Prof. Dr. Kristaq Kume: Ndryshime të kërkuara në legjislacion për të rritur efektivitetin e Këshillave Bashkiakë

191
Sigal

“Ndër çëshjet që këshilltarët kërkojnë që të trajtohen dhe për to të gjendet zgjidhje ndryshe nga ajo që parashikohet në legjislacionin aktual është problemi i mbështetjes financiare dhe me kapacitete njerëzore që duhen për nevojat e punës së Këshillit por edhe te çdo këshilltari.”

Në Kushtetutën tonë Këshilli bashkiak përcaktohet si organi përfaqësues i popullit në nivelin vendor. Si organ i qeverisjes vendore, që zgjidhet direkt nga qytetarët, këshilli bashkiak është organi që me vendimet e tij, rregullon të gjithë aktivitetin e pushtetit vendor. Për pasojë cilësia në plotësimin e detyrave me të cilat këtë këshillë e ngarkon legjislacioni ynë është faktor me ndikim të rëndësishëm në cilësinë e punëve të të gjithë pushtetit vendor.

Legjislacioni për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor e përcakton Këshillin bashkiak si një organ kolegjial, anëtarët e të cilit nuk punojnë me kohë të plotë pune në këtë detyre. Për nevojat e punëve të këtij organi, në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” parashikohet që në strukturën e administratës së bashkisë të bëjë pjesë edhe Sekretari I Këshillit bashkiak. Ndër detyrat kryesore të këtij Sekretari ligji parashikon mbajtjen e dokumentacionit të këshillit, përgatitjen e materialeve dhe përgatitjen e mbledhjes së këshillit, publikimin e njoftimeve dhe akteve që nxjerr këshilli bashkiak. Ligji parashikon për këshilltarin një shpërblim mujor të barabartë me 10 për qind të pagës mujore të kryetarit të bashkisë përkatëse. Këtë shpërblim  këshilltari e përfiton çdo muaj me kusht që, të paktën një herë në 6 muaj, të marrë pjesë në mbledhjen e këshillit.

Në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” përcaktohet numri i antarëve të këshillit bashkiak në vartësi të numrit të popullatës që banon në bashkinë përkatëse. Sipas këtij përcaktimi numri i antarëve të këshillave bashkiake lëviz nga 15 antarë në bashkitë e vogla si Delvinë, Libohovë, Tepelenë, Këlcyrë, Përmet, Poliçan, Kolonjë, Skrapar, Pustec, Pukë, Fushë Arrzë dhe deri në 51 antarë në bashkitë Shkodër, Durrës, Elbasa, Fier, Vlorë. Bashkia e Tiranës ka 61 antarë në Këshillin Bashkiak. Për Këshillat Bashkiak të 61 bashkive të vendit, ligji parashikon përbërjen e tyre me 1619 anëtarë, gjithësej.

“Numri i këtyre këshilltarëve të jetë nga 9 anëtarë në bashkitë me më pak se 20.000 banorë deri ne 25 antarë në bashkitë me 200.001-400.000 banorë.”

Për herë të fundit ndryshimet në legjislacionin që rregullon çështje të organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor u bënë në kuadër te reformës per këtë pushtet në vitet 2014-2015. Rezultate e arritura në zbatimin e legjislacionit kanë treguar se është e nevojshme të ndërhyhet në të, me objektiv rregullin e mëtejshëm për të krijuar kushte sa më të favorshme për vetëqeverisjen e punëve lokale dhe për shërbime më cilësore për qytetarët. Ne këtë përfundim është arritur edhe nga një grup organizatash partnere të Aleancës Qytetare për Demokraci. Të mbështetura nga LëvizAlbania dhe Agjensia Zvicerane për Bashkëveprim dhe Zhvillim dhe të drejtuara nga Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, këto organizata gjatë një periudhe rreth një vit e gjysmë  zhvilluan një proces intensiv komunikimi me qytetarë, të rinjë, gra e vajza, përfaqesues të komuniteteve qytetare ne zonat urbane dhe rurale, përfaqësues të pakicave kombëtare dhe grupeve të marginalizuara, stafe akademike në universitete e ndryshme të vendit, me të zgjedhur vendor dhe punonjës në organet e pushtetit vendor, me objekt probleme që lidhen me zgjedhjen, organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.

Vlerësimi i perceptimeve të qytetarëve për cilësinë e përfaqësimit të tyre në organet e zgjedhura për vetëqeverisjen vendore, për funksionimin e këtyre organeve në plotësim të nevojave dhe shërbimeve për ta, si dhe opinionet, mendimet dhe propozimet që janë artikuluar gjatë këtij procesi, jo vetëm e kanë evidentuar nevojën për ndryshim por edhe kanë krijuar mundësinë për mënyrën se si duhet të formulohen këto ndryshime.

“Ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor, me objektiv rritjen e efektivitetit në punën e Këshillave Bashkiak, lidhen me ndërhyrjen në dispozitat sipas të cilave zgjidhen anëtarët e Këshillit Bashkiak.”

Duke ju referuar opinioneve të qytetarëve në lidhje me efektivitetin e punës së Këshillit Bashkiak dhe anëtarëve të tij dhe mbështetur në vlerësimet për mundësitë që legjislacioni aktual i ofron këtij këshilli për të kryer detyra që ligji i ngarkon, mund të pohohet se është e nevojshme që të ndërhyhet në këtë legjislacion. Këtë nevojë, e kanë artikuluar edhe anëtarë të këshillave bashkiake në takimet që janë zhvilluar me ta në bashki të ndryshme të vendit, si në Kukës, Shkodër, Lezhë, Mat, Klos, Durrës, Elbasan, Maliq, Korçë, Divjakë, Lushnje, Fier, Vlorë etj.. Është frekuent opinioni se në cilësinë e punës së Këshillit Bashkiak nuk ndikon numri i anëtarëve të këtij këshilli, por niveli i angazhimit të tyre për kryerjen e detyrës. Shpesh thuhet se, në fakt cilësia  në plotësimin e detyrave të këshillit varet nga puna që bëjnë vetëm një numër i kufizuar nga anëtarët  e tij. Ka të tjerë që as nuk e dinë dhe as nuk e kanë të qartë se cilat janë punët që duhet të bëjnë ose as nuk kanë përgatitjen e duhur për t`i bërë këto punë. Për ta detyra kryhet kur votojnë sipas kërkesave dhe interesit të subjektit politik që i ka angazhuar në këtë detyre.  Ndër çëshjet që këshilltarët kërkojnë që të trajtohen dhe për to të gjendet zgjidhje ndryshe nga ajo që parashikohet në legjislacionin aktual është problemi i mbështetjes financiare dhe me kapacitete njerëzore që duhen për nevojat e punës së Këshillit por edhe te çdo këshilltari. Bashkë me to e rëndësishme është edhe krijimi i kushteve për aftësimin dhe trajnimin profesional të këshilltarëve.

Mbështetur në kërkesat dhe opinionet e shprehura nga qytetarët dhe të zgjedhurit vendorë, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër për të ndihmuar procesin e përmirësimit të legjislacionit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, vlerësojmë se ndryshimet që do të trajtohen më poshtë, krahas të tjerave që mund të bëhen, do të ndikojne në rritjen e efektivitetit në punën e Këshillit Bashkiak. Ndryshimet mund dhe duhet të bëhen në dy ligjet: Ligji “Për vetëqeverisjen vendore” dhe në Kodin Zgjedhor.

Në ligjin Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” të ndryshohet Neni 46, në të cilin përcaktohet se sa duhet të jetë numri i anëtarëve të Këshillit Bashkik, në varësi të numrit të popullatës që banon në bashkinë përkatëse. Numri i këtyre këshilltarëve të jetë nga 9 anëtarë në bashkitë me më pak se 20.000 banorë deri ne 25 antarë në bashkitë me 200.001-400.000 banorë. Këshilli Bashkiak në bashkinë e Tiranës të përbëhet nga 31 anëtarë. Në këtë mënyrë numri i anëtarëve të Këshillave Bashkiak arrin të zvogëlohet deri në 911 antarë ose me rreth 44% për pak. Ky zvogëlim krijon kushte më të mira për përzgjedhjen e kandidatëve nga subjektet zgjedhore, si dhe e zvogëlon ndjeshëm mundësine për të patur në këshill anëtarë që qëndrojnë vetëm formalisht ne këtë këshill ose vetëm për të votuar.

Në ligjin e sipërcituar të ndryshohet neni 51, pika 1 ku përcaktohet masa e shpërblimit të anëtarit të Këshillit Bashkiak. Pagesa e këshilltarit të parashikohet të bëhet duke ju referuar dy elementëve përbërës: pagë mujore fikse  dhe  pagë për pjesëmarrje në mbledhje të komisionit në të cilin anëtari bën pjesë.

Në nenin 51 ‘Të drejtat e Këshilltarit” të hiqet pika 4 që trajton çështje të kualifikimit të këshilltarit. Pas nenin 51 të shtohet nenin 51/1 “Shkolla për trajnimin profesional të këshilltarëve”, në të cilin të përcaktohen modalitete se si duhet të ngrihet dhe funksionojë kjo shkollë. Një ndër zgjidhjet mund të jetë edhe ngritja dhe funksionimi i saj pranë dhe si detyrë që Kodi Zgjedhor t`ja ngarkojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të ndryshohet nenin 57 “Sekretari i Këshillit Bashkiak”, duke u emërtuar “Sekretariati i Këshillit Bashkiak”. Ky Sekretariat të përbëhet nga më shumë se një person dhe për të, të riformulohen detyrat dhe të drejtat e tij.

Pas nenit 58, të shtohet Neni 58/1 -Buxheti i Këshillit Bashkiak, si dispozitë, e cila të sigurojë për Këshillin një buxhet të përvitshëm, si pjesë e buxhetit të bashkisë. Kjo do të bëjë të mundur, ndër të tjera, që antarët e Këshillit Bashkiak të plotësojnë detyrimin ligjor për të shkuar te komunitetet dhe banorët që i kanë zgjedhur. Aktualisht për të bërë të tillë takime këshilltarët nuk kanë asnjë mbështetje financiarë nga buxheti i bashkisë dhe, për rrjedhojë edhe angazhimi i tyre në të tillë takime, veçanrisht në zonat rurale është pothuajse i munguar.

“Ndryshimet e propozuara më sipër janë të gjitha të mundshme për t`u bërë dhe për të qenë efektive për zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore. Kundërshtimi i tyre duke i vendosur përpara faktorin kohë, për këdo që mund ta artikulojë është vetëm alibi për mosdakordësinë me to.”

Ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor, me objektiv rritjen e efektivitetit në punën e Këshillave Bashkiake, lidhen me ndërhyrjen në dispozitat sipas të cilave zgjidhen anëtarët e Këshillit Bashkiak. Dispozitat aktuale parashikojnë që kjo zgjedhje të bëhet nëpërmjet votimit të anëtarëve të Këshillit Bashkiak sipas sistemit proporcional me lista të mbyllur. Qytetarët tashmë janë shprehur dhe, sipas ligjit për nismën ligjvënëse qytetarët janë dakordësuar, në një numër më të madh se 20.000 zgjedhës, sa e kërkon ligji, dhe kanë paraqitur kërkesën e tyre të formalizuar në trajtën e projekligjit “Për ndryshime në Kodin Zgjedhor të R. Shqipërisë”. Nëpërmjet këtij projekligji qytetarët propozojnë ndryshimin e mënyrës së votimit për anëtarët e Këshillit Bashkiak. Sipas kërkesës së tyre, votimi duhet të bëhet me lista të hapura. Qytetari duhet të ketë të drejtë të votojë për subjektin zgjedhor që dëshiron por, në të njëjtën kohë ai duhet të ketë të drejtën që, me votë parapëlqyese të votojë edhe për një nga kandidatët në listën shumë emërore të këtij subjekti. Projekt ligji parashikon që mandatet për këshilltarët ju jepen kandidatëve që fitojnë më shumë vota parapëlqyese. Nëpërmjet këtij ndryshimi bëhet e mundur, që cilësia e përfaqësimit të qytetarëve në Këshillin Bashkiak të jetë më cilësore. Ndryshimi krijon mundësinë që në këshill të jenë të përfaqësuar të gjithë komunitetet që bashkëjetojnë në Bashkinë përkatëse. Kjo bën që lidhja midis këshilltarit të zgjedhur dhe zgjedhësve të tij të bëhet më e fortë dhe më shumë funksionale. Për pasojë edhe Këshilli Bashkiak do të këtë mundësi të jetë më shumë efektiv në plotësimin e detyrave të tij dhe plotësimin e nevojave dhe kërkesave të qytetarëve.

Ndryshimet e propozuara më sipër janë të gjitha të mundshme për t`u bërë dhe për të qenë efektive për zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore. Kundërshtimi i tyre duke i vendosur përpara faktorin kohë, për këdo që mund ta artikuloje është vetem alibi për mosdakordësinë me to.

Ndryshimet e propozuara, si u theksua edhe me sipër janë të nxituar nga kërkesat e qytetarëve dhe janë të formuluar duke synuar të jenë zgjidhje që të konvergjojnë sa më shumë me interesat e tyre. Ndërkohë, duke patur parasysh se, në rradhë të parë dhe mbi të gjitha zgjedhjet për organet e pushtetit vendor janë procese që duhet të japin rezultate që t`i shërbejnë sa më mirë dhe në mënyrë sa më efektive interesit të qytetarëve. Në asnjë rast nuk mund të justifikohet mosangazhimi në rregullimet në legjislacion, me synim krijimin e kushteve për arritjen në rezulatate të tilla.