Prof. Dr. Qemal Lame: Franca, BE dhe Kina qartësojnë bashkëpunimin

199
Sigal

Vizita e Presidentit francez dhe Presidentes së Komisionit të Bashkimit Evropian vunë në qendër të vëmëndjes qëndrimet e njëjta dhe kundërshtuese me Kinën. Ndjehen edhe pozicionimet e Kinës në vizionin e brendshëm e ndërkombëtar: kërkesat e saj për bashkëpunim e marrëdhënie korrekte me interes të përbashkët, qëndrimet ndaj politikës amerikane në Evropë dhe ndaljen e luftës e arritjen e paqes midis Ukrainës e Rusisë. Franca dhe Kina miratuan marrëveshje të përbashkëta me distancime nga Bashkimi Evropian. Franca dhe Kina si dy fuqi të mëdha vlerësojnë për rolin, që mund të luajnë për paqen dhe sigurinë në botë. Kina tregon vëmëndje për Francën, që do të pengojë amerikanizimin e mëtejshëm të Evropës dhe rrisë rolin e saj në rendin e ri botëror, pas ndryshimeve historike, që po ndodhin.

1.Presidenti francez Emmanuel Macron, i ftuar nga Presidenti i Kinës Xi Jiping, dëshëronte të tregonte “unitetin evropian” dhe të udhëtonte bashkë me Presidenten e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, me avjonin qeveritar “France one”, por ajo vendosi të shkonte si udhëtare e thjeshtë. Avioni i tij ulet me shumë shkëlqim në aeroportin e Pekinit. Macron  pritet me nderimet e larta si burrë shteti. Takohet miqësisht me kreun e shtetit të Kinës Xi Jinping dhe organizohen dy darka shtetërore. Leyen pritet pa interesim. Si një vizitore e thjeshtë, ajo kalon kontrollin në radhë bashkë me gjithë udhëtarët, dhe nuk merr pjesë në darka shtetërore. Ky ndryshim mund të justifikohet me statusin e shtetit sovran të Francës, në krahasim me atë të bashkësisë së shteteve të pavarura evropiane, megjithëse kanë unifikuar politikën e jashtme. Pritjet dhe përcjelljet nuk ishin vetëm çështje protokollare. Ato u realizuan sipas pritshmërisë dhe rezultateve të bisedimeve me afërsitë, distancimet dhe interesat e ndryshme. Media shtetërore e Kinës i bën homazhe vizitës shtetërore të Macron, ndërsa von der Leyen mezi përmendet.

2.Franca dhe Bashkimi Evropian nuk folën me “një zë”. Makron tregohet i kujdesshëm dhe shmang kritikat e drejtpërdrejta, që bëhen në tërësi nga Aleanca Perëndimore. Ursula von der Leyen tregohet e ashpër dhe kritikon politikën kineze. Macron, nga ana tjetër u tregua i përmbajtur ne dënimin ndaj Rusisë. Presidenti i Francës u shpërblye me vëmendje të veçantë. Fjalimi kritik i Ursula von der Leyen për Kinën dëshmoi marrëdhëniet e përkeqësuara dhe dallimet jo vetëm për aleancën me Rusinë agresore, por edhe për shtypjen në Hong Kong, persekutimin e ujgurëve dhe tibetianëve, pretendimet territoriale në Detin e Kinës Lindore dhe Jugore, armatimin e Kinës. dhe kërcënimet me ndërhyrje ushtarake kundër Tajvanit demokratik, hapjen e pamjaftueshme e tregut, përdorimi i tregtisë si një mjet politik.

pala kineze hodhi poshtë fjalimin kritik ndaj Kinës nga presidentja e Komisionit të BE-së, e cila theksoi fjalë shumë më të qarta se politikanët e tjerë të lartë të BE-së, një javë më parë. “Ndihej sikur dy persona po grindeshin”, komentoi ambasadori i Kinës në Bruksel, Fu Cong. “Kjo paqartësi do të thotë se Evropa nuk ka formuluar një politikë koherente ndaj Kinës.”

3.Macron vlerëson dokumentin e pozicionit të Kinës për konfliktin në Ukrainë si një “plan paqeje” interesante. Leyen e hedh poshtë atë si “thjesht një plan jo i zbatueshëm”. Nga qëndrimi i njohur i Xi u la të kuptohet se Pekini në marrëdhëniet e partneritetit me Moskën nuk do të ndikohet nga ana politike e njëanshme e Rusisë.

Macron dhe Leyen pajtohen me mendimin e përbashkët se Evropa duhet të bisedojë me Kinën. Ai e kishte ftuar Presidentin e Komisionit të merrte pjesë në bisedimet e tij me kreun e shtetit dhe liderin e partisë Xi Jinping të enjten (6 prill). Disa kanë spekuluar për rolet e ndarjes së “policit të mirë, polic të keq”. Por ndërkohë që kjo taktikë shpesh shihet si premtuese, Kina pa sërish përçarjen evropiane, të cilën ajo gjithmonë ka ditur ta shfrytëzojë duke luajtur aktorët kundër njëri-tjetrit.

Kina e shikon Evropën kryesisht përmes politikës së njëanshme dhe të rivalitetit të saj gjeopolitik me SHBA-në. Pekini është gjithashtu i bindur dhe theksoi edhe një herë se evropianët do të kërcejnë me ritmin dhe melodinë e amerikanëve. Me këtë përcaktim goditet drejtpërdrejtë politika dhe aleanca mes Evropës dhe SHBA-së dhe në tërësi e Aleancës Perëndimore e NATO-s. Pekini me sa duket ka nisur një ofensivë kundërvënieje për të krijuar një pykë midis evropianëve dhe amerikanëve dhe të uli ndikimin e tyre në rajonin e Indo-Paqësorit. Me ton të qartë, von der Leyen hodhi poshtë përpjekjet e tilla në Pekin, duke theksuar se “Lidhjet transatlantike janë të forta dhe janë bazuar në besim dhe miqësi të thellë për dekada.”

Franca vepron dhe mbron interesat franceze, por edhe Komisioni Evropian po punon për strategjinë e re të Kinës për të gjithë komunitetin evropian. “Udhëheqja e Kinës është shumë e shqetësuar për atë që po vjen”,- thonë diplomatët e BE-së në Pekin. Një strategji e Kinës po punohet jo vetëm në Bruksel, por edhe në Berlin, e cila duhet të shënojë një pikë kthese: jo shkëputje, por minimizim i rrezikut, një linjë më e vështirë për të ballancuar marrëdhëniet dhe mënjanuar shtrirjen e gjerë të pranisë ekonomike e politike të Kinës në Evropë.

Në Pekin, kreu i shtetit dhe lideri i partisë i la vizitorët nga Evropa të vrapojnë si vizitorë të thjeshtë. Në vend që të dëshironte të përdorte miqësinë e tij me Putinin për të sjellë përfundimisht paqen në Ukrainë. Kritikët e huaj e kanë akuzuar prej kohësh se bën thirrje për paqe, por nuk ka bërë asgjë që ajo të jetë “e thjeshtë dhe e lirë”.

Për von der Leyen, marrëdhëniet e Kinës me Rusinë do të jenë një “faktor përcaktues” në lidhje me Evropën. Kina ka ndryshuar, duke u bërë “më represive brenda dhe më e sigurt jashtë vendit”. “Qëllimi i Partisë Komuniste Kineze është ndryshimi sistematik në rendin botëror me Kinën në qendër”. Kundërvënia e Kinës ndaj SHBA, shton shqetësimet për konfrontime dhe ndikon në paqen e sigurinë ndërkombëtare. Është më e dobishme për vetë Kinën që të jetë më e përmbajtur në pretendimet për hegjemoni në rendin botëror dhe të respektojë raportet e bashkëpunimit me superfuqitë dhe gjithë shtetet kudo në botë.

Udhëtimi i Macron duket më shumë si “biznes”. Airbus dhe kompani të tjera të mëdha nënshkruan marrëveshjet e tyre në mënyrën e vjetër. Elysée njofton për dhënien Kinës të 160 avionëveAirbus. Prodhuesi i avionëve do të ngrejë një linjë të dytë montimi në fabrikën e tij në Tianjin. Macron gjithashtu reklamoi se donte të ringjallte marrëveshjen e investimeve me BE-në, e cila ishte pezulluar tre vjet më parë për shkak të sanksioneve kineze kundër parlamentarëve të BE-së, megjithëse von der Leyen dhe diplomatët e BE-së në Pekin e përshkruajnë marrëveshjen si të vjetëruar prej kohësh.

BE dhe Kina është e natyrshme se kanë nevojë për bashkëpunimin e ndërsjelltë me përfitime të përbashkëta. Marrëdhëniet korekte kërkohet të jenë të studiuara dhe të mos përsëriten gabimet e mëparshme si ndodhi me Bashkimin Evropian dhe Rusinë ndaj së cilës u bënë lëshime me partneritetin ekonomik me qëllimin politik për të ruajtur orientimin e saj perëndimor dhe mos kaluar në anën e Kinës. Moska e shfrytëzoi këtë politikë për t’u rimëkëmbur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe gradualisht u pozicionua në rikthimin e Rusisë sipas modelit të dështuar dhe të politikës agresive në Afganistan, Gjeorgji e së fundi në Ukrainë. Perëndimi ju kundërvu rrezikut rus. Kremlini u bashkua në aleancë partneriteti strategjik me Tienanmen-in. Aleanca Perëndimore nuk duhet të gabojë për herë të dytë politikisht, e ndikuar nga strategjia gjeoekonomike.

Politikanët drejtues të bashkësisë evropiane është e domosdoshme të vlerësojnë ballancimin e interesave kombëtare me atë të bashkësisë për të përmirësuar ritmet e zhvillimit ekonomik, ruajtjen e stabilitetit politik dhe të ardhmen e përbashkët. Aleanca strategjike e BE me SHBA, sidomos politika me Rusinë, si dhe Kinën dhe përgjithësisht me bashkësinë ndërkombëtare shtron edhe një herë qartasi domosdoshmërinë e forcimit organizativ federal të bashkësisë për të përballuar situatat politike dhe realizuar me efektivitet  rolin evropian si siperfuqi me gjeopolitikë të qartë në ndryshimet e mëdha që po ndodhin në rendin e ri botëror.