Gëzim Zilja: Ku po shkon o Salianj?

578
Sigal

Analizë nga Gëzim Zilja: Ku po shkon o Salianj? PD nuk e ka luksin të përjashtojë njerzit e vet se kërkojnë të dëgjohet mendimi i tyre. Kthejani PD-së shpirtin demokratik, bashkoni njerzit dhe mos e ktheni PD në pronë private

Ditë më parë një pjesë e kryesisë së degës së PD-së Korçë,  bashkë me një pjesë të Lidhjes Demokratike të Gruas, Korçë, dhanë dorëheqjen nga Partia Demokratike, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për mënyrën sesi u veprua dhe veprohet në qendër për shumë probleme para dhe pas 25 prillit. Veprimi ekstrem i një pjese të rëndësishme të demokratëve korçarë, të vjetër e të rinj, duhej parë me vëmendje, shqetësim e gjakftohtësi. I deleguar nga qendra shkoi depueti Ervin Salianji një 32 vjeçar, diplomuar në UET-në pa ndonjë shënim të veçantë në diplomën e tij po sigurisht shok e mik i Bashës. Ky sapo Ervini u diplomua e mori  në Bashki si “Avokat i qytetit, Bashkia Tiranë, Shërbimi publik” ku për katër vjet nuk qullosi gjë për tu mbajtur mend. Pastaj po Lul Basha e futi në listën e numrave fitues si deputet. Dy vjet u dallua në parlament për diskutime të llojit “gër-mër” dhe “ma çorre, ta çorra.” Po veprat që e bënë të shquar në arenën politike  ishin çështja e pështirë “ Babale” dhe  skandali tjetër i mesazheve. Ky njeri, që as ia ka haberin nga strukurat e partisë dhe punën me njerëzit, që ka ardhur me qemshe ( jo lugë ) në brez në PD, shkon e  bën teatër në Korçë me dhjetë a  njëzetë demokratë të tjerë, i ve kundër njëri-tjetrit e duke bërë shantazh, mëton të fshijë një histori të gjithë pa kurrfarë përgjegjësie dhe shprehet në mënyrën më cinike,: “….Ka njerëz që nuk janë mësuar dot me sakrificën, shumë të tjerë kanë sakrifikuar gjithçka përballë regjimit, detyrimin e kemi ndaj atyre që kanë dhënë gjithçka në këmbim të asgjëje….” O shoku Salianj! Kur ty të ushqente mamaja me muhalebi  dhe të ndërronte tre-katër herë në ditë bebelinot mbushur me kakë, shumë nga ata burra, gra, tashmë baballarë e gjyshër rrezikonin jetën duke u përleshur me forcat e diktaturës. Moshatarët e tu në të gjithë Shqipërinë ( sot 50-70 vjeçarë) u përleshën, u gjakosën, u burgosën dhe jo pak ranë dëshmorë nga plumbat e policisë sekrete.

Nuk e ka luksin Patia Demokratike të përjashtojë njerëzit e vet se kërkojnë të dëgjohet mendimi i tyre. Kthejani PD-së shpirtin idealist e demokratik, i bashkoni njerëzit, mos e ktheni PD-në në pronë private

 

Në atë luftë dhëmb për dhëmb me diktaturën u formuan PD-të në rrethe, me njerëzit më të mirë, idealistë, të ndershëm, të mençur e guximtarë. Strukturat e PD-së kanë qenë shpirti, gjaku, zemra dhe siguria e fitoreve të PD-së. Ato u krijuan në një kohë kur ende rregjimi diktatorial nuk ishte përmbysur. Prej andej dolën drejtuesit e parë të PD-së, të cilët pas fitores historike mbi forcat e diktaturës, më 1992, me punën e tyre të jashtëzakonshme (Jo si ca tritanë@co që braktisën ëndrrën për një shtet demokratik e punuan për të majmur prapanicën e tyre) ia dolën të shndërronin shtetin e kooperativave dhe të sigurimit kriminal të PP-së, në një shtet me struktura dhe ligje demokratike, të hapnin rrugën drejt perëndimit dhe Amerikës dhe të siguronin ndihmat nga BE-ja, (Operacioni Pelikan) që njerëzit të mos vdisnin nga urija. Ti këto nuk i di e as do t’i mësosh. Historia e PD-së nuk fillon me ty, e sishokët e tu Salianj! Kur të flasësh me demokratët e bazës duhet të lash mirë gojën e të mendohesh gjatë. Kanë tetë vjet që branisen rrugëve pa punë, e të përbuzur, sepse dyert e qeverisë janë të mbyllura për ta por nuk e tradhëtuan PD-në. Nga ata i keni ato kartona deputeti, shumë nga ju të pamerituara. S’kam asgjë me të rinjtë që vijnë nga strukturat, shkëlqejnë, mbushin rradhët e PD-së e punojnë plot dëshirë e idealizëm për fitoren kundër sektit rilindas. E kam me të katapultuarit, që në vend të ulin kokën e të dëgjojnë demokratët, bëjnë filozofin, të gjithëditurin e sigurisht arrogantin. Nuk rrëzohen ustallarët e kuq dhe rilindasit me fjalimet sovjetike e hartimet me ujë kënete, duke përsëritur deri në pafundësi të njëjtat gjëra: varfërinë, korrupsionin, padrejtësinë, masakrat zgjedhore, etj etj.  Të konstatosh është e nevojshme por jo e mjaftueshme. Shkoni bashkë me Lul Bashën e me deputetët e rinjë në çdo komunë e qytet, kërkojuni falje demokratëve në Korçë e gjithë Shqipërinë, që nuk i fituat dot zgjedhjet për herë të tretë. Dëgjoni me përulësi, plot respekt e vëmendje mendimet e tyre, të kuptoni si mund e duhet të rrëzohet Edi Rama! Bëni të funksionojë vota dhe zgjedhjet e lira brenda PD-së! Boll me emërime kryetarësh, deputetësh sekretarësh, jeminllarësh e njerëzish pa kurrfarë vlere dhe experience, ku i vetmi kusht që plotësojnë është besnikëria ndaj kryetarit! Respektoni Historinë e Partisë Demokratike, studioni, mësoni si u krijuan strukturat e partisë dhe analizoni pse bastionet e PD-së si Kavaja, Shkodra e Tirana u kthyen nga blu, të kuqe. Mos dërdëllisni më ato frazat idjote: Ne kemi fituar! Kemi marrë aq e kaq vota më shumë se në vitet e kaluara; Ne na do populli etj, etj.

 Kur të flasësh me demokratët e bazës duhet të mendohesh gjatë. Kanë tetë vjet që branisen rrugëve pa punë, e të përbuzur, sepse dyert e qeverisë janë të mbyllura për ta por nuk e tradhëtuan PD-në. Nga ata i keni ato kartona deputeti, shumë nga ju të pamerituara

Ju keni fituar kartën e deputetit për b…. tuaj, se në Shqipëri është kryeministër për herë të tretë rradhazi  Edi Rama. Në Shqipëri 80% e njerëzve janë të varfër dhe nga këta 30% shqyhen  në luftë për sigurimin e bukës së përditëshme. Nëse nuk fitoni dot besimin e tyre, PD-ja fatkeqësisht do vazhdojë të rrudhet e fitorja do të jetë e pamundur. Çështja e rrëzimit të Edi Ramës dhe sektit të tij ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë, mirëqënien e shqiptarëve dhe ndërtimin e një shoqërie me bazë meritat e individit e jo të besnikërisë ndaj kryetarit e klanit të parties. Nuk ka popull të paditur! Ka parti dhe elita të korruptuara, që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe po i bëjnë varrin atdheut, duke  bërë të mbretërojë korrupsioni, varfëria e padrejtësia. Nuk e ka luksin Patia Demokratike të përjashtojë njerëzit e vet se kërkojnë të dëgjohet mendimi i tyre. Kthejani PD-së shpirtin idealist e demokratik, i bashkoni njerëzit, mos e ktheni PD-në në pronë private, për pasurimin e miqve e mikeshave, sojit e sorrollopit tuaj! Ndyshe populli nuk i sjell kurrë në qeveri salianjët e salianjeshat sepse nuk i do dhe nuk u beson!