Bashkimi Evropian dhe shtetet më të fuqishme të saj përballen me ndryshimet e mëdha në politikën botërore që ka shkaktuar Presidenti Donald Trump me “Amerika e para”.
Në kërkim të miqve të rinj në të gjithë botën
Për kanadezët, britanikët dhe gjermanët, vizitat e tyre në Kinë nuk kanë të bëjnë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike. Fuqitë qendrore perëndimore, po i drejtohen edhe ish-rivalit të tyre sistemik, Kinës. Kjo kryesisht për shkak të një njeriu: Donald Trump, i cili po i ngacmon aleatët me tarifa ndëshkuese dhe po ushqen fantazi për aneksimin e Grenlandës.
Tani, aleatët e pakënaqur perëndimorë po reagojnë. Fuqitë qendrore duhet të veprojnë së bashku, sepse “nëse nuk jemi në tryezë, jemi në menu”. Qëllimi, është të “ndërtohen koalicione që funksionojnë, garantojnë barazi, mbrojnë interesat e përbashkëta politike, ekonomike e ushtarake në shërbim të paqes e sigurisë.
Kina po vihet gjithashtu në qendër të vëmendjes, edhe pse vendi është një partner i vështirë jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht, për shembull, në lidhje me konfliktin e vazhdueshëm për Tajvanin. Megjithatë, Kanadaja tani ka përfunduar një marrëveshje tregtare me Kinën dhe po e hap tregun e saj më shumë për importet e makinave elektrike kineze. BE, nga ana tjetër, ka arritur një përparim në një marrëveshje tregtare me Indinë pas dy dekadash negociatash. Tarifat për më shumë se 90 përqind të mallrave të tregtuara midis BE-së dhe vendit më të populluar në botë do të eliminohen në të ardhmen. Dhe marrëveshja tregtare me vendet e Mercosur të Amerikës së Jugut është gjithashtu afër përfundimit, pavarësisht kundërshtimit nga Parlamenti Evropian.
Një rend tregtar global pa arbitra
Nëse Shtetet e Bashkuara transformohen nga mbrojtësi i tregtisë globale të bazuar në rregulla në armikun e tyre, atëherë Evropa thjesht do të duhet të krijojë partneritete të ndryshme.
Tërheqja amerikane si hegjemon nuk do të ishte pa pasoja për Evropën. Hegjemonët vetë mund të kontribuojnë në intensifikimin e tregtisë midis shteteve të tjera, siç ka treguar një studim i kohëve të fundit nga ekonomisti i Kielit, Christoph Trebesch dhe kolegët e tij. Numri i marrëveshjeve ndërkombëtare është rritur vazhdimisht gjatë 200 viteve të fundit në hijen e fuqive të tilla dominuese. Ky trend është ndërprerë sa herë që fuqitë e mëdha kanë lëkundur dhe kurrë më parë numri i marrëveshjeve nuk ka rënë aq ndjeshëm sa në dekadën e kaluar. Kur një hegjemon bie, kjo dëmton veçanërisht tregtinë e aleatëve të tij më të ngushtë.
Koalicione fleksibile pa një udhëheqës të qartë
Richard Baldwin argumenton se Shtetet e Bashkuara përbëjnë vetëm 15 përqind të vëllimit të tregtisë globale. Kjo lë hapësirë të mjaftueshme për tregti relativisht të lirë dhe të rregullt për të vazhduar në pjesën tjetër të botës. SHBA-të bllokuan mekanizmin e rëndësishëm të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për një kohë të gjatë, por një koalicion shtetesh anëtare krijoi një organ të ri për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve si një zgjidhje të përkohshme: Marrëveshjen e Përkohshme Shumëpalëshe (MPIA). Kur SHBA-të u tërhoqën nga marrëveshja tregtare e Partneritetit Trans-Paqësor (TPP) në vitin 2017 gjatë mandatit të parë të Trump, vendet e tjera krijuan një marrëveshje pasardhëse.
Ajo që nevojitet janë koalicione joformale dhe fleksibile midis shteteve të interesuara në tregje të hapura, pa një udhëheqës të qartë e imponues. Ndërsa kjo mund të jetë më pak e rregullt dhe më e ngadaltë, është gjithashtu më elastike sesa rendi i vjetër global i tregtisë, i cili varej nga vullneti i mirë dhe pjesëmarrja e një superfuqie të vetme, SHBA-së.
Krijimi i lidhjeve të reja
Megjithatë, në praktikë, situata është e ndërlikuar për Evropën. Kjo është pjesërisht sepse është shumë e ndërthurur me Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe ushtarakisht. Volker Treier, kreu i tregtisë së jashtme në Dhomën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) flet për një akt balancimi: “Ne duhet të krijojmë kontakte të reja, por në të njëjtën kohë të ruajmë marrëdhëniet me SHBA-në sa më mirë të jetë e mundur. Kjo nuk do të jetë e lehtë.”
“SHBA-të janë të pazëvendësueshme për Evropën”, thotë Jörg Wuttke, i cili për shumë vite drejtoi zyrën e BASF në Kinë dhe tani është partner në firmën konsulente DGA në Uashington. Kina, në çdo rast, sigurisht që nuk është partneri që do ta ndihmojë Evropën të dalë nga gjendja e saj e vështirë, paralajmëron Wuttke. Vendi është “thellësisht merkantilist”; dëshiron të eksportojë, por nuk dëshiron të hapë tregun e vet.
“Evropa dhe Kina kanë interesa të përbashkëta.”
Por ekziston edhe një pikëpamje më optimiste. Shkencëtari politik Amitav Acharya, profesor në Universitetin Amerikan në Uashington, ka shkruar një libër rreth rënies së rendit botëror liberal të dominuar nga Perëndimi dhe rreth arsyes pse bota megjithatë nuk po bie në kaos. Trump beson se SHBA-të nuk kanë përfituar nga globalizimi, prandaj ai po lufton kundër tij. Por Evropa dhe Kina përfitojnë të dyja nga globalizimi; ato kanë interesa të përafërta. Kjo është diçka mbi të cilën mund të ndërtohen marrëdhënie me dobi të përbashkëta.
Tregu amerikan po zhduket gjithnjë e më shumë pas mureve tarifore për kompanitë kineze. Edhe paraardhësi i Trump, Joe Biden, vendosi tarifa tepër të larta për importet e makinave kineze. Kjo e bën edhe më të rëndësishme për Kinën që tregu evropian të mbetet i hapur për eksportuesit e tij. Prandaj, Kina gjithashtu ka interes të bëjë lëshime për evropianët në këmbim.
Kjo mund të bëhet e nevojshme, sepse shqetësimet po rriten në Evropë. Kinezët po e përmbytin BE-në me mallra të lira industriale, pjesërisht falë një monedhe të nënvlerësuar. Instituti Ekonomik Gjerman flet për një “tronditje të Kinës”. Çështje të tilla mund të rregullohen përmes marrëveshjeve. India është tradicionalisht shumë më proteksioniste se Kina. Nëse BE-ja mund të lidhë një marrëveshje tregtare me Indinë, pse jo me Kinën?
Eksportet në SHBA po bien për shkak të tarifave. Evropianët ka të ngjarë të kenë pak zgjedhje tjetër veçse të kërkojnë alternativa ndaj Amerikës. Ndërsa tarifat amerikane kundër mallrave evropiane, në 15 përqind për shumicën e artikujve, janë më të ulëta se ato kundër vendeve kryesore aziatike, të dhënat tregtare tregojnë se ato tashmë kanë pasur një ndikim të rëndësishëm. Eksportet në SHBA në nëntor 2025 ishin më shumë se 20 përqind më të ulëta se një vit më parë. Kjo lidhet edhe me pasigurinë. Në fund të fundit, Donald Trump kohët e fundit kërcënoi dhe më pas tërhoqi tarifa të mëtejshme kundër aleatëve të Danimarkës në konfliktin e Groenlandës.
Evropa në fakt ka mbetur prapa në tregtinë globale në vitet e fundit. Deri në krizën financiare të vitit 2008, vëllimi tregtar i Eurozonës u rrit në hap me tregtinë globale. Që atëherë, hendeku është zgjeruar. Ndërsa vëllimi i tregtisë globale është dyfishuar afërsisht që nga viti 2009, i rregulluar për inflacionin, vëllimi tregtar i Eurozonës është ende afërsisht aty ku ishte 17 vjet më parë (shih grafikun).
Politikë e balancuar ndaj Kinës dhe SHBA-së
Partneriteti me SHBA është e domosdoshme të ruhet. Nuk është në interesin e evropianëve një ndryshimi strategjik drejt Pekinit në përgjigje të dallimeve me SHBA-në. Të vraposh te Presidenti Xi me krahë hapur dhe të thuash se të gjitha problemet tona janë zhdukur në këtë moment dhe ne do të bëhemi partneri juaj i shkëlqyer do të ishte përgjigja e gabuar. Përgjigjja e bashkuar evropiane ndaj pretendimeve të SHBA-së në lidhje me Groenlandën tregon se Evropa mbronë partneritetin dhe interesat e saj kur mbron rendin me rregulla dhe vendos vija të qarta të kuqe.





















