatosh atë çka thotë një nga personazhet e nobelistit egjiptian N. Mahfuz: “Asnjëri syresh nuk e çau kokën për mua.”

Dhe në këtë panoramë, gjëja më e pakuptimtë është përpjekja për të shmangur opozitën, për ta denigruar atë dhe përfaqësues të saj, me soj-soj mënyrash e intrigash, nga rimarrja e dosjeve gjithfarë, te fotografimi i vilave; a thua këta që janë në pushtet s’dinë ç’janë vilat e përfitimet, jo jo, këta janë Nënë Tereza… Unë e kuptoj që opozita mund të ishte më e organizuar, që ajo ka bërë gabime e, mbase, ende është duke bërë të tilla… Por nuk mund të kuptoj dhe nuk mund të pranoj të përqeshet sistemi shumëpartiak; nuk mund të pranoj që edhe tri dekada pas vendosjes së pluralizmit dhe rendit demokratik, të shkelen ligjet dhe parimet e demokracisë; nuk mund të pranoj që vendi të qeveriset edhe më tej nga autokratët, që ne menduam se i hoqëm qafe në fillim të viteve ‘90, por edhe kohë më pas; nuk mund të pranoj që të kapërcehen heshtazi problemet e mëdha të vendit, për shkak të performimit në “stabilitet” të situates, për arsye nga më të ndryshmet dhe me një bekim që mjerisht vjen ndonjëherë nga Perëndimi i “ëndrrave demokratike”.

Duke shtyrë tutje gjithë problemet në fjalë dhe shumë asi që s’janë zënë goje në këto radhë, sot po shkohet me kokëfortësi drejt absolutizmit, duke thirrur “Rroftë njëshi!” e duke mbajtur përqark disa lepe-peqe-istë, që asnjëherë nuk treguan dinjitet dhe individualitet. (“Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.” F. Kafka) Forcimi i pushtetit të “njëshit” dhe dobësia për klanin, janë një realitet grotesk e që nuk shkon fare me fjalën e madhe “demokraci’. Mbase kështu ka qenë edhe më parë, për fat të keq; kjo është ajo që nuk po kuptohet gjatë gjithë kësaj historie tranzicioni, ca më qartë tash nën “udhëheqjen” propagandistike të z. Rama.