Thoma  Goga: Kur “pushtuam” Italinë dhe Greqinë, nuk pyesim për Anglinë…  

168

– Mbrëmë dëgjuam se janë bërë 143 mijë kërkesa për azil në Angli,- shtoi nipi i Pinxho Kapellës, më duket e “pushtuam” dhe Anglinë.

Sigal

 – Nga defteri Çeços –

Fejton: Thoma  Goga

Sot do ju rrëfej një mesele, që bëri vaki në stanin tim, ditën e “informacionit politik”.

A ju kujtonet një këngë si ato serenatat korçare “O vemi, o s’vemi”? Në fakt këtu s’ka rrugë të mesme. Hë, më thoni, ka rrugë tjetër kur thua: “O vemi, o s’vemi”? Si çoban që jam, do i bie më shkurt për të dalë te “shtegu i dhisë”…

O vemi, o s’vemi? Kemi 32 vjet që na ulërijnë veshët; “do shkojmë në Europë, do shkojmë në Europë…”. Për ca e ca qenka kjo botë. Fukarallëk për popullin, parajsa për politikanët. Po mirë mo, plotëso standartet apo “konitat” e shko. Mirëpo këtu ka ngecur muhabeti. Nuk na lë ai “i ëmbli korrupsion”, ato pasuri të fshehura, ajo droga që “çan bllokadën”, ajo drejtësia që dënon “sardelet” e ngordhura e ka frikë nga “peshqit e mëdhenj”!…

Ne jemi rracë e zgjuar,- më tha një nga kafsharët e mi në “informacionin politik”. Ja mbathim në shtigje të tjera drejt Europës. Ashtu si në fillim, kur u hapën ambasadat, kur ikën nga mali. Mbushëm dhe anijet. “Pushtuam” Italinë edhe Greqinë!

Mbrëmë dëgjuam se janë bërë 143 mijë kërkesa për azil në Angli,- shtoi nipi i Pinxho Kapellës.- Më duket e “pushtuam” dhe Anglinë. Me marifete të tjera edhe Gjermaninë.

E ka thënë mirë plaku Mere: “Ikni, ikni dhe ju e të këndojë qyqja këtu!…”.

Hë pusho ti, kulaku i derrit,- ja prita unë.

– O shef Çeço, po sikur të mos ketë fare kufij, – pyeti “shuli” – ç’bënet me vendin tënë?

– Vetëm zagarët do mbeten në stan, – u përgjigja hazërxhevap. Edhe ju e paski këtë mendje, o shejtan?! Ndaj na paski bërë dhe një letër se u paskam “ngrënë të ndrejtat” e njeriut. Ejani këtu mo, ejani! Ju jeni e ardhmja e “stanit” të madh. Do më lini dyfekët dhe dybekët varur. Do i marrë malli edhe zagarët…

Pastaj i mora me të mirë. U dhaç nga një pagure raki dhe u prisha mendjen.

Më keni ngritur një problem në atë letrën e famshme. Kërkoni një banjo “allafrënga” këtej nga stani. Keni të “ndrejtën” tuaj. Edhe pse kemi gjithë ato ferra, koçimare dhe një përrua për t’u larë, do ua plotësoj “konitat”. Ju ka Çeçua xhan, mos më lini vetëm në këtë atdhe për një copë hale! Dhe nashti, eja të ngemë një dolli. Ja për mëmëdhen’ tonë, Shqipëri. Si thoni t’ia marrëm një herë shtruar, mo? Kafsharët u afruan. I pari e mora unë vetë, si “shefi” stanit. Tjerët mbanë iso:

…“O vemi, o s’vemi/ Në mes të “pyllit” do vemi!

Atje halenë/ do ngrehëm edhe ne…”.

Ështe version lab “kompozuar” sipas rradakes time.

– Hë ju këndofshin zorrët!…– u thaç duke qeshur. Dhe mblidheni rradaken se, me këtë hale që do bëjmë tok, stani ynë do hyjë më shpejt në Europë. Nga kjo “vepër” do bënen farmak nga inati stanet e Ballkanit. Për flamur, kthejeni edhe një herë me fund “ballin e kazanit”…

Kështu mbaroi atë ditë edhe “informacioni politik”