Kryesindikalisti Përkoxha: Mbi 620 minatorë shfrytëzohen si në mesjetë

524
Sigal

BULQIZË/ Dilaver Përkoxha: Punëdhënësi nuk zbaton kontratën e firmosur nga Ilir Meta më 2001

Gjendja e minatorëve të Bulqizës është e vështirë, ndërkohë që mungesa e kushteve të punës, ka bërë që bilanci i viktimave të jetë i përafërt me bilancin e një lufte frontale. Ndërkohë, nëse një minator apo një sindikalist ngre zërin për plotësimin e kushteve të punës e detyrimeve në kontratë (atë kolektive dhe individuale), punëdhënësi hakmerret deri në ndërprerjen e kontratës së punës. Këtë e konfirmon për gazetën “Telegraf” kreu i Konfederatës së punëtorëve për Bulqizën. “Gjendja e minatorëve të Bulqizës, rreth 660 personë, është tejet e vështirë, jo me ndryshime të shumta nga ajo e mesjetës. Na shfrytëzojnë, nuk marrin masa për sigurimin e jetës e na paguajnë shumë pak nga ajo që na takon. Për më tepër, siç bëra dhe unë, kur kundërshton të firmës kontratën individuale që është diskriminuese, të largojnë nga puna. Shumë nga pikat e kontratës së nënshkruar që kur ishte kryeministër Ilir Meta, nuk i zbatojnë. Shumë shokë na kanë mbetur në galeri, kanë dhënë jetën, e nëse shteti nuk ndërhynë, nuk këmbëngul, situata do të vazhdoj e tillë”- pohon Përgoxha…

Zoti Përgoxha! Si është situata në galeritë e Bulqizës?

-Si mos më keq. Janë 620 punëtorë që shfrytëzohen nga punëdhënësi, i cili nuk u jep as detyrimet më elementare që kërkon puna e minatorit. Këtë e them me përgjegjësi si minator i nëntokës dhe si kreu i Konfederatës së Minatorëve, ndonëse më kanë larguar (e kundërligjshme kjo) nga puna se kundërshtova të firmos kontratën individuale që nuk na siguron as minimalen, sigurinë e jetës… Të kuptohemi, këtë nuk e kërkoj vetëm unë, por minatorët që nuk u plotësohen kushtet…

Cilat janë kushtet që nuk u plotëson punëdhënësi?

-Janë shumë, por unë po përmend vetëm disa… Ka një kontratë që është bërë atëherë, në vitin 2001 midis ish-kryeministrit Ilir Meta dhe “Darfo” me detyra të ndërsjellat.. Sot, punëdhënësi i ri nuk i zbaton… Mungojnë kushte e punës, mjetet më elementare të punës, dalje rezervë për të shpëtuar jetën në rast aksidenti, nuk jepet antidota (qumështi kundër helmeve të nëntokës), pagat janë të ulëta, etj… Le që presionet me largime nga puna janë të vazhdueshme, që nga administrata këtu në Bulqizë, e deri në Tiranë… Këto e shumë të tjera kanë sjellë dhe shumë aksidente. Ndodh dhe kështu, që familjes së viktimave nuk u jepet dhe dëmshpërblimi?

Një shembull në këtë aspekt?

-Po. Familjes së minatorit, shokut tonë Bujar Caroshi që vdiq në galeri më 15 qershor 2013, ende familjes nuk i është dhënë shpërblimi 6.2 mln lekë sipas kontratës kolektive…

Kanë reaguar drejtuesit e Konfederatës Kombëtare të Minatorëve për këtë situatë?

-Në dukje po.. Tafë Koleci e di mirë situatën… Por Konfederata është bërë palë me punëdhënësin, në kurrizin tonë… Ne kemi bërë dhe greva, por jemi vënë nën presionin e punëdhënësit në çdo hap e në çdo kërkesë… Kështu ndodhi dhe në grevën e urisë që planifikuam me disa minatorë, por që e ndërpremë pasi ministri Damian Gjiknuri na premtoi takim e bisedim rreth kërkesave tona…

U ka pritur Gjiknuri?

-Po, na pritën sot (të mërkurën) të ngarkuarit e tij dhe kanë afruar zyrtarisht (me shkresë) ndjekje të problemit dhe punëdhënësit… Presim reagimin e punëdhënësit për kushte, e sigurisht, rikthimin në galeri të personave të pushuar padrejtësish nga puna…