Ushtarakët nuk duhet ta presin bashkimin nga qielli

773
Sigal

Në takimin me kuadrot kryesore të ushtrisë Ramiz Alia më 06.07.1991 deklaroi se “reforma në FA të RSH do të përfshijë çështje si: -Konceptim i ri i mbrojtjes – riorganizimi i FA të RSH -Përsosje e teorisë së AUP dhe përmbysja e tij -Forcimi i disiplinës-departizim e depolitizim i FA të RSH.- Do ta shkurtojmë ushtrinë, por oficerëve një gjë nuk u garantoj, vendin e punës që kanë!” Me këtë deklaratë para ajkës së ushtrisë, Udhëheqësi shpalosi kursin e ri politik në fushën e mbrojtjes. Asnjë nga të pranishmit nuk kundërshtoi, jo se nuk e kuptuan por përjetimi i eliminimit të “Puçistëve”, ku edhe pse “s’kishe gjë e pësoje nga një zë”, i detyroi të heshtnin. “Udhëheqësi” kish punuar me dekada për të arritur deri këtu, me kohë eliminoi fizikisht ata që mundë ta pengonin. Ndryshe nga tradita kur partia tërhiqte mendim, këtë radhë ajo dha ultimatum, duke i kërcënuar me vendin e punës. Pas ushtrisë, me Partinë, Udhëheqësi i lau duart kollaj, pasi të gjithë kuadrot në Parti dhe në Qeveri ishin ngritur me firmën e tij dhe u’a dinte të gjithëve pikat e dobëta dhe kështu, një pjesë të mire të kuadrove i akuzoi për paaftësi dhe mediokër, duke i diskredituar publikisht, dhe i detyroi të tërhiqen në heshtje e pa bujë, pa thënë qoftë edhe një fjalë të vetme dhe krijoi Presidencën, e cila eliminoi Byronë Politike, Komitetin Qendror dhe Qeverinë. Pushteti brenda një periudhe 5-6 vjeçare kaloi nga duart e një kaste që ishte Komitetit Qendror, në atë të byroistëve dhe në fund përfundoi në dorën e një njeriu të vetëm që e kishte emrin Sekretar i Parë i KQPPSH dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. “Kështjella që hidhte valle në gojë të ujkut” ra, jo se mungonin rezervat, jo se u konsumua armatimi, jo se mungoi gatishmëria për ta mbrojtur, jo se i hodhën qenin e ngordhur në pus si “Sfetigradit”, por vetë Komandanti i Përgjithshëm e dorëzoi pakushte. Sot, pas 21 vjetësh kemi ardhur në rrethana të përafërta si ato të vitit 1990-1992 dhe 1997. Jemi dëshmitar të kalimit të pushtetit në dorën e një njeriu, i cili e ka emrin Kryeministër, që është mjeshtër i futjes së kundërshtarit në xhep me dredhi, me pasuri, e me çdo gjë tjetër që e josh atë që të futet vet në kurth. Qeverisja si rezultat i marrëveshjes PD-LSI e shkarkon nga përgjegjësia Kryeministrin. Ai nuk mban përgjegjësi për dështimet. Situata është rënduar nga fakti se e majta, nga e cila prisnim të dalë në mbrojtje të interesave kombëtare, ajo hesht se është e komprometuar, nga një korrupsion i dukshëm që në sistemin e kaluar, dhe në këtë sistem ajo ka degjeneruar plotësisht. Konfliktet televizive mes pozitës dhe opozitës janë demagogji. Mjafton tu referohemi marrëveshjeve pozitë-opozitë si në rastin: Zgjedhja e presidentit, ndryshimi i kodit zgjedhor, marrëveshja e detit, shfuqizimi i disa ligjeve me qellim krijimin e hapësirave boshe, ndryshimet në kushtetutë,shitja e pronave shtetërore, deri edhe hidrocentralet mbi kaskadën e Drinit, tregon se Shteti dhe shoqëria shqiptare kanë renë në “Pikiatë”.

Përpjekjet tona për bashkimin e ushtarakeve kanë për qëllim të ofrojmë diçka të re Shoqatës, në një luftë aktive për të drejtat sociale të shumicës! Ju, Zoti Kolonel Zaimi jeni shumë aktiv në kërkesat për mbrojtjen e të drejtave të ushtarakut. Këtë e keni treguar me gojë, me shkrime në gazetë dhe me pjesëmarrje fizike në të gjitha protestat, por kjo nuk të jep të drejtën të përdorësh një fjalor acarues e denigrues sa që kush e lexon thotë:”Më keq nga ky kundër figurës së ushtarakut as kush nuk ka folur “. Ju me të drejtë shtroni pyetjen se kush është sëmundja. Sëmundja jonë quhet: “Trimëri”, “Pacifizëm“, “Oportunizëm”, “Kapadaillëk”, “Indiferentizëm”, rendje e secilit pas fitimit.

Kanuni i Lekë Dukagjinit për shërbimin ushtarak thotë:”

1.Një burrë quhej trim kur ishte i zoti për luftë, por nuk kish mënd për të shkuar në Kuvend.

2.Një burrë quhej burrë kur përveç trimërisë kishte edhe mençurinë për te marre pjese në Kuvend.”

Në kryesitë e Shoqatave të ushtarakeve janë mbledhur të gjithë trimat, të cilët nuk lënë rast pa sharë, pa ofenduar, pa shpifur me shkak e pa shkak kundër shokëve të tyre dhe të tregojnë histori me beteja si ajo që thoni ju në rastin konkret. Që të ngrihet morali i kësaj Shoqate është e nevojshme të planifikohen aktivitete, ose si i thonë në gjuhën ushtarake është i nevojshëm të zhvillohet “Trenazhi”, ku të arrihet kompaktësimi i repartit, ku të gjithë të ecin me hapin e togës, dhe ata që humbasin hapin dalin nga rreshti. Protestat, marshimet, manifestimet janë si përgatitja fizike, e cila krijon besim e aftësi dhe ndez shpirtin e garës dhe sedrën midis individëve për të vrarë frikën, por njëkohësisht aty bëhet edhe ndarja e atyre që janë pro interesave të shoqatës ,ose që bashkëpunojnë në fshehtësi ose hapur kundër shoqatës. Një repart që nuk marshon, që nuk zhvillon aktivitet në terren në kushte fushimi është i detyruar të asgjësohet. Ka kohe që ne nuk dimë se kur dhe pse duhet të themi JO. Shumica e anëtareve të  kryesive të Shoqatave Ushtarake, vuajnë nga mentaliteti teknokrat burokratik i dy sistemeve.

Kemi ngelur vetëm tek kërkesat ekonomike dhe kemi harruar ato që na jep Kushtetuta, Statusi. Në asnjë vend të botës ushtaraku nuk çarmatoset, se konsiderohet forcë e gatshme, tek ne nuk ka armë as ushtaraku aktiv e as ai ne rezervë. Kapiten Idriz Guri, në Gjirokastër, kur mbaroi së foluri prefekti, bërtiti “Poshtë kusarët e regjimit”! U prish festa. Oficeri i gardës dhe xhandarët i shkuan dhe i thane: “Zoti kapiten, Idriz Guri, dorëzoni këllëçin, pse jeni i arrestuar”. Idrizi u çua në këmbë beri tre hapa prapa nxori shpatën dhe i tha: “Largohu zoti kapiten, se Idriz Guri s’e ka zakon të dorëzojë shpatën. O ti, o unë do mbetemi këtu të vrarë”. Kapiteni u hutua. Turma bërtiti: “Qëndro Idriz Guri!”. Xhandarët u gjenden të rrethuar dhe u larguan të hutuar. Duke parë reagimin dhe mbrojtjen e popullit Zogu nuk e arrestoi, por i hoqi rrobat e oficerit. Ndërsa me neve zoti Kolonel, ka ndodhur si me ushtarin te “Legjenda e Kurbinit”, që ja kishin hedhur ilaçin në ushqim dhe e kishin ç’burrëruar. Para disa ditësh duke lexuar lajmet në internet më tërhoqi vëmendjen një njoftim i Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi ku thoshte:” Crna Gora naoružana do zuba (M.Zi armatosur deri ne dhëmbë). Sipas MB të Mal te Zi nga rreth 450.000 Malazez të moshës  madhore, mbi 103.743 vete posedojnë armë zjarri ose 1 në çdo 4 vetë ka armë. Të licencuar janë vetëm 24 304, vetë”. Qeveria e Malit Zi nuk ka frikë nga qytetarët e vetë. Siç duket ne nuk vetëqeverisemi. Ndre Mjeda thoshte: “Mos e fut të huejin në votër se të turpnon me gru e me motër”. Në Kërrabë të Tiranës më 12.08.2012 turpëroi miku mikun dhe e vuri në vend nderin “cuca”, jo burrat. Burrat kanë marrë “furkën” e janë futur në Parlament të tjerrin “lesh”, zoti Zaimi.

Guximin e shprehur nga ndonjë individ në shoqatat nuk e kemi mbështetur, por e kemi ironizuar apo salutuar. Kur Myslym Pashai argumentoi dhe denoncoi tradhtinë ne nuk duhej të lëviznim nga sheshi, vendi u shit, kur duhet të tregohemi trima? Nuk reaguan ushtaraket aktiv, pasi ai që tradhtoi përparoi në gradë dhe përfaqëson vendin tonë në NATO. Turp edhe për ata që e mbajnë atje. Nuk reaguam ne Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë, nuk reagoi as Shoqata e Veteranëve, as Shoqata e Dëshmorëve të Atdheut, as shoqata e të dënuarve, të cilët kanë në krye një Hero të Popullit, as shoqatat e tjera, se janë mbi 95 shoqata. Kur nuk bëmë këtë a na del njeri në mbrojtje si Idriz Gurit? JO!

Si Shoqatë ne duhet të organizojmë tubime e aktivitete  kulturore, përkujtimore, të kujtojmë shokët që ikën nga kjo jetë pa arritur të marrin pensionin. Të paktën duhet zhvilluar një takim në çdo muaj për të mos thënë çdo javë për të fituar mbështetësit tanë. Vetëm kështu do të kemi rezultat. Ne jemi të lënë pas dore nga shoqëria, nga Qeveria, nga ushtria. Kur po lexoja librin “Në syrin e Ciklonit” të Xhorxh Tenet më tërhoqi vëmendjen një episod ku autori kujton: “pak ditë para dorëheqjes po diskutoja me gruan dhe djalin për dorëheqjen dhe djali u frikësua se presidenti do të inatosej kur të merrte vesh largimin tim nga CIA. Unë ja tregova këtë histori Presidentit në mbrëmjen e të mërkurës. Të ënjten pasdite, pas dorëheqjes sime, presidenti i telefonoi Xhon Majkëllit (djalit) nga aeroplani Air Force One, për ta garantuar se jo, ai nuk ishte inatosur me të dhe i tregoi se babai i tij kishte bërë një punë të shkëlqyer. Kjo nuk ishte hera e parë që Xhorxh Bush kishte krijuar befasira aq të këndshme me tim bir..”. Zoti Kolonel Zaimi a di ndonjë rast në ushtrinë tonë ku kuadri që lë detyrën ta ketë provuar këtë ndjesi, qoftë edhe nga ai që i la detyrën e jo mandej nga Presidenti? Për këtë mundet të pyesësh që nga Gjeneralët e Luftës brezin e Heroit të Popullit Rrahman Përllaku, ish- MM Kiço Mustaqi, ish- shefat e shtabit të përgjithshëm: Sheme Kosova, Adem Copani, Aleks Andoni, Kostaq Karoli, Halim Abazi, Luan Hoxha, Maks Malaj, e deri te ushtari profesionist i dalë në lirim, të cilët janë harruar që atë ditë që lanë detyrën. (Ju kërkoj ndjesë zotërinjve që u kam përmendur emrat, por pa të keq). Jemi të ndërgjegjshëm se në shoqëri vepron ligji i mohimit të mohimit, ku e reja që mohon të vjetrën mohohet edhe vetë, por veçoria e mohimit dialektik është se ai ruan çdo gjë pozitive të së vjetrës dhe njëkohësisht i pastron rrugën zhvillimit. Mos të numërojmë se sa të këqija kemi si individë e shoqata, pasi shoqata nuk përbëhet vetëm nga të këqijat. Mos ta presim bashkimin nga qielli, por ta përgatisim e ta realizojmë ne këtu në tokë, ne ushtarakët shqiptarë. Në radhët e ushtarakëve ka shume trima e të mençëm, por lufta e paskrupullt që u bëhet, integriteti që kanë, i detyron të qëndrojnë indiferent.