Prof. Dr. Bajram Hysa/ Zgjidhja është arsimimi!

572
Sigal

Kohët e fundit vihet re se vëmendja qeveritare është përqendruar te përshpejtimi i procesit të legalizimeve të zonave informale. Kjo lexohet si përgjegjësi e politikëbërësve aktualë për të ndërmarrë veprime të shpejta, si një përqasje e vëmendshme ndaj problemeve të mëdha sociale. Por ne të mjekësisë e dimë mirë se diagnostifikimi total mund të kryhet vetëm në rastin e autopsisë. Ndaj procesit duhet t’i shkohet deri në fund, duhet vepruar në kohë, me gjithë rreziqet që mbartin këto fenomene, duke nxjerrë edhe mësime prej gabimeve të tilla, në mënyrë që të ndërtohen përqasje të vëmendshme, vizione dhe prioritetet të reja për të ardhmen. Këtu nënkuptohet edhe respektimi i dinjitetit dhe diversitetit të të gjithë njerëzve në sovranitetin dhe të drejtën e tyre private, siç janë pronarët e ligjshëm të tokave, zgjidhja për të cilët nuk duhet të vonojë. Legalizimet, padyshim, janë një problem i madh shoqëror, politik dhe ekologjik.

 Konceptet bazë për një sistem vlerash

Duhet të kemi parasysh se treguesit e rritjes demografike dhe flukset masive dhe të pakontrolluara të migrimit të brendshëm kanë sjellë një rritje dhe përqendrim të popullsisë, që nuk ka ardhur si rrjedhojë e pjellorisë së natyrshme, por si nivel mbijetese. Aktualisht, vihet re një fenomen. Ndërsa niveli i vdekshmërisë dhe i sëmundjeve në këto zona është ulur disi, falë vaksinimeve, përdorimit të antibiotikëve e kështu me radhë, niveli i arsimimit bazë të popullsisë është në kuota mjaft simbolike, për të mos thënë që në shumë raste mungon krejtësisht. Pra përballë këtij zhvillimi kaotik dhe shpesh herë të padukshëm, njerëzit duhen ndihmuar që të mbijetojnë. Jo thjesht të vishen, të ushqehen apo të kenë një certifikatë pronësie, duke u legalizuar banesat. Para së gjithash, ata duhet të arsimohen. Kjo do të ishte një kthesë e rëndësishme në mbijetesën dhe të ardhmen e tyre. Shëndetësia, ushqimi dhe arsimimi janë tri koncepte bazë për të mirëfunksionuar një sistem vlerash njerëzore e demokratike. Kur mungon arsimimi, do të ketë gjithnjë vetëm njerëz të varfër që nuk kanë mundësi të luajnë as gishtin për të përfituar nga “të mirat e konsumit”. Po kështu do të ketë më shumë krime e drogë, kriza endemike besimi, të cilat nuk do u ndahen kurrë krizave ekonomike e financiare familjare. Kësisoj do të degradojë, përfundimisht, zhvillimi i burimeve njerëzore. Qytetarët e këtyre zonave do të ktheheshin kështu në një problem të madh për çdo lloj qeverisjeje, madje qeverisja dhe të gjithë ne si shoqëri do të paguanim një çmim të shtrenjtë për këtë neglizhencë dhe pakujdesi.

Jo thjesht një veprim teknik

Paqja dihet që kushton shumë më pak se një luftë, ndaj duhet investuar në mënyrë të shpejtë për të mbrojtur veten dhe shoqërinë nga ky rrezik imediat. Arsimimi është rruga më e mirë, strategjia më e mirë parandaluese. Ndaj duhen ndërmarrë masa urgjente për të investuar në arsim e shëndetësi. Mungesa e arsimimit bazë, apo arsimimi i mangët në këto vite të tranzicionit, ka sjellë pasoja për të ardhmen e fëmijëve dhe adoleshentëve. Të ardhurit nga zona atë thella janë përpjekur të përballojnë problemin e mbijetesës, për të gjetur rrugë për një situatë të mirë financiare, për të patur shtëpi, ushqim dhe ujë të pastër. Pra, shteti duhet të sigurojë shëndetësi dhe arsim për qytetarët e legalizuar. Ndryshe do të ecet kuturu, nuk do të krijohet perspektiva e vërtetë për këta njerëz. Këtyre njerëzve, që jetojnë jetët e tyre të përditshme në situata lokale, si pasojë e mungesës së kujdesit shëndetësor dhe arsimimit, iu krijohet ndjesia e pafuqisë dhe e paaftësisë për të ndikuar e vepruar mbi problemet madhore të ditës, siç është integrimi evropian i vendit. Për ironi të situatës, shumë prej këtyre njerëzve mbeten ende jashtë sistemit, jashtë bashkësisë politike, arsimore e kulturore. Kjo do të ishte mjaft fyese nëse nuk riparohej. Demokracia është një proces ku të gjithë duhet të ndjehen të përfshirë. Duke u dhënë këtyre banorëve një certifikatë pronësie, qeveria do të realizonte thjesht një veprim teknik, por jo një strategji veprimi të vazhdueshëm.

Perspektivë, jo avantazh politik

Sot kemi të dhëna jo fort të pëlqyeshme statistikore, sipas të cilave, analfabetizmi funksional në Shqipëri zyrtarisht ka prekur mbi 10% të popullatës së vendit, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë në zona informale. Me projekte afatshkurtra dhe afatmesme duhet të investohet në infrastrukturën arsimore dhe shëndetësore të zonave informale, jo duke arritur të paarritshmen. Kështu do të shmangeshin edhe një pjesë e fenomenit të shfrytëzimit të punës së fëmijëve që punojnë në të zezë, apo të fëmijëve të mitur që bredhin rrugëve për të shitur ndonjë send. Veprimi institucional në fushën e arsimimit në këto zona duhet të jetë globalisht i orientuar, dhe në të njëjtën kohë i rrënjosur dukshëm në realitetet dhe mundësitë e së tashmes. Ky nuk është thjesht një sugjerim intelektual “ex catedra”. Si dekan i një fakulteti të madh me mijëra studentë, që vëzhgojnë çdo lëvizje dhe i janë dedikuar kërkimit shkencor mjekësor, aq sa dhe zhvillimit të demokracisë, e di se duhen bërë urgjent veprime të tilla  korrektuese, me një pasion këmbëngulës dhe të thellë, për të shmangur pengesat dhe gremisjet e mundshme. Ndryshe përfundimi i procesit të legalizimeve nuk do të krijonte asnjë perspektivë reale, por thjesht një avantazh cinik politik. Pra, edhe perspektiva në këtë rast do të ishte cinike, si parabola e njeriut dhe e aftësisë së tij për të përqeshur vetveten. Kur punojmë së bashku për të zgjidhur problemet, për të ndarë të mirat dhe për të përballuar krizat e jetës me solidaritet e dinjitet, edhe sistemi politik funksionon më mirë, shpall papajtueshmërinë me shkatërrimin, intolerancën, konfuzionin, paralizën dhe kolapsin. Nuk duhet të harrojmë që kultura e demokracisë rritet prej së poshtmi, prej periferive dhe fshatrave, rrënjët ku njerëzit jetojnë e punojnë.

Që të kultivohet një qytetari reale

Procesi i legalizimeve nuk duhet parë me syrin e përfitimit të shpejtë. Duhet ndryshuar mënyra e tanishme e të jetuarit dhe pjesëmarrjes në demokraci. Njerëzit nuk duhen konsideruar thjesht numra që u jepen një numër pronësie në certifikatën e hipotekës. Ata, pikë së pari, duhet të kenë rëndësi si qytetarë. Kjo do të ishte kultura më e mirë e integrimit, siguria e së nesërmes. Por, e theksojmë, ky është një proces që kërkon shumë mësues dhe shumë shkolla, kërkon prindër të emancipuar, edukatorë , tekste librash, biblioteka. Kërkon mbi të gjitha autoritet. Në veçanti nga autoritetet lokale, me qëllim që atje të kultivohet një qytetari reale. Këto përgjegjësi duhen pranuar, në rast se synojmë integrimin e vërtetë. Kjo është një përgjegjësi që duhet të jetë tërësisht institucionale. Bashkësia e të legalizuarve duhet të pranojë sfida dhe ndikime të papritura, me qëllim që koha të mos ngrijë në vend. Herakliti, rreth 2500 vjet përpara, na mëson se askush nuk mund të lahet dy herë në të njëjtin lumë. Ne duhet të lëvizim drejt ndryshimeve si bashkësi, gjersa kërkojmë të firmosim kontratën definitive me Evropën. Njerëzit, pavarësisht ku banojnë, duhet të shihen si një produkt kulture, që të mos vazhdojmë të gërryejmë pjesë të vetvetes sonë. Vërtet që migrimi në periferi të qyteteve të mëdha krijoi një tharje rurale. Por me dhënien fund të legalizimeve dhe me politika favorizuese për fermerët në zona të thella, do të ketë patjetër një stopim te migrimit të brendshëm dhe braktisje të fshatrave.