Prof. Servet PËLLUMBI/ Nacionalizmi dhe morali në politikë

661
Sigal

Reflektim/ Roli që luan morali në politikë, sidomos kur është fjala për çështje kombëtare të pazgjidhura

Retorika nacionaliste i dha theks të ri aktual edhe çështjes së rolit që luan morali në politikë, sidomos kur është fjala për çështje kombëtare të pazgjidhura. Në këtë rrafsh, nuk mund të lë pa ritheksuar disa nga virtytet civile të demokracisë që u bënë tiparet mbresëlënëse të festës së 100-vjetorit në Vlorë e që më lanë mbresa tepër të forta. E kam fjalën për gëzimin e njerëzve, për zemërgjerësinë, bujarinë, humanizmin dhe dashurinë midis shqiptarësh që demonstruan pjesëmarrësit, pavarësisht se nga vinin e ç’përfaqësonin.

Manifestim i një morali të lartë kombëtar e qytetar, që dukej sikur një bashkësi e tërë njerëzore synon të jetojë në të ardhmen sipas kodit moral të natyrës! Nuk kishte atje dallime sociale, krahinore, partiake a pasurore, gjë që dëshmon për ndarje të qartë të politikës së ditës nga kultura kombëtare. Veçoj takimet me grupin e shqiptarëve të ardhur nga Çikago, takimet me studiuesit nga trevat shqiptare dhe diaspora në Konferencën Ndërkombëtare të Institutit të Sociologjisë dhe në aktivitete festive, takimet dhe fotografimet në rrugë e sheshe me njerëz të njohur vetëm si shqiptarë. Një realitet i tillë dinamik, një moral i tillë është i aftë që të qëndrojë mbi çdo politikë, madje dhe të përbëjë politikën e së ardhmes. Aq sa dukej sikur politika dhe morali u bënë e njëjta gjë.

Pa dyshim, njerëz me një moral të tillë mund t’i japin vërtet një dimension të ri politikës shqiptare dhe ta humanizojnë atë; njerëz me një vetëdije e moral të tillë kombëtar të vënë në rolin e një “instrumenti moral”, mund t’i japin një përmbajtje të re edhe konceptit të vjetërsuar të “Shqipërisë së madhe”, duke i dhënë kuptimin Shqipëri e madhe me njerëzit e saj, me moralin e saj, që lufton për t’u bërë e aftë për t’u integruar në një bashkësi më të zhvilluar e të bazuar mbi standarde të larta demokratike siç është Europa e Bashkuar. Kështu pritet që të mbushet me përmbajtje konkrete edhe cilësia abstrakte e identitetit europian. Në këtë rrafsh, tërheq vëmendjen një fakt të cilin retorika nacionaliste e Berishës e anashkalon, gjë që dëshmon se “gjumi i arsyes” mund të lindë edhe “synime të pakufizuara” për të sunduar, që mashtrimin e shndërron në metodë të zakonshme dhe i jep, drejtimit të shoqërisë modelin më të keq.

Për konkretizim: Berisha deklaronte, se Shqipëria zinte vendin e katërt në botë për kushtet dhe nivelin e jetesës! Po t’i referohemi indeksit të përvitshëm të mirëqenies dhe të standardeve të demokracisë së BE-së, që botohet nga Indeksi i Konvergjencës pranë Institutit të Shoqërisë së Hapur (Sofje), rezulton se ndër 35 vende të Europës Shqipëria është në vendin e parafundit për të katër kolonat: 1. Për të ardhurat për frymë të shqiptarëve, që janë 3.5 herë më pak se mesatarja e BE-së; 2. Për normën e punësimit, që është vetëm 48.4 për qind, ndër më të ulëtat në kontinent; 3. Për atë të demokracisë dhe 4. Për kolonën e cilësisë së jetës e të mirëqenies po ashtu zë vendin e parafundit, duke lënë prapa Bosnjën që cilësohet si “shtet i përfshirë në konflikte etnike pambarim.” (Shih, gazeta Terna, 11.01.2013).

Atmosfera festive në Vlorën e Flamurit, njëherësh më ngroh dhe më mbush me shpresë, sepse u bë e qartë se thellë në “damarët” e kombit rrjedh vullneti për ndryshim e për transformime të thella cilësore, sepse aktualisht në “Shqipërinë tonë politike” vazhdon të ketë shumë ashpërsi, ndarje, konfliktualitet, pse jo dhe krime në rritje ndaj personit dhe fare pak humanizëm, shumë teprime me pandëshkueshmërinë ndaj së keqes. Jo, kurrsesi nuk mund e nuk duhet të jetë e tillë pamja e një shoqërie demokratike funksionuese, që ne dëshirojmë të kemi. Kanë mbetur të pandëshkuar nga ligji fajtorët për 26 të vrarët e Gërdecit (2008), për 4 të vrarët e 21 janarit 2011; pa përgjigje mbetën grevistët e urisë nga radhët e te përndjekurve politikë që shkuan drejt vetëflijimit; Shqipëria, sipas të dhënave të OKB-së ka 4 vrasje për 100 mijë banorë, duke zënë vendin e parë në Rajon; qindra familje të ngujuara për shkak të gjakmarrjes sipas kanunit; ndarjes klasike sociale, pasurore e krahinore i është shtuar dhe një lloj ndarjeje morale, aq sa duket sikur qytetarëve të këtij vendi u mungon ndjeshëm edukata e edukatorët dhe “mëkohen” përditë nga e keqja që ka marrë revanshin mbi të mirën e mirësinë.

Veçse nuk është as e moralshme dhe as realiste të mendosh se mund të tërhiqet vëmendja e opinionit shqiptar, nga hallet e jetës së përditshme, me përhapjen e miteve nacionaliste dhe shndërrimin e tyre në kauzë morale, siç veproi Berisha për festën e 100-vjetorit të Pavarësisë. Mekanizmi që u vu në lëvizje në këtë rast është i njohur. Mitet racionaliste, si rregull e vënë theksin vetëm te anët pozitive të së kaluarës së një kombi, të cilave u vihen përballë natyra e keqe dhe bëmat e të tjerëve për të thënë se nacionalizmi është “një nismë fisnike për të cilën të gjithë ata që janë të një kombi duhet të jenë jo vetëm krenarë, por edhe të gatshëm për të duruar mundime të mëdha” (John J. Mearsheimer, Përse gënjejnë udhëheqësit, AIIS, 2011, f. 93).

Në një arsenal të tillë mjetesh të pamoralshme për krijimin e miteve përfshihen deri dhe gënjeshtrat, spekulimet me faktet për “fabrikimin e një modeli”, të një figure nacionale si në rastin e Zogut, që zhvishet nga çdo gjë negative dhe vihet mbi gjithë të tjerët duke u paraqitur si “shenjtor” si mishërim i ndjenjës dhe vetëdijes kombëtare kurse pala tjetër, në rastin tonë Fan Noli, paraqitet si “mishërim i djallit”! Kështu veproi Berisha me glorifikimin e Ahmet Zogut. Dhe autori i cituar më lart, sikur të shkruante posaçërisht për rastin Berisha, vëren: “krijimi i miteve nacionaliste mund të pritet të jetë sidomos intensiv kur ka debate serioze rreth themelimit të shtetit” (John J. Mearsheimer. Libri i cituar, f. 97).

Realisht, ajo që bie shpejt në sy të çdo vëzhguesi të zakonshëm edhe pas festës, sidomos në nivelet politike e drejtuese të vendit, është mungesa deri e theksuar e kulturës morale, e idealeve kombëtare, e solidaritetit dhe e interesit të përbashkët. Aq sa duket sikur edhe partitë politike nuk kanë as strategji për të qenë, as ndonjë parim moral a intelektual në punën me mbështetësit e tyre, pa folur për të ardhmen e Shqipërisë. Edhe pse flasin natë e ditë e u duket sikur bëjnë politikë, në të vërtetë notojnë në një boshllëk moral degradues dhe kanë “harruar” me kohë se “njerëzit janë produkt të rrethanave dhe të edukimit… dhe se janë pikërisht njerëzit që ndryshojnë rrethanat dhe se edukuesi duhet vetë të edukohet” (K. Marks, Teza mbi Fojerbahun, v. 2-të f. 381-382).

Për më tepër, që jo vetëm në mjedise te politikës, por dhe në forume të shoqërisë civile në grupime analistësh, në konferenca e këshilla “shkencore” universitetesh duket sikur ka fituar të drejtën e qytetarisë një lloj improvizimi e mediokriteti, një lloj përgjumje që vjen nga komentimi i njëri-tjetrit apo i deklaratave të liderëve politikë që duan të bëjnë “edhe diellin edhe shiun”, mjafton që e gjithë kjo “krijimtari” të jetë e çliruar nga çdo lloj “ideologjie”, përveç asaj të nacionalizmit. Kjo ka çuar jo vetëm në nivelimin e partive, por edhe më keq, po kultivon amullinë, pse jo dhe pajtimin me të keqen në radhët e inteligjencies shqiptare, që ajo të mos ketë mendimin e vet dhe të mos jetë e aftë që ta thotë atë me guxim, por të konformohet me regjimin. Nuk është aq e vështirë të kuptohet se në një rast të tillë kemi të bëjmë me pasoja të njohura të autoritarizmit dhe të totalitarizmit që mbyllin “portat” për kulturën e lirisë, të humanizmit dhe të demokracisë së nivelit europian, kulturë që është gatuar dhe nuk ka munguar as në këto treva. Pikërisht zbulimi dhe afishimi i vlerave të tilla na afron dhe na bashkon me Europën, sepse realisht vihet re një lloj vakuumi, moskuptimi, pse jo dhe prirje përjashtuese, duke e quajtur në heshtje Shqipërinë si “vend me identitet kulturor mysliman”, gjë që nuk e lidh me Europën! Në të vërtetë, varet nga ne që të dëshmojmë në mënyrë substanciale identitetin evropian të shqiptarëve, që “komplekset mit-simbole” të kontinentit europian janë ngjizur që herët edhe në trevat ku kanë jetuar e kanë bërë histori shqiptarët dhe paraardhësit e tyre të lashtë.

Trashëgimia kulturore dhe etno-historike madje dhe të dhënat më të fundit të shkencës së antropologjisë, në thelbin e tyre para se të marrin vulën kombëtare kanë qenë evropiane. Kjo dëshmon se procesi integrues i vendeve të tilla si Shqipëria nuk njeh vetëm “shpërbërje” apo heqje dorë nga trashëgimi të caktuara e specifike, por dhe sintezë, shkrirje, përfshirje, bashkim “të trajektoreve etno-historike dhe të kulturave të shumëllojta të popujve dhe rajoneve të caktuara” (Anthony D. Smith, Kombet dhe nacionalizmi në erën globale, Dudaj, 2008, f. 158). Megjithatë, në praktikë shohim që të veprohet edhe në këtë rrafsh në drejtim të kundërt me atë të integrimit kulturor me Europën, që realisht duhet konceptuar si pjesëmarrje aktive në botën moderne të “mundësive të gjera”. Në mbështetje të një përfundimi të tillë mjafton të shohim se si luajti dhe e çorientoi Berisha opinionin publik shqiptar gjatë 100-vjetorit të Pavarësisë duke filluar me nevojën e rishkrimit të historisë, me glorifikimin e A. Zogut dhe deri te retorika nacionaliste dhe evokimi i “Shqipërisë së Madhe”. Deformim i kujtesës së kombit, asgjë për të rinuar të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane! Nacionalizmi, do të shkruante Xhorxh Oruelli, është i etur për fuqi, e cila zbutet nga vetëmashtrimi. Çdo nacionalist është i aftë për pandershmërinë më flagrante. Dhe shton sikur të kishte parasysh tipin e Kryeministrit të sotëm të Shqipërisë: “Nacionalisti jo vetëm që nuk i dënon krimet e kryera nga pala e tij, por madje ka edhe një aftësi të madhe për të mos i dëgjuar ato” (George Orëell, Orëell and Politics, ed. Peter Davision, London Penguin, 2001, p. 357, 363).

Ndërkohë, puna ka shkuar deri atje sa zbrazëtia e krijuar nuk mund të mbushet më e për një kohë të gjatë as me kaos provokativ nacionalist, as me monumentin e Zogut, me shpatën e ngulur “në shpinën e Shqipërisë” dhe as me eshtra të vdekurish, qoftë dhe të rënë për Shqipërinë! Kërkohet një frymë e re dhe një moral i ri, një Rilindje shpirtërore adekuate me epokën në të cilën jetojmë, me epokën e globalizmit. Humbja e qartësisë historike nuk u duhet sot shqiptarëve. Ky ishte mesazhi që dominoi Ditën e Madhe në Vlorë, Ditën Simbol në emër të ndryshimit, në emër të së ardhmes. Si hap të parë pasfestiv le të pranojmë se shoqëria jonë me gjithë ndryshimet e ndodhura, me të mirat e të këqijat e veta, është e përçarë dhe se asnjë lloj progresi, madje as edhe një lëvizje e thjeshtë përpara nuk mund të arrihet pa një konsolidim të shoqërisë sonë rreth disa vlerave dhe të vërtetave të thjeshta apo normave të domosdoshme të moralit qytetar. Argument që flet për nevojën e bërjes së gjerave, që sot, ‘në mënyrën evropiane. Festimet në Vlorë dhe në Tiranë të së njëjtës festë kombëtare, fjalimet e drejtuesve të Shtetit dhe deklaratat e papritura të tyre mbi nacionalizmin apo “Shqipërinë e Madhe” nuk ngjitën dhe nuk mund t’i japin shoqërisë shqiptare, madje as shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë, ide e motive bashkimi, aq më pak vlera morale të natyrës mbarë njerëzore që diktohen nga globalizmi i sotëm. Njëherësh, qytetarët kanë nevojë që t’u jepet me transparencë përgjigje rreth plotësimit të nevojave imediate të jetesës së tyre, rreth atij lloj humanizmi, që në praktikë njihet si marrëdhënie njerëzore në raportet me njëri-tjetrin dhe me pushtetin. Ky në fakt përbën dhe korrektimin e politikës nëpërmjet moralit. Ky parim nuk duhet të hiqet asnjëherë nga rendi i ditës se një shoqërie demokratike, e cila mund dhe duhet të ndërtohet edhe sipas parimeve te humanizmi dhe solidaritetit që fillon nga patriotizmi i zakonshëm, nga shprehja qartë e pa hile e pozicionit moral, deri te shfaqja e dashamirësisë, mirësjelljes, korrektësisë vetjake dhe qytetarisë, apo dhe e durimit dhe e sjelljes së matur nga ai që kërkon pushtet ndaj të ngjashmit të vet, që është qytetar i thjeshtë i këtij vendi dhe mbartës i sovranitetit. Në këtë vështrim, shoqëria jonë ka lloj-lloj kriteresh të ndarjes së qytetarëve, por mbi të gjitha në hartimin dhe zbatimin e politikave vlerë të veçantë ka ndarja sipas kriterit apo tiparit moral, duke u nisur nga qëndrimi personal i secilit në raport me të mirën e mirësinë, me gatishmërinë për të luftuar të keqen dhe aftësinë për t’u orientuar në fushën pluraliste të opinioneve. Në se do të bëjmë analiza e sondazhe nga një kënd i tillë vështrimi, do të vëmë re se defektet e demokracisë tek ne nuk janë më çështje njohurish, por shumë më tepër, çështje e varfërimit ideor dhe moral, e shkëputjes së klasës politike nga jeta, nga ato që duan qytetarët e mund të arrijnë vërtet, që vazhdojnë t’u premtohen nga qeveritarët, nga programet e partive, fjalimet apo diskutimet e deputetëve në Parlament a në media. Pa hezitim mund të thuhet se në gjithë këtë “inflacion fjalësh”, ndarja e fjalës nga vepra është mangësia morale më e parë që bie në sy.

Një rast tipik dhe i freskët që meriton të ritheksohet: Nuk mund të quhet se përputhet me realitetin deklarimi i Berishës në prag të vitit ri 2013 se “Shqipëria radhitet e katërta në botë për nivelin e mirëqenies”! Të katërtit në botë dhe të parafundit në Europë!!! Të ulërasësh ndaj një talljeje të tillë, jo vetëm ndaj qytetarëve të vendit të vet, por dhe ndaj dijes dhe “opinioneve eksperte” (Ulrich Beck), është pak, shumë pak! Degradim i pashembullt moral i një politikani që pretendon rolin e liderit, të atij që do bashkuaka të gjithë shqiptarët kudo që janë të shpërndarë nëpër botë! Nuk them se gjithnjë është ashpërsia në deklarime, qëndrime e veprime përgjigja e duhur në demokraci, por as indiferentizmi dhe apeli moral “mbisocial” për të qenë vetëm virtualisht në anën e së mirës e mirësisë për ta bërë sistemin pak më human nuk është e mjaftueshme, sepse është dobësuar, madje “ndryshkur” kohezioni social. Fatkeqësisht po dominon konfuzioni, për pasojë gjithnjë e më pak njerëz lëvizin në të njëjtin drejtim.

Prandaj, është absolutisht e domosdoshme që shoqëria jonë, pavarësisht nga ndarjet artificiale, që krijojnë partitë politike duke ushqyer lloj-lloj fanatizmash e fanatikësh partiakë, të bëjë të vetën ndjeshmërinë e shqiptarit ndaj shqiptarit, aftësinë për të dialoguar, për të rritur respektin për veten dhe krenarinë kombëtare, për të gatuar bashkërisht më të mirën për Atdheun e Kombin tonë, për t’i thënë një jo të vendosur agresivitetit te një individudlizmi virulent në radhët tona- Në një rrafsh të tillë, të gjerë, demokratik në proces, do të ndodhë ripërkufizimi kombëtar dhe lindja e një kuptimi të ri për lidhjet dhe përkatësitë kolektive.

Gjithsesi, nuk duhet harruar se Shqipëria bëhet me të vërtetë e “Madhe” me njerëzit e saj, me virtytet që kanë karakterizuar në shekuj shqiptarët, me kulturën e thesaret e shumta historike, me përfshirjen e kategorive morale si instrumente të lulëzimit e modernizimit të shoqërisë sonë. Ky duhet të jetë sot thelbi i idealit Kombëtar të shqiptarëve dhe mësimi tepër i vyer për 100-vjetorin e dytë, që nisi “marshimin” po në Vlorë, më 28 nëntor 2012!