Prof.Dr.Xhevat Lloshi, Prof.Dr. Emil Lafe/ Shteti shqiptar dhe zhvillimi i gjuhës letrare shqipe

1049
Sigal

Prof. Dr. Xhevat LLOSHI

Prof. Dr. Emil LAFE

Krijimi i një gjuhe letrare të përbashkët për gjithë shqiptarët, me rregulla gramatikore e drejtshkrimore të përcaktuara, u shtrua si një ndër kërkesat kryesore të programit kulturor të Rilindjes. Rilindja Kombëtare çështjes së gjuhës i dha një vend qendror në programin e vet jo vetëm sepse ajo ishte simboli madhor i identitetit dhe lashtësisë së kombit, por edhe sepse vendosja e shqipes si gjuhë zyrtare ishte hapi i parë dhe shenja vendimtare e pavarësisë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) vuri në programin e vet kërkesën që në këshillat e gjykatave të përdoret gjuha shqipe dhe diskutimet të zhvillohen në këtë gjuhë. Nevoja e një alfabeti të vetëm të shqipes u shtrua me forcë në radhë të parë sepse shteti shqiptar, që tashmë po projektohej, nuk mund të kuptohej pa një gjuhë të vetën me një alfabet të vetëm. Rilindësit, të mbledhur në Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip, përcaktuan më 1879, 36 fonema për shqipen letrare dhe krijuan alfabetin e njohur si i Stambollit me 36 shkronja, i cili pas Kongresit të Manastirit (nëntor 1908) u zëvendësua me një alfabet krejtësisht latin, por duke ruajtur po atë renditje shkronjash.

Në lëvrimin dhe zhvillimin e shqipes letrare që prej Rilindjes ka mbizotëruar prirja e konvergjencës brendadialektore e ndërdialektore. Formimin e një gjuhe letrare të njësuar rilindësit ia lanë kohës së ardhshme, kur shqiptarët të kishin formuar shtetin e vet. S. Frashëri mendonte se letrarishtja shqipe e përbashkët do të formohej nga të përzierët e dialekteve në kryeqytetin e ri të shtetit të ardhshëm shqiptar. Kjo ide vë në dukje, në radhë të parë, rolin e shtetit për formimin e gjuhës letrare të njësuar, dhe, së dyti, karakterin mbarëkombëtar të gjuhës letrare të përbashkët në kuptimin që ajo do të formohet nëpërmjet një konvergjence të elementeve me burime të ndryshme territoriale sipas shkallës së përfshirjes së tyre në gjuhën e shkrimit dhe sipas rregullsisë brenda strukturës së gjuhës.

Qeveria e Vlorës e shpalli shqipen gjuhë zyrtare më 23 shtator 1913. Sado jetëshkurtër që qe kjo qeveri, e nisi punën me ngritjen e disa komisioneve për krijimin e terminologjisë ushtarake, të shërbimit postar etj. në gjuhën shqipe (deri atëherë terminologjia ishte vetëm turqisht) dhe me formulimin e disa ligjeve, siç janë Kanuni i Zhurisë (13.V.1913) dhe Kanuni i Përtashëm i administratës civile të Shqipërisë (nëntor 1913). Gjuha shqipe u përdor me funksione zyrtare në veprimtarinë e Qeverisë, që pasqyrohet në organin e saj, gazetën “Përlindja e Shqipëniës”.

Gjatë dy viteve të fundit të Luftës së Parë Botërore (dhjetor 1916 – nëntor 1918) në Shkodër, qendra e zonës austro-hungareze të pushtimit që përfshinte pjesën më të madhe të territorit shqiptar, u mblodh Komisia Letrare, e cila mori vendim që gjuha e njësuar e shkrimit të mbështetej mbi dialektin e Elbasanit, si urë lidhëse midis toskërishtes e gegërishtes. Komisia caktoi disa rregulla drejtshkrimore që afronin shkrimin e gegërishtes me të toskërishtes dhe vendosi një numër termash për administratën dhe gjyqet. Ndërkaq letërsia artistike, përkthimet, shtypi jo vetëm në vend, po edhe në diasporë, vijuan zhvillimin e tyre sipas varianteve letrare të mëparshme, d.m.th. të shkodranishtes dhe toskërishtes letrare. Madje edhe tekstet shkollore të gjuhës e të letërsisë hartoheshin sipas përkatësisë dialektore të autorit (toskërisht I. D. Sheperi, E. Çabej, N. Resuli; gegërisht A. Xhuvani, J. Rrota, O. Myderrizi etj.). Nën ndikimin e punës së Komisisë dhe me idenë se një dialekt i mesëm si ai i Elbasanit kishte shumë gjasë të vihej në bazë të shqipes letrare të përbashkët, Kongresi Arsimor i Lushnjës (shkurt 1921) vendosi pranimin e dialektit të Elbasanit në veprimtarinë e shkollës, përfshirë shtypjen e teksteve shkollore. Ky vendim dhe praktika dyvjeçare e përdorimit të elbasanishtes letrare si gjuhë e administratës në zonën austro-hungareze të pushtimit, shërbeu si mbështetje për dekretin kryeministror të 13 janarit 1923, që caktonte dialektin e Elbasanit si dialekt zyrtar të administratës së shtetit shqiptar. Kjo praktikë vijoi edhe në vitet e pushtimit (1939-1944).

Përfundimisht, mund të thuhet se në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore shteti shqiptar ndoqi një politikë elastike, madje liberale kundrejt gjuhës standarde. Nuk largohemi nga e vërteta po të themi se shteti si i tillë praktikisht u kujdes për zbatimin e një forme gjuhësore të njësishme në sferën e ngushtë të veprimtarisë zyrtare. Kjo do vështruar jo si mangësi, përkundrazi, ishte arritje e dobishme për kohën, madje u ka shërbyer zhvillimeve të mëvonshme si për planifikimin, ashtu edhe për kodifikimin. Dëshmia më bindëse është ndikimi që pati kjo zgjidhje te shqiptarët në Kosovë që nga viti 1941 si një frymë, që erdhi deri në vitet ‘60.

Në fund të vitit 1928 ishte shprehur ideja për një Komision letrar, që të vijonte në hullinë e Komisisë Letrare të dhjetë vjetëve më parë. Por qeveria e shtyu për një afat të pacaktuar. Kurse shteti i pushtuesve fashistë më 12 prill 1940 ngriti Institutin e Studimeve Shqiptare, i cili do të vazhdonte realisht punën e Komisisë Letrare. Instituti e filloi punën menjëherë me pastrimin e shqipes nga fjalët e huaja. Pavarësisht se kjo përputhej me traditën rilindëse, këtë radhë ishte e frymëzuar edhe nga koncepti i “autarkisë së gjuhës”, sipas shembullit edhe të politikës gjuhësore të kohës në Itali.

Me çlirimin e vendit dhe vendosjen e qeverisë së re në Tiranë në nëntor 1944 urdhri kryeministror i vitit 1923 për elbasanishten si dialekt zyrtar nuk u përfill më dhe në organet e larta të shtetit e të PKSH u përdor kryesisht varianti letrar jugor, ashtu si dhe gjatë viteve të LANÇ. Kjo ishte pasojë e dy faktorëve: së pari, e epërsisë së zhvillimit, të përhapjes e të kodifikimit të këtij varianti letrar; së dyti, e prejardhjes krahinore të shumicës dërrmuese (rreth ¾) të njerëzve të shkolluar në atë kohë, çka pasqyrohej edhe në përbërjen e drejtuesve të dy forcave politike kryesore gjatë viteve të luftës, Partia Komuniste dhe Balli Kombëtar. Akti më i rëndësishëm, që tregonte se kishte nisur një orientim i ri gjuhësor ishte vendimi, sipas të cilit nga viti 1950 do të botohej një abetare e njësuar në vend të dy abetareve: gegërisht e toskërisht.

Por për zgjidhjen e çështjes gjuhësore nuk u ndërmor ndonjë veprim vendimtar. Institutit të Shkencave iu vu detyrë të punonte në atë drejtim. Rregullat drejtshkrimore (1948, 1951) dhe Fjalori i gjuhës shqipe (1954) të punuara nga Instituti i Shkencave merrnin parasysh të dyja variantet letrare, ndërsa prof. K. Cipo si për gramatikën shkencore, ashtu dhe për gramatikën shkollore (të dyja 1949) zgjodhi toskërishten letrare, duke e argumentuar këtë me arsye gjuhësore e kulturore-historike. Gramatikat e tij patën ndikim të frytshëm për njësimin e normës gramatikore veçanërisht në gjuhën e shkruar.

Kthesa për ta përshpejtuar vendosjen e një forme gjuhësore të njësuar ishin dy sesionet shkencore të Institutit të Shkencave të vitit 1952, të cilat i bënin jehonë veprës së Stalinit “Marksizmi dhe çështje të gjuhësisë”. Rrjedhimisht, më tej gjuhësia u orientua më fort drejt studimeve në kuadrin e institucioneve, sesa në caktimin e menjëhershëm të një norme letrare të njësuar nëpërmjet ndonjë forumi shkencor. Lëvrimi i të dy varianteve në letërsinë artistike, në botimet shkencore, pjesërisht në përkthime e në publicistikë vijoi si më parë. Kësaj gjendjeje i përgjigjen edhe rregullat drejtshkrimore të vitit 1956, të cilat përmbajnë në rastet e nevojshme, edhe udhëzime për format e gegërishtes. Ripunimi i këtyre rregullave në vitet ’60 merrte parasysh një gjendje të re të kristalizimit e të përhapjes së normës letrare, sidomos me zhvillimin e letërsisë, të arsimit të mesëm e universitar dhe me shumëfishimin e botimeve. Kjo bëri të mundshme hartimin e projektit të ri të drejtshkrimit (1967), të synuar si drejtshkrim i një forme gjuhësore të njësuar. Për këtë u bënë edhe trajtime teorike paraprake.

Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (prill 1968), e udhëhequr nga motoja “Një komb – një gjuhë letrare kombëtare”, vendosi zbatimin e projektit të shtetit amë në gjithë veprimtarinë botuese, shkollore, administrative etj. të shqiptarëve në ish Jugosllavi, ku deri atëherë përdorej një variant i mesëm i gegërishtes letrare. Ky vendim pati si pasojë ndërprerjen e botimeve në gegërishten letrare edhe në Shqipëri, pa ndonjë ndërhyrje të drejtpërdrejtë administrative. Përparimet në përvetësimin dhe zbatimin e normës letrare në vitet në vijim dhe përmasa e gjerë shoqërore e mbarëkombëtare që mori çështja e gjuhës letrare të njësuar i hapën rrugën Kongresit të Drejtshkrimit (nëntor 1972), i cili në Rezolutën e vet përcaktoi se “gjuha letrare shqipe ka arritur në një fazë të tillë zhvillimi, që na lejon të pohojmë shkencërisht se populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar.”

Tashmë për gjuhën standarde kishte një platformë të përpunuar pas një diskutimi jo të vogël, duke e integruar përvojën e mëparshme, dhe me miratim të një opinioni të gjerë, i cili e priste këtë zgjidhje edhe për arsye të nevojave konkrete kulturore e arsimore. Mbi bazën e kësaj platforme, që u mbështet pastaj me vepra gjuhësore normative, shteti e quajti të zgjidhur problemin e kodifikimit të statusit dhe e ktheu këtë në politikën e vet.

Pas botimit të “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1973), të hartuar në pajtim me Rezolutën e Kongresit, Këshilli i Ministrave nxori vendimin “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe” (nr. 50, dt. 8.3.1974). Vendimi ishte hapi i parë serioz i shtetit shqiptar për vendosjen e një disipline gjuhësore në gjithë veprimtarinë administrative e shoqërore, sado që në asnjërën prej kushtetutave të periudhës socialiste (1946, 1876) tyre nuk përmendet se në Shqipëri gjuhë zyrtare është shqipja, ashtu si në Statutin e Mbretërisë (1928). Në kushtet e atëhershme, kur veprimtaria botuese ishte e përqendruar në duart e shtetit, ky vendim, që detyronte institucionet për zbatimin e drejtshkrimit, ndaloi edhe formalisht lëvrimin e mëtejshëm të gegërishtes letrare në Shqipëri. Sidoqoftë, krahas ngritjes së përgjithshme kulturore të popullsisë, vendimi ndikoi për ndërgjegjësimin e opinionit shoqëror ndaj kulturës gjuhësore. Prapambetja e dikurshme arsimore-kulturore e zonave të gjera fshatare dhe alfabetizimi i tyre masiv në vitet e pasluftës lehtësuan pranimin dhe përhapjen e normës letrare edhe në trevat me një bazë tjetër dialektore.

Ndërkaq, lëvrimi i gjuhës letrare, zgjerimi i botimeve shkencore dhe dendësimi i ndikimit të gjuhëve të huaja nxorën në rrafsh të parë çështjen e pastrimit e të pasurimit të mëtejshëm të shqipes, të ruajtjes së veçorive kombëtare të saj. Për këtë më 1979, me propozim të Akademisë së Shkencave (nisma ishte e prof. E. Çabejt) u krijua pranë Këshillit të Ministrave Komisioni i Përhershëm për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. Gjatë veprimtarisë së tij (1979-1990) komisioni i dha shtysë të re kujdesit shtetëror për gjuhën dhe disiplinës gjuhësore. Veçanërisht u punua me sukses për terminologjinë dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore në botimet e ndryshme dhe në ligjërimin publik. Ndryshe nga sa është menduar dhe shkruar për mjaft kohë te ne, fatin e gjuhës standarde nuk e ka përcaktuar aq ligjërimi i letërsisë artistike, me gjithë rolin e saj të padiskutueshëm, as vepra e një gjeniu të letrave dhe as shqiptimi standard nuk është ndikuar nga tingëllimi në skenë. Rolin kryesor e kanë luajtur veprimtaria shoqërore-politike dhe veprimtaria shtetërore-administrative. Për pasojë, ka ardhur koha t’i kushtohet vëmendje shqyrtimit të teksteve nga këto dy fusha të mëdha, për të ndjekur proceset, që sollën deri te standardi i sotëm.

Pas vendosjes së pluralizmit politik, kundërshtimet dhe kontestimet për vendosjen e normës letrare, që ishin shfaqur në fillim jashtë (A. Pipa), nisën të gjenin vend me zë të lartë edhe në Shqipëri. Dëshmia më e dukshme është “Deklarata e gjuhëtarëve të Shkodrës” (korrik 1992), me tri kërkesa kryesore: gjuha letrare duhet të rishikohet; krahas saj të shkruhet gegërishtja letrare; e ardhmja e letrarishtes shqipe t’i lihet momentit të favorshëm historik. Ndërsa në Konferencën me rastin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (nëntor 1992) u përmend se ai Kongres ishte zhvilluar në kushtet e diktaturës komuniste, të mungesës së demokracisë, se vendimet e tij ishin të shpejtuara, se zgjidhja i duhej lënë një të ardhmeje, kur nga zhvillimi paralel në kushte të barabarta i dy varianteve letrare njëri të merrte epërsi të dukshme mbi tjetrin etj. Kanë kaluar njëzet vjet që atëherë, por ende nuk vërehet që diçka e tillë të jetë kthyer në pjesë përbërëse të politikës së shtetit në këtë fushë. Nga ana tjetër në Kushtetutën e vitit 1998 përcaktohet për herë të parë se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja (neni 14) dhe se shteti synon kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe (neni 59, g), por kjo kërkesë ka mbetur e pashoqëruar me ndonjë akt nënligjor.

Një numër i kufizuar zërash i kanë kritikuar edhe veprat gjuhësore normative se kanë lënë jashtë kinse me qëllim pasurinë gjuhësore të gegërishtes, veçanërisht për leksikun dhe paskajoren e saj (me punue). Ka pasur dhe kërkesa që baza dialektore e normës letrare të hapet, të pasqyrojë ndryshimet e sotme demografike të shkaktuara nga migrimet e brendshme, prej të cilave popullsia gegërishtfolëse është bërë më e pranishme në zonat urbane të kryeqytetit dhe pranë tij. Në këtë hulli u zhvillua edhe konferenca e ngushtë e organizuar në Plazhin e Durrësit në dhjetor 2010, ndaj së cilës pati edhe një reagim të opinionit shoqëror. Diskutimet nganjëherë edhe të ashpra e tejet të politizuara gjithsesi janë pjesë e natyrshme e zhvillimeve të sotme. Dukuria më pozitive është se nga ana e shtetit nuk ka pasur ndërhyrje të drejtpërdrejta në këto diskutime. Megjithatë, heshtja institucionale deri më tash për të përkujtuar qoftë vetëm simbolikisht 40-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit është një tregues jo pozitiv për konsekuencën e politikës shtetërore në këtë lëmë. Opinioni shoqëror e intelektual, i tronditur në fillim nga kontestimi i standardit, i sheh sigurisht me shqetësim përpjekjet për ta gërryer atë deri në përmbysje, çka do të pështjellonte rëndë edhe vetë veprimtarinë shtetërore. Në konferencat e organizuara më parë me rastin e përvjetorëve të Kongresit të Drejtshkrimit (Tiranë, 1997, 2002) ka mbizotëruar mbizotëroi vlerësimi pozitiv për shqipen standarde. Në këto veprimtari ka rënë në sy mungesa e përfaqësuesve të ASHAK, që kishin filluar të shprehnin rezerva ndaj rrugës së vendosjes së shqipes standarde dhe normës letrare të saj.

Në konferencën e vitit 2002, duke u nisur nga rrethanat e reja politike të krijuara prej çlirimit të Kosovës dhe forcimit të faktorit shqiptar në Maqedoni, u propozua krijimi i një këshilli kombëtar për gjuhën shqipe, që të vijonte punën e Komisionit të Përhershëm të vitit 1979, tani në një rrafsh mbarëkombëtar. Detyra kryesore të këtij këshilli do të ishin afrimi i mëtejshëm i praktikës gjuhësore në Shqipëri me atë në Kosovë, Maqedoni etj.; mënjanimi i shtrembërimeve gjuhësore nga ndikimi i serbishtes e i maqedonishtes në Kosovë e Maqedoni dhe mënjanimi i ndikimit të tepruar të italishtes në Shqipëri; përballimi i problemeve që dalin nga ndikimi i anglishtes në kushtet e globalizmit; përpunimi dhe njësimi i mëtejshëm i terminologjisë; orientimi i studimeve për probleme të caktuara të normës letrare; përmirësimi i formimit gjuhësor në shkollat e arsimit të përgjithshëm; ngritja e kulturës gjuhësore në ligjërimin publik dhe në botimet.

Disa zhvillime të kohëve të fundit paraqesin luhatje, të cilat nënkuptojnë prishjen e gjendjes me pasoja jo dhe aq të qarta. Akademia e Shkencave e Shqipërisë e trajtoi ngritjen e këshillit kombëtar me ASHAK, por kjo e dyta jo vetëm nuk ka organizuar vetë asnjë veprimtari për shqipen standarde, por nuk ka marrë pjesë as në veprimtaritë e organizuara nga të tjerë. ASHAK ende pa u formuar këshilli, botoi në mënyrë të njëanshme “Orientimet” e veta, duke diferencuar arsyet e pranimit të gjuhës letrare në Shqipëri (“edhe nën ndikimin e mekanizmave shtetërorë”) dhe në Kosovë (“nga kërkesa e përgjithshme për integrim kombëtar”), ndërsa vendosjen e formës së përbashkët të gjuhës në Kongresin e Drejtshkrimit e merr veçse si “një moment” e jo si një bazament në historinë e shqipes letrare, duke hapur kështu rrugën për ndryshime të tilla në rrafshin drejtshkrimor e gramatikor, që do të sillnin praktikisht një normë të sajuar, të mbështetur në shqiptime e përdorime të ligjërimit bisedor krahinor e jo në traditën letrare. Me frazeologji shkencore shtjellohen qëndrime në kundërshtim me teoritë e sotme për gjuhët standarde dhe me praktikën shekullore të gjuhëve në vendet e zhvilluara. Qëndrimet e ASHAK ndaj shqipes standarde nuk janë pa lidhje edhe me qëndrime ndaj çështjeve të tjera, siç e dëshmon zëvendësimi i qëllimshëm i motos së Konsultës gjuhësore të Prishtinës (1968) “Një komb – një gjuhë letrare kombëtare” me “Një popull – një gjuhë”, çka nënkupton se brenda kësaj gjuhe, ashtu si dhe më parë, mund të jenë të zbatueshme dy forma letrare. Rruga pa krye ku ka hyrë veprimtaria e Këshillit nga mungesa e një platforme të përbashkët dhe nga format e mbyllura e arbitrare të punës shtron kërkesën për forume alternative, të hapura, që të tërheqin mendimin dhe interesimin e rretheve të gjera shkencore e shoqërore dhe që të përballojnë disa detyra të ditës e të së ardhmes për probleme të gjuhës standarde.

Proceset dhe detyrat e sotme në fushën e shqipes standarde nuk janë të thjeshta. Ndër të tjera ato lidhen edhe me afrimin me legjislacionin europian, me hyrjen në NATO dhe përgatitjet për hyrjen në BE, që janë zhvillime madhore në jetën e shtetit shqiptar. Sot më shumë se kurdoherë tjetër shtrohet kërkesa që gjuha standarde shqipe të jetë sa më e kodifikuar, e përcaktuar dhe e përputhshme (kompatibël) me gjuhët ndërkombëtare. Gjithashtu ndikojnë edhe zhvillimet e sotme të teknologjisë elektronike dhe varësia gjithnjë më e madhe nga komunikimi elektronik ndërkombëtar. Anglishtja ushtron trysni të madhe edhe si gjuhë e globalizimit. Dygjuhësia dhe përkthimi marrin kështu peshë të madhe në veprimtarinë shtetërore-administrative e më gjerë.

Probleme të ngjashme e paralele, por edhe me veçantitë e pamënjanueshme historike-vendore, vërehen edhe në Republikën e Kosovës, shteti i dytë me gjuhës zyrtare shqipen. Përpjekjet e hapura ose të nëndheshme për të përligjur një formë gjuhësore të diferencuar për Kosovën nuk mund të gjejnë miratim kombëtar. Që nga adoptimi vullnetar dhe i njëzëshëm i formës gjuhësore të shtetit amë, praktika gjuhësore në Kosovë, Maqedoni e në Malin e Zi ka sjellë më shumë konvergjencë jo vetëm në ligjërimin e shkruar, por edhe në ligjërimin e përditshëm. Pavarësisht nga përpjekjet për hir të interesave të disa grupeve të caktuara, shqipja standarde në Kosovë është bërë pjesë e jetës shtetërore e kulturore-arsimore dhe po depërton gjithnjë e më shumë në mjedisin shoqëror, po ashtu edhe në Maqedoni. Kjo diktohet jo vetëm nga përbashkësia shpirtërore e kulturore, por edhe nga orientimi ynë i njëjtë ndaj Europës së Bashkuar. Zgjidhja është duke ndjekur një strategji kombëtare në kushtet e dy shteteve shqiptare. Është rasti të përshëndesim faktin e ditëve të fundit, që e njëjta abetare do të jetë në duart e shqiptarëve, pavarësisht se brenda cilëve kufij gjenden. Kjo është një fillesë e mirëpritur për të hyrë me të në qindvjeçarin e dytë të shtetit të pavarur shqiptar.

Jo rrallë në kthesa të veçanta historike, kur shfaqen rrethana fatlume të shumëpritura për fatet e një populli, shfaqen njëkohësisht edhe hije fatkeqe të mendësive të ngushta, mbeturina të së shkuarës. Forcat intelektuale dhe shoqërore emancipuese, ndër të cilat edhe Akademia jonë, kanë në këto raste detyrën të sqarojnë me durim dhe me forcën e argumentit gjendjen e punëve dhe të ndriçojnë rrugën e përparimit të mëtejshëm.