Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Zuzka botë…

237
Sigal

 

Do ndahem shpejt nga zuzka botë ,

po keq më vjen për zuzkën,

Ndaj mblidhuni t’ju jap një gotë,

se keq më vjen për zuzkën!…

Sa keq më vjen për veten time,

aq keq më vjen për zuzkën,

Të dy ne jemi prej një thërrime

me botën time , zuzkën…

 

 

Mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto!

Për shëmbull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto !

Për shëmbull, më pe në rrugë të pirë, mos ma kujto!

Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shëmbull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto!

Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhë, mos ma kujto!

Për shëmbull, pësova diku një disfatë, mos ma kujto!

Dhe gjumi s’më zinte në natën e gjatë, mos ma kujto!

Për shëmbull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto!

Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shëmbull, më pe duke ngrënë e gënjyer, mos ma kujto!

Të prishur, të shthurur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shëmbull, në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto!

I turpshëm u drodha si qëngj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,

Ka drojtje dhe heshtje, kur lipsen të thirrura, mos ma kujto!