Komisioni Evropian dëshiron të sigurojë 800 miliardë euro ambicioze për riarmatimin e një “Evrope të sigurt dhe elastike”. Diskursi publik e sheh këtë si një masë të nevojshme për të kundërshtuar kërcënimin e mundshëm nga Rusia. Lufta në Ukrainë i ka dhënë Evropës një mësim për kërcënimin rus. Politika e re amerikane e Presidentit Donald Trump për të mos vazhduar të mbeten garantues të sigurisë dhe shqetësimet për mundësinë e tërheqies nga Nato, janë një shtytje tjetër që zgjoi përgjegjësinë e shteteve evropiane për sigurinë. Ndërgjegjësimi për rrezikun e pamjaftueshmërisë së përgatitjes dhe forcave e armatimit të domosdoshëm, ndikoi në fokusin për të realizuar dhe garantuar pavarësinë për mbrojtjen efektive evropiane.

Bashkimi Evropian kërkohet të ketë të qartë vizionin për të ardhmen
Në të njëjtën kohë, rekomandohet një politikë që fokusohet në arritjen e rezultateve të caktuara, jo vetëm në shmangien e rreziqeve të caktuara. Për ta bërë këtë, Evropa duhet të përgatitet jo thjesht për të rritur parandalimin kundër Rusisë, por për të përcaktuar një vizion të qartë të identitetit të saj të ardhshëm: çfarë Europa në të vërtetë dëshiron të jetë. Vlerësimi i realitetit aktual kërcënues dhe përgjegjësia që imponon e sotmja dhe e ardhmja, shtrojnë detyrat për forcimin e mekanizmit shtetëror qëndror të BE dhe të arritjes së rolit si fuqi gjeopolitike e gjeostrategjike për të përballuar ndryshimet në rendin botëror dhe barazuar me peshën e superfuqive në shumë polarizimet që janë bërë realitet dhe kërcënojnë paqen e sigurinë. Shembulli më kuptimplotë është Lufta në Ukrainë e në Gaza, si dhe zhvillimet në politikën kineze ndaj Tajvanit për ribashkimin paqësor.
Nisma aktuale për riarmatimin evropian ofron mundësinë për të ringjallur idenë e autonomisë strategjike, jo më pak me synimin për ta bërë Evropën disi më të pavarur nga SHBA. Që nga viti 1945, shtetet evropiane, me përjashtim të pjesshëm të Francës dhe Britanisë së Madhe, kanë humbur autonominë strategjike. As integrimi evropian i sigurisë, as ushtria evropiane dhe as kampionët evropianë të armatimeve nuk janë zhvilluar. Në këtë realitet ka ndikuar me gjithë fuqinë e saj sidomos politika amerikane me statusin e saj të veçantë në Evropë dhe rolin si superfuqia që dominonte politikën botërore.
Evropa gjeopolitike arrihet me fuqinë ekonomike e ushtarake
Humbja e rolit gjeopolitik të shteteve më të fuqishme evropiane e bëri mungesën e aftësive ushtarake një nga dobësitë më të mëdha të kontinentit. Sigurisht që ka luajtur rol edhe mungesa e vullnetit politik të elitave shtetërore për të mbrojtur pavarësinë strategjike. Për një kohë të gjatë, çdo diskutim për iniciativat e mundshme evropiane u bllokua menjëherë për shkak të mungesës së burimeve ushtarake. Mbrojtja u vlerësua kryesisht si detyrë parësore e Nato-s nën komandën supreme të SHBA. Ekonomia, teknologjia dhe mirëqënia viheshin në plan të parë të buxheteve kombëtare. Në këtë drejtim, riarmatimi evropian mund të hapë rrugën drejt autonomisë së re strategjike kontinentale.
Megjithatë, mbeten pyetje dhe detyra kritike. Së pari, nisma aktuale e paketave stimuluese të qeverive të shteteve të bashkësisë do të jetë joefikase për shkak të fragmentimit të saj dhe mungesës së shkallëzueshmërisë dhe nuk do të kontribuojë në ndërtimin e një industrie të fortë evropiane të mbrojtjes. Në vend që të detyrohen kompanitë evropiane të armëve të bashkojnë forcat, gara kombëtare vazhdon. Prandaj evropianët do të vazhdojnë ta kenë të vështirë të konkurrojnë me homologët e tyre amerikanë dhe rusë.
Së dyti, ka rezistencë pacifiste në vendet që u “civilizuan” pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht Gjermania dhe Italia. Të dy u lejuan të shprehin ambiciet e tyre vetëm si fuqi ekonomike civile, jo ushtarakisht. Atje, opinioni publik ka zhvilluar një ADN të fortë pacifiste.
Përgjithësisht politikanët dhe popujt evropianë përjetonin idealizimin e paqes, e harruan rrezikun potencial të një lufte të mundshme. Evropianët ishin të pa përgatitur ushtarakisht. Bashkë me SHBA nuk reaguan fuqishëm me diplomaci ndaj kërkesave e interesave të Rusisë dhe nuk arritën të parandalojnë luftën që nuk duhej të kishte filluar në Ukrainë.
Së treti, e ardhmja e fuqisë ushtarake gjermane. Evropa aktuale u ndërtua mbi bazën e kërkesës së shtruar nga zhvillimet gjeopolitike dhe roli kombëtar i shteteve që mbështeteshin nga fuqitë kryesore të Aleancës Perëndimore. Me këtë strategji u arrit në përfundimin se pushteti politik do të ndahej midis dy vendeve udhëheqëse: Franca do të merrte drejtimin në politikën e sigurisë dhe Gjermania në politikën ekonomike. Në këtë mënyrë, Franca mundi të përfitonte nga prania e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe aftësitë e saj bërthamore, ndërkohë që Gjermania u zhvillua në kuadrin e rritjes së saj ekonomike si motori i ekonomisë evropiane.
Gjermania përballë sfidës së imponimit të riarmatimit
Gjermania parashikon të investojë afro 1 triliard euro për rindërtimin. Bundestag miratoi paketën prej 500 miliard euro për rindërtimin e infrastrukturës, duke përfshirë edhe projektet në riarmatimin ushtarak. Qeverisë federale, atyre të landeve dhe komunave, sipas studimeve, do t’u nevojiten 982.1 miliardë euro deri në vitin 2035.
Politikanët gjermanë janë të shqetësuar dhe po marrin masa për të qenë të përgatitur ndaj një lufte edhe kundër vendit të tyre që po ndodh çdo ditë në forma të ndryshme.
Friedrich Merz, kandidati për kancelar nga CDU dhe nismëtari kryesor i paketës së rindërtimit, e paraqiti vendimin si një hap të domosdoshëm për sigurinë kombëtare dhe evropiane, kondicionuar nga lufta e Rusisë ndaj Ukrainës. “Është një luftë edhe kundër vendit tonë që ndodh çdo ditë, me sulme ndaj rrjeteve tona të të dhënave, me shkatërrimin e linjave të furnizimit, me zjarrvënie, me vrasje të porositura në territorin e vendit tonë, me spiunim të kazermave dhe me fushata dezinformimi që mashtrojnë shoqërinë tonë,” paralajmëroi Merz.
Një epokë e re për Evropën dhe Gjermaninë
Bashkimi Evropian dhe Gjermania është e nevojshme të jetë e përgatitura për një epokë të re sfidash globale. Gjermania kërkohet ta rindërtojë aftësinë e saj mbrojtëse thuajse nga e para, me strategji të reja, me armatim të teknologjisë së lartë, me sisteme të automatizuara dhe me mbikëqyrje të pavarur satelitore evropiane, me kontrata të besueshme dhe të planifikueshme që u jepen mundësisht prodhuesve evropianë.
Riarmatimi i Gjermanisë nuk bëhet për të militarizuar vendin, por për ta mbajtur atë të sigurt dhe të aftë për zhvillimin perspektiv. Miratimi i paketës së plotë të financimit gjikant, siguron që aftësia mbrojtëse gjermane të forcohet në përshtatje me detyrat që shtron koha.
Duke inkurajuar Gjermaninë të investojë një pjesë të konsiderueshme të prodhimit të saj ekonomik në mbrojtje, ajo mund të bëhet sërish fuqia ushtarake numër një në Evropë. Edhe nëse nuk beson në kthimin e së kaluarës së keqe, kjo do të ndryshonte ekuilibrin politik në kontinent. Në funksion të projektit “Riarmatosja e Evropës”, politika evropiane dhe ajo gjermane është e nevojshme të diskutojnë dhe të ndërgjegjësojnë shtetarët e opinonin publik për rolin e ardhshëm të një fuqie të re ushtarake, Gjermanisë, në mënyrë transparente dhe strategjike në BE e në Nato, në shërbim të paqes e sigurisë kontinentale e botërore.
Problem parësor mbetet parandalimi bërthamor. Franca dhe Anglia janë dy shtete evropiane të njohura si fuqi bërthamore. Gjermania nuk ka të drejtë të zhvillojë armët bërthamore, sipas marrëveshjes midis katër fuqive për ribashkimin. Politika gjermane ka respektuar këtë marrëveshje, nuk dëshëron të jetë fuqi bërthamore dhe mbështetet në mbrojtjen nga Nato. Zhvillimet e reja po nxisin edhe diskutimet edhe për masat që mendohet se janë të domosdoshme për rolin gjerman për parandalimin bërthamor.



















