Servet Pëllumbi: “Papagajtë e Politikës”, kontribut me vlerë në politologjinë shqiptare

608
Sigal

Parathënia e shkruar nga Prof. Servet Pëllumbi për librin e ri të autorit Prof. Dr. Ago Nezha

Ditët e fundit ka dal në treg, për lexuesin shqiptar, libri “Papagajtë e Politikës” nga Prof. Dr. Ago Nezha. Ky libër përbëhet nga disa analiza politike burim i të cilave, sipas profesorit Nezha, kanë qenë zhvillimet me diversitet të skajshëm të demokracisë në vendin tonë. Prof. Dr. Ago Nezha është angazhuar në politikë për të dhënë kontributin e tij, me shkrime dhe opinione, që prej vitit 1990. Parathënien e këtij libri e ka bërë politikani dhe profesori i njohur Servet Pëllumbi, të cilën ne po e paraqesim më poshtë.

“Poeti, gazetari, shkrimtari dhe publicisti i njohur, Profesor. Dr. Ago Nezha, po shfaq një dimension të ri të personalitetit të tij krijues. Tani ai vjen me një profil tjetër, me atë të analistit politik. Refleksionet e tija politike, opinionet dhe qëndrimet për ecurinë e politikës shqiptare, i kemi ndeshur e lexuar për vite të tëra në faqet e gazetave periodike. Me botimin e librit “Papagajtë e Politikës”, që ka për autor prof. Ago Nezhën, lexuesi shqiptar do të ketë rastin që një punë të tillë shumëvjeçare ta ketë të përmbledhur, të seleksionuar dhe të sistemuar sipas disa rubrikave. Kjo është një iniciativë që meriton të përshëndetet.

Duke qenë i angazhuar në politikë dhe në veprimtari partiake, që në fillimet e proceseve demokratike në Shqipëri, prof. Ago, si dhe shumë intelektualë të tjerë, me vetëdije të plotë, ka qenë i  përfshirë nga vrulli i ideve të kohës dhe i mendimit ndryshe, të kuptuara si përgjegjësi morale e çdo intelektuali të vërtetë, atdhetari dhe krijuesi largpamës. Çdo krijimtari ka vlerat e veta formuese dhe kulturore, por do të veçoja pjesëmarrjen në analiza politike, që kërkon një investim serioz e të përgjegjshëm, ndjekjen e zhvillimeve politike në tërë dinamikën e tyre, me baticat dhe zbaticat që ndodhin nën ndikimin e faktorëve të shumtë, objektivë e subjektivë, që nuk është e lehtë të parashikohen. Por nuk përjashtohet nga ky vizion as problemi qendror i së ardhmes, ai i një raporti të ri politik që i jep fund dominimit të shtetit mbi individin dhe shoqërinë e hapur, të pavarur, të zhurmshme, shumëngjyrëshe e të gatshme për ndryshim e zhvillim, duke qenë njëherësh e stabilizuar dhe e sigurt.

Autori, librin e tij me titullin domethënës “Papagajtë e politikës” e ndan në pesë rubrika, apo pjesë që i përshkon një fill i vetëm: dëshira për të pasur një politikë ndryshe, më të mirë, më rezultative, një politikë që do moral, larg interesave meskine dhe retorikëve makiaveliste të luftës për pushtet me çdo çmim e me çdo mjet. Në rubrikën e parë, “Inflacioni i vlerave”, prof.Ago  rrok një gamë të gjerë dukurish, të gërshetuar në mënyrë harmonike me ngjarje, fakte e protagonistë konkretë të fushës së politikës që kanë të bëjnë, në një mënyrë apo në një tjetër, edhe me hierarkinë e vlerave. Kjo, siç vëren autori me të drejtë, përbën një nga dilemat më të mëdha të demokracisë së pa maturuar shqiptare, sepse duke përmbysur sistemin e vjetër të vlerave, politika e neglizhoj, gjithsesi e vonoj në mënyrë të pafalshme, krijimin dhe afirmimin e vlerave të reja, pa të cilat asnjë shoqëri nuk mund të përparojë dhe të ketë stabilitet. Në trajtimin e çështjeve të tilla autori nuk bën aspak teori për teori, por gjithçka e ve në fokusin e analizës konkrete historike dhe të kritikës kurajoze, pa harruar të propozojë rrugëdalje edhe për situatat konkrete të sotme, që duken kaotike e pa asnjë perspektivë.

Në rubrikën e dytë, “Dilemat e partive”, trajtohet, po në sens të spikatur kritik, rreziku i    autoritarizmit në një vend në tranzicion, që me të drejtë quhet “epidemia e kohës” që ka kapur  disa nga liderët kryesorë të partive shqiptare në pushtet, që vuajnë nga dëliri i madhështisë, nga megalomania e prijësit, i përfytyruar si i përjetshëm dhe i pagabueshëm! Për “liderë” të tillë, siç vëren autori, demokracia është thjesht një fasadë që nuk njeh as konkurrencë reale, as përfaqësim të mirëfilltë, as meritokraci të motivuar, por vetëm një lloj idiolatrie “demokratike”, që çon në nënshtrim të plotë të institucioneve dhe në rrethimin e “Njëshave”, nga kasta servilësh e politikanësh të korruptuar, që nuk kanë qëllim tjetër veçse “të rrojnë dhe të pasurohen nga politika” (Veber).

Rubrika e tretë, “Korrupsioni e elektoral”, ka të bëjë me një fenomen shqetësues për tërë shoqëritë postkomuniste, e veçanërisht për vendin tonë, ku praktikat e deri sotme, sidomos në fushën e zhvillimeve elektorale, kanë qenë konfliktuale, në një klimë hilesh, manipulimesh, pse jo dhe korrupsioni dhe grabitjeje masive të votës së zgjedhësve. Edhe pse janë bërë herë pas here reforma zgjedhore e ligje të ndryshuara, në çdo prag zgjedhjesh, gjerat nuk janë përmirësuar dhe standardet nuk janë plotësuar, por janë përkeqësuar, duke e zhytur vendin në kriza politike. Duke zbuluar rrënjët e dukurive të tilla, prof. Ago argumenton, se përveç një kritike të rreptë të gjendjes ekzistuese, lipsen rrugë të reja, mënyra të reja, për të menaxhuar dhe bashkuar një shoqëri në diversitet, që sa vjen e rritet. Për këtë, si kanë arritur punët, hapat gradualë mund të mos jenë të mjaftueshëm, prandaj nevojiten reforma më komplekse dhe më të thella. Libri i prof. Ago Nezhës e stimulon një kërkesë të tillë për politikën shqiptare.

Rubrika e katërt, “Dialogu qytetar”, prek etikën e komunikimit të politikanëve tanë në tërësi, si dhe atë të parlamentarëve dhe shtetarëve në veçanti. Gjuha e dialogut në politikën Shqiptare, është e ashpër dhe shpesh herë denigruese për kundërshtarin politik. Kjo klimë që shpesh herë acarohet dhe tensionohet në tejskajshmëri, është manifestuar jo vetëm në nivelet e larta të politikës, por, është reflektuar edhe në strukturat e partisë në rrethe. Në dialogun politik, një rol negativ kanë luajtur edhe mediat e shkruara dhe kryesisht ato vizive me profil të shprehur partiak, që e kanë nxitur konfliktin midis forcave kryesore pozitë-opozitë. Autori, këtë shqetësim publik e përcjell nëpërmjet shkrimeve të titulluar: “Morgu i Mediave”, “Televizion Publik, apo Politik”, si dhe “Televizionet megafon të Politikës”. Këtë refleksion e gjejmë të shprehur qartë edhe të shkrimet “Gjuha e Liderëve”, “Gjuha e urrejtjes”, dhe “Gjuha e Gjinkallave”. Më shumë se çdo interpretim flasin vetë titujt për shqetësimet që sjell autori në këtë rubrikë. Ai, nënvizon se televizionet gradualisht po kthehen në megafon të politikanëve. Vërejmë se mediat i kanë pronësuar disa liderë politikë, apo të ashtuquajtur analistë preferencialë, drejtues të emisioneve opinion, që pa e hapur gojën, dihet se çfarë qëndrimi do mbajnë për një situatë të dhënë politike. Ndaj autori, bën thirrje për të moderuar gjuhën, si në parlament, ashtu edhe në qeveri, sepse fjalori i përdorur në foltoren e parlamentit, është sa provokuese aq edhe çedukuese për opinionin e gjerë shoqëror.

Rubrika e pestë dhe e fundit, ka si objekt trajtimi, “Krenarinë e simboleve”. Shqipëria, si një vend i vogël, nuk ka pse të ndihet inferiore, sepse ka një histori e kulturë shumëshekullore, ka nxjerrë figura të përmasave evropiane e botërore dhe aspiron për tu integruar në Bashkësinë Evropiane. Historia e një vendi, sipas analizave të Prof. Agos, përjetësohet nëpërmjet simboleve që mishërojnë moralin, idealin, fisnikërinë, trimërinë, urtësinë, krenarinë, patriotizmin dhe gjithë vlerat e tjera të spikatura kombëtare. Çdo komb, shkruan ai, ka simbolet e tij, që duhet t’i ruajë, t’i afirmojë, e t’i përjetësojë me krenari të natyrshme. Veçse, në vitet e demokracisë, në vend që vlera e tyre të rritej më tej, vihet re një shpërdorim i pafalshëm, duke shkatërruar muze, lapidarë, buste, pllaka përkujtimore, madje dhe qytete muze, që kanë të bëjnë me krenarinë dhe kujtesën historike të kombit. T’i shkatërrosh, e për më tepër të qëndrosh indiferent ndaj një primitivizmi të tillë që shitet për modernizim, nuk mund të quhet ndryshe, sipas autorit, veçse vetëpërçmim, vetëvrasje e heshtur e kombit. Ndërkohë, libri rrezaton optimizëm, sepse shqiptarët, nuk mund  të lejojnë gjatë një politikë që nëpërkëmb vlerat dhe krenarinë tonë kombëtare, sepse edhe integrimi në BE nuk është as asimilim, as lëmoshë, por integrim popujsh që sjellin me vete edhe vlerat e tyre më të mira.

Të gjitha këto arritje, janë pjesë e optikës së avancuar të autorit, të mbrujtura me një material të pasur jetësor, gjë që i bën, si analizat ashtu dhe përfundimet që nxirren dhe projektet për të ardhmen, që të jenë tërheqëse për tu lexuar. Njëherësh, të gjitha këto mund të shihen edhe si një kontribut me vlerë në politologjinë shqiptare, sepse lexuesi gjen në këtë libër përgjigje për fenomene pozitive dhe negative që kanë shoqëruar demokracinë shqiptare, në harkun kohor të 22 vjetëve”.

I uroj autorit, Ago Nezha, edhe punime të tjera në të ardhmen.

Prof. Dr. Servet PËLLUMBI

Tiranë, Janar 2013