Qemal Lame: Plani Evropian i detyrueshëm për Kosovën dhe Serbinë

153
Sigal

Plani evropian dhe marrëveshja e së shtunës, 18.03.2023, në Ohër është fillimi i ripajtimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kërkohen marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore. Palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

1.Marrëveshjet cilësohen historike për mirëkuptimin dhe përkushtimin në zbatimin e detyrimeve që do të ndikojnë në arritjen e njohjes përfundimtare dhe miqësinë midis shqiptarëve dhe serbëve në të dy shtetet, sigurinë e paqen në rajon, shpejtimin e ritmeve të integrimit euroatllantik. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës garantojnë mbështetjen dhe sovranitetin shtetëror.

 

  1. Presidentja Vjosa Osmani theksoi se “Kosova dëshmoi të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet.” Kryeministri i Kosovës ka deklaruar se është i gatshëm të nënshkruajë planin dhe ankesën. Kjo është bindje dhe siguri e Qeverisë së Kosovës në rëndësinë dhe domosdoshmërinë e marrëveshjen që do të forcojnë rolin ndërkombëtar të shtetit. Me të drejtë theksohet se marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut është “njohje de facto”, e Kosovës. Këto të vërteta nuk mund të vihet në dyshim nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili për shkak të reagimeve shumë të forta nga nacionalistët serbë po i shmanget nënshkrimit të marrëveshjes. Vuçiç sqaroi se pse nuk e ka nënshkruar të shtunën në Ohër marrëveshjen dhe as aneksin implementimit, derisa ka theksuar se” Serbia është e gatshme të punojë në implementim, deri te vijat e saj të kuqe”. Para së gjithash, sepse Republika e Serbisë është një vend i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa ajo siç e quajnë Republika e Kosovës, për mua nuk është e njohur ndërkombëtarisht. Nuk dua të bëj marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës”, u shpreh Vuçiç në një konferencë për medie në Beograd. Sipas tij, vija e kuqe e Serbisë, është pranimi i Kosovës si shtet i pavarur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Pas çdo samiti dhe takimi, në çdo vend, unë pa mëdyshje flas për vijat e kuqe të Serbisë, që kanë të bëjnë me kundërshtimin e pranimit të Kosovës, shtet i pavarur, dhe pranimit të Kosovës në OKB, siç e shihni, këtë edhe sot e kam thënë, se askush, asnjëherë nuk mund t’i vendosë obligim ligjor Serbisë për atë që Serbia nuk e ka pranuar. Prandaj, nuk kam nënshkruar atë që BE-ja e ka quajtur marrëveshje e as Aneksin. Mirëpo, Republika e Serbisë është e gatshme të punojë në implementim, deri tek vijat e saj të kuqe, për shumë arsye”, ka thënë presidenti Vuçiç.

Normalizimi i marrëdhënieve ka detyrimin që Serbia të mos pengojë Kosovën për njohjet dhe pranimin në organizatat ndërkombëtare. Me këtë fazë të re të marrëdhënieve nga të dy shtetet do të ketë edhe ndryshime pozitive për njohjet në qëndrimet e shteteve evropiane dhe të tjerë në bashkësinë ndërkombëtare. Për ta bërë realitet dobinë e marrëveshjeve, pritet që të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse.

 

3.Dy marrëveshjet e fundit kanë legjitimitet dhe parashikojnë detyrime ligjore për t’i përmbushur. Serbia ka 12 vjet që nuk zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në Vashington. Tani kërkohet ndryshim në qëndrimet dhe përkushtimin për zbatimin sidomos  nga Beogradi. Ndërmjetësi amerikan theksoi, se Serbia duhet të fillojë njohjen e disa dokumenteve të Kosovës dhe simboleve të tjera kombëtare, letërnjoftimeve dhe gjërave të kësaj natyre. Sqarohet edhe një herë problemi delikat i asociacionit. “Për Kosovën është e rëndësishme që të fillojë hartimin e versionit të saj të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka shumë detyrime të tjera, por mendoj se këto janë më të rëndësishmet”,- tha zoti Escobar, duke nënvizuar se u takon palëve të përcaktojnë se si do të duket asociacioni. “Por, ne besojmë se duhet të jetë një që u shërben interesave të popullit të rajonit, një që funksionon për të dyja palët, që lejon serbët etnikë të marrin pjesë plotësisht në jetën civile dhe demokratike të Kosovës, por po ashtu, duhet të jetë një asociacion, që nuk shkel strukturën kushtetuese të Kosovës apo prek funksionalitetin e saj”,- tha zoti Escobar.

“Ekziston një paragraf i cili flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit joshumicë serb dhe natyrisht se ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cënim, asnjë diskriminim”,- tha kryeministri Kurti të shtunën, duke theksuar se ndërkaq se në planin themelor evropian thuhet se të gjitha marrëveshjet e deritashme duhet të zbatohen.

“Dua ta bëjë të qartë. Ky është detyrim ligjor për të cilin Serbia është pajtuar, sikurse edhe Kosova. Diskutimi rreth nënshkrimit është përqendrim ndaj diçkaje, që nuk ka ndikim në faktin se e kemi një marrëveshje. Është një marrëveshje, ne e trajtojmë të tillë, të dyja palët hynë në të me seriozitet dhe Bashkimi Evropian e konfirmoi se është e tillë në sytë e tij ”,- tha zoti Escobar.

Udhërrëfyesi për zbatimin e planit evropian parasheh që të dyja vendet të angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe Aneksin e saj. “Kosova është pajtuar të nisë menjëherë, dhe kur them menjëherë, e kam fjalën menjëherë, negociatat e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për një marrëveshjeje specifike dhe garanci për të siguruar një shkallë të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Palët ranë dakord gjithashtu të miratojnë si çështje urgjente deklaratën për personat e zhdukur siç është negociuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, -tha Borrell.

Tërheq vëmëndjen kuptimi dhe vlerësimi i drejtë i legjitimitetit dhe detyrimeve zyrtare për zbatimin e panit dhe të aneksit. Mosnënshkrimi i dokumentit ka nxitur mëdyshje në opinion, nëse marrëveshja e Ohrit mund të cilësohet ligjërisht e detyrueshme. E Josep Borrell tha se edhe dokumenti i 27 shkurtit i publikuar nga BE-ja, dhe Aneksi i zbatimit të tij, i publikuar me 18 mars, “konsiderohen të miratuara përmes deklaratës së tij”. Marrëveshja,- tha Borrell, “do të jetë pjesë e procesit të integrimeve të të dyja palëve në Bashkimin Evropian”.

“Dhe për ta bërë shumë konkrete, do të nis punën menjëherë për të përfshirë zyrtarisht amendamentet përkatëse në Kapitullin 35 të kuadrit të negociatave të Serbisë me BE-në dhe në agjendën e Grupit të Posaçëm të Kosovës për Normalizim. Në këtë mënyrë, të dyja palët do të jenë të detyruara nga Marrëveshja, e cila do të jetë pjesë e rrugës së tyre drejt Bashkimit Evropian. Dhe ne në Bashkimin Evropian, do t’u kërkojmë me forcë palëve të përmbushin detyrimet e tyre. Mospërmbushja e tyre do të sjellë pasoja”, u zotua shefi i diplomacisë evropiane,- Josep Borrell.

Zbatimi i marrëveshjeve kushtëzohet edhe me mbështetjen politike që kërkohet në të dy vendet sidomos në Serbi ku nacionalizmi shovinist i mbështetur nga Kisha Ortodokse bën deklarata destabilizuese. Për të mos lejuar dëmtimin e marrëveshjeve është pozitive mbështetja prej 64 për qind që ka Vuçiç në popull. Qeveritë përkatëse kanë qenë të njohura me kundërshtimet dhe vijat e kuqe. Ndryshimet e arritura kanë qenë të dhimshme, por të domosdoshme për të krijuar kushtet për mirëkuptimin për dobitë e përbashkëta. Shqiptarët me të drejtë duan të njihen se serbët kanë të drejta dhe standarte nga më të lartat të njohura ndërkombëtarisht. Asociacioni që në projekt Kosova; është një zgjidhje që meriton mbështetje edhe nga Serbia e patrnerët ndërkombëtarë. Është e nevojshme që grupimet politike të kontribojnë për mbështetjen e politikës zyrtare dhe ndihmën, që japin partnerët ndërkombëtarë.