Vendimi i Putinit për pushtimin e Ukrainës dhe vënien në gadishmëri të plotë të armëve bërthamore me pretendimin e kundërshtimit të Perëndimit dhe vendosjes së sanksioneve të rënda ekonomike e ka bërë botën më pak të sigurtë. Marrëdhëniet politike kushtëzohen dhe mund të përcaktohen gjithnjë e më shumë nga forca ushtarake. U krijua një precedent i tmerrshëm në kundërshtim me Kartën e OKB-së. OKB e dënoj sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. Paqja në Evropë është një gjë e së kaluarës. Është me vend të theksohen:
- Ra rendi i vendosur në vitin 1990, pas ndryshimeve të mëdha në vitin 1989 në Lindje me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës.
- Është krijuar gjendja e pasigurisë tek disa shtete të Evropës Lindore, që janë distancuar, kundërshtojnë varësinë nga Rusia dhe kanë bërë të qartë orientimin e tyre Perëndimor, por fatkeqësisht nuk kanë arritur të integrohen në Aleancën Perëndimore dhe nuk janë pjesë e NATO-s apo e Bashkimit Evropian. Është krijuar rreziku i hapësirave të ndërmjetme të influencës gjeopolitike pasi Rusia nuk pranon orientimin Perëndimor dhe kundërshton anëtarësimin e tyre në NATO. Ndërsa vetë NATO nuk mund të veprojë me aftësitë e saj për të mbrojtur këto vende nga rreziku i pushtimit nga Rusia.
Sulmi befasues dhe pushtimi i Rusisë jo vetëm që kërcënon sovranitetin e Ukrainës, por ka minuar të gjithë rendin gjeopolitik botëror. Sot pothuajse gjithçka është ndryshe, krahasuar me dje.
Së pari, po ndodh rreziku i konfrontimit të blloqeve si në Luftën e Ftohtë. Ndryshimi qëndron vetëm në hapësirën gjeografike pasi kufijtë e Bllokut Perëndimor janë zhvendosur drejt Lindjes, në krahasim me periudhën e Luftës së Ftohtë, që ishin në Evropën Qëndrore. Rusia kërkon me forcë të rikthejë të kaluarën duke pretenduar për trashëgiminë e ish Bashkimit Sovjetik dhe të Rusisë së vjetër cariste. Putin kritikoi edhe Leninin për lëshimet e bëra për autonominë për Bjellorusinë dhe Ukrainën. Përdorimi i forcës ushtarake shkatërroi besimin dhe marrëdhëniet e deritanishme ndërshtetërore dhe idetë për mbrojtjen e sigurinë evropiane. Do të duhen disa dekada për t’u normalizuar.

Së dyti, Evropa do të bëhet edhe njëherë, si në Luftën e Ftohtë, gjithnjë e më shumë e varur nga forca ushtarake e Shtetet e Bashkuara për të garantuar mbrojtjen e saj. Edhe kufijtë në shtetet që kanë qenë nën sferën e ndikimit rus do të militarizohen. Pranohet se tani duhet të riaktivizohet koncepti i vjetër i mbrojtjes dhe i sigurisë nga rreziku i Rusisë. Ky riorientim strategjik tregon se aleanca perëndimore kërkohet të forcojmë krahun lindor të NATO-s dhe të veprohet me forcë për t’iu kundërvënë planeve të Putinit. Është e qartë se Ukraina nuk është në hapësirën e mbrojtjes së aleancës pasi nuk është anëtare e saj. Ndërsa Rumania dhe Bullgaria janë në një situatë më të mirë, siç thotë NATO, dhe mund ta përballojnë agresionin e mundshëm nga Rusia. Ndryshimet e bëra përfaqësojnë një përmbysje dramatike të rendit paqësor që shumëkush parashikoi pas rënies së Bashkimit Sovjetik, kur NATO dhe gjithashtu Bashkimi Evropian filluan të anëtarësojnë shtete të reja dhe vendet jashtë BE-së u vendosën në mënyrë të njëpasnjëshme në partneritet me BE-në dhe u hapën perspektivat për integrimet në përputhje me reformat shtetërore e ekonomike, përfshirjen në sistemet rregullatore të tilla si rrjetet energjetike etj. Por tani jemi kthyer në një situatë ku Evropa dhe vendet e NATO-s nuk janë më aq të gatshme për t’u angazhuar konkretisht me vendet më lindore për të mënjanuar përplasjen direkte me Rusinë.
Së treti, këndvështrimi i Putinit për rritjen e rolit parësor të Rusisë në rendin e ri evropian dhe atë botëror. Për këtë qëllim, ai mundohet të justifikojë sulmin e papritur për vetëmbrojtje nga zgjerimi i NATO-s në vitet e hershme post-sovjetike dhe ndërhyrjet e mëparshme të SHBA-së në Irak dhe Afganistan. Putin beson se është i justifikuar për lëvizjen e kufijve me forcë, sepse sipas tij NATO-ja ka vepruar gjithashtu njësoj. Ai arsyeton se NATO përdori dobësinë ruse gjatë viteve 1990 për të rivijëzuar kufijtë në ish-Jugosllavi, për të shkëputur Kosovën nga Serbia. Edhe në këtë shembull, ai nuk është objektiv, pasi anashkalon analizën objektive të shpërbërjes së ish Federatës së Jugosllavisë së sunduar nga Serbia, pushtimin shekullor të Kosovës, genocidin serb për zhdukjen e kombit shqiptar, etj. Po kështu, Putin nuk përmend fajësinë e tij për shkeljet e shumta të rendit ndërkombëtar nga Rusia gjatë viteve të fundit, duke përfshirë ndërhyrjen në vende të tilla si Gjeorgjia, ku Kremlini njohu shtetet separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në 2008, aneksimin rus të Krimesë në 2014, si dhe dy republikat popullore të rajonit separatist në Ukrainën Lindore. Agresioni i fundit i urdhëruar prej tij ka shkelur Marrëveshjen e Helsinkit të vitit 1975, i cili kishte për qëllim të ruante paprekshmërinë e kufijve. Dihet se liderët e njëpasnjëshëm rusë kanë marrë pjesë në negociata dhe kanë rënë dakord për miratimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Së katërti, ekziston rreziku që provokimi i rendit ndërkombëtar nga Rusia mund të ketë gjithashtu një efekt destabilizues në pjesë të tjera të botës, sidomos në rajonet me tensione politike, që mund të prodhojnë kriza, të cilat po mbahen nën menaxhim me anë të marrëveshjeve të brishta dhe garancinë e fuqive të tjera.
Agresioni rus është një shembull me pasoja të rënda për sigurinë botërore, në rast se analizohet me pretendimet e diskutueshme të Kinës ndaj Tajvanit!? Për shkak të historisë dhe rrethanave të sotme politike e gjeopolitike është vështirë të bëhet një lidhje e drejtpërdrejtë midis Ukrainës dhe Tajvanit, të qëndrimit të Rusisë dhe të Kinës, si dhe të reagimit të pritshëm apo të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dihet se ka një angazhim të gjatë nga Shtetet e Bashkuara për Tajvanin. Mendoj se do të ishte gabim të krahasohej dhe të supozohej, se nëse SHBA nuk ndërhyn ushtarakisht në emër të Ukrainës, nuk do ta bënte këtë në emër të Tajvanit! Janë dy probleme, që trondisin rëndë gjeopolitikën botërore dhe kërkohet që situata të mbahet nën kontroll, në radhë të parë, nga vetë superfuqitë për të mos lënë shkak për një përplasje me përmasa botërore.
Ndërhyrja ushtarake në Ukrainë hapi mundësinë që edhe aleancat e tjera mund të testohen dhe se garat e reja rajonale të armatimit mund të përsëriten. Gjithë arkitektura e sigurisë do të vihet në dyshim dhe nëse do të lejohet të përfitohet nga shtetet, që kërkojnë të ndryshojnë rendin botëror dhe të realizojnë ambiciet bërthamore.
Ndryshime të dukshme me një kurs të ri gjeopolitik dhe gjeoekonomik botëror dhe evropian po ndodhin me Gjermaninë. Për këtë qëllim, u zhvillua një seancë e posaçme parlamentare për Ukrainën, të dielën, në 27.02.2022. Në fjalimin e tij, kancelari Scholz qartësoi planet për modernizimin e ushtrisë dhe riarmatimin masiv të Gjermanisë, të cilat shkaktuan emocione të forta në Bundestag. Ai qartësoi pesë orientime themelore të cilat, siç tha ai, rezultojnë në mënyrë të pashmangshme për shkak “të pikës së kthesës në historinë e kontinentit tonë”. Këto fusha veprimi do të jenë: mbështetja e Ukrainës; largimi i presidentit rus Putin nga kursi i tij i luftës parandalimi i përhapjes së “luftës së Putinit” në vende të tjera; kundërvënia ndaj kërcënimit, që vjen nga Putini si dhe një riorientim themelor në politikën e jashtme.
Për t’iu “kundërvënë kërcënimit nga Putini” kancelari Olaf Scholz njoftoi modernizimin gjithëpërfshirës të Bundesvehr-it. Së bashku me ministrin e Financave, Christian Lindner, ai do të ofrojë për këtë një fond special prej 100 miliardë eurosh. Deri tani në buxhetin federal gjerman parashikohen rreth 50 miliardë euro në vit për buxhetin për mbrojtjen. Përveç kësaj çdo vit për mbrojtjen do të investohen më shumë se dy përqind e prodhimit të brendshëm bruto. Ishte momenti në fjalën e tij kur të gjithë deputetët nuk donin të ndiqnin më argumentet e tij me zë të lartë. Para një jave askush, përfshirë edhe vetë kancelarin nuk mendonte për një rritje dy herë të buxhetit për mbrojtjen.
Kreu i qeverisë gjermane beson gjithashtu se një ndryshim drejtimi në politikën e energjisë është një nga masat më të përshtatshme për t’i treguar vendin Putinit. Përveç zgjerimit të energjive të rinovueshme që tashmë është vendosur si objektiv deri në vitin 2030, u njoftuan gjithashtu krijimi i një rezerve shtetërore për qymyrin dhe gazin, si dhe hapjen e dy terminaleve të reja detare, që mundësojnë në afat të shkurtër importimin e më shumë gazi të lëngshëm në Gjermani, edhe në afat të mesëm importimin e “hidrogjenit të gjelbër”. Në kushtet që Nord Stern 2 nuk do të miratohet për t’u vënë në funksionim, mendohet që importimi të bëhet nga SHBA ose nga Izraeli.
Qeveria gjermane i kundërvihet hapur politikës agresive të Putimit dhe dërgon mesazhet miqësore ndaj qytetarëve të Rusisë dhe vlerësoi protesta kundër sundimtarit të Kremlinit.
Mbrojtja e rendit botëror dhe garantimi i të stomes e të ardhmes së njerëzimit shtrojnë domosdoshmërinë e respektimit të interesave gjeopolitike, që u shërbejnë të gjithë shteteve, kundërvënien në kohë ndaj reagimeve të njëanëshme dhe të mënjanimit të konflikteve midis superfuqive që shkaktojnë rreziqe për sigurinë globale dhe atë rajonale. Evropa ka të domosdoshme të mbajë të fuqishme Aleancën Perëndimore dhe bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Bashkimin Evropian, të arrijë të bëhet supershtet dhe të garantojë mbrojtjen me forcat e veta. Populli ukrainas është viktimë e gjeopolitikës ruse. Vlerësoj kërkesën e Presidentit ukrainas, Zelenski, për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Kërkesa është e drejtë dhe meriton mbështetje. Por Bashkimi Evropian duhet të kishte vendosur me kohë. Rrethanat e tanishme kur vendi është në luftë, krijojnë precedentë të rrezikshëm. Për të parandaluar konfrontimet e mëtejshme, mendoj se është e nevojshme të analizohet me kujdes politika e zgjerimit nga NATO dhe BE. Gjeopolitika dhe strategjia ushtarake perëndimore të reagojë në kohë e me forcë dhe të vlerësojë më realisht rrezikun potencial nga Rusia dhe Kina.




















