Pa teser partie, nuk punon dot në arsim

810
Sigal

GRAMSH/ Shqetësim i një mësueseje që është transferuar në një shkollë tjetër kundër vullnetit të saj

Unë, autorja e këtij shkrimi, prej 14 vjetësh, nga 29 vitet e punës sime në arsim, kam qenë mësuese në shkollën 9 (8) – vjeçare “35 -vjetori i Çlirimit” Gramsh. Nuk them se kam bërë mrekullia gjatë viteve të punës sime në këtë shkollë, por jam përpjekur të bëj më të mirën e mundshme për nxënësit e mi. Më detyroi të bëj këtë shkrim transferimi im nga kjo shkollë, në shkollën e bashkuar “Afëz Berbiu”, në Kodovjat. Po përpiqem t’ju tregoj shkurt kronikën e kësaj lëvizjeje, që për mua përbën një skandal të vërtetë.

Fillimi i shkollës dhe largimi nga puna

Deri në datën 7 shtator të këtij viti isha në listën e mësuesve të shkollës “35- vjetori…” dhe mora klasat e orët për vitin e ri shkollor, që do të niste pas pak ditësh. Këtë e provon edhe kopja, që unë disponoj dhe që është e firmosur nga përgjegjësi i zyrës së burimeve njerëzore, pranë ZA-së së rrethit, z.Ferdinand Bajrami. Në paraditen e datës 8 shtator, drejtori i atëhershëm i shkollës, z. Flamur Hasa, njofton bashkëshortin tim se unë nuk isha më mësuese në atë shkollë. U çudita, sepse një njoftim i tillë nuk duhej të bëhej me anë të tij, por nga drejtori i ZA-së. Sigurisht dhe u trishtova, sepse gjatë gjithë këtyre viteve nuk kisha pasur asnjë vërejtje zyrtare për punën, përveç vlerësimeve pozitive e falënderimeve nga komuniteti, për marrëdhëniet korrekte që kisha krijuar me nxënësit e rezultatet e punës sime. Paraditen e dhjetë shtatorit e përjetova në gjendje shoku. Nuk kisha asnjë informacion se ku më kishin transferuar dhe, për më tepër, pse. Në mesditë shkova te shefi i zyrës së burimeve njerëzore, z. Bajrami dhe i kërkova të më komunikonte vendin tim të ri të punës e arsyen pse. M’u komunikua prej tij që isha transferuar në Kodovjat, por nuk m’u dha asnjë motovim për lëvizjen time. Ia kërkova me këmbëngulje motivimin me shkrim të largimit tim nga shkolla ekzistuese dhe prita për ta marrë atë deri në orën 16:00 të asaj dite, por nuk pata shans të më plotësohej kërkesa ime, që ishte dhe detyrimi ligjor i kësaj zyre.

Paradoksi

Në momentet e fundit m’u bë e ditur se duhej të paraqisja një kërkesë zyrtare e ta nisja me postë. E bëra pas dy ditësh dhe pas afro dhjetë ditësh më erdhi përgjigja nga zyra se kisha vlerësimin maksimal për punën e kryer(!!!) dhe, për këtë arsye, isha përzgjedhur të jepja ndihmesën time, për të ndikuar në rritjen e cilësisë në shkollën e mesme, ku unë gjatë gjitha punës sime si mësuese, nuk kisha dhënë asnjë orë mësimi. Paradoksale dhe, njëkohësisht, fyese kjo përgjigje, që motivohej se na qenkej bërë një studim për arsimin dhe gjithë synimi i drejtorit të kësaj zyre ishte që arsimi të kishte rezultate më të larta në të gjithë rrethin. Them paradoksale, por, për më tepër se e tillë, e paligjshme, sepse në çdo rast, kur vepron kjo logjikë, gjëja e parë që bëhet është kontakti me punonjësin që do të lëvizë dhe motivimi për lëvizjen. Ajo që e bën më të pabesueshme çfarë më sillet si përgjigje, është këmbimi im kokë për kokë me gruan e një personi, që është anëtar i forumeve të larta të PD-së, këtu në rreth. Nuk po e bëj këtë shkrim për të kërkuar të drejtën nga personi, që ma shkeli atë pa asnjë grimë të drejte, por për ta bërë publike këtë bëmë të tij, e cila i ka arsyet në interesa të pastra personale e partiake.

Shteti ligjor

Po të funksiononte normalisht shteti ligjor, unë duhej të isha kthyer qyshkur në vendin tim të mëparshëm e nga personi, që më kishte sjellë, pa asnjë arsye, kaq shqetësime, duhej të më ishte kërkuar ndjesë publike, ndërsa  vetë ai duhej të përgjigjej para drejtësisë për shpërdorimin e postit zyrtar, në shkelje të hapur të Kodit të Punës e të kontratës kolektive të punës, nënshkruar mes sindikatave të arsimit (në njërën prej të cilave unë bëj pjesë) e MASH. Duke shpresuar të mos ju kem lodhur e mërzitur me historinë time, më duhet t’jua lë ju të drejtën e gjykimit, për gjithë sa më ndodhi. Veç kësaj, dua t’ju them se me këto veprime arbitrare të këtij personi, arsimi jo vetëm nuk fiton cilësi (pasi mendoj se nuk është kjo dëshira e ambicia e tij), por mësuesit humbasin dëshirën, për t’iu përkushtuar punës së tyre, pasi u është cenuar një gjë e shenjtë (të cilën ai nuk e përfytyron dot), që e ka emrin “dinjitet”. Dhe njeriut, veç bukës së përditshme, ai i duhet patjetër, për të mos qenë thjesht një gjallesë në jetën e vet.

Alime QOSE, Ish-mësuese në shkollën “35- vjetori i Çlirimit”, Gramsh