Nëse do të kujtonim fakte, ngjarje, çudira që kanë të bëjnë me të rinjtë, me shkollën, me zgjedhjet e jetës në Shqipëri, kjo s’do të kërkonte shumë kohë: Sherr me thika mes pesë vajzave të reja në Tiranë; tre prej tyre kanë përfunduar në spital. Sherr mes dy zyshave në X gjimnaz (gjithnjë në mes të Tiranës); të nesërmen njëra nga mësueset sjell në shkollë të afërmit, disa edhe të armatosur. Mësues që ankohen se nxënësit i filmojnë dhe i përndjekin, duke bullizuar jo më shokët e tyre, por tash edhe trupën mësimore. Diku ngrihet dhe “bën ligjin” roja i shkollës, vetëm e vetëm se është “një kuadër” i partisë në pushtet. Nuk po zgjatemi me përleshje të përditshme, ndërsa në media shkruhet, bie fjala, policia ka gjetur dhe sekuestruar 17 gëzhoja në vendngjarje. (Luftë është bërë, mo?) Shumë probleme në jetën e përditshme, bota jonë e vogël dingas me halle; dhe duam apo s’duam, një nga shkaqet thelbësore është kriza në arsim, gjendja në shkollën tonë, tash e traumatizuar. Lexoja para disa javësh një shënim të gjatë nga një ekspert i njohur i fushës; ndër argumentet kryesore, ai rendiste nivelin e vetë mësuesve. Kjo është parësore, shumë e rëndësishme. Por them se mund të shkojmë pak më tej se kaq. E gjithë jeta – përfshi ato që cekëm shumë pak më lart – është një pasqyrë për fëmijët dhe më të rinjtë, në mos edhe për vetë mësuesit. Ata i shikojnë dhe i rishikojnë këto skena e zhvillime (por dhe të tjera si këto, që mjerisht i quajmë panele apo shou) në orët më aktive të ditës, por edhe në TV e rrjete. Kështu, mësimet vazhdojnë si një “shkollë” tjetër e një mënyrë tjetër, ndryshe nga morali i teksteve; dhe kjo e bën më të vështirë punën me ta. Për ta zgjeruar pak këndvështrimin, duke u përpjekur të kuptoj më shumë, u hedh një sy disa pyetjeve të provimit të Maturës Shtetërore; ato janë të fryra me fjalë të mëdha, janë të mbushura me politikë, me hollësi për rendet partiake dhe ato shtetërore, për çështjet e mëdha të kohës e të globit, a thua këta fëmijë do të shkojnë të punojnë në zyrat e OKB-së apo të BE-së e nuk bëjnë dot pa hollësitë e politikës dhe strukturave të shumta të saj, pa piramidat e pushtetit në Shqipëri a në Evropë. Programe dhe tekste (të kopjuara nga institucione apo universitete e kolegje) të arnuara për t’iu përshatur kërkesave vanitoze të zyrtarëve shqiptarë, kjo është farsa. Mendoj që në themel të këtij stanjacioni, në sfondin e kësaj panorame problematike, që për fat të keq nuk e zbukuron dot ndërtimi i disa shkollave më shumë apo ndonjë reformë tjetër mekaniciste në arsim, vegjetojnë burokratët e rinj dhe të ashtuquajturit profesorë të Arsimit Shqiptar e të institucioneve të vjetëruara shqiptare. Rëndom, këta, janë individë që s’i njeh askush dhe që s’i lexon askush, pasi vazhdojnë të prodhojnë bërsi, domethënë të mbushin tekstet, programet, jetën shkollore me rëndesa të panevojshme, me akademizëm të lodhshëm… E njëjta gjë mund të thuhet për “veprat” e tyre, për dizertacionet e tyre, që pothuaj nuk gjejnë asnjëherë publik. Në po këtë gjatësi vale, janë drejtuesit e disa niveleve, që gjatë gjithë kohës pozojnë shtirje dhe fryhen sikur kushedi ç’të kishin arritur. (E di që ndokush mund të fillojë të mbrohet apo t’i mbrojë reformatorët e mëdhenj; ju them që në këtë gazetë dhe në media të tjera janë faktuar jo njëherë gabime skandaloze, gjuhësore e logjike – në tekste e programe – dhe kjo e bën edhe më keq atë çfarë thamë më lart, kupa është mbushur.) Roli asnjëherë bindës i institucioneve përgjegjëse, mbetet një nga shkaqet kryesore të krizës në Arsim. Politizimi, akademizmi dhe sidomos shtirja (për suksese që flasin shumë pak) po e dëmtojnë rëndë edukimin e fëmijëve, në mos edhe qytetarinë shqiptare në përgjithësi. Po qasem vetëm në njërën nga pistat (do ta cilësoja) patetike të këtij parashtrimi. Mendoj që përpara se të mësojnë strukturat e organizmave politike të Evropës dhe të botës – nuk them të mos e kenë idenë, por me masë. Fëmijët dhe të rinjtë lipset të dinë më shumë për vendin e tyre, për të djeshmen dhe të sotmen, për historinë dhe kulturën, për ekonominë dhe turizmin. (Po kujtoj vetëm një rast nga ato që zura goje më lart: Flitej diku për hapjen e Frontit të Dytë në Luftën e Dytë Botërore dhe drejtuesja e “panelit”, shkolla juaj, zotërinj, shikonte si e lënë mendsh andej këtej; u duk sheshit që s’ia kishte idenë fare.) Ata, fëmijët dhe të rinjtë, lipset të marrin, gjithashtu, më shumë mësime edukate, dhe praktika edukate, sjelljeje: si të jenë në harmoni me familjet e tyre, si përballohet jeta me punë, si të sillen mirë me vajzat dhe femrën në përgjithësi, të njohin rregullat elementare të edukatës dhe qytetarisë, të rrugës e të kafenesë, të autobuzit dhe të avionit… Shkollën e kanë mbytur fjalët e larta dhe veprimet e ulëta. Për disa profesorë dhe akademikë (që, e përsëris me keqardhje, s’i njeh askush dhe s’i lexon askush) mund të duken naive këto qasje. Ç’po na thua! Por realiteti i atyshëm – dukuri të ngjashme ka kudo, gjithsesi ne jemi më “të sëmurë” dhe më në hall se shumë të tjerë – është tejet shqetësues. Dhe shqetësimeve nuk iu përgjigjemi dot me akademizëm, me politizim të shkollës, me bullizim të programeve mësimore, me ngarkesa që do të rëndonin edhe vetë sajuesit e tyre. Shqetësimeve duhet t’u përgjigjemi me një mentalitet të ri për shkollën dhe fëmijët, për programet dhe tekstet. Edukim dhe kulturë, pastaj politikë dhe njohuri për strukturat politike, të kujtdo e kudo qofshin ato.