Spartak Braho: Përgjimet e paligjshme, masa drastike ndaj drejtuesve të SHISH

617
Sigal

Veprime të tilla nuk janë ndërmarrë as gjatë kohës së diktaturës! Ku shkon informacioni i marrë?

Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, z.Spartak Braho ka deklaruar se, nuk është në dijeni që të jetë vënë në përgjim nga SHISH-i. Këtë gjë z.Braho e ka shprehur në një prononcim për median. Braho u shpreh se, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi do të thirret në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe do të kërkohet informacion më i detajuar për përgjimet që janë kryer nga ky institucion për drejtuesit e lartë të policisë, tatimeve dhe doganave. Sipas lajmeve të publikuara së fundmi në media përflitet për një urdhër të dhënë nga drejtuesit e SHISH-it për përgjimin e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që, listën e personave të përgjuar mund të jetë edhe emri i deputetit Braho. Kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho thotë se, është një skandal i përmasave të mëdha sa kohë një strukturë shtetërore si SHISH angazhohet për një veprim të tillë me prapavijë, sipas tij, të qartë politike. Duke shprehur dijeni të plotë për këtë dokument, Braho tha se, veprime të tilla nuk janë ndërmarrë as gjatë kohës së diktaturës. “Janë totalisht jashtë objektit të përcaktuar nga ligji për organizimin e funksionimi i SHISH. Kemi të bëjmë më një kërkesë të kundraligjshme, madje me elementë të veprës penale, shpërdorim i detyrës më e pakta. Po të sjellim për analogji, as në kohën e Koçi Xoxes nuk janë bërë këto dhe kur tentoi t’i bënte Enveri i “preu kokën”. E thënë me atmosferën që përjetojmë, duket si një agjendë zyrtare e përputhur me një agjendë politike. Axhenda zyrtare e SHISH-it, ndërkohë që, është agjenda e Partisë Demokratike, e cila po merret me këtë situatë duke akuzuar mjaft drejtues të policisë për implikime në krim”,-deklaroi z.Braho. I pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë lajm u shpreh se, do të ketë masa ligjore në rast se këto lajme do të vërtetohen. “Nuk di gjë që SHISH-i, ka urdhër për përgjime, nuk di gjë që unë përgjohem. Dhe po ju them se, nuk ka bir nëne që të më përgjojë mua. Nëse përgjimet janë bërë në kundërshtim me rregullat që përcakton ligji i veprimtarisë së SHISH-it, do të merren masa drastike, sepse është shkelur rëndë ligji”,-theksoi Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Duke shpjeguar masat që mund të merren nëse ka pasur shkelje të ligjit nga drejtuesit e SHISH-it, z.Braho tha se, personat që kanë urdhëruar përgjime të paligjshme do të mbajnë përgjegjësi penale. “Personat që kanë urdhëruar përgjime të paligjshme do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale. A do të mblidhet komisioni për situatën e shpërthimeve me tritol? Komisioni nuk merret me shpërthimet me tritol, sepse me shpërthimet me tritol merret opozita”,-deklaroi ai. Për të dhënë sqarime lidhur me këtë çështje, z. Braho theksoi se, kreu i Shërbimit Informative Shtetëror do të thirret në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku do të kërkohet informacion më i detajuar për atë që ai e quajti një skandal i paprecedent. “Do ta shohim me gjakftohtësi situatën dhe do të informojmë në radhë të parë Parlamentin dhe në radhë të dytë presidentin e Kryeministrin, i cili është personi direkt që është i ngarkuar me mbikëqyrjen e ligjit për SHISH-in. Natyrisht, kemi të bëjmë me një informacion, i cili shprehet se, brenda 2 ditësh, të dhënat duhet të grumbulloheshin. Do të kërkojmë, ku janë këto pasi ministri i Brendshëm nuk ka të dhëna, ndërsa ishte detyra e drejtuesve të SHISH të informonin ministrin. Kemi të bëjmë me një shkërmoqje të kësaj strukture. Nuk e di, është mjaft e rëndë!”,- tha Braho. Të njëjtin qëndrim ka edhe ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, i cili ngre pikëpyetjet se, ku shkon ky informacion i marrë nga Shërbimi Informative Shtetëror, sa kohë nuk ka patur kundrejt tij asnjë kërkesë nga institucionet që qëndrojnë mbi të. Nga dokumenti i publikuar një ditë më parë rezulton se, Shërbimi Informativ Shtetëror në dt. 2 dhjetor 2013, vetëm pak muaj pas ardhjes ne fuqi të qeverisë së re ka kërkuar nga Drejtoritë në rrethe të identifikojnë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit në qarqe, më konkretisht (drejtorin e qarkut, shefin e Rendit, shefin e Krimeve, shefat e komisariateve, drejtori Qarkullimit Rrugor, ata të emigracionit dhe kufirit) dhe specifikisht të identifikohen personat dhe pozicionet e tyre drejtuese të emëruar pranë policisë së qarqeve, kohët e fundit me të dhëna që i implikojnë në veprimtari antiligjore.