Gjekmarkaj: Dhuna ndaj Fatos Lubonjës dhe “porositësi” i saj moral

1510
Sigal

Nga Agron Gjekmarkaj

Makina e sakatuar për së dyti e Fatos Lubonjës, në jo shumë kohë, është një tjetër fotografi e shëmtuar e klimës që po mbështjell gjithnjë e më tepër njerëzit e fjalës, publicistikës, shkrimtarët, gazetarët dhe analistët. Agron Tufës ia kursyen gurët mbi makinë, se ai nuk mbante, madje as e ngiste, por i hodhën përsipër rrëke me kërcënime verbale e virtuale atij vetë e pjesëtarëve të familjes, mbeturinat agresive të diktaturës, aq sa një ditë vendin e tij e zuri lajmi i ikjes pa kthim. Ves i vjetër kësaj ane, ku dëbojmë shkrimtarët dhe nderojmë zuzarët.

Që në krye të herës duhet theksuar për ata që nuk e dinë se makina, hekurat, xhamat nuk besohet të provojnë dhimbje, as nuk zënë mend nga qortimet që u bëhen me qyski, varre, hu apo gurë. Objekti cenohet në estetikë dhe jo në shpirt, se shpirt nuk ka. Ky pakëz cinizëm vlen për të theksuar së dëmi i bëhet pronarit dhe mesazhi është për atë, si rrjedhojë dhuna është mbi atë. Nëse edhe një rishtar në këtë zeje do të trazohej me akte kësodore, shumë e rënde e preokupuese do ishte. Kur kjo i ndodh mbase zërit më të spikatur të kundërshtisë dhe rebelimit logjik, përvijohet si tejet tronditëse semantika e ndodhisë. Evokimi i frikës si yshtës për të heshtur është lakmues i qartë i dekadencës së shtetit dhe institucioneve të tij si garante të lirive.

Fatos Lubonja është tejet i njohur si personazh publik, për burgun e gjatë nën diktaturë, qëndrimin e tij brenda atij honi, po ku e ku më tepër për diskursin publik, gjithmonë kërshëror në këto 30 vite liri. Një ligjërim ky shpesh i mbarsur me kundërshti të skajshme e debat të rreptë kulturor, sidomos për tema të tilla si demitizimi i historisë, Skënderbeut, Nënë Terezës apo qëndrimet ndaj Kadaresë, të cilat personalisht më kanë rreshtuar kundër. Po kaq athëti te një pjesë kanë krijuar qëndrimet e tij në vitin 1997 në krye të “Forumit për demokraci” e vit pas viti ato te të tjerë, ndaj Nanos e Berishës dhe së fundmi ndaj Edi Ramës dhe klientëve të pushtetit, të thirrur prej tij “oligarkë”.

Por asnjëherë deri më tani nuk i kishte shkuar mendja dikujt që ta ndëshkonte. Xhamat e makinës së tij bëhen thërrime për ta multiplifikuar kumtin. Ftesa për t’u frikësuar pos atij vetë u dërgohet të gjithëve atyre që janë ku e ku më modestë në ndikim apo në trazim ujërash.

Prej kohësh, Kryeministri i këtij vendi, si uzurpatori më i madh i hapësirës mediatike e politike, nuk ka lënë rrugë a shteg pa zënë me akuzat e tij ortek ndaj mediave dhe emrave të saj të përveçëm (së fundmi, në Parlament përgojoi Mark Markun dhe Artur Zhejin). Buçitjet e tij mbi “kadrinjtë” dhe “kazanët” s’kanë lënë vesh plaku e as fëmije pa ia vënë në provë timpanin. Gjuha e urrejtjes në të tilla pleudari gjen frymëzim. Po kaq, ai miratoi edhe ligjin “antishpifje” për të kufizuar sa të jetë e mundur kritikat që e mërzisin diku nxitur autocensurën, një nismë ndërkombëtarisht e kontestuar.

Kështu, në këtë humus, shumë tipa mund të gjejnë frymëzim për të bërë “tërbiet” Lubonjën dhe të tjerët. Hipotezat fitojnë larmi nga mundësitë që realiteti ofron. Ndëshkimi ndaj Lubonjës mund t’i ketë ardhur nga politika, nga oligarkët, nga militantë pro qeveritarë e të tjerë. Tejet e vështirë ta ndash, sidomos në këtë rast, kur në shënjestër është vënë Fatos Lubonja, i cili një gjë që e mendon e thotë gjithmonë, përtej kostos apo konsekuencave. Mbase të akuzosh Edi Ramën si mendje apo urdhërues i të tilla veprimeve mund të jetë tepri, por nuk është aspak e tillë ta mbështjellësh atë fund e krye me petkun e “porositësit” (il mandante) moral, i cili nuk po di ta fshehë më irritimin ndaj asaj çete opinionbërësish, të cilët nuk i puthin duart si ndonjë në spektaklin postermetor, që nuk e konsiderojnë “Skënderbe”, nuk i rrëfehen duke e konsideruar “gjysmë prift e gjysmë hoxhë”, por që i thonë një e dy “je lakuriq”, sa me të shti mnerën në të gjithë gjatësinë e delirit e viteve në pushtet. Mesazhi ndaj Lubonjës është i paekuivok, na është drejtuar të gjithëve “bujarisht”. Mbetet për t’u parë sa do të reflektojmë dhe si pasi e morëm!