Prof. Dr. Lush Susaj: Ministrat e Bujqësisë nuk e njohin situatën, prandaj është rritur importi i miellit, të qumshtit dhe i vajit të palmës me mbi 8 herë

23
Sigal

– Tregu i Shqipërisë u është dorëzuar totalisht prodhimeve që importohen kryesisht nga Serbia, Maqedonia, Turqia, Greqia

– Kjo situatë është krijuar dhe po mbahet gjallë nga personazhet dhe strukturat e nepotizmit dhe korrupsionit

-Bashkë me bujqësinë dhe blegtorinë është vrarë edhe zhvillimi i qëndrueshëm, punësimi, mirëqënia dhe siguria ushqimore e popullsisë

– Kosi dhe djathi që përmbajnë qumësht pluhur, nëse lihet për 2-3 orë në diell, do të shikoni që merr ngjyrë

– Importuesit paguajnë tek politikanët dhe zyrtarët e institucioneve për të mbrojtur importuesin e jo konsumatorin

– Në Prosek, përpara 10 vitesh ka patur mbi 5000 krerë të imëta (dele e dhi), sot ka mbetur vetëm një tufë me rreth 70 krerë dele

– Në Izrael, në Britani, në Francë, në SHBA, etj, di që momenti më i rendësishëm i çdo kryeministri dhe presidenti, është caktimi i ministrit të bujqësisë dhe ushqimit

-Proseku që më parë ka patur mbi 400 lopë, sot ka më pakë se 40 krerë.

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Bujqësia dhe blektoria nuk mund të zhvillohet pa dije teorike-sistemike dhe disiplinare. Domethënë, duke kuptuar sistemin në raport me sistemin global dhe dinamikën e tij dhe bujqësinë, bletorinë dhe tërësinë e sektorëve të ekonomisë në raport me dijen që zotërojnë pushtetarët. Problemet e bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare janë të shumta. Ngritja dhe konsolidimi i tregut të tokës, nëpërmjet rregullimit të procesit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyrave të Kadastrave dhe krijimi i Bursës së Tokës;- Krijimi i institucioneve të tregut për nxitjen e prodhimit dhe marketingut të produkteve; – Zhvillimi i shpejtë i sektorit të pemëtarisë, kryesisht serat;- Konsolidimi i sektorit të blegtorisë;- Shndërrimi i fermave nga njësi të vetëkonsumit në sipërmarrje biznesi;- Ngritja e bankës rurale dhe nxitja e kreditimit për fermerët në mbarë vendin;- Hartimi i politikave favorizuese në grumbulliin e bimëve të arave;- Shpërndarja e përshtatshme e investimeve në infrastrukturë, rrugë rurale, ujitje dhe kullim;- Ripërtëritja e sistemit të shkollave bujqësore sipas modelit amerikan;- Hartimi i një programi kombëtar anti erozin për tokën janë problem që këkrojnë zgjidhje.

“Kjo ka ndodhur e po ndodh për dy arsye. Së pari për shkak të subvencioneve të larta në vëndet nga vijnë këto produkte sikurse janë Turqia, Maqedonia, Greqia, etj. Janë vende ku bujqësia subvencionohet 10-15 herë më shumë se në Shqipëri, e ku ligjet dhe praktikat e subvencionimit janë të atilla, që paraja shkon tek fermeri e jo tek militantët, as tek patronazhistat dhe asnjëherë tek strukturat nepotike e dosjet fiktive.”

Kohët e fundit në shtyp është folur për qumështin shqiptar që ka 60% ujë. Pra abuzohet me cilësinë. Madje shumica e djathit bëhet me qumësht pluhur që dëmton shëndetin e njerëzve. A ka shteti organizma kontrolli? Pse në BE nëse gjenden prodhime të tilla mbyllet aktiviteti dhe dënohen prodhuesit, ndërsa tek ne heshtet?

Kjo situatë është krijuar dhe po mbahet gjallë nga personazhet dhe strukturat e nepotizmit dhe korrupsionit që kanë uzurpuar pa rregull e meritë që të gjitha institucionet studimore, ligjore, financuese dhe vendimarrëse të bujqësisë, nga ku janë hartuar dhe po zbatohen ligje, vendime dhe politika idjote e shkatërrimtare për prodhimin e brendshëm bujqësor e blegtoral. Pavarësisht nga propaganda e qeveritarëve, këtë realitet e gjen kudo në krahinat dhe fermat e prodhimit bujqësorë e blegtoral të Shqipërisë. Me qëllim që lexuesit të kuptojnë edhe më mirë realitetin e krijuar, po sjell një shëmbull konkret nga vizita e ditës së enjte, datë 27 mars 2024, e zhvilluar në fshatin Prosek të Mirditës. Proseku është zona me tokën nën ujë e më pjellore e Mirditës, e për këtë arsye është konsideruar dhe quajtur ndryshe “Hambari i Mirditës”. Në këtë fshat që përpara 10 vitesh ka patur mbi 5000 krerë të imëta (dele e dhi), sot ka mbetur vetëm një tufë me rreth 70 krerë dele. Proseku që më parë ka patur mbi 400 lopë, sot ka më pakë se 40 krerë. Proseku ka dy rezervuar apo ujëmbledhësa uji, me një kapacitet mbi 6 milion metër kub ujë/vit. Ndërsa sot nuk ka asnjë kanal funksional, e për pasojë asnjë metër katrorë tokë të ujitshme për misër, perime e as foraxhere. E solla këtë shëmbull konkret për të kuptuar se kështu si është dëmtuar e katandisur Proseku, është vjedhur e katandisur e gjithë Shqipëria. Për të ardhur tek thelbi i pyetjes tuaj, ku për shkak se janë vjedhur lekët e kanaleve ujitëse, janë tharë tokat dhe është pamundësuar prodhimi i drithërave, të foraxhereve dhe të perimeve. Në këto kushte fermerët nuk mbajnë dot as edhe një lopë, dhe as që mund të mendojnë për të rritur tufat e bagëtive dhe prodhimet e tyre bujqësore e blegtorale. Në këto kushte, tregu i Shqipërisë u është dorëzuar totalisht prodhimeve që importohen kryesisht nga Serbia, Maqedonia, Turqia, Greqia, etj, e ku për shkak të mungesës së laboratorëve funksionalë dhe operues, dyshoj shumë edhe në cilësinë dhe sigurinë ushqimore të këtyre produkteve që shqiptarët konsumojnë. Sikurse dihet, tradita dhe tavolina e shqiptarit ka për bazë bukën dhe prodhimet blegtorale, e këtë akoma nuk po e kuptojnë patronazhistët, as klanet nepotike dhe as mjeranët e politikës. Duket që këtë po e kuptojnë shumë mirë fqinjët tonë, nga ku këto 4-5 vitet e fundit, kanë vërshuar si kurrë më pare tregtarë që marrin magazinat dhe hapësirat e tregjeve tona me qera, e që po i mbushin me prodhimet e vendeve të tyre. Në këtë mënyrë, duket që është asgjësuar blegtoria, bujqësia dhe çdo mundësi e prodhimit vendas. Bashkë me to është vrarë edhe zhvillimi i qëndrueshëm, punësimi, mirëqënia dhe siguria ushqimore e popullsisë. Të korruptuarit duket që kanë zgjedhur që të pasurohen nga evazioni fiskal dhe korrupsioni me importet, sepse e dinë që nga fermerët nuk marrin dot asgjë. Kjo rrugë është shumë e rrezikshme, është katastrofë kombëtare.

Një problem tjetër është përdorimi i vajit të palmës. Gjithmonë flitet, por sërish futet në treg në mënyrë klandestine. Si mundet të bëhen në një popullsi kaq të vogël marifete të tilla? Kush Ministër është drejtpërdrejtë përgjegjës dhe pse nuk merr masa? Vallë korrupsioni mbyll gojën e autoriteteve?

Në Izrael, në Britani, në Francë, në SHBA, etj, di që momenti më i rendësishëm i çdo kryeministri dhe presidenti, është caktimi i ministrit të bujqësisë dhe ushqimit. Paradoksalisht në Shqipëri, duket sikur punohet dhe zhvillohet konkurs për të përzgjedhur për ministër të bujqësisë më të paditurin, më konjukturalin, më servilin e më të korruptuarin. Për pasojë, e njëjta filozofi dhe zgjedhje zbret deri tek specialisi i fundit që tërheq e që shpërndan tollonat e naftës, por që për bujqësinë (pra për ligjet, teknologjitë, strukturat varietore dhe marketingun), duket që nuk punojnë as edhe një ditë. Sepse vëmendja e atij që katapultohet në krye të bujqësië, e që nuk e njeh fare fushën as profesionin, duket që përqëndrohet në mënyrën se si me përfituar sa më shumë para dhe prona. Prandaj është rritur importi i miellit të qumshtit dhe i vajit të palmës me mbi 8 herë, e ku kosi dhe djathi që përmbajnë këtë përbërës, nëse lihet për 2-3 orë në diell, do të shikjoni që merr ngjyrë, erë të keqe dhe bëhet si mastiç. Ndërsa kosin dhe djathin origjinal, lereni sa të doni e ku të doni e do të shokoheni që nuk humbet ngjyrën e as shijën. Pa folur këtu për sigurinë ushqimore, që sikurse duket nuk ekziston, sepse nuk jemi aty ku duhet me paisjet, protokollet dhe kapacitetet e kontrollit. Fatkeqësisht, duket që në jo pak raste organet e kontrollit janë shndërruar në gjobvënës dhe rrjepësa të ndonjë fakiri që guxon apo që tenton me hy në hapësirat e tregjeve dhe monopoleve të importuesve. Në këto kushte, importuesit paguajnë tek politikanët dhe zyrtarët e institucioneve për të mbrojtur importuesin e jo konsumatorin. Ndodh që edhe ndonjë specialist apo zyrtar, që guxon me folë e me reague, dihet që largohet menjëherë nga puna. Ndërsa ndonjë intelektual, apo prodhues që reagon apo që kërkon laboratorë funksionalë, protokolle bashkëkohore dhe politika mbrojtëse e zhvillimore, menjëherë menjanohet nga politika e korruptuar, goditët, përfolët, shqetësohet dhe dëbohet nga Shqipëria. Ndërsa nuk mund të mos themi që përgjegjësia për prodhimin, për cilësinë dhe për sigurinë ushqimore është tek ministria e bujqësisë, që sipas mendimit tim duket e denatyruar e jashtë funksionit bazikë, që është prodhimi me cilësi dhe siguri të lartë ushqimore

“Në këto vende, edhe ligjet aplikative, teknologjitë dhe politikat bujqësore, i bëjnë dhe implementojnë universitetet, katedrat (departamentet) dhe ekspertët e mirfilltë të fushave të studimit. Në asnjë rast nuk ndodh që veterineri me ba protokolle dhe udhëzime për pemëtarinë, apo ekonomisti për enologjinë, apo gjeologu për blegtorinë, etj.”

Prodhimet shqiptare bujqësore dhe blegtorale nuk janë të pëlqyera në treg. P.sh domatet turke kanë një çmim të lirë, ambalazh të mirë dhe të kontrolluara. Po domatet shqiptare pse nuk kontrollohen kur hidhen në treg? Pse kanë shumë pesticide të papranueshme për konsumatorin? A ka agronom në çdo qytet dhe pranë Ministrisë së Bujqësisë, që mirret me këto probleme? Pse nuk dënohen kur ata nuk kontrollojnë, apo heshtin? Pse nuk ndalohen këto prodhime? Pse hesht shteti?

Prodhimet shqiptare janë shumë të pëlqyera e të kërkuara në tregjet tona dhe tregjet rajonale. Ndërsa duket që mungojnë apo nuk po pëlqehen për shkak të hedhjes në tregun vendas të prodhimit me cilësi e standartë të dobët, sepse prodhimin me cilësi dhe standart të lartë e merr eksporti. Aktualisht, prodhimi vendas në treg duket që është shumë i paktë, e me çmime shumë të larta. Shtojmë këtu edhe mungesën reale të sigurisë ushqimore për shkak të gabimeve në teknologji e struktura varietore. Mungesa e cilësisë dhe e sigurisë ushqimore, pikë së pari buron nga mungesa në terren e shërbimit agronomikë e veterinarë efikas, shërbim që ka për bazë protokollet bashkëkohore të prodhimit dhe të marketingut të produkteve bujqësore e blegtorale. Sikurse dihet, këto protokolle nuk i njef dhe kurrë nuk mund t’i prodhojnë, as nuk mund t’i implementojnë e as nuk mund t’i kontrollojnë patronazhistët, as militantët dhe as organizatat e partive mazhoritare të radhës. Protokollet dhe ligjet zhvillimore mund të prodhohen nga institucionet shkencore, dhe mund të implementohen vetëm nga specialistët e fushës, të cilët duhet të jenë të kualifikuar në mënyrë të vazhdueshme. Shqipëria është vëndi i vetëm në botë, ku për bujqësinë dhe blegtorinë flasin dhe japin këshilla partiakët, deputetët, ministrat, madje edhe gazetarët e kryeministri. Ndërsa nuk pyetet e nuk dëgjohet në asnjë fjalë dhe në asnjë rast agronomët, ekspertët e as profesorët e mirfilltë të bujqësisë. Shtojmë këtu edhe mungesën e paisjeve dhe laboratorëve të analizave operative e të shpejta, nga ku monitorohen mbetjet e pesticideve dhe rastet e tjera nga abuzimet me plehërat kimike. Ndërsa po përjetojmë realitetin e invazionit të produkteve të importit me pamje e me çmime më të ulëta. Kjo ka ndodhur e po ndodh për dy arsye. Së pari për shkak të subvencioneve të larta në vëndet nga vijnë këto produkte sikurse janë Turqia, Maqedonia, Greqia, etj. Janë vende ku bujqësia subvencionohet 10-15 herë më shumë se në Shqipëri, e ku ligjet dhe praktikat e subvencionimit janë të atilla, që paraja shkon tek fermeri e jo tek militantët, as tek patronazhistat dhe asnjëherë tek strukturat nepotike e dosjet fiktive. Së dyti në vëndet e rajonit dhe ato të BE, shërbimi agronomikë e veterinarë është shumë më i organizuar e shumë më i vlerësuar. Në këto vende, edhe ligjet aplikative, teknologjitë dhe politikat bujqësore, i bëjnë dhe implementojnë universitetet, katedrat (departamentet) dhe ekspertët e mirfilltë të fushave të studimit. Në asnjë rast nuk ndodh që veterineri me ba protokolle dhe udhëzime për pemëtarinë, apo ekonomisti për enologjinë, apo gjeologu për blegtorinë, etj. Kjo praktikë shqiptare e njohur ka vetëm një emër, korrupsionin përmes servilave të partive dhe qeverive, nga ku është deformuar e shkatërruar çdo shans prodhimi e zhvillimi, e ku janë deformuar dhe relativizuar edhe fushat dhe profesionet bazike.

Flitet se do ritet çmimi i ëmbëlsirave në treg, por edhe i bukës. Por do ketë rritje të madhe në raport me rritjen e çmimeve të produkteve të prodhimeve të ëmbëlsirave. Si bëhet rritja e çmimit të prodhimeve në vendin tonë në raport me vendet e BE? Bëhet rritje fiktive apo reale?

Po rikthehem përsëri tek shëmbulli që solla më sipër, e që mund të vizitohet dhe vërtetohet nga kushdo. Është fjala për Prosekun e Mirditës (njëlloj është e gjithë Shqipëria), që ka ujë të bollshëm e me 100% të sipërfaqës së tokës bujqësore të ujitshme. Deri para 10 viteve, toka mbillej dhe prodhonte deri në 50-60 kv/ha grurë, apo misër deri në 130-150 kv/ha, si dhe perime të bollshme për konsum të brendshëm dhe për tregun. Ndërsa sot nuk ka as edhe një dylym tokë të mbjellë me grurë, as me misër e as me perime. Sikurse dihet, në kushtet e mungesës së prodhimit vëndas, kompanitë dhe importet korruptive mund të rrisin çmimin sa të duan, dhe mund të bëjnë si të duan edhe me cilësinë dhe sigurinë ushqimore, sepse pavarësisht nga propaganda e ngopjes me lugën bosh, kapacitetet njerëzore, laboratorike e kontrolluese, janë në nivele shumë të ulëta. Në këtë mënyrë, mendoj që rritja e çmimeve nuk ka bazë reale as objektive, përkundrazi vjen për shkaqe korrupsioni dhe rritja e fitimit në mënyrë abuzive, etj. Sikurse duket, kompanitë e importeve e kanë luajtur shumë bukur lojën e tyre. Mbase përmes lobimit dhe trusnisë mbi vëndimarrjen, ja dolën që Shqipëria të mbetet pa laboratorë kontrolli, pa shërbim të mirfilltë agronomikë e veterinarë, pa kanale e vepra ujitëse, pa subvencionim të grurit, të misrit e as të pemëve frutore e vreshtave. Të tilla ngjarje dhe situata nuk ka asnjë shans që të ndodhin në vendet e rajonit, e as në vendet e BE. Kjo sepse në vendet demokratike ligjet dhe punët i bëjnë specialistët dhe institucionet shkencore. Në vendet demokratike nuk ndodh të mënjanohen specialistët as profesorat e bujqësisë, e as nuk mund të vidhen investimet në kanalet ujitëse, as nuk mund të therren lopët dhe delet për xhepat dhe korrupsionin e shokëve të partisë e të qeverisë. Vetëm në Shqipëri ndodh që partia akoma sundon mbi çdo hapësirë e mbi çdo gjë, madje edhe mbi lopën, edhe mbi delet, edhe mbi agronomët e veterinerët, edhe mbi kopshtarin  e bletërritësin.