Prof. Dr. Inxh. Abdyl Koleci/ Tkurren trojet dhe grabiten ujërat e lumit të Radikës

821
Sigal

Profesor Koleci: Problemin e Radikës do e çojmë në Strasburg

*Universiteti i Tetovës

 Dibranët e Dibrës së Madhe janë shumë të shqetësuar për shfrytëzimin pa kriter dhe të papërgjegjshëm të përrenjve dhe ujit të lumit Radikë për ndërtimin e liqenit të Mavrovës që tashmë është ndërtuar, uji i të cilit derdhet në lumin Vardar, në anën e kundërt të rrjedhjes natyrore, si edhe të planit për ndërtimin e minihidrocentraleve të tjera, të cilët ujin e lumit Radikë do ta përshkojnë nëpër tunele  me gjatësi 19,17 km dhe do ta derdhin sërish në lumin Vardar, duke e devijuar rrjedhjen normale të lumit Radikë dhe duke e prishur ekosistemin e kësaj zone të virgjër natyrore, pa e konsultuar fare popullatën e këtushme dibrane.

Sjelljet e shtetit me Dibrën e Madhe i ngjajnë sjelljes sikur me pronën pa pronar. Vendimi për ndërtimin e HC Spilje dhe të liqenit artificial te Dibra e Madhe është marrë nga vitet e ‘60-ta,  ndërsa punimet kanë përfunduar në vitin 1969. Me ndërtimin e digës së këtij liqeni artificial u mbulua edhe Fusha e Udovës (toka më e mirë prodhuese e trevave dibrane) me sipërfaqe prej 1340 hektarë tokë pjellore e klasit të parë, përndryshe ambari i Dibrës së Madhe, ku qyteti me rrethinë siguronte bukën e gojës dhe mirëqenien e vet. Në këtë fushë tepër pjellore prodhoheshin rendimente të larta të drithërave, si misri, gruri  elbi, thekrit, por edhe patatet, specat, domatet,  lakra dhe ku rriteshin edhe shumë pemë frutore cilësore si arra, mollë, dardhë, kumbulla, hardhi etj. Në Fushën e Udovës prodhohej gjer në 30 tonelata patate në një hektar, ndërsa nga varietetet e prodhuara, sasi të konsiderueshme edhe eksportoheshin madje deri në Shkup e Manastir. Me mbulimin e Fushës së Udovës nga liqeni artificial i HC Spile, tashmë Dibra e Madhe është e detyruar që t’i importojë nga jashtë prodhimet e sipërpërmendura, sepse pjesa tjetër e tokës së punueshme tashmë shumë vite ka mbetur pa ujë dhe nuk prodhon asgjë. Shpronësimi i Fushës së Udovës të mbuluar me ujë ndaj bujqve dibranë ishte shumë i lirë, thënë simbolikisht një metër katror tokë pjellore u pagua me çmimin e një akulloreje, çmim që sot e kësaj dite shumë bujq dibranë edhe nuk e kanë marrë. Kjo tokë pjellore u mbulua me ujë dhe kjo pasuri e dibranëve u humb për jetë të jetëve. Kaloi gati gjysmë shekulli që Dibra e Madhe dhe dibranët as nga toka dhe as nga hidrocentrali Spile nuk kanë asnjë përfitim. Ky është edhe shkaku kryesor që i detyroi dibranët nga viti 1969 të emigrojnë masivisht për në SHBA, në kërkim për të siguruar bukën e gojës. Çka është edhe më e keqja, edhe pse është dashur që HC Spile t’i sigurojë ujë fushës së Dibrës së Madhe, kjo çështje ka arritur më 1980 deri në Parlamentin e Maqedonisë, por për fat të keq një obligim apo marrëveshje e tillë nuk është arritur. Ujitja e tokës bujqësore të Dibrës së Madhe me sistemin e motopompave ka funksionuar pjesërisht, sepse bujqit dibranë për shkak të çmimit shumë të lartë të harxhimeve të ujitjes si rezultat i pagesës së energjisë elektrike. Edhe po ta shisnin tërë bereqetin e prodhuar bujqit dibranë nuk mund t’i mbulonin këto harxhime të ujit ku me motopompa merreshin 1.5 m3 ujë /sek. Para se të mbulohej Fusha e Udovës nga liqeni artificial i HC, nga lumi Radika me rrjedhje të lirë merreshin 2m3 ujë në sekondë dhe vaditeshin tokat e punueshme në fshatrat Taranik, Bohmovë, Kojnjarë e gjer në fshatin Sollokiç, ku edhe sot e kësaj dite janë të pranishme vijat (brazdat) e ujitjes. Tashmë edhe kjo pjesë e tokës ka mbetur pa ujë dhe askush nuk po i dëgjon kërkesat e bujqve të këtyre fshatrave. Ky ishte edhe një ndër shkaqet që sollën shpërnguljen fillimisht të fshatrave Taranik, Bohmovë dhe të fshatrave Kojnjarë dhe Sollokiç. Duhet përmendur se fshati Kojnjarë u përmbyt nga ujërat nëntokësorë që dolën nga liqeni artificial i HC Spilje, me ç’ rast këtyre fshatarëve iu dha një ndihmë e vogël sa për të ndërtuar një shtëpi të vogël në Dibër të Madhe dhe asgjë tjetër. Ndërkaq fitimet e hidrocentralit Spilje janë kolosale kundrejt prodhimeve bujqësore. Bile pse të mos ceket edhe fakti se shteti në këtë hidrocentral punësoi rreth 90 persona pjesëtarë të komunitetit maqedonfolës dhe vetëm 9 shqiptarë (punëtorë krahu). Para se të ndërtohej Liqeni i HC Spile të gjitha prodhimet bujqësore ishin ekologjikisht të pastra, ndërsa pas vënies në funksionim të HC Spile u prish edhe ekosistemi natyror që ndikoi të paraqiten edhe sëmundjet e drurit të gështenjës, por edhe perimet sot nuk mund të prodhohen pa pesticide. Është shumë me rëndësi të theksohet se në vitin 1953 në luginën e Mavrovës po në terren të tokave dibrane u ndërtua liqeni i Mavrovës ndoshta më i madhi në botë në lartësi mbi detare rreth 1700-1800m. Këtu duhet ngritur pyetja se kush ia dha atë të drejtë shtetit të atëhershëm Jugosllav që rreth 10m3  ujë të lumit Radikë i cili buron në majat e bjeshkëve të Korabit ku e tërë kjo sasi e ujit është i pijshëm i pastër si loti. Lumi Radikë konsiderohet lumi më i pastër në Europë e më gjerë, nëpërmjet tunelit e tubacioneve mbushi liqenin artificial të Mavrovës dhe prej aty shfrytëzohet për hidrocentralin e Vrutokut (në anë të Gostivarit) dhe derdhet në lumin Vardar për në detin Egje jashtë të gjitha rregullave dhe parametrave natyrorë. Sot në tregun ndërkombëtar çmimi i një litër uji për pije sillet rreth një dollar, kështu që një 1m3/sek për një vit kushton rreth dyzet miliardë dollarë. Me parashikimet në vitet 2020-2025 parashikohet që të ketë mungesë uji për pije.  Kjo ka ndikuar që të prishet tërë sistemi ekologjik nga burimi i lumit Radikë e gjer në digën e liqenit të HC Spilje të Dibra e Madhe. Të moshuarit e mbajnë mend se çfarë bukurie të rrallë natyrore kishte kjo zonë në rrjedhjen e lumit Radikë. Për ndërtimin e segmenteve rrugore me gjerësi prej 5 metrash në gjatësi prej 60 kilometrash në kanionet e lumenjve Radikë dhe Drini i Zi, Qeveria e Maqedonisë në kohën e ish Jugosllavisë, edhe pse ishte e vetmja rrugë e ndërtuar për të lidhur qytetet ndër urbane, e arsyetonte se kjo është bërë që vizitorët e kanionit të Radikës të vozisin më ngadalë për t’i shijuar e përjetuar këto bukuri natyrore. Përkundër të gjitha këtyre të këqijave tani është duke u përgatitur edhe një projekt tjetër që edhe 2,5m3 të ujërave që vijnë nëpërmjet lumit Radikë të përdoren për mini centralet elektrike që pritet të ndërtohen përgjatë lumit Radikë.  Insistohet ajo më e keqja që sërish të prishet edhe më shumë ekosistemi i Fushës së Korabit dhe kanionit të Radikës, që edhe kjo sasi e ujit të çohet në tunel me gjatësi 19,7 km në hidrocentralin e Vrutokut dhe të derdhet në Vardar. Ky devijim i ujërave të  Radikës mund të shkaktojë edhe dëme të tjera në ujërat nëntokësorë me të cilat furnizohet baseni i ngrohtë i ujërave termale të llixhave të Dibrës por mund që të shkaktojë edhe ndonjë tërmet  në tërë zonën e kësaj ane. Dihet se tërmetet vazhdimisht e përcjellin këtë zonë. Dibranët në vazhdimësi e kanë lutur Zotin për një demokraci të mirëfilltë që edhe ujërat e Radikës t’u kthehen njëherë e përgjithmonë Dibrës dhe dibranëve, sepse Radika është pasuri e Zotit dhe kjo pasuri me shekuj u ka takuar dibranëve që së bashku edhe me pellgun e Drinit të Zi me rrjedhjen në drejtim të Detit Adriatik. Ataku tejet dëmprurës i është bërë Dibrës së Madhe edhe me ndarjet territoriale ku janë krijuar komunat Qendra Zhupë dhe Mavrovë- Rostushë, duke e tkurrur territorin dhe popullsinë e Dibrës së Madhe. Kështu që Dibra e Madhe sot ka mbetur me 20 mijë banorë dhe me territor prej 145 kilometra katrorë. Ne dibranët do t’i luftojmë këto çështje dhe këto padrejtësi me të gjitha mjetet e mundshme paqësore e demokratike, do t’i drejtohemi së fundit edhe Gjykatës së Strasburgut për t’i mbrojtur dhe për t’ia kthyer lumin Radikë dhe këto bukuri Dibrës së Madhe. Ekziston një marrëveshje ndërshtetërore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë që nga diga e liqenit artificial të HC Spilje të Dibrës së Madhe në drejtim të Shqipërisë duhet të derdhen nga 45m3 ujë në sekondë, gjë që nuk ndodh as për së afërmi dhe më vjen çudi pse Shqipëria nuk interesohet për këtë çështje(!). Dibranët do të kërkojnë nga organet kompetente shtetërore të Maqedonisë që Drejtoria e HC Spilje, ka kaluar nga Dibra e Madhe në Strugë, të kthehet sërish në Dibër të Madhe. Dibranët do të kërkojnë gjithashtu që edhe shumë kompetenca të gjyqësorit nga Gostivari, si edhe kompetencat e Drejtorisë së të zyrave publike të kthehen sërish në Dibër të Madhe. Pa realizimin e këtyre kërkesave Dibra e Madhe nuk do ta ketë funksionalitetin dhe dinjitetin e merituar si qytet