Flet, Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici: Populli shqiptar nuk duhet të jetë i varfër por të jetojë më mirë se çdo popull në Europë

210
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici ka punuar si gjeolog stratigraf mikropaleontolog mbi 12 vjet në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit në Kuçovë, dhe më vonë në Fier. Në terren, për kryerjen e prerjeve stratigrafike, punoi me grupin në Shqipërinë Perëndimore. E dënuan padrejtësisht 5 vjet si punëtor në prodhim. Problemi kryesor, që këmbëngulte, ishte ky: Oligoceni duhej të ndahej në dy kate, dhe jo në tre!! Ky rregullim zgjidhte edhe dy probleme të tjerë shumë të diskutueshëm. Mua më dënuan më 1975, por Kongresi Botëror i Stratigrafisë, në fillim të viteve 1980, vendosi që Oligoceni të ndahej në dy kate!

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

-Ligji nr. 7746 datë 29.07.1993 “Për hidrokarburet (Kërkim-Prodhim)”, ua kaloi këtë të drejtë kompanive të huaja investuese…”.

– Ky ligj i zi antishqiptar është një krim i shëmtuar, dhe duhet anuluar sa më parë, sepse të mbyllësh gjeologjinë do të thotë të mbyllësh portën e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

-Profesor ne kemi zhvilluar bashkë disa intervista, por lexuesi do të dijë shkurtimisht veprimtarinë tuaj në sektorin gjeologjik shqiptar…Si do ta cilësoni nëntokën shqiptare duke u bazuar në punën tuaj?

Vendi ynë është shumë i pasur me burime natyrore. Këtë e dinë të gjithë shqiptarët. Unë do të shënoj më poshtë disa nga studimet e mia për të treguar bindjen time, se çfarë ka Shqipëria Lindore dhe Veriore. Kam punuar si gjeolog stratigraf mikropaleontolog mbi 12 vjet në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit në Kuçovë, dhe më vonë në Fier. Në terren, për kryerjen e prerjeve stratigrafike, punova me grupin në Shqipërinë Perëndimore. Në atë Institut jo vetëm nuk lejohej, por edhe shtypej egërsisht mendimi shkencor personal (diktaturë në shkencë!!). Kush mendonte ndryshe mbi stratigrafinë dhe gjeologjinë, akuzohej për egoizëm profesional, për grindavec, mendjemadhësi, bilé edhe dyshime për sabotim, siç më akuzuan mua. Më dënuan padrejtësisht 5 vjet si punëtor në prodhim. Problemi kryesor, që këmbëngulja, ishte ky: Oligoceni duhej të ndahej në dy kate, dhe jo në tre!! Ky rregullim zgjidhte edhe dy probleme të tjerë shumë të diskutueshëm. Mua më dënuan më 1975, por Kongresi Botëror i Stratigrafisë, në fillim të viteve 1980, vendosi që Oligoceni të ndahej në dy kate!! në përputhje me mendimin tim. Në Shqipëri Oligocenin vazhdojnë akoma sot t’a ndajnë padrejtësisht në tre kate, kundër të gjithë botës! Në fakt, kjo ndarje në kate është e detyrueshme për zbatim në të gjithë botën, siç janë të detyrueshëm për zbatim kilogrami, metri etj.

– Më dënuan padrejtësisht 5 vjet si punëtor në prodhim, pasi këmbëngulja se Oligoceni duhej të ndahej në dy kate, dhe jo në tre!

– Kongresi Botëror i Stratigrafisë në fillim të viteve 1980, vendosi që Oligoceni të ndahej në dy kate në përputhje me mendimin tim.

Kam punuar 18 vjet si gjeolog stratigraf mikropaleontolog në Institutin e Kërkimeve Gjeologjike në Tiranë (1980-1998). Në terren punova me grupin në Shqipërinë Lindore dhe Veriore. Pra, e njoha në terren stratigrafinë dhe gjeologjinë e pothuajse të gjithë Shqipërisë (analizova edhe mikrofaunën në mikroskop). Atje konstatova se gjeologët e Tiranës nuk e njihnin mirë stratigrafinë e Shqipërisë Lindore dhe Veriore, sepse paleontologët e atij instituti nuk ishin të diplomuar në gjeologji, por në kimi- biologji. Dhe ky ishte një gabim trashanik! Prandaj, mendimi i gjeologve të Tiranës, mbi gjeologjinë e Shqipërisë Lindore dhe Veriore, kishte dhe vazhdon të ketë akoma disa gabime të rënda. Në aspektin ekonomik, këto gabime gjeologjike e përjashtojnë padashur perspektivën e jashtzakonshme të Shqipërisë Lindore dhe Veriore për naftë, gaz, alumin etj. Edhe në Institutin e Tiranës ishte e njëjta situatë, sikurse në Institutin e Naftës, prej nga vija i shoqëruar me një dosje të zezë. Kush mendonte ndryshe nga shefat, mbi problemet e stratigrafisë dhe të gjeologjisë, shtypej pa mëshirë (diktaturë në shkencë!!). Më akuzuan si grindavec në shoqëri, egoist profesional, mendjemadhësi.…, dhe jo si opozitar në gjeologji. Padrejtësisht më nxorën në pension para kohe, në moshën 63 vjeçare, megjithëse kisha titull të lartë shkencor, dhe isha aktiv. Ashtu, të dërrmuar shpirtërisht, më hodhën në rrugë të madhe, më 1998.

Gjatë kohës së pensionit u largova me familjen, si emigrant jashtë shtetit. Atje, kur u qetësova shpirtërisht, shkrova disa libra mbi gjeologjinë dhe pasuritë minerare të Shqipërisë Lindore dhe Veriore. Me mbështetjen financiare të familjes së djalit tim, këto libra i botova në Tiranë (në shqip dhe në anglisht).

-Ju keni folur shpesh për një ligj të zi! Cili është ky dhe pse e keni cilësuar kështu?

Po. Ky cilësimi vjen nga Njoftimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës (2008): “Qysh nga viti 1990, shteti shqiptar filloi të heqë dorë për kërkimin e naftës dhe të gazit në territorin shqiptar, Kjo është realizuar në mbështetje të ligjit nr. 7746 datë 29.07.1993 “Për hidrokarburet (Kërkim-Prodhim)”, duke ua kaluar këtë të drejtë kompanive të huaja investuese…”. Ky ligj i zi antishqiptar është një krim i shëmtuar, dhe duhet anuluar sa më parë, sepse të mbyllësh gjeologjinë do të thotë të mbyllësh portën e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Kush i bëri të pasura Vendet Arabe, Norvegjinë etj.? I bëri nafta, gazi dhe mineralet. Edhe Shqipëri-Kosovë ka perspektiva shumë të mëdha për naftë, gaz dhe minerale. Prandaj, të forcojmë studimet dhe kërkimet gjeologjike nga vet shqiptarët në Shqipëri. Kriza e tanishme energjitike, në Shqipëri dhe në botë, duhet të jetë një mësim i madh për ne.

-Ju keni botuar disa libra për pasuritë e nëntokës shqiptare. Çfarë keni përcjellë në këto botime shkencore?

Në situatën e sotme, rrallë kush dëshiron të lexojë librat e mi në Shqipëri. Prandaj, më poshtë do të shënoj shkurtimisht disa nga konkluzionet e shkruara në librat e mi, mbi perspektivën naftë-gazmbajtëse dhe minerare të Shqipërisë Lindore dhe Veriore.

  • Në librin me titull: “Nafta në Albanide (2013)”, dhe në librat me titull: “Nafta dhe Gazi në Shqipërinë Lindore (2021), dhe botimi i dytë (2022)” jepen këto të dhëna:
  1. Perspektiva e jashtëzakonshme për naftë dhe gaz në Shqipërinë Lindore (sipërfaqe rreth 7500 km2), që vazhdon edhe në pjesën më të madhe të Kosovës. Kjo perspektivë është e përafërt me atë të Azerbajxhanit, që prodhon rreth 40 milion ton naftë në vit, dhe shumë gaz (furnizon edhe Europën, nëpërmjet gazsjellësit TAP). Azerbajxhani naftën e ka pasuri strategjike kombëtare. Ai ka kompaninë e fuqishme shtetërore të naftës SOCAR (State Oil Compani Azerbaijan Republic). Edhe Shqipëria duhet patjetër t’a nacionalizojë (shtetëzojë) sa më parë naftën dhe gazin.
  2. Disa kritere të rinj për kërkimin e vendburimeve sulfure të bakër-arit dhe polimetaleve (bakër-plumb-zink-ar-argjend…) në shkëmbinjtë vullkanikë jurasikë të Shqipërisë Lindore. Jepen propozime konkrete.
  3. Diapiret ultrabazikë të Brezit Ofiolitik Mirditë-Kosovë (Shqipëria Lindore dhe Kosova). Këta diapire, sipas autorit janë kontinentalë dhe jo oqeanikë (sikurse mendohet deri tani), sepse kanë shpuar gëlqerorët etj. Diapiret ultrabazikë janë të shumtë në numër, dhe kanë përmasa të mëdha. Disa janë më të mëdhenj se diapiri kripor i Dumresë!! Poshtë tyre (në thellësinë rreth 2000-3000 m) duhet të jenë strukturat gëlqerore të shpuarjes. Gëlqerorët kanë trashësi rreth 4000 m, dhe duhet të jenë naftë-gazmbajtës. Rreth diapireve ultrabazikë takohen shkëmbinj metamorfikë, ku mund të kërkohen edhe diamante!! Struktura diapirike tregon se trupi kryesor i kromitit, që takohet në minierën e Bulqizës, mund të kërkohet edhe në lindje të aksit gjatësor të diapirit (në Batër…).
  • Në librin me titull: “Ndërtimi gjeologjik dhe perspektiva naftë-gazmbajtëse e rajonit të Peshkopisë (zona e Korabit), 2014”, jepen këto të dhëna:
  1. Perspektivë shumë e madhe naftë-gazmbajtëse në gëlqerorët e strukturës së shpuarjes poshtë masivit ultrabazikë të Bulqizës, dhe poshtë masivit të Lurës. Gëlqerorët kanë trashësi rreth 4000 m. Ata duhet të ndodhen rreth thellësisë 2000-3000 m. Diapiri ultrabazik i Bulqizës e ka sipërfaqen rreth 350 km2, kurse diapiri kripor i Dumresë e ka sipërfaqen rreth 250 km2, dhe gëlqerorët ndodhen shumë thellë.
  2. Dy diapiret kriporë të Peshkopisë nuk përfaqësojnë dritare tektonike (vazhdim i kriprave të Dumresë drejt lindjes). Ata janë diapire pa lidhje me Dumrenë. Ata kanë shpuar gëlqerorët e Malit të Gramës, të cilët kanë trashësi rreth 4000 m. Pra, poshtë diapireve kriporë (në thellësi të vogla) duhet të ndodhen gëlqerorët naftë-gazmbajtës të strukturave të shpuarjes. Në diapirin e Llixhave të Peshkopisë kurthi strukturor nuk është i sigurt, dhe këtë e tregojnë ujrat squfurore të llixhave. Në diapirin kripor të Përroit të Gramës (në veri të Peshkopisë) kurthi strukturor është më i sigurt, dhe naftë-gazmbajtja e gëlqerorëve është shumë e mundur. Ky diapir e ka sipërfaqen rreth 40 km2.

Në librin me titull: “Nafta dhe Gazi në Alpet Shqiptare dhe në Cukal (2019)” jepen këto të dhëna: Në Alpet Shqiptare Perëndimore (sipërfaqe rreth 700 km2), pranë kufirit me Malin e Zi, tregohet se ku duhet të ndodhen boksitet e bardha cilësore (xeheror i aluminit, Al2O3). Ato duhet të ndodhen në depozitimet e Kretakut të poshtëm, sikurse në Malin e Zi (lutem, kërkoni në Google: “Genesis and genetic types of karst bauxites”). Boksitet duhet të ndodhen në këto nivele stratigrafike:

  1. Në Berriasian-Valanzhinian takohen depozitime me Charophyta, që janë alge të ujrave të ëmbla liqenore-kënetore. Në këto depozitime i ka Mali i Zi boksitet e bardha cilësore. Studimi i stratigrafisë në Shqipëri i ka përcaktuar depozitimet me Charophyta, por boksitet e bardha, nga ngjyra e ngjashme janë konsideruar si gëlqerorë (pra, janë ngatërruar me gëlqerorët). Paleontologët e Tiranës nuk e kanë ditur se Charophyta janë alge të ujrave të ëmbla. Ata i kanë konsideruar gabimisht si depozitime detare, dhe kështu kanë mohuar padrejtësisht ekzistencën e boksiteve.
  2. Në Barremian-Aptian takohen depozitimet liqenore me Charophyta. Edhe këtu Mali i Zi ka boksite të bardha cilësore, sikurse në Berrias.-Valanzhin.(55% deri 65% Al2O3). Në Mal të Zi shtresat e boksitit të bardhë kanë trashësi mesatare 3-4 m. Atje boksitet e bardha kanë rezerva shumë të mëdha. Edhe në Shqipëri duhet të ketë shumë rezerva. Çfarë duhet bërë për t’i faktuar ato? Në nivelet stratigrafike, që tashmë janë të njohura, duhen marrë kampione për analiza kimike.

-Mendimi i gjeologëve të Tiranës, mbi gjeologjinë e Shqipërisë Lindore dhe Veriore, kishte dhe vazhdon të ketë akoma disa gabime të rënda.

– Në aspektin ekonomik, këto gabime gjeologjike e përjashtojnë padashur perspektivën e jashtëzakonshme të Shqipërisë Lindore dhe Veriore për naftë, gaz, alumin etj

Alpet Shqiptare Lindore, që e kanë sipërfaqen rreth 700 km2 (në veri të Cukalit) kanë perspektivë të madhe për naftë dhe gaz në depozitimet permiane. Dallohen qartë dy struktura të mëdha antiklinale:

  1. Antiklinali gjigant i Dukagjinit, me bërthamë depozitimet e Permianit (ndërthurje pakosh të trasha gëlqerore dhe argjilore). Kurthi strukturor nuk është i sigurt. Me një shpim të cekët me autosondë mund të kontrollohet naftë-gazmbajtja e depozitimeve të pazbuluara permiane dhe atyre më të vjetra paleozoike. Reliefi është i përshtatshëm (lugina dhe kodrina).
  2. Antiklinali gjigant i Valbonës. Bërthama e antiklinalit përfaqësohet nga depozitimet e Triasikut të poshtëm. Me një shpim të cekët me autosondë mund të kontrollohet naftë-gazmbajtja e depozitimeve të pazbuluara të Triasikut të poshtëm (niveli i Portave të Shalës), dhe sidomos depozitimet e Permianit.
  3. Në sektorin e Thethit, dhe në anët e Luginës së Valbonës, takohen gëlqerorë dhe mergele me ngjyrë kafe të çelët dhe të zinj, dhe cipa asfalti. Ata i përkasin Triasikut të mesëm-sipërm (katet Ladinian-Karnian). Pak naftë ka depërtuar me vështirësi nga poshtë, nëpër çarjet, kurse pellgu i naftës duhet të ndodhet poshtë. Me një shpim të cekët me autosondë, të vendosur mbi depozitimet e Triasikut të poshtëm, mund të kontrollohet naftë-gazmbajtja e depozitimeve të pazbuluara të Triasikut të poshtëm, dhe sidomos të Permianit.
  4. E gjithë sipërfaqja e Alpeve Shqiptare Lindore (rreth 700 km2) mund të përfaqësojë një antiklinor gjigant, me interes për naftë dhe gaz në depozitimet e pazbuluara të Permianit të mesëm-poshtëm etj.

-Njoftimi i zi i ME: Qysh nga viti 1990, shteti shqiptar filloi të heqë dorë për kërkimin e naftës dhe të gazit në territorin shqiptar

– Kriza e tanishme energjitike, në Shqipëri dhe në botë, duhet të jetë një mësim i madh për ne.

Në Alpet Shqiptare Lindore, përveç depozitimeve të Permianit, takohen në sipërfaqe vetëm gëlqerorët e Triasik-Liasikut. Gjatë Jurasikut të mesëm-Kretakut, dhe më vonë, Alpet Shqiptare Lindore kanë qenë të ngritura mbi nivelin e detit. Kush i ngriti? Ka shumë mundësi, që poshtë gëlqerorëve të ndodhen gipset e Permianit të mesëm. Alpet Shqiptare Lindore do të përfaqësonin një diapir gjigant të varrosur. Në këtë rast, perspektiva naftë-gazmbajtëse e depozitimeve permiane etj. do të ishte shumë e madhe!

-Këto studime do të thotë se ka me siguri naftë dhe gaz në Shqipërinë Perëndimore?

Pra, naftë dhe gaz ka Shqipëria Perëndimore. Perspektivë të jashtzakonshme, për naftë, gaz, boksite të bardha etj. ka Shqipëria Lindore dhe ajo Veriore. E gjithë Shqipëria ka naftë dhe gaz! Kudo do të hapeshin fronte të reja dhe masive për punësim të përhershëm. Do të rritej shumë mirëqënia e popullit. Do t’i pritej rruga emigrimit masiv të shqiptarëve dhe zbrazjes së tokave shqiptare, Do të forcohej shumë ekonomia e Shqipërisë. Shqipëria ka aq shumë pasuri, sa populli të hajë me lugë floriri!

-Atëhere pse vuan populli ynë nga varfëria?

Sepse nafta, gazi, kromi, bakri, bioksitet etj. duhen nacionalizuar (kombëtarizuar, shtetëzuar). Populli duhet të kërkojë me këmbëngulje nga qeveria, që të anulohet (shfuqizohet) ligji i zi antishqiptar nr. 7746, datë 29 korrik 1993 “Për hidrokarburet (Kërkim-Prodhim)”. Naftën, gazin dhe mineralet duhet t’i kërkojnë dhe shfrytëzojnë vet shqiptarët. Le të nisemi nga Bodari i Përmetit (strukturë shumë e madhe dhe e cekët, me perspektivë të lartë naftë-gazmbajtëse), dhe të vazhdojmë në Shqipërinë Lindore….Mos i besoni aspak tullumbaces së Shpiragut, që është fryrë politikisht jashtë mase! Shpresat tek Shpiragu janë një mashtrim i madh. Kemi 32 vjet që presim. Boll më!!