Fatmir Terziu: Çrregullimi i dukshëm

259
Sigal

Këshilltarja amerikane e sigurisë kombëtare të vitit 2001, më saktë e kohës kur arsyetimi origjinal për ndërhyrjen ushtarake perëndimore në Afganistan ishte dështimi i shtetit, Condoleeza Rice, ka theksuar publikisht se „problemi i sigurisë së shekullit 21 nuk ishte i fortë“, dhe se “shtetet ekspansioniste ishin agresive kundër fqinjëve të tyre“. Parë në një term më të dukshëm, problemi i sigurisë ishte i dobët, i dështuar, disorientimi, moskapja në kohën e duhur të problemit, dhe çrregullimi i dukshëm u përhap përtej kufijve dhe nëpër rajone. Prandaj, këto shtete të dështuara kanë kërkuar ndërhyrje të jashtme. Ndërsa mungesa e autoritetit publik të centralizuar dhe fuqisë në malet dhe shkretëtirat e Afganistanit siguroi strehë për rrjetin terrorist të al-Kaedës, duke e lejuar atë të zërë rrënjë dhe të nisë sulme terroriste kundër Shteteve të Bashkuara. Në Ballkan rrjetet e ndryshme të interesuara për destabilizimin e këtij rajoni të zjarrtë, natyrisht nuk fjetën, por gjetën terren të dyfishtë të veprojnë dhe të manipulojnë.  Duke e parë në një prizëm të ngjashëm me atë çfarë ndodhi gjatë javëve të fundit me shpërbërjen e qeverisë dhe ushtrisë afgane, natyrisht mund të ndjejmë marrëzinë e një qasjeje të tillë, kur në të njëjtën kohë mund të shohim një Ballkan që prodhon përditë e më shumë prush, edhe pse fasadat e bëjnë të jetë i paqtë, dhe të flitet serbisht deri në plazhet më të thella të Shqipërisë. Në Afganistan thuhet qartë tashmë se pas dy dekadash të një përpjekjeje për ndërtimin e kombit që ka kushtuar mijëra jetë njerëzish dhe triliona dollarë, SHBA-ja ka arritur vetëm të zëvendësojë një shtet të dështuar me një shtet tjetër, kur në të njëtën kohë politikat amerikane në Ballkan kërkojnë individin e „korruptuar“ dhe kapjen e peshqve të mëdhenj të politikës së korruptuar, kur dihet dhe shihet se është vetëm një anë e moderuar e proverbit shqiptar, „të kërkosh gjilpërën në kashtë“.  Në anën më të nxehtë të ditëve të fundit, në Afganistan tashmë janë talebanët ata që komandojnë shumë qartë, me më shumë autoritet rreth Afganistanit, sesa qeveria e Kabulit, kur në një plan tjetër paralel Ballkani me duart e ngritura të „Yes Men-it“ ende nuk ka një ide të qartë, ku vetëm një ide e një „Mini-Shengeni“ ballkanik është në tryezën e atyre që komandojnë dhe sytë i kanë nga SHBA, që ta kenë mirë dhe një mandat, apo…, kushedi sa të tjerë. Mediat ndoshta kanë të drejtë të thonë tashmë se SHBA nuk po ndërtonte një shtet kombëtar afgan, por po ndërtonte një shtet të dështuar, kur pyetjet në rajonin e Ballkanit mund të shtrohen dhe për Kosovën, po aq dhe për Shqipërinë, në një kohë që dihet se sa probleme mbahen në sirtaret e sigurisë. Do të jetë gjithnjë shumë e lehtë të fajësosh për atë që ndodh në Afganistan, vetë afganët për fitoren e talebanëve, siç kërkoi të bënte Presidenti Biden në fjalimin e tij drejtuar kombit, ashtu sikurse do të jetë dhe mbetet e lehtë të thuhet se gjithnjë fiton Pozita në Shqipëri, se nuk ka Opozitë, apo luhet me një dobësi poltike, e me një pabesueshmëri. Ndryshe nga Afganistani, ndoshta krejt ndryshe, në Shqipëri, për shembull, dihet se të gjithë janë pro-amerikanë, të gjithë i kanë sytë dhe veshët nga SHBA, por pa dyshim që elementi korruptiv në Shqipëri, si kudo në Ballkan, mund të thuhet është i një roli të ngjashëm me korrupsionin e elitës së re afgane që luajti një rol të rëndësishëm në dobësimin e institucioneve të regjimit të Kabulit të mbështetur nga SHBA.  Por duke qenë se ishin SHBA-të që po drejtonin këtë projekt shtet-ndërtimi me aq shumë thesar dhe gjak, një shpjegim i kolapsit të shtetit afgan nuk mund të ndalet në kufijtë e Afganistanit, ashtu sikurse larg qoftë të ndodhte e njëjta gjë me Ballkanin, ku të ikte për një çast vëmendja amerikane. Nëse Afganistani ishte vërtet një provincë de facto e një perandorie amerikane, atëherë shpjegimi për rënien e asaj krahine duhet të jetë i rrënjosur në thelbin e perandorisë, jo në periferinë e saj, të paktën kështu duhet të jetë Ballkani, kështu duhet të shihet situata në Shqipëri me Pozitën kryeneçe e Kosova me situatën e saj të brishtë e delikate. Siç sugjeroi vetë Condoleeza Rice gjatë fillimit të viteve 2000, projekti politik i shtetndërtimit ishte gjithnjë më i madh se vetë Afganistani dhe, në të vërtetë, ai gjithmonë përkonte me një cikël të shkallëzuar të rënies perandorake. A duhet perceptuar kështu dhe Ballkani? A nuk është kështu kjo që po ndodh sot një çrregullim i dukshëm i politikave që krijohen për interesa kalimtare?!

Som

SHBA-ja ka arritur vetëm të zëvendësojë një shtet të dështuar me një shtet tjetër, kur në të njëtën kohë politikat amerikane në Ballkan kërkojnë individin e „korruptuar“ dhe kapjen e peshqve të mëdhenj të politikës së korruptuar, kur dihet dhe shihet se është vetëm një anë e moderuar e proverbit shqiptar, „të kërkosh gjilpërën në kashtë“.