Të mendojmë si komb, të veprojmë si popull

563
Prof. Zamira Çavo
-Se kemi një elitë të korruptuar nuk do të thotë, se të gjithë janë të tillë. Shqipëria kështu ka ecur gjithnjë me hapa të vegjël, por ka ecur, sepse nuk janë të gjithë të ligj!
-Jam shumë e shqetësuar se, nëse nuk arrijmë të mendojmë si komb, nuk do veprojmë kurrë si popull!
Më shqetëson fati ynë i përbashkët dhe e dini pse:
Sepse me vdekjen e Dritëroit vura re se kishte mjaft individë, disa që e quajnë veten dhe intelektualë, që e anatemuan duke e quajtur “komunist”, “enverist”, madje deri dhe “qen i rrahur”. Kjo më tremb, sepse shikoj miopinë që po na mbyt dhe nuk na le të vlerësojmë veprat që i duhen kombit. Pyetjes “injorante”, se çfarë ka bërë Dritëroi, që po “vini kujen në fb” po i përgjigjem thjeshtë: Ka bërë një mal me vepra që do t’i bëjnë nder kulturës shqiptare ndër vite! Po ti përveç baltosjes çfarë ke bërë për këtë vend?
– Sepse vërej një mendim totalitarist tek shumë njerëz, të cilët i fusin të gjithë në një thes! Sipas tyre, të gjithë janë hajdutë në këtë vend, të gjithë janë kanabistë, të gjithë janë mashtrues. Ndaj Shqipëria nuk bëhet!… Se kemi një elitë të korruptuar nuk do të thotë, se të gjithë janë të tillë. Shqipëria kështu ka ecur gjithnjë me hapa të vegjël, por ka ecur, sepse nuk janë të gjithë të ligj!
Sepse shikoj individë që përveçse mohojnë gjithçka, shajnë e kritikojnë pafund këdo e gjithçka, nuk ua thotë kurrë goja dhe mendja të thonë edhe ndonjë gjë pozitive. Ne kemi nevojë për shpresë. Dhe gjëra pozitive ka. Sepse shikoj individë që pasi kanë sharë me rrënjë e me degë Edi Ramën, kthehen e i bëjnë komente gati ekzaltuese kryeministrit në faqen e tij. Kjo më tremb shumë. Si ka mundësi të ketë individë të tillë pa asnjë grimë integriteti? Dhe nuk janë pak!
-Sepse shikoj individë që nuk arrijnë dot të dallojnë ku qëndron e keqja dhe marrin krahët herë të njërit lider e herë të tjetrit. Besojnë në mitingjet partiake dhe nuk vlerësojnë të ardhmen e tyre. Harrojnë çfarë hoqën dhe bëhen sërish mashë në duart e atyre që i përçudnojnë çdo ditë.
Jam shumë e shqetësuar se, nëse nuk arrijmë të mendojmë si komb, nuk do veprojmë kurrë si popull!
Sigal