Akademik Vasil S. TOLE / Orkestra Simfonike e RTSH-së, përballë sfidave të kohës

624
Sigal

Në 50-vjetorin e krijimit të një prej formacioneve tona më të mëdha muzikore, Orkestrës Simfonike të RTSH-së

50-vjetori i krijimit të orkestrës simfonike të RTSH-së është një mundësi e mirë si për të festuar këtë datë të rëndësishme të muzikës sonë, por edhe për të përshëndetur krijuesit, pjesëtarët dhe bashkëpunëtorët e saj ndër vite. Gjykoj se ky përvjetor na shërben gjithashtu si një hapësirë mendimi për të parë akoma më thellë në domethënien dhe rëndësinë që kjo datë si për vetë orkestrën, e po aq për rolin e saj të pazëvendësueshëm në jetën kulturore dhe artistike të vendit nga themelimi i saj e deri më sot. Në fakt, krijimi i kësaj tipologjie orkestrash është një traditë e re edhe në Europë, e cila i përket 10-vjeçarëve të parë të shek. XX-të, traditë që lidhet me krijimin e institucioneve publike të Radiove në Europë e më gjerë, si p.sh: orkestra simfonike e Radio Berlinit është themeluar në tetor të vitit 1923, ajo e BBC-së dhe orkestra Çajkovski e Radio-Moskës në vitin 1930, e Rumanisë në vitin 1932 dhe ajo Radio-Francës në vitin 1937 etj. Parë në këtë prizëm, është një gjë shumë pozitive që institucioni ynë publik qendror i RTSH-së, administron në strukturën e vet një orkestër simfonike, sa kombëtare nga historia e krijimit, e po aq e ngjashme me simotrat  e saj europiane. Referuar këtyre 50 viteve te krijimit dhe funksionimit të saj, orkestra simfonike e RTSH-së, ashtu siç të gjithë e njohin, ka bërë të mundur që në  mënyrë të veçantë, muzika e lehtë shqiptare dhe ajo e kultivuar (instrumentale dhe posaçërisht ajo simfonike), të zhvillohen dhe popullarizohen më tej, kryesisht në 30 vitet e para të ekzistencës së saj, deri në vitet 1990. Në pjesën tjetër të kurrikulimit të saj që i takon viteve të tranzicionit demokratik të të gjithë shoqërisë shqiptare, konstatojmë krahas arritjeve edhe problematika të cilat kanë nevojë për rrahje mendimesh dhe përcaktime vizionesh afatgjata të zhvillimit, pasi siç e përmendëm më sipër ekziston një përvojë europiane shumë e suksesshme e funksionimit të këtyre orkestrave në Europë, e cila duhet të merret në konsideratë nga drejtuesit e kësaj orkestre në të ardhmen. Personalisht mendoj se në vitet që vijnë, kjo orkestër, për rolin e pazëvendësueshëm që ka, do të duhet të ripërmasohet në mision dhe në strukturë, fillimisht duke i njohur asaj një status më të lartë ligjor i cili duhet të fillojë me emërtimin e saj si: Orkestra Kombëtare e Radio-Televizionit dhe kjo gjë është plotësisht e mundur. Për këtë, së pari nevojitet hartimi i një baze të re ligjore e cila mund dhe duhet ta konsiderojë këtë orkestër si një institucion artistik të mëvetshëm brenda Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së, ashtu siç janë Radio-Tirana dhe Televizioni Shqiptar. Krahas saj, nevojitet që nga ana e RTSH-së, të ndërmerret nisma ligjore për amendimin e ligjit nr. 10352, dt. 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”, më konkretisht në kreun e II, “Institucionet e artit dhe kulturës”, neni 5, “Ndarja e institucioneve të artit dhe kulturës”, pika 3, ku të shtohet dhe të njihet ligjërisht edhe “Orkestra Simfonike Kombëtare e RTSH-së” si institucion kombëtar i artit dhe kulturës. Krahas sa më sipër, çmoj si shumë të rëndësishëm faktin se duhet  ripërcaktuar misioni dhe qëllimi i saj në kushtet e reja të vendit, ku, Shqipëria realisht do të jetë vend kandidat i Komunitetit Europian dhe se aktualisht, kjo orkestër brenda RTSH-së duhet të plotësojë standardet që kërkon institucionalizimi si institucion anëtar i EBU-së i RTSH-së. Kryefjala e misionit të saj në kushtet e globalizimit, duhet të jetë edukimi dhe kënaqësia përmes muzikës, posaçërisht një qëndrim proteksionist-mbrojtës i kulturës sonë muzikore përmes prezantimit të krijimeve dhe kompozimeve muzikore instrumentale dhe simfonike të kompozitorëve bashkëkohorë shqiptarë dhe atyre të traditës, tek dëgjuesit dhe shikuesit e Radio-Televizionit Publik Shqiptar dhe më gjerë, përmes koncerteve dhe produksioneve të saj multimediale. Për këtë nevojitet një ripërmasim i rolit dhe administrimit bashkëkohor të saj, kjo pasi duhet që orkestra të shumëfishojë në të ardhmen, programet dhe produktet e saj artistike për publikun. Për realizimin e tyre mendoj se ka vend për të parë edhe në riorganizimin administrativ të vetë strukturës së orkestrës dhe të sektorëve ndihmës të saj dhe krahas tyre të bëhet edhe rritja e vlerësimit financiar të instrumentistëve të saj. Është gjithashtu e mundur që orkestra mund të bashkëfinancohet në veprimtaritë dhe projektet e saj sipas përvojës europiane edhe nga institucione të tjera publike si MASH, MTKRS etj. Duke i uruar orkestrës dhe pjesëtarëve të saj një jetë artistike sa më të gjatë, shpreh bindjen se në vitet që vijnë, tradita e saj më e mirë do të takohet me bashkohësinë, në mënyrë që të përballet me sukses me sfidat që i ofron koha.