Tanush KASO/ Shpifjet, arma e vjetër e Sigurimit të Shtetit

635
Sigal

Replikë ndaj shkrimit të Perikli Shqevit

Mbas një shkrimi me interes të përgjithshëm, të mbështetur nga më shumë se pesëdhjetë ish të dënuar politikë, të botuar në gazetën “Telegraf” të dt.20 janar 2014, prisnim ndonjë shpjegim të argumentuar apo reagim nga S. Tufa. Jo që ai të përgënjeshtronte faktin e dënimit të tij me shtatë vjet burg për “shfrytëzim prostitucioni”, mbasi për këtë janë dokumente të pakundërshtueshme, të cilat gjenden në gjykatë si edhe në faqen e internetit. Por, të paktën ndonjë shpjegim për “Ligjin e ri të dëmshpërblimit”, të formuluar prej tij, pa u këshilluar me asnjë nga shoqatat e të përndjekurve politikë dhe të bërë publik në gazetën “Telegraf”, të dt.16 janar 2014, të cilin ai thoshte se do t’ia dërgonte së shpejti Kuvendit për shqyrtim. Mirëpo, në vend të tij, ishte Perikli Shqevi që botoi po në këtë gazetë, më 23 janar 2014, një shkrim me 100% shpifje e trillime, të sajuara keq dhe në mënyrë trashanike, por të mjaftueshme për t’iu drejtuar gjykatës në kohën e duhur. Ky person, emrin e të cilit e kam dëgjuar vetëm përpara dy-tre vjetëve dhe me rastin e grevës së fundit të urisë, i referohet një ish të dënuari tjetër, Asllan Patriotit, që ka qenë në burg në kohë të ndryshme me mua dhe për akuza krejtësisht të ndryshme. Pra, Shqevi thotë atë që i ka thënë Asllani: një thashethem të vjetër, të vitit 1992, të hedhur asokohe në qarkullim nga njerëzit e Sigurimit kundër meje, mbasi isha Kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë për Tiranën dhe Kryeredaktor i gazetës sonë “Ringjallja”, ku kishim botuar dy lista emërore të ish- persekutorëve dhe të kriminelëve komunistë. Atë rrenë me bisht e kam përgënjeshtruar po në atë kohë, me një shkrim të argumentuar me prova e fakte, të botuar në gazetën “Liria”, pas të cilit “korbat e kuq” ranë në heshtje. Dhe ja tani, mbas kaq vitesh, ajo vihet përsëri në qarkullim, e shoqëruar edhe me gënjeshtra të tjera, të sajuara kot më kot e pa kurrfarë mjeshtërie. Nga ky shkrim i P. Shqevit, duket qartë se ai nuk ka informacionin e duhur për historikun e Shoqatës së ish të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë si dhe për veprimtarinë e saj. Prandaj ai shprehet se: “Emri i tij (d.m.th. imi) u dëgjua fillimisht kur bëri një grupim “të bujshëm”, nën ombrellën berishiane, kundër Kurt Kolës…”.  Kjo nuk është aspak e vërtetë; dhe nëse do të pyetej z. Kurt Kola, jam i sigurt se ai do të tregonte ndershmërisht se unë nuk kam krijuar kurrë ndonjë “grupim të bujshëm” kundër tij. Përkundrazi, për çështje me interes të përgjithshëm (si çështja e dëmshpërblimit, kërkimi i eshtrave të të pushkatuarve pa faj, etj.), kemi qenë kurdoherë në të njëjtin front. Emrin tim mund të mos e ketë dëgjuar Shqevi dhe ndonjë tjetër, por e kanë dëgjuar të gjithë ish të burgosurit dhe të përndjekurit e mirëfilltë, qysh në fillimin e vitit 1991, kur u krijua Shoqata e ish të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, nismëtar i së cilës isha edhe unë, së bashku me shtatë të tjerë. Shokët e burgut, që më njihnin dhe i njihja mirë, më zgjodhën mua si kryetarin e parë të Degës së Tiranës, të kësaj shoqate.

Se si kam punuar e sa kam kontribuar unë, mund ta thonë vetëm ata që kanë luftuar tok me mua për të drejtat tona të mohuara, duke filluar që nga greva e parë e urisë e shtatorit të vitit 1991, duke vijuar me nismën për Ligjin e dëmshpërblimit në vitin 2002 dhe me aktivitete të tjera me interes të përgjithshëm. Tre vjet mbasi kishim krijuar Shoqatën, u kthye z. Kurt Kola nga Greqia dhe me shumicë votash u zgjodh kryetar i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare, duke zëvendësuar të ndjerin Osman Kazazi. Unë mbeta kryetar për Degën e Tiranës. Po të mos isha i denjë, bashkëvuajtësit e mi nuk do të më besonin drejtimin e Degës së Tiranës. Të gjitha këto, vërtetohen nga dokumente e materiale të ndryshme shkresore si edhe nga ata që i kanë përjetuar ato ngjarje.

-Një shpifje tjetër, sa e ndyrë aq edhe qesharake, është  ajo që po e dëgjojmë për herë të parë: sikur gjoja unë i paskam dalë “dëshmitar” të ndjerit Bardhyl Belishova, i cili në të vërtetë ka qenë një nga bashkëvuajtësit e mi më të mirë dhe nismëtar i krijimit të shoqatës sonë, tok me mua dhe disa të tjerë. Që të thuash se X-i i ka dalë dëshmitar Y-it, duhet që kjo të ketë ndodhur në ndonjë proces gjyqësor, dokumentet e të cilit gjenden në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Këto vitet e fundit, duke përfituar nga ligji për dëmshpërblimin, gjithkush është lejuar që t’i shfletojë e t’i shohë dosjet gjyqësore si dhe ato hetimore; e kësisoj, ka mundur të mësojë ndonjë gjë të panjohur më parë. Prandaj, cilido që dëshiron, është i autorizuar nga unë, që të shkojë atje, të shfletojë e të kërkojë sa të dojë; dhe nëse gjen diçka të atillë në dosjen time, le ta botojë pa ngurrim. E pra, mjaft më me shpifje, trillime dhe falsifikime të të vërtetave! Mund t’ju siguroj se kam pasur, dhe kam, dokumente e materiale të mjaftueshme në ngarkim të S. Tufës (si përdorimi i një vule të paligjshme, falsifikime e abuzime, etj.), me të cilat ai mund të shkonte përsëri atje ku ishte para pak vjetëve dhe ku -siç thotë populli- “mos pafsh as hasmin!”. Madje, përpara se ai të burgosej me akuzën që tanimë dihet, disa shokë të tij të afërt, të revoltuar nga padrejtësia që kishte bërë ndaj tyre, më ftuan që së bashku ta hidhnim në gjyq, S. Tufën. Por, unë nuk pranova. Unë nuk i jam drejtuar Gjykatës deri më sot, edhe për respekt të babait të tij, Bedri Tufës, një njeri i urtë e i ndershëm, me të cilin kam qenë në të njëjtën kohë në burg, në kampin e Laçit e të Elbasanit dhe kemi shkuar shumë mirë, duke ruajtur respektin për njëri-tjetrin edhe mbas burgut. Dhe në vijim të sqarimit mbi historikun e shoqatave tona, për ata që nuk e dinë, më duhet të tregoj se mbas krijimit të Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politikë Demokratë më 1994, në shkurtin e vitit 1997, u pa e nevojshme dhe u krijua Shoqata e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, kryetar të së cilës ish të burgosurit e ndershëm që i njihja dhe më njihnin mirë, më zgjodhën përsëri mua. Sekretar u zgjodh dhe qëndroi për ca kohë S. Tufa. E pra, logjika e thjeshtë thotë se po të kisha qenë me një të kaluar të atillë, siç shpifin sot kundërshtarët e mi, përse do të më zgjidhnin dy herë kryetar, më 1991 dhe më 1997? Ka vetëm një të vërtetë në shkrimin e P. Shqevit: Që unë, prej rreth shtatë vjetësh vazhdoj dy gjyqe: njërin me të bijën e ish-gjeneral Gjin Markut dhe tjetrin me të shoqen e Pjetër Arbnorit, për dy shkrime të botuara shumë vjet më parë, në dy gazeta të ndryshme. Që të dyja kërkonin nga unë një shumë të madhe parash si dëmshpërblim, për gjoja “fyerje”. E para është ankuar se përse kam përmendur emrin e babait të saj në shkrimin “Ditët, që tronditën Mirditën”, ku në gushtin e vitit 1949, mbas vrasjes së sekretarit komunist Bardhok Biba nga të arratisurit e “Komitetit të Maleve”, në pamundësi për të kapur autorët, regjimi i Enver Hoxhës kreu një masakër të pashembullt mbi mirditorët e pafajshëm. Për përgatitjen e asaj masakre, Enver Hoxha dërgoi në Mirditë gjeneralët Mehmet Shehu dhe Gjin Marku. Mbas një gjyqi të stërzgjatur, gjyqtarja e shkallës së parë e ka pranuar pjesërisht Kërkesë Padinë, duke e zbritur në pesë milion lekë (të vjetra) dëmshpërblimin. Gjykimi vazhdon në shkallën e dytë, të Apelit.
E dyta, Suzana Arbnori, kërkon dëmshpërblim për një shkrim humoristik timin, të botuar në gazetën “Liria” në vitin 1996, (dhjetë vjet përpara se Pjetri të ndahej nga jeta), ku ajo mendon se bëhet fjalë për burrin e saj, ndonëse aty nuk përmendet asnjëherë emri i tij. Se po të ishte ashtu, Pjetri do ta kishte ngritur vetë këtë çështje, gjë që nuk ka ndodhur. Mbas disa sorollatjeve dhe ndërrimit të tre gjyqtarëve, më 11 dhjetor 2013, pala paditëse u tërhoq nga dëmshpërblimi i kërkuar prej njëzetë milionë lekësh (të vjetra), me kusht që pala e paditur të botojë një shkrim në një gazetë, ku të kërkohet ndjesë për këtë keqkuptim të shkaktuar familjes Arbnori. Edhe ky gjyq përcillet në Gjykatën e Apelit. Ajo që më bën të mos tronditem nga të gjitha këto, nga shpifjet e thashethemet dhe që të ndihem mirë, është mbështetja, mirëkuptimi dhe besimi reciprok që kam pasur e kam prej dhjetëra vjetësh, me bashkëvuajtësit e mi të nderuar, me ata që kaluam së bashku shumë vite, nëpër burgjet dhe kampet e punës së detyruar. Unë gjej rastin t’i falënderoj publikisht ata për zgjedhjen e tyre, si dhe për përkushtimin e pjesëmarrjen e tyre në të gjitha veprimtaritë e Shoqatës sonë: në konferencat e shtypit, promovimet e librave, vendosjen e pllakave përkujtimore, tubimet paqësore, etj..Lufta e jonë nuk bëhet për dy kile miell e makarona, as vetëm për dëmshpërblimin financiar, por për rifitimin e të gjitha të drejtave njerëzore të mohuara si dhe për integrimin e vërtetë të shtresës sonë në shoqërinë shqiptare.