Prof. Dr. Qemal Lame: Ballkani i Hapur Integrimi Europian dhe Rreziku i Rusisë

306
Sigal

Analiza objektive e zhvillimeve politike, ekonomike e shoqërore e gjendjes së aktualitetit dhe perspektivës së zhvillimit, tërheq vëmëndjen në përmbajtjen me orientimin e përgjithshëm të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Shtetet e këtij rajoni dallohen për politikën europeiste, orientimin euroatllantik dhe veprimtarinë sipas standarteve të Bashkimit Evropian, Nato e SHBA.

  1. Ballkani i Hapur nuk është në kundërshtim me Procesin e Berlinit dhe të integrimit evropian. Gjermania ka deklaruar se mbështet hapur iniciativën e re në rajon ”Open Balkan”, vlerëson bashkëpunimin si të rëndësishëm e të dobishëm, kërkon të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, mbështet fuqishëm Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal”, ndihmon e kërkon të miratohet marrëveshja para Samitit të Bashkimit Evropian për Ballkanin, në 6 tetor 2021.
  2. Qeveritë e shteteve të Ballkanit Perëndimor është e nevojshme, të miratojnë vendimet për të cilat është arritur mirëkuptim i përbashkët në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit, të mbajtur në 5 korrik 2021 për çështjen e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal për finalizimin e katër marrëveshjeve për lirinë e udhëtimit me kartat e identitetit, lirinë e udhëtimit për shtetasit e vendit të tretë dhe njohjen e kualifikimeve akademike e profesionale. Marrëveshja parashikon gjithashtu infrastrukturën digjitale, inovacionin dhe politikën unike të investimeve sipas standardeve të BE.

3.Problemi themelor mbetet përcaktimi i qartë e zyrtar i perspektivës së antarësimit në BE, bazuar në metodologjinë e re të zgjerimit. Kështu mënjanohen edhe hamendësitë nëse nisma rajonale është një sinjal që Bashkimi Evropian ta ndryshojë politikën e zgjerimit, meqë vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë rrugë të tjera të bashkëpunimit pa u anëtarësuar në BE.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik dhe i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik. Në fund të fundit, qeveria e Kosovës duhet të vendosë se në cilat iniciativa do të bashkohet dhe cilat e mbështesin më së miri vizionin e saj ekonomik. Inkurajohet qeveria që t’i qaset përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik me mendje të hapur dhe të përqafojë zgjidhjet që japin rezultate për kosovarët, teksa përmirësojnë raportet me fqinjët e saj. Shtetet e Bashkuara do të jenë pranë dhe do të mbështesin çdo vendim që do të merret nga Qeveria e Kosovës në të mirën e sovranitetit të saj dhe integrimit rajonal e evropian. Gjeopolitika ruse shfrytëzon nismën rajonale për të rritur ndërhyrjen e saj konkrete në Ballkan dhe në Bashkimin Evropian. Mbi këtë bazë përhapen idetë për integrimin sllav dhe referojnë në aplikimin e modelit të Federatës së Rusisë. Zëvendësministri i jashtëm rus, Aleksandër Grushko, deklaroi në Beograd, në 18 qershor 2021, se vendet e Ballkanit duhet të zgjedhin modelin e Federatës Ruse. Me këtë kuptohet se këto shtete orientohen qartë drejt një shteti federativ, që të ketë qendër drejtuese Beogradin, siç është Moska për Federatën Ruse.Rusia ka përvojën e saj historike të imponimit të politikës së saj dhe mbështetet sidomos nga Serbia për të zgjeruar ndikimin e saj dhe për t’u bërë faktori kryesor rajonal. Serbia është aleati i vetëm strategjik i Rusisë në rajon. Me mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës, veprohet me të gjitha mjetet për fuqizimin politik, ekonomik e ushtarak të Serbisë, të mënjanohet pozicionimi i saj i dobët ndërkombëtar pas Luftës në Kosovë dhe të rikthehet sa të jetë e mundur në rolin parësor në rajon. Portali proqeveritar rus “eadaily”, në 13 gusht 2021, me titullin “Kujt i pengon “bota serbe”? Për herë të parë thekson hapur thelbin e projektit serb, duke e cilësuar “Ballkanin e hapur” si vazhdim të projektit serb të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Argumentohet se “Pikërisht nga realizmi politik u diktua presidenti Vuçiç për përgatitjen e projektit të shkëmbimit të territoreve me shqiptarët e Kosovës. Me këtë projekt ai defacto iu kundërvu autoriteteve të Prishtinës, por edhe gjithë BE, dhe në radhë të parë Gjermanisë, qeveria e së cilës fetishizoi “paprekshmërinë e kufijve në Ballkan”.

Me projektin e shkëmbimit të territoreve Beogradi synonte të merrte territoret veriore të Kosovës. Me projektin e “Ballkanit të hapur” synon që të marrë gjithë territoret, që Serbia i cilëson “e drejtë historike” të saj, gjithë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje- Hercegovinën.

Serbia e mbështetur nga Rusia shpreson që paralelisht me projektin e “mini Shengenit” të realizohet edhe projekti i ri i qeverisë se Beogradit për “botën serbe”, bashkimit të të gjithë serbëve të rajonit në një shtet unik serb, bashkë me territoret, ku jetojnë sot në shtetet e tjera ballkanike. Vetë presidenti Vuçiç e quajti këtë në 15 shkurt 2021 “Serbia e Madhe”.

Serbia e filloi integrimin menjëherë nga shërbimi postar. Në datën 2 gusht 2021, Posta Shtetërore e Serbisë dhe Posta Shtetërore e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Shërbimit Unik Postar në vendet e “Ballkanit të Hapur”. Drejtori i Postës Shtetërore të Serbisë, Zoran Gjorgjeviç, deklaroi në ceremoninë e nënshkrimit se “Posta e Serbisë do të bëhet qendra rajonale e logjistikës dhe e shërbimeve postare, gjë që është zbatim i nismës “Ballkan i Hapur”. Dy shtetet ranë dakord që të krijojnë një pullë postare unike dhe tarifa të njejta shërbimesh postare dhe pakosh. Dy drejtorët serb dhe maqedonoverior njoftuan se ia kanë drejtuar propozimin e unifikimit postar edhe Shqipërisë, për shkrirjen e shërbimit postar të “Ballkanit të Hapur”. BE, ka 64 vjet që është krijuar, megjithëse ka vënë në jetë makro Shengenin europian, ende nuk ka pullë unike postare dhe as tarifa unike për shërbimet postare! Analiza e qëndrimeve të politikës, diplomacisë e studiuesve rusë tregon se me daljen në skenë të “Ballkanit të hapur”, Rusia dëshëron të hedhi tezën e re të rihapjes së çështjes së prishjes së ish-Jugosllavisë, për të cilën Moska nuk ka qenë dakord. Argumenti rus është se vetë shtetet e asaj federate, po ribashkohen me projektin e “Ballkanit të hapur”.

Rreziku i dominimit rus dhe atij serb ndjehet realisht në rajon. Për këtë arsye, tre shtete, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina kanë refuzuar të bashkohen me projektin serb të “Ballkanit të hapur”. Qëndrimi i këtyre tre shteteve  është kundërpërgjigje e arësyeshme, pasi ato kanë përvojë të hidhur nga dominimi dhe imponimi i politikës serbe në ish federatën e përbashkët. Edhe sot e kësaj dite, ato po vuajnë rëndë pasojat e ndërhyrjes brutale dhe të shantazhit të gjithanshëm serb në punët e tyre të brendshme, deri edhe në grushtin e shtetit dhe tentativës për eleminimin fizik të presidentit Gjykanoviç në Malin e Zi.

Gjeopolitika perëndimore dhe ajo lindore mbështesin “Mini Shengenin” dhe riemërtimin “Ballkan i Hapur”. Ndërsa qëllimet dhe interesat e tyre janë të ndryshme. Strategjikisht projekti serb i “Ballkanit të Hapur” po zbatohet sipas skemave ruse, megjithëse presidenti serb deklaron se i është mirënjohës politikës evropiane dhe amerikane që mbështesin integrimin rajonal. Për Shqipërinë dhe shtetet e tjera të rajonit mbetet domosdoshmëria e vazhdimësisë së integrimeve euroatllantike, të ruhen interesat kombëtare dhe të ecet me garanci e siguri në rrugën e të ardhmes së përbashkët evropiane. Me politikën proamerikane dhe proevropiane, me mbështetjen dhe besnikërinë e ndërgjegjëshme në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, zhvillimet dhe marrëdhëniet paqësore me fqinjët, do të arrijmë edhe të drejtën e bashkimit kombëtar. Të vetëm nuk mund t’u rezistojmë ndryshimeve të fuqishme politike. Kufijtë na i kanë caktuar fuqitë e mëdha. Edhe ndryshimet mund të bëhen po të binden ato për dobinë e bashkimit paqësor të shqiptarëve. Prandaj mbetet detyrë jetike bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë i Shqipërisë e Kosovës midis tyre dhe me shtetet fqinjë ku janë shqiptarët në trojet e tyre etnike. Integrimi rajonal dhe evropian mendoj se ka efektivitet dhe merr mbështetje mbarëkombëtare në rast se Shqipëria dhe Kosova veprojnë në unitet, me platorma të përbashkëta politike, ekonomike e kulturore. Me dobi është të vazhdohet praktika që të emërohen ministra të aftë nga Kosova dhe nga Shqipëria në Kosovë. Të hiqen tarifat në “traun në Morinë” nga i cili preken financiarisht më shumë shqiptarët e Kosovës. Pse të jenë të ndara Shqipëria dhe Kosova për “Mini Shengenin” ose “Ballkanin e Hapur”?! Qeveria në Tiranë në fillim ka pasur vetë dyshime për projektin serb të “Mini Shengenit”. Kujtojmë se në samitin e parë themelues të Novi Sadit, në 10 tetor 2019, kryeministri i Shqipërisë deklaroi se në qoftë se Kosova nuk merr pjesë, edhe Shqipëria do të tërhiqet. Nuk është sqaruar përse Tirana befas u vu në krye të nismës dhe i mori Beogradit flamurin? Është e drejtë kritika ndaj Bashkimit Evropian që nuk arrin të unifikojë qëndrimet e shteteve anëtare për antarësimin e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut që kanë plotësuar standartet. Është e drejtë edhe ideja se nuk mund të presim për inisiativat e integrimit rajonal derisa të binden të gjithë. Por është e pajustifikuar politika e njëanshme e Shqipërisë pa Kosovën, por edhe e Kosovës pa Shqipërinë. Kemi interesa dhe detyrime të njejta kombëtare. Kemi të njejtët partnerë strategjikë, që na mbështesin. Prandaj kërkohet të mënjanohen ndasitë nga qëndrime politike apo personale. Të veprojmë në çdo rast në unitet midis shteteve shqiptare dhe me mirëkuptimin e partnerëve strategjikë.