Romani i shkrimtarit Bashkim Hoxha përkthehet në Rumanisht “ Historia në shndërrimet e mjegullës”

139
Sigal

Historia në shndërrimet e mjegullës

 Cristiana Maria Hâncu

Rumani

Kronikat e mjegullës, romani i parafundit i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar Bashkim Hoxha, tani i arritshëm përmes këtij përkthimi rumun nga Cristian Besleage, i propozon lexuesit që i përket së njëjtës hapësirë ​​ballkanike, solidare dhe të përbashkët, një përpjekje të çkodimit të historisë nëpërmjet një eksperimenti narrativ.

Organizuar në formën e një përmbledhjeje narrative dhe, historikisht, trans-figurative, teksti përmbledh, në hapësirën e tij relativisht të vogël, një shekull të historisë shqiptare. Shekulli i kaluar, ai që shpaloset deri tek ne, si një interval thelbësor i transformimit, përcaktimit dhe fiksimit të një identiteti të veçantë etnik, në bërjen e tij progresive historike. Nga vjeshta e vitit të Pavarësisë, deri më tani, nga 1912 deri në bashkëkohësinë më aktuale, atë të fokalizimit në perspektivën e njëqindvjetorit të saj retroaktiv.

Nga pikëpamja narrative, për t’u treguar historia merr hua dy vektorë nga hapësira e këtij romani. Ajo na arrin përmes dy trajektoreve të dallueshme të personazheve, dhe ndonjëherë kryqëzohen, në mënyrë të konsiderueshme, drejtimet e kundërta të dy protagonistëve Hëna dhe Azis Beu, që përfaqësojnë dy boshtet paralele të orientimit dinamik të veprimit, por edhe shfaqjen e dy poleve të kundërta, duke përbërë, megjithatë, përmes tërheqjes dhe refuzimit, çiftin simbolik të romanit.

Emri i personazhit (“Hëna”, në shqip) e vë Hënën nën simbolizmin hënor, e cila nuk është vetëm ajo e transformimit dhe rritjes, por edhe stigma patetike e ritmeve biologjike dhe dritës në intensitetin e errësirës. Ndonjëherë konsiderohet si një shenjë e keqe dhe licencë seksuale, por është, në të njëjtën kohë, një simbol i pavetëdijshmes dhe i vlerave të natës dhe pjesa primitive e shpirtit të paqëndrueshëm, rebel, endacak, që i është lënë pre instiktit të aventurës, por që tërhiqet vazhdimisht dhe magjepset nga poli i kundërt, ai i fuqisë diellore.

Hëna kalon nëpër të gjitha trazirat e ngjarjeve të këtij shekulli të kaluar, duke evoluar në çelësin e një karakteri pikaresk, të dënuar me aventurën e adoleshencës së saj të hershme, e defavorizuar nga statusi i pasigurt shoqëror, vajza e paligjshme e një prifti dhe e një çingijeje, e hutuar nga epshi i njerkut të tij dhe i të tjerëve, jetime dhe e rrënuar nga varfëria ekstreme. Në një zell euforik, Hëna i ofron virgjërinë beut vendas, Azis Beut, duke rikonstruktuar një lloj “të drejte të natës së parë” dhe duke e vënë atë, disi të detyruar, në situatën e pranimit të tij, me hutim. Vijon, në formën e një “riparimi”, martesa e vajzës me Masarin, stallieri shurdhmemec i beut, Hëna nuk mund të pranojë kontrastin e padurueshëm midis “effluvia jasemini” nga jataku i beut dhe “halesë” të tmerrshme të shtëpisë së saj të re dhe e braktis burrin e saj të ri.

Masar nuk mund t’i mbijetojë traumës.

Zgjedhja e një ekzistence rebele të të mbijetuarës, aventurat pikareske do të shfaqen njëpasnjëshëm, një bashkëjetese në pyll me Cubin rebel dhe një martese rrethanore, me Dhimitrin fshatarak, pas lindjeve të shumta me atësi së ndryshme, frytet e të cilave do t’i lihen një ekzistence haptazi rebele, ekzistenca e tyre konspirative dhe ekzekutimi i dy djemve të saj do ta ngrinin papritur atë në dinjitetin e “nënës së qytetit”, në vitet e çlirimit dhe diktaturës së Enver Hoxhës.

Në pjesën më të madhe, në rrafsh personal, iniciativat e Hënës do të shkaktojnë përparimin e ngjarjeve, në sfondin e një përqendrimi gradual të historisë, por edhe të relativizimit progresiv të perspektivave të saj, në dritën e personazheve të ndryshëm.

Hëna vetë riformulon, krejtësisht ndryshe, episodin e aventurës së saj të parë, bazuar në rrethanat e fundit historike, si dhe atë të ngritjes së flamurit shqiptar në ballkonin e sarajeve së Azis Beut, në ditën e shpalljes së pavarësisë, në varësi të tërheqjes-pakënaqësisë që bën atë të rijetojë me obsesion të dyja ngjarjet dhe t’i lidhë ato. Dhe zhdukja misterioze e Masarit shkakton të paktën katër hipoteza shpjeguese.

Elementi hënor i personalitetit të saj tërhiqet në mënyrë të papërballueshme nga simboli i fortë dhe diellor i personazhit që ndodhet në polin e kundërt. Ajo ia sulmon shtëpinë me gurë, kthehet për episodet verbuese të joshjes, vendoset me autoritetin e pushtetit popullor në sarajet e Azis Beut dhe e poshtëron publikisht, duke e asgjësuar atë përgjithmonë. Por duke formuar së bashku me të çiftin autentik, simbolik dhe paradoksal, mbi të cilin bazohet paralelizmi i trajektoreve të tyre.

Emri mysliman i beut, pasardhësi i një serie Eqeremësh, Halilësh, Dalipësh, Muharremësh, Selamësh dhe Samedinësh, është trashëgimtari i një simbolizmi përcaktues onomastik. Azis, një fjalë me etimologji arabe, që do të thotë „I forti“, më vonë merr kuptimin “i dashur, i çmuar, i dashuruar”, duke nënkuptuar forcën e karakterit të Azis Beut, me një natyre centripetale, por një forcë tërheqëse me shfaqje pasive.

Më shumë i pavullnetshëm në fillim, Azis Beu hyn në politikë, pas ngritjes së flamurit, duke provuar dhe, me qëndrueshmëri, fisnikërinë themelore dhe po aq shumëvlerëse, në kushtet e një realiteti kontradiktor të regjistruar në të ashtuquajturin Dekalog i Shqiptarit, i shpikur prej tij.

Në mënyrë domethënëse, djali i beut studion histori. Ferdinandi, „trimi në paqe“ (Frithu = Paqe dhe Nanth = Trim, në gjermanishten e vjetër) bartësi i emrit të vetëm të kaurit, që ndërpret një vazhdimësi onomastike myslimane do të përkulet më mëdyshje dhe pa rezultat përfundimtar, mbi faktin historik që të gjithë personazhet e hetuara interpretojnë në mënyrë polikrome dhe kameleoniane, nga një shumësi këndesh optike, perspektivash dhe interesash.

Në incidencën e kësaj shumëllojshmërie, Dafina, një çingie, e cila “kishte provuar turq, grekë, francezë, italianë, një amerikan, dy bullgarë, një serb, shqiptarë po se po, me shumicë”, ia përshtat rregullisht serinë panoramike të qilimave të saj nëpër mure realitetit historik, gjithnjë në ndryshim, të këtij shekulli të trazuar: “peisazhe nga më të ndryshmet. Venezia. Stambolli. (…) Një peizazh kinez ”. Midis këtyreve ishin ndërfutur, me kalimin e kohës, një peizazh gjerman me një katedrale dhe një peizazh pyllor rus. Në të njëjtën mënyrë hanxhiu Luc Dema ndërron njëpasnjëshëm emrin e tavernës, e cila në fillim quhej «Stambolli», pastaj «Bella Venezia» dhe, së fundmi, «Volga». Dhe vetëm vdekja e ndalon atë që ta ndryshojë, përsëri, në “Pekin”, pasi punëtorët do të vendosin një “yll” me pesë cepa.

Po kështu, gjatë gjithë historisë, tufa popujsh të huaj: romakë, sllavë, normanë, venedikas, turq, rusë ose kinezë kanë ushtruar ndikimin e tyre mbi tokën Ilire.

Ferdinandi shqyrton i çorientuar këtë mozaik interpretues, duke zbuluar, në një hulumtim të hollësishëm të personazheve konfuzë, asgjë më shumë se atë që Miguel de Unamuno e kishte quajtur “INTRAHISTORI”, atë strukturë të thurur nga miliona ekzistenca të heshtura që bëjnë, në punën e tyre të përditshme, ekzistencën e Shqipërisë së thellë.

Dhe pasqyrimi i tyre në histori, një refleks i pasigurt, i gjithanshëm, i shtrembëruar, i përsëritshëm dhe i përpërsëritshëm, i para-figuruar, i kon-figuruar, i ri-figuruar dhe i trans-figuruar në mjegullën të mbipranishme, duke kontaminuar historinë me misterin e saj të plotë.

Risia e formulës narrative të propozuar nga Bashkim Hoxha, përmes këtij romani, tek lexuesi konsiston pikërisht në alegorinë relativizuese të këtyre metamorfozave të pashtershme, në avullin e vjetër, të ndryshueshëm të mjegullës.

“Lavdërimet” e saj e hapin tekstin ose e ndërpresin atë, duke i dhënë kohë serisë së përshpejtuar të kërcënimeve të afërta ose mizorive që ndodhin, në mënyrë implicite, në ekzistencën historike, duke vendosur një ndalesë qetësuese, duke i pezulluar, me frymën e pastër të një psalmi.

Motivi i përsëritur, ose më saktë metafora e madhe tematike e mjegullës së kudogjendur, e mjegullës që del ngado, shpërndahet në askund dhe përhapet kudo, është futur në mënyrë të përsosur nga autori, duke përbërë ofertën e një filtri të mbinatyrshëm, në transparencën e paqartë të të cilit kodifikohet, fshehet ose zbulohet, duke u shpalosur para syve tanë në një mënyrë zbuluese, eksplicite.

Mbështetja lirike përbëhet nga pesë evokimet poematike të mjegullës. Ato ndajnë dhe përcaktojnë, në mënyrë aluzive dhe të pabarabartë katërpjesëshe, ekonominë e rrëfimit, duke pasur, në një farë mënyre, një vlerë parashikuese, paraardhëse të asaj që do të vijojë, në sekuencën e fakteve:

“Lavdërimi i parë i mjegullës”

“Lavdërimi i dytë i mjegullës”

“Buletini i mjegullës”

“Nëpër mjegull ecën fati im”

“Horoskopi i Mjegullës”.

Ndërfutja lirike që rendit shpalosjen epike, lind kristalizime të “LAVDERIMEVE”, me një bukuri të tillë që ky lavdërim trans-figurativ i mjegullës, i këtij elementi vëllazëror-të gjithëpranishëm, mund t’i shtohet si një plotësim të pastajshëm Këngës françeskane të famshme, ai Lavdërim i Krijesave të Ndërtuesit, Cantico delle Creature, Lavdërimi i Krijimit (Laus Creaturarum) i Shenjtit serafik të Asizit, modeli i parë poetik i krishterë, mahnitës në thjeshtësinë e tij të përsosur.

Duke vendosur kështu midis krijesave, pranë “Messer-it Vëllait tonë Diellit, plot rrezet, me shkëlqim të madh” dhe “Motra Hënë, e qartë, e ndritshme dhe e bukur”, pranë këtyre vatrave të mëdha të dritës dhe qartësisë, dhe një element të ri, të pasigurt dhe të përulur: “Mjegulla, Motra e Historisë, e gjithëpranishme, mbështjellëse dhe zbuluese”. Ajo që u krijua nga Ndërtuesi dhe gjithashtu u vendos, për ne në Korin Lavdërues të Krijesave, në vëllazëri dhe për zgjimin e aftësive dalluese.

Që nga lashtësia e baladave, mjegulla vazhdon, si një element mbizotërues, mbi Shqipërinë mitike. Siç ndodhi edhe me Kështjellën e Rozafës, ndërtuar me hidhërim. Siç na tregoi Mitrush Kuteli: “Mjegulla ra mbi Bunën dhe e mbuloi plotësisht. Mjegulla qëndroi atje për tre ditë dhe tre net. Pas tre ditësh dhe tre netësh, filloi të frynte një erë e lehtë, e cila e shpërndau, e ngriti në qiell dhe e dërgoi lart në kodrën e Valdanuzit. Atje, në majë të kodrës, punonin tre vëllezër. Ata po ndërtonin një kështjellë. Ata ngrinin murin gjatë ditës, por natën shëmbej … ”Shkrimtari shqiptar, i cili jetoi për shumë vite mes nesh në Rumani, ka kthyer në prozë baladën e famshme ballkanike të sakrificës për ndërtim dhe themelim, si baladë simotër të baladës rumune Mjeshtri Manole, në tokën shqiptare.

Prej asaj kohe deri më sot, mjegulla vazhdon dhe ushqehet, pandërprerë, nga papërcaktueshmëria mjegullore e ajrave, duke qenë motivi letrar më shqetësues nga të gjithë, dhe, i mbivendosur në histori, filtri më i qartësuar dhe më i çmuar.

Talenti i veçantë i Ismail Kadaresë evokon mjegullën, e thërret atë dhe e vendos gjithnjë në peizazhin shqiptar, duke e ri-përfytyruar atë edhe në zemrat e njerëzve, si dhe atë në mes të Natyrës: me mjegull, avull, re, tym, pluhur, ngjyrë qumështi, madje edhe me filtrin e lotëve në dritën e syve, të cilat ne i zbulojmë duke zbritur, pa marrë vesh, nga faqet e tij, mbi peisazhet e natyrës ose të njeriut, duke u grumbulluar deri në “prosopope” dhe duke personifikuar një Mbretëri të Mjegullave në vendin e tij.

Romani i Bashkim Hoxhës ringjall, në mënyrën më të përsosur, simbolin e vjetër, e ngarkon atë me vlerë narratologjike dhe në të njëjtën kohë u jep instrumenteve historike këtë simbol të të papërcaktuarit, në të cilin format nuk dallohen akoma, ose në të cilin format e vjetra që janë duke u zhdukur nuk janë zëvendësuar akoma nga forma më të sakta, duke thirrur në mënyrë imperative për dallimin e vetëdijes, për t’u ndriçuar dhe për t’u dalluar.

Duke ia sjellë ofertë, njëkohësisht, zbulimin e misterit në çelësin lirik të “Lavdërimeve”:

O mjegull!

E kam kërkuar tempullin tënd për të blatuar një sakrificë,

po ku ta gjej.

Tempulli yt është i lëvizshëm dhe ndërron formë si vetë ti.

 

Mjegull, hapu pak!

Hapu pak, ashtu siç hapet perdja e një skene për të zbuluar çfarë ka ngjarë.

Më zbulo peizazhe, histori, njerëz.

Mos i fshih!

 

Nuk do?

 

Më duhet t’i kërkoj ndihmë Diellit.

Kur del ai, ti davaritesh.

Por Dielli në këto anë është përtac.

Edhe kur del,

përmes mjegullës duket si një hënë e zbehtë.

E zbehtë.

 

Mjegull!

Më duhet e vërteta!