Homazh për ushtarakun dinjitoz që u largua nga jeta në moshën 62 veçare. Sivjet në mars do të festonte 66 vjetorin e lindjes –
Në armatën e madhe të ushtarakëve, ku shërbeva për afro 30 vjet, kam njohur shumë emra shokësh, të cilët janë daltuar në kujtesën time. Kjo për faktin se shoqëria ushtarake, ndryshon shumë nga shoqëritë e tjera. Ka qënë dhe mbetet një shoqëri solide ku secili kishte nevojë për ndihmën e tjetrit. Një shoqëri e formatuar me rregullore dhe nga korsia e së cilës vështirë se mund të dilte kush. Flas për vitet 1978 kur për herë të parë lashë rrobat civile dhe vesha uniformën e gjelbër. Hyra në një botë krejt të panjohur, por falë shoqërisë e përkrahjes së shokëve, përballova atë kohë që nuk e kisha imagjinuar.
Vështirë të gjej fjalën e duhur, por si shoqëria ushtarake, nuk mund të gjendet një e dytë. Nuk ishte vetëm uniforma që na unifikonte, por mbi të gjitha shpirti i sakrificës fisnikëria dhe besnikëria. Kam shkruar shumë për shokët e mi ushtarakë, madje edhe e jam tepruar, por këtë herë zgjodha njërin prej tyre, me të cilin përveçse student, ( ai ishte një vit pas meje), punuam bashkë në vitet më të bukura të rinisë në Garnizonin Ushtarak të Beratit. Që të dy përgjegjës rinie brigade.
Ky ishte shoku dhe miku im Ilmi Myftari, i cili nuk mund të bënte realitet ëndrrat e jetës së tij. Gjashtë vjet më parë, në moshën 62 vjeçare, Ilmiu iu dorëzua sëmundjes së rëndë, duke dalë për herë të parë pa ” leje” nga rreshti ku ai u rreshtua qysh në moshën 14 vjeçare. Djaloshi nga Mbrezhdani i Beratit, gjithë jetën ia përkushtoi ushtrisë, por jeta u tregua e padrejtë teksa e ndau para kohe nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tij.
Ai u largua duke marrë me vete shumë ëndrra të parealizuara, por mbeti përjetësisht i paharruar në zemrat e atyre që e kishin shok dhe mik ideali…
Studenti me nishan në faqe
“Që nga ajo ditë jeta jonë ndryshoi. Gjatë gjithë vitit përjetuam emocione të vështira për çdo ditë, momente apo evente në të cilat ai, heroi ynë, nuk ishte më midis nesh. Le ta themi që jeta jonë u nda në dy pjesë: Koha me babin dhe koha pa babin! Jetojmë çdo moment duke kujtuar kohën me babin! Edhe pse e dimë që do të mungojë, besojmë se ai jeton çdo ditë me ne!”
Ilmi Myftari, përveç uniformës së Skënderbegasit, në vitet e rinisë ushtarake, dallohej dhe identifikohej nga të tjerët, sepse të gjithë e njihnin si studenti me nishan në faqe. Ka qënë në nishan që nuk dihet se sa vajza e kanë dashuruar, por fati i ndriu bashkëshortes së tij, shoqes së tij të rinisë, Sadete Zyla (Myftari). Një çift për t’u patur zili, por që zoti i ndau nga njëri – tjetri kur ata kishin nevojë më shumë se kurrë. Ilmiu u lind më 22 mars të vitit 1959 në fshatin Mbreshtan të Beratit nga dy prindër të zot, Luto Myftari dhe Hatixhe (Sinjari) Myftari. Në një familje të punës e djersës së ballit. Këtu në vendlindje kreu arsimin fillor dhe tetëvjeçar.
Dëshira e prindërve ishte që nga familja e tyre të kishte një “ambasador” nga radhët e ushtrisë dhe në vitin 1974 e rregjistruan në fidanishten e ushtrisë, në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”. Pasi e përfundoi “fidanishten” për tre vite u rrit si student artilerie në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, e cila ishte dhe “furrnalta” e pjekurisë për çdo ushtarak. Fati e solli që pas mbarimit të shkollës së lartë, në vitin 1982, emërohet fillimisht si stazhier e pas diplomimit në detyrën e Sekretarit të Komitetit të Rinisë së Brigadës së Artilerisë në Berat. Këtu, në vitin 1983, falë atij nishanit magjik, ai u njoh dhe lidhi jetën me një aktiviste të kombinatit, vajzën nga Kuçova, Sadete Zyla.
Në detyrën e përgjegjësit të rinisë së brigadës, shërbeu deri në vitin 1991, kur në Shqipëri dhe ushtri ndodhën ndryshime rrënjësore. Nga viti 1991 – 1993 emërohet shef shtabi batalioni në Lapardha të Beratit dhe në vitet 1993 – 1996, rikthehet në detyrën e komandantit të batalionit, në Brigadën e Artilerisë ku edhe nisi karrierën e tij. Pas kësaj, në vitet 1996 – 1999, e degdisën shef operativ batalioni në Brigadën e Artilerisë në Tepelenë. Një emërim që ai të jepte dorëheqjen, por ai ishte betuar dhe nuk u dorëzua asnjëherë. Gjithsesi misionin e fundit si ushtarak i Forcave të Armatosura, e përmbylli në vitin 2003 kur e larguan nga Shkolla e Përgatitjes së Nënoficerëve dhe e nxorrën në reformë.
Këtu u prenë për herë të parë ëndrrat e tij, për të cilat ai ishte investuar. Njeriu që kishte investuar 8 vite nga jeta e tij, veshur me uniformë, detyrohet që të shërbejë, 2005 – 2013, si drejtues teknik në dy kompani të Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike, vetëm e vetëm për të shkolluar dy vajzat e tija. Më vonë, Ilmiu shërben si specialist informacioni në Ekzekutimin e Veprave Penale (IEVP) në Berat, shërbim, të cilin e mbylli pasi iu shfaq sëmundja e rëndë.
Luftoi denjësisht, humbi denjësisht!
Babai i dy vajzave të mrekullueshme, në kulmin e energjive të tija fizike dhe mendore, strategjinë e luftës e hapi në një sëmundje që iu shfaq beftas. Falë kontributit të bashkëshortes, vajzave, Majlindës, e cila ka mbaruar mjekësinë e përgjithshme në Universitetin Medicina, Kirurgjia në Firence dhe më pas Specializimin në Degën Interniste në Gjermani dhe vajzës së vogël, Dorianës, që ka përfunduar arsimin e lartë në Univetsitetin Politeknik të Tiranës, Dega Arkitekturë Urbane, gjithçka u mbajt nën kontroll të plotë. Bashkë me familjen krijoi “shtabin” e luftës kundër sëmundjes tinzare.
Me gjithë dëshirën e tij për të jetuar, për të gëzuar martesën e vajzave, për të shijuar aromën e nipërve dhe të mbesave, ai u largua nga jeta më 11 korrik 1921, në moshën 62 vjeçare. Kjo ka qënë dita më e vështirë për bashkshorten, Sadeten dhe dy vajzat e tija. Ja si e përshkruajnë këtë ditë vajzat, Majlinda dhe Doriana:
“Që nga ajo ditë jeta jonë ndryshoi. Gjatë gjithë vitit përjetuam emocione të vështira për çdo ditë, momente apo evente në të cilat ai, heroi ynë, nuk ishte më midis nesh. Le ta themi që jeta jonë u nda në dy pjesë: Koha me babin dhe koha pa babin! Jetojmë çdo moment duke kujtuar kohën me babin! Edhe pse e dimë që do të mungojë, besojmë se ai jeton çdo ditë me ne!”.
La ëndrrat, por jo emrin, Ilmi Myftari, përsa kohë jetoi, ishte dhe mbetet njeriu dinjitoz dhe ai nishani që mbante në faqe, do ta ndriçoj shpirtin e tij si diell….
Në jetën e tij relativisht të shkurtër, mishëroi dhe manifestoi virtytet më të larta të ushtarakut, nivel të lartë profesional si drejtues karriere, ushtarak që të impononte respekt. I komunikueshëm dhe i mirësjellshëm me vartësit dhe kolegët eprorë. Qytetar dhe prind shembullor, që dinte të ndante marrëdhëniet në punë me ato shoqërore, i qeshur, i qetë dhe gojëëmbël në shoqëri dhe familje.
Në gjithë vitet e punës së tij pati mbështetjen e palimituar të bashkëshortes së tij, Sadetit, e cila ka kontribuar disa vite në sektorin e arsimit, në Prefekturë, Bashki dhe Këshillin e Qarkut. Ajo dhe vajzat e tij bënë gjithçka për ta mbajtur në jetë, por pa sukses.
Ilmi Myftari u largua nga jeta në momentin që e prisnin shumë gëzime, por që zoti e kishte marrë vendimin e tij. I duhej një ushtarak lartë në qiell dhe ai e mori, duke e lejuar të lauronte vetëm diplomimin e dy vajzave, por pa mundur të gëzonte martesën e tyre, e aq më shumë të shijonte fëmijët e tyre. Fotoja e fundit me fëmijët daton në 60 vjetorin e lindjes së tij, që do të ishte dhe festa e tij e fundit me familjen. Brenda shpirtit të tij depërtoi kovidi i zi, duke i dhënë forcë sëmundjes për ta marrë në moshën më të bukur që mund të jetoj një njeri!