Prof. Gjergj Sinani: “Hiqeni të drejtën dhe atëherë çfarë e dallon shtetin nga një bandë e madhe hajdutësh”?!

– Prandaj kushtetuta jonë, në krye të saj duhej të kishte frazën, “dinjiteti i personit njerëzor është mbi gjithçka”

– Ne menduam se me ekonominë shtetërore do të njihnim parajsën tokësore, në dallim nga krishterimi që premtonte parajsën qiellore.

NOA

– Por, në fakt, njohëm një ferr jo vetëm të akullt nga shpirti, por edhe të përgjakshëm.

-Tani që ne u kthyem drejt ekonomisë së tregut, spektri i ferrit po bëhet më i frikshëm. Kjo “perandori” e re a mund të ekzistojë pa drejtësi?

– Në qoftë se gjatë komunizmit ishte dogma e diktaturës së proletariatit, sot mbisundon dogma e tregut. Mekanizmi i tregut rregullon automatikisht çdo gjë.

– Sistemi i mëparshëm edukativ synonte të përgatiste skllevër të mirë, sistemi demokratik i edukimit duhet të përgatisë qytetarë të mirë që e bëjnë lirinë tiparin thelbësor të qenies së tyre.

– Sot, thirrja e Fishtës mund të paraqitet në këtë mënyrë: “Tani që bëmë demokracinë, hajt të ngremë qytetarin”.

-Demokracia nuk është një kushtetutë e mirë dhe një kod zgjedhor, siç reduktohet në diskursin tonë nga politikanët, por të edukosh qytetarët që janë xhelozë dhe luftojnë për lirinë e tyre.

Prof. Gjergj Sinani

Shoqëria antike, që bazohej në skllavërinë, kishte krijuar një qytetar me moral të rafinuar, heroin stoik; shoqëria feudale bazohej në idealin kavalaresk, por luftarak dhe grabitqar (renta feudale). U mendua se me kapitalizmin gjërat do të evoluonin. Teoria e “tregut të butë”, shoqëria e bazuar në shkëmbimet tregtare, do të shpinte në zbutjen e zakoneve dhe grabitjen feudale. Mendohej se aty ku kalonte tregtia, armët heshtnin. Në fakt, Europa njohu dy banjo gjaku, Lufta I dhe II Botërore. Ne menduam se me ekonominë shtetërore do të njihnim parajsën tokësore, në dallim nga krishterimi që premtonte parajsën qiellore. Por, në fakt, njohëm një ferr jo vetëm të akullt nga shpirti, por edhe të përgjakshëm. Tani që ne u kthyem drejt ekonomisë së tregut, spektri i ferrit po bëhet më i frikshëm. Kjo “perandori” e re a mund të ekzistojë pa drejtësi? Në qoftë se gjatë komunizmit ishte dogma e diktaturës së proletariatit, sot mbisundon dogma e tregut. Mekanizmi i tregut rregullon automatikisht çdo gjë. Ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shijojmë të mirat e tregut dhe të shoqërisë së konsumit. Meqë në komunizëm flitej shumë për edukim, madje në tejngopje, tani nuk flitet pothuajse fare për edukim, sikur demokracia nuk ka nenojë për edukim, por vetëm për arsimim. Kjo pyetje na shpie te shqetësimi më i madh i mesazhit të Papa Françeskut; drejtësia dhe dinjiteti i personit njerëzor. Këtu është momenti të flasim për kontributin e krishtërimit. Kjo çështje merr një rëndësi të veçantë në vendin tonë, ku ndikimi i ateizmit shtetëror ka ngulitur idenë që i jep fesë, sidomos asaj të krishterë, një konotacion negativ. Mendoj se ky shqetësim lidhet ngushtë me mesazhin e papës së mëparshëm, në një fjalim të mbajtur në parlamentin gjerman në vitin 2014. Refleksioni për drejtësinë bëhet gjithmonë sa herë që ajo nuk ekziston, ose është aq e korruptuar sa i detyron njerëzit dhe kombet të hidhen në krahët e dëshpërimit dhe indiferencës, duke i lënë drejtuesit e vet të bëjnë atë që duan. Jo rastësisht, Papa Benedikti XVI, në diskutimin e tij në parlamentin gjerman, evokoi një ide gjeniale të Shën Agustinit.

Hiqeni të drejtën – dhe atëherë çfarë e dallon shtetin nga një bandë e madhe hajdutësh”?

Ne e kemi njohur, në të kaluarën tonë të afërt, këtë shkëputje të shtetit nga drejtësia. Në diskursin e politikanëve shumë rrallë, për të mos thënë fare, përdoret termi ‘shtet i të drejtës’, por më shumë përdoret termi ‘shteti ligjor’. Kjo mund të duket pa rëndësi ose si lojë e kotë fjalësh, por në fakt ka një dallim të madh ndërmjet shtetit të të drejtës dhe shtetit ligjor. Edhe despotizmat dhe regjimet totalitare janë shtete ligjore, por jo të drejtë. Një shtet i drejtë ka qenë dhe mbetet dëshira më e madhe e popujve dhe mendjeve të ndritura. Pse? Sepse drejtësia është e lidhur me lirinë. “Një popull që nuk arrin që të bashkojë lirinë me drejtësinë është i humbur në gjithçka”, shkruante Kamy. Ne ndodhemi pikërisht në këtë dilemë; a do të arrijmë që ta harmonizojmë lirinë me drejtësinë? Cili është kontributi i krishtërimit në idenë e “shtetit të të drejtës”? Të mos harrojmë se dinjiteti i personit njerëzor është i lidhur ngushtë me idenë e shtetit të të drejtës. Prandaj edhe kushtetuta jonë, në krye të saj duhej të kishte frazën, “dinjiteti i personit njerëzor është mbi gjithçka”.

Për të njohur këtë kontribut dhe për të mprehur të menduarit, le të ndalemi në idenë e të drejtës natyrore të krishterë, lidhjen e saj me filozofinë stoike dhe të drejtën natyrore moderne. Kjo edhe si ftesë për një të menduar filozofik. Kërkimi filozofik, por dhe ai sociologjik, karakterizohet nga dallimi ndërmjet ligjeve natyrore dhe legaliteteve pozitive.  Këto legalitete ideale janë ligje që burojnë nga mendimet morale, politike, juridike dhe fetare, përmes të cilave rregullohen formacionet kolektive, me qëllim që kundërshtitë që lindin brenda saj, të gjejnë zgjidhje. Kështu, ideja e pronës, sapo teorizohet nga e drejta dhe vihet në marrëdhënie me një seri sistemesh ideale të ndryshme, për shembull me idenë e pavdeksisë. Prej këtej vjen ideja se prona është e shenjtë. Këto dy tipe ligjesh lidhen në shumë mënyra dhe përcaktojnë kursin historik të një kulture.

Këtu lind dhe kontradikta ndërmjet legaliteteve ideale dhe ligjeve natyrore sociologjike.

Një shembull për kulturën tonë na vjen nga ideali social që derivon nga ideja fetare e krishterë. Ideja sociale e krishtërimit është individualizmi fetar radikal, individualizmi i një besimi në një Zot që jetohet nga individi në bindjen morale dhe i siguron individit një ankorim metafizik të pashkatërrueshëm. Kështu, i vendosur nën vullnetin hyjnor, individi është në qendër, por të gjithë individët takohen dhe ndodhen te Zoti dhe, në këtë medium mbinjerëzor, të gjitha kundërshtitë e zakonshme, konkurencat, egoizmat, pretendimet, zgjidhen dhe transformohen në një dashuri reciproke, që lidhen me Zotin. Vullneti hyjnor i jep jetë dhe ekzistencë dhe i bashkon shpirtrat në një popull, ose në mbretërinë e Zotit. Jezusi përfytyron një mbretëri të dashurisë mbitokësore. Kjo dashuri duhet ta bëjë të tepërt të drejtën, pushtetin dhe dhunën, dhe ta bazojë çdo komunitet në lidhje të bindjes personale dhe, përmes saj të kapërcehen kundërshtitë dhe sipërfaqësitë. Më saktë, duhet ta çlirojë shpirtin nga oreksi i zotërimit dhe ta drejtojë drejt modestisë dhe hapjes pa rezerva ndaj tjetrit. Ata që besojnë tek Ai bashkohen paqësisht në bashkësi, në pritje të mbretërisë së Zotit dhe, nëse munden, realizojnë vullnetin e Zotit kundrejt njeri-tjetrit dhe kundrejt botës së jashtme. Forma sociologjike më e rëndësishme dhe më qendrore e bashkësisë që rrjedh nga ideja e krishterë është Kisha. Kisha e konsideron shpëtimin fetar si të kryer përmes të vepruarit shpëtimtar të vetë Zotit. Prej këtej rrjedh ideja e hirit hyjnor dhe ajo e zbutjes, që u realizua me vdekjen e Krishtit dhe se besimi duhej ta bëjë të vetin. Pyetja që na intereson është: si i dha formë Kisha marrëdhënies së saj me faktet dhe idealet jo të krishtera të jetës sociale dhe përmes çfarë mënyre justifikimi? Për një përgjigje të shpejtë, ajo e bëri këtë duke përpunuar konceptin e të drejtës natyrore të krishterë. Kjo kërkon shpjegim, i cili do na ndihmojë të kuptojmë idenë e shtetit të të drejtës. E drejta natyrore, ose më saktë koncepti i një ligji moral prej nga rrjedhin të gjitha rregullat dhe institucionet juridike dhe sociale, është një krijim i stoicizmit. Ky koncept buron nga vizioni i përgjithshëm stoik mbi një ligj që drejton botën. Rregullat etike dhe juridike rezultojnë nga zbatimi i veçantë i këtij ligji universal te shpirti duke u pohuar dhe shpalosur. Në këtë mënyrë, stoicizmi po shkëputej nga panteizmi dhe filloi ta konceptonte ligjin etik në një kuptim pothuajse teist, si shprehje të vullnetit hyjnor. Në kontekstin historik stoicizmi ishte një përgjigje për individin, që pas shkatërrimit të polis u ndodh i vetëm përballë cosmopolis. Kështu, filozofia sociale dhe juridike e stoicizmit, si dhe etika e tij, janë produkt i shpërbërjes së polis antik dhe formimit të një horizonti kozmopolit, nën efektin e perandorive të mëdha. Zakonet dhe ligjet pozitive u zëvendësuan nga një etikë që derivonte nga arsyeja që drejton botën. Tashmë, ajo që vlen nuk është më interesi i kombit apo atdheut, por individi i pajisur me arsye hyjnore. Ideja e njerëzimit zëvendësoi idenë e shoqatave politike të veçanta, pa dallim shtetëror dhe vendor, race dhe ngjyre. Por dilte një problem; kjo gjendje ideale a mund të realizohej në rrethanat reale të botës? Gjendja e parë ishte në fillimet e njerëzimit, por për shkak të pasioneve njerëzore, si ambicia, lakmia dhe dhuna realizimi i kësaj gjendje ideale nuk ishte i mundur. Pra, arsyeja etike duhej të gjente mënyrat për ta përshtatur idealin e saj, duke marrë parasysh rrethanat praktike. Prandaj, duhej një pushtet politik i rregulluar për pronësinë, një e drejtë që të konsolidonte të drejtat natyrore, rregulla për martesën dhe institucionin familjar, një rregullim të drejtë të pabarazive sociale. E drejta pozitive duhej të përshtatej sa të ishte e mundur me të drejtën natyrore ideale, në limitet që i impononte kushti mëkatar. Arsyeja duhej të realizonte, në të drejtën njerëzore, një kompromis ndërmjet të drejtës pozitive dhe të drejtës racionale. Siç dihet, këto mendime kaluan në formulat bizantine të të drejtës romake. Edhe të krishterët do të përballeshin me këtë problem. Ata e konsideruan të përshtatshëm me idealin e tyre (liria e fëmijëve të Zotit dhe komuniteti që bazohej në dashurinë pa kushte) ligjin natyror absolut të stoikëve. Ashtu si stoikët që e shikonin këtë ideal të realizuar në origjinë të njerëzimit, edhe të krishterët besonin se do realizohej në parajsën e protoplastëve (literalisht do të thotë “të formuarit e parë”, që janë Adami dhe Eva para rënies). Ashtu si stoikët që mësonin se ambicia, egoizmi dhe lakmia shkatërruan harmoninë, barazinë dhe lirinë origjinale, edhe të krishterët mësuan nga Bibla se gjendja korruptive rridhte nga gabimi origjinal i njerëzimit. Nga mëkati fillestar buronte puna, por edhe prona si dhe martesa dhe institucioni familjar, si rregullim i oreksit seksual, që tashmë ishte zgjuar. Nga mëkati i Kainit doli institucioni i të drejtës dhe ai i talionit, që Krishti do t’i jepte më vonë goditjen vendimtare ligjit të talionit, duke realizuar një revolucion juridik.

Formimi i shtetit të Nemrod shënon fillimin e të drejtës, të pushtetit dhe të dhunës së princave.

Në qoftë se për stoikët ishte arsyeja që përcaktonte instrumentet e disiplinës dhe ndëshkimit, tashmë ishte Zoti që i përdorte këto instrumente disiplinore, për të ndëshkuar dhe luftuar mëkatin dhe impononte një rend civil dhe politik, si dhe kushtet paraprake për një moral të brendshëm dhe personal. Duke i identifikuar këto të fundit me urdhëresat e Zotit në ‘Betimin në mal’, u fut në moralin e krishterë dallimi ndërmjet një krishtërimi strikt, në sensin e Betimit në mal dhe një krishtërimi të mesëm për përdorim të masave, të cilët mund t’i afroheshin krishtërimit strikt aq sa mund ta lejonin kushtet reale. Ky kompromis mund të realizohej vetëm nga Kisha. Uniteti do realizohej nga sasia e akteve personale dhe subjektive. Është e qartë se një koncept i të drejtës relative është i lidhur ngushtë me atë të kishës, me shenjtërinë e saj dhe forcën zbutëse të pavarur nga aktet subjektive. Kështu mori rrugë koncepti i të drejtës natyrore të krishterë, por kemi dhe një të drejtë natyrore relative, që lidhet me kushtet mëkatare të jetës reale. Për shën Agustinin, e drejta dhe prona, tërë kultura paraqitej si vepër e mëkatit dhe, për këtë arsye, kisha mund të ndërhynte në këto institucione të ulëta mëkatare. Këtu e ka zanafillën edhe ajo histori e gjatë konfliktuale ndërmjet pushtetit shpirtëror dhe atij temporal. Sigurisht, kjo çështje ka nuancat dhe historinë e vet ndërmjet katolicizmit, luteralizmit dhe kalvinizmit që reflektohen dhe në lëvizjet e sotme politike. Njohja e kësaj historie do të ishte një kontribut i rëndësishëm për publikun tonë, pasi kështu do të kuptoheshin më mirë realitetet bashkëkohore si dhe doktrina e shtetit të së drejtës dhe liritë dhe të drejtat e njeriut. Ky diskutim ndikoi në përpunimin e idesë të të drejtës natyrore moderne duke nisur nga Hobsi, Loku, Monteskjë, Rusoi, etj. Madje Hobsi e ngriti në ideal përputhjen e ligjit moral të krishterë dhe të drejtës natyrore. Sigurisht, ai e teorizoi këtë të drejtë pa iu referuar rënies fillestare dhe duke iu referuar më shumë një kuadri epikurian sesa stoiko-të krishterë. Ishte doktrina ekleziale e të drejtës natyrore nga ku ai mori problematikat e teorisë së tij novatore. Hugo Grotius e zgjeroi rëndësinë e të drejtës natyrore absolute dhe racionale, por në dallim nga Hobsi, ai e ngriti moralin e krishterë në rangun e këshillave të veçanta, si kërkesa që i kërkonte arsyeja, siç theksonte katolicizmi. Loku shikonte te ligji natyror dhe juridik një krishterim të kuptuar në mënyrë të re. Si shembull të fundit, Christian Ëolff i dha të drejtës natyrore një identitet me ligjin moral të krishterë. Ashtu si ideali social i krishterë, e drejta profane moderne është një ideal, një legjislacion ideal që, në fillim, kërkonte të teorizonte origjinën historike të institucionit social, por që me kohë fitoi një ndërgjegjësim gjithnjë e më të qartë të faktit se, në të vërtetë, ajo është një ide dhe jo një ligj natyror ose historik i shoqërisë. Te Rusoi dhe sidomos te Kanti, ideja e të drejtës natyrore ka si funksion të shpallë kriteret normative që mundësojnë formimin e një gjykimi mbi shoqërinë. Me të drejtë Papa, në mesazhin e tij, shtron detyrën për njohjen e doktrinës sociale të kishës.

Ky parashtrim mund të duket i gjatë dhe lodhës, por ne pikërisht për këtë kemi nevojë që të formojmë gjykime racionale për realitetin tonë, siç do të kërkonte Kanti. Pa kultivuar “mendimin dhe fantazinë” te gjeneratat e reja, edukimi do të mbetet një fjalë boshe dhe pa përmbajtje. Sistemi i mëparshëm edukativ synonte të përgatiste skllevër të mirë, sistemi demokratik i edukimit duhet të përgatisë qytetarë të mirë që e bëjnë lirinë tiparin thelbësor të qenies së tyre. Tashmë ka ardhur koha që të mendohet seriozisht për një ripërtëritje morale dhe shpirtërore të shoqërisë sonë. Kjo krizë shpirtërore ka filluar shumë më herët. “Jemi në krizë shpirtërore”, shkroi Patër Anton Harapi në vitin 1942. Poeti ynë i madh At Gjergj Fishta, që më 1912 lëshoi thirrjen: “Tani që bëmë Shqipërinë, hajt me ba shqiptarët”. Me bë shqiptarët, do të thotë me i lartësuar ata shpirtërisht dhe moralisht. Kjo detyrë mbetet mëse aktuale. Sot, thirrja e Fishtës mund të paraqitet në këtë mënyrë: “Tani që bëmë demokracinë, hajt të ngremë qytetarin”. Demokracia nuk është një kushtetutë e mirë dhe një kod zgjedhor, siç reduktohet në diskursin tonë nga politikanët. Këto mund të dështojnë pa edukuar qytetarë që janë xhelozë dhe luftojnë për lirinë e tyre.