Spitali në kushte të mjerueshme, mungojnë dhe serumet

296

ELBASAN- Mungesë medikamentesh deri tek serumet, kushte higjieno-sanitare jo të mira dhe shërbim dhe jo përkushtim të bluzave të bardha ndaj pacientëve, janë disa nga dukuritë me të cilat ndeshen qytetarët e Elbasanit në qendrën spitalore Xhaferr Kongoli. Mungesa e ilaçeve, blerja e tyre tek farmacitë që rekomandojnë mjekët, është kthyer në një fenomen masiv gjatë kohëve të fundit në këtë spital. Ndërkohë, me gjithë se shqetësimet e më sipërme janë të njohura, drejtuesit e këtij institucionin duket se janë pajtuar me këtë situatë dhe nuk po kujtohen të vihen në lartësinë e kërkesave të detyrës për të cilën paguhen. “Unë kam nënën në këtë spital që kurohet prej disa javësh. Shumicën e ilaçeve, më duhet t’i blejë vetë, pasi këtu nuk ka. I blej tek një farmaci këtu afër, ku më rekomandon mjeku. Bile, nuk ka deri dhe antibiotikë e serume. Mos paç hall, pasi nuk gjejnë zgjidhje”,- shton 32-vjeçari F. Baitaji. Shqetësimet e mësipërme na i konfirmuan për gazetën “Telegraf” dhe shumë pacientë e familjarë të tyre që takuam dje në mjediset e spitalit. Ndërkohë, mjediset funksionale e ato ndihmëse në këtë institucion, reflektojnë papastërti dhe mungesë të përkujdesjes për mirëmbajtjen e tyre. Qytetarët i bëjnë apel drejtuesve të shëndetësisë në Elbasan dhe ministrisë përkatëse, të ushtrojnë kontroll dhe të marrin masa të përmirësohet situate.