Prof.Asoc. Dr. Arben Cici
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Apatia historike nuk është thjesht mungesë kurioziteti për të kaluarën. Ajo përkufizohet si mungesa e interesit aktiv, emocioneve apo angazhimit ndaj njohjes, kuptimit dhe ruajtjes së përvojës kolektive që rrjedhin nga e kaluara e komunitetit, kombit apo edhe njerëzimit në tërësi. Kjo apati nuk është vetëm një moskujdesje e zakonshme ndaj një lënde shkollore, por shpeshherë përfaqëson një distancë më të thellë nga përkatësia dhe vetëdija kulturore

Në një epokë të dominuar nga teknologjia e vrullshme, rrjetet sociale joshëse dhe një fluks i pandërprerë informacioni të përkohshëm, një nga viktimat më të heshtura të këtij realiteti modern është historia. Në kohët e sotme, ku e tanishmja sundon perceptimin dhe ku e ardhmja komercializohet në formën e “inovacioneve të radhës”, historia është duke u përjashtuar gjithnjë e më shumë nga horizonti i brezit të ri. Brezat e rinj, gjithnjë e më tepër, po distancohen nga e kaluara, po e perceptojnë historinë si të largët, të mërzitshme dhe shpeshherë të parëndësishme për të tashmen apo të ardhmen. Ky përjashtim nuk është rastësor. Kjo mungesë interesi nuk është vetëm një fenomen kulturor. Ajo është rezultat i një ndërthurjeje faktorësh edukativë, kulturorë dhe teknologjikë, që i kanë kthyer të rinjtë në konsumatorë të informacionit të çastit dhe jo të dijes me rrënjë të thella historike; është një çështje që prek thelbësisht edukimin, identitetin kombëtar dhe kohezionin shoqëror. Ajo është një sprovë jetike përballë shoqërisë, qeverisë, shkollës dhe familjes. Pyetja që duhet të shtrojmë me urgjencë është: përse të rinjtë nuk e lexojnë më historinë dhe çfarë pasoja ka kjo për një shoqëri që pretendon të ecë përpara pa e kuptuar nga vjen?
Çfarë është apatia historike?
Apatia historike nuk është thjesht mungesë kurioziteti për të kaluarën. Ajo përkufizohet si mungesa e interesit aktiv, emocioneve apo angazhimit ndaj njohjes, kuptimit dhe ruajtjes së përvojës kolektive që rrjedhin nga e kaluara e komunitetit, kombit apo edhe njerëzimit në tërësi. Kjo apati nuk është vetëm një moskujdesje e zakonshme ndaj një lënde shkollore, por shpeshherë përfaqëson një distancë më të thellë nga përkatësia dhe vetëdija kulturore. Filozofi George Santayana (1905) ka thënë se “ata që nuk e kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë”, një thënie që shpërfaq pasojat e largimit nga historia.
Fatkeqësisht kjo ndjenjë apatie është bërë një fenomen global dhe manifestohet në disa forma:
Mungesa e njohurive bazë për ngjarje kyçe historike, mospjesëmarrja në aktivitete përkujtimore apo kulturore, shmangia e leximit të librave historikë, si dhe perceptimi i historisë si ideologji e detyruar apo monotone janë disa nga format më të dukshme e të rrezikshme të këtij fenomeni sfidues.
Cilat janë arsyet e mungesës së interesit të brezit të ri ndaj historisë:
Kjo mungesë interesi nuk është spontane. Disa nga arsyet kryesore janë:
- Ndryshimi i mënyrës së marrjes së informacionit.
Të rinjtë sot nuk mësojnë përmes formave tradicionale të transmetimit të dijes. Mënyra se si të rinjtë marrin informacion është transformuar rrënjësisht në epokën digjitale. Historia kërkon kohë, reflektim, lexim të thelluar dhe analizë të ndërlikuar, ndërkohë që kultura moderne promovon përmbajtje të shpejtë, vizuale dhe të fragmentuar. TikTok, Instagram apo YouTube ofrojnë fragmente “fun facts” por jo kuptim historik. Studimet e Linda McNeil (2010) tregojnë se përdorimi i mediave digjitale ka zvogëluar ndjeshëm kapacitetin e përqendrimit dhe gatishmërinë për të lexuar tekste të gjatë dhe të ndërlikuar, përfshirë librat e historisë.
b.Didaktika tradicionale dhe mungesa e narrativës personale motivuese
Shumë sisteme arsimore, përfshirë atë shqiptar, vazhdojnë të përdorin metoda të mësimdhënies që nuk i përputhen nevojave, kërkesave, shijeve dhe interesave të brezave digjitalë. Tekstet janë shpesh të thata, të zbehta, pa sistem dhe kronologji tërheqëse, të mbushura me data dhe emra dhe jo me histori njerëzore që frymëzojnë dhe nxisin empatinë dhe kërshëri për t’u lexuar. Për të nxitur interesin, historia duhet të mësohet përmes pyetjeve kuptimplota dhe përmes eksplorimit të dilemave morale, përmes gërshetimit me të tashmen, jo përmes një përshkrimi të thatë faktesh e ngjarjesh. (Barton & Levstik, 2004).
- Politizimi i historisë
Kur historia përdoret e perceptohet si mjet politik, si një rrëfim i kontrolluar nga pushteti i radhës, si një debat i pakuptimtë partiak dhe jo si pasqyrë e së vërtetës, atëherë tek të rinjtë formohet mosbesim, indiferencë madje deri në neveri. Në shumë raste, edhe në Shqipëri, historia mësohet në mënyrë selektive, sipas maxhorancave qeverisëse, duke glorifikuar disa figura dhe duke anashkaluar të vërteta të pakëndshme. Akademiku dhe historiani francez Pierre Nora e përshkruan mjeshtërisht këtë fenomen mjegullues në kryeveprën e tij “Les lieux de mémoire”, si vende të një kujtese të rreme, ku historia bëhet simbolikë në shërbim të mitit kombëtar, jo të së vërtetës.
- Dominimi i kulturës së konsumit dhe hedonizmit të menjëhershëm
Kultura e sotme promovon argëtimin, suksesin personal, modelin mospërfillës e aventurier dhe përfitimin flakërues, të rrufeshëm e të çastit, duke krijuar një gjendje të përhershme shpërqendrimi, hutimi e shushatjeje; e kundërta e mendimit dhe reflektimit historik që kërkon durim, përqëndrim, vëmëndje dhe arsyetim të thelluar. Kjo bën që historia të perceptohet si e padobishme, e pavlefshme dhe pa interes për jetën e përditshme.
Cilat janë pasojat psikologjike, sociale të apatisë historike?
Në një shoqëri ku të rinjtë nuk njohin historinë e saj, pasojat janë të rënda dhe afatgjata:
- Erozioni i identitetit dhe përkatësisë. Të rinjtë që nuk e kuptojnë historinë e vendit të tyre kanë më pak ndjenjë identiteti. Historiani Eric Hobsbaëm (1997) theksonte se identiteti kolektiv nuk është i mundur pa kujtesën historike. Pa një narrativë të përbashkët, komunitetet shpërbëhen në grupe individësh të izoluar. Pa njohjen e rrënjëve, një brez rritet pa ndjesinë e përkatësisë. Kjo dobëson ndjenjën e përgjegjësisë qytetare dhe solidaritetit shoqëror.
- Dështimi për të analizuar të tashmen. Historia nuk është thjesht për të mësuar se çfarë ndodhi, por për të kuptuar pse ndodhi dhe si mund të shmangen katastrofat si luftërat, diskriminimi, diktaturat. Studimet mbi arsimimin historik tregojnë se mungesa e analizës historike çon në formimin e një shoqërie amorfe dhe të paaftë për të kuptuar rrënjët e fenomeneve negative të kohëve të sotme, siç janë populizmi, nacionalizmi ekstrem dhe autoritarizmi.
- Hapësirë për manipulim dhe dezinformim. Një brez që rritet me mangësi dije historike dhe pa njohuri të domosdoshme dhe të thelluara historike formon një shoqëri të tërë më lehtësisht të manipulueshme nga narrativat e rreme dhe propaganda sipërfaqësore e informacioni malinj. Ai bëhet më i prekshëm ndaj rëfimeve simuluese, populizmit dhe keqinformimit të qëllimshëm duke humbur thelbin për t’u përhumbur në cekëti. Historiani Timothy Snyder paralajmëronte se “në mungesë të historisë, mitet marrin fuqi”.
Çfarë mund të bëhet për të rindezur interesin për historinë?
Ky problem nuk është i pakurueshëm dhe i pakthyeshëm. Ka disa mënyra efektive për të nxitur angazhimin historik të brezave digjitalë dhe të shoqërisë së sotme:
- Reformimi i kurrikulës historike. Qasja e re didaktike duhet të fokusohet në mendimin kritik dhe ndërtimin e interesit ndaj historisë. Sot propozohet përdorimi i “historisë konceptuale”, që ndihmon nxënësit të mendojnë si historianë, jo vetëm të mësojnë si nxënës. Në këtë mënyrë mund dhe duhet të kalojmë nga një mësim i bazuar në memorizim të fakteve drejt një qasjeje narrative, analitike dhe njerëzore të historisë. Të rinjtë duhet të kuptojnë jo vetëm “çfarë” ndodhi, por “si” dhe “pse” ndodhi.
- Teknologjia si mjet, jo si pengesë. Aplikime të realitetit virtual, që simulojnë ngjarje historike, dokumentarë interaktivë ose platforma si “Facing History and Ourselves” mund të sjellin historinë më afër brezit të ri. Përdorimi i teknologjisë në mënyrë reflektive mund të përmirësojë përthithjen e përmbajtjes historike. Edhe platforma si podcast-et, aplikacionet mobile për muze dhe realiteti virtual mund të sjellin historinë më pranë brezit të ri në gjuhën e tyre.
- Histori nga komuniteti dhe përfshirje emocionale. Historia nuk i përket vetëm perandorëve, udhëheqësve politikë, luftërave dhe paqes. Rrëfimet personale janë forma të fuqishme edukimi. Gjenocidi, diktaturat, eksodi, rezistenca, kur tregohen nga të mbijetuarit apo familjarët, dëshmi të dorës së parë, kanë efekt të fortë në ndërgjegjen e të rinjve e për pasojë në atë sociale. Rëndësia e “narrativës së vetes”, lidhja mes autobiografisë dhe historisë është mjet i fuqishëm për të rizgjuar empatinë, vëmëndjen dhe interesin.
- Aktivizimi përmes projektit dhe kujtesës aktive. Përfshirja e të rinjve në projekte për restaurimin e vendeve me vlerë historike, përkujtimore për viktimat e regjimeve të kaluara, ekspozita apo hulumtime të pavarura historike mund të krijojë lidhje personale me historinë dhe të zgjojnë interesin e ndërgjegjësimin e tyre ndaj përkatësisë e trashëgimisë historike kombëtare. Angazhimi i tyre në projekte kujtese (vizita në kampe përqendrimi, monumente përkujtimore, ekspozita) ka ndikim të madh në edukimin historik dhe ndihmon formimin qytetar të tyre.
Shembuj dhe përvoja konkrete nga vendet e tjera.
Aktualisht në Gjermani edukimi historik mbi periudhën naziste, mbi Holokaustin është bërë pjesë thelbësore e kurrikulës dhe trajtohet me vërtetësi, përgjegjësi dhe metoda interaktive. Për të ndihmuar edukimin historik organizohen vizita në memoriale si dhe diskutimet etike mbi historinë e Luftës së Dytë Botërore. Në Finlandë, në mënyrat e narrativës historike është bërë normë promovimi i historisë së hapur, jo-narrativë e mirëfilltë kombëtare, por kritike dhe reflektuese. Korea e Jugut është shëmbulli se si historia mund të ndërthuret me edukimin digjital dhe dokumentarë të animuar për të rinjtë në dobi të formimit të ndërgjegjes së tyre historike dhe interesit për të njohur të kaluarën. Gjithandej ku ka një ndërgjegjësim për këtë çështje, vizitat jashtë-shkollore nuk janë formale, ekskursionet e nxënësve në qytete të ndryshme janë tematike dhe udhëtimet e tyre në pika turistike janë angazhim interaktiv.
Roli i institucioneve dhe familjes.
Edukimi historik është një mision kolektiv. Rindërtimi i interesit historik nuk mund të mbështetet vetëm te shkolla. Universitetet, bibliotekat, mediat, OJF-të dhe vetë prindërit duhet të ndërtojnë një një frymë, një klimë e një ambient ku historia diskutohet, vlerësohet dhe përjetohet si pjesë e jetës së përditshme.
Fatkeqësisht, për shumë arsye, prindërit sot nuk lexojnë histori bashkë me fëmijët e tyre, mediat nuk transmetojnë mjaftueshëm dokumentarë cilësorë dhe emisione edukative, qendrat rinore nuk organizojnë debate historike, shfaqje teatrore mbi tema historike, vizita në muze, OJF-të shumë pak kanë në fokusin e projekteve të tyre çështje historike dhe transparencën ndaj tyre.
Në Shqipëri, institucionet përgjegjëse, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoritë arsimore përkatëse për të rikthyer interesin e të rinjve tek historia u duhet të rikthejnë lëndën e historisë nga pozicioni inferior, pothuajse fakultativ, atë përparësor në kurrikulat e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme, përfshi provimin e maturës. Do t’u duhet këtyre institucineve përgjegjëse të jenë shumë të kujdesshme dhe të vëmëndshme në përzgjedhjen e kritereve, jo vetëm të stafit mësimdhënës për lëndën e historisë në këto cikle shkollore, por edhe të teksteve dhe metodave mësimdhënëse. Në vijëmësi kërkohen zbatimi i politikave motivuese dhe nxitëse për studentët e degës së historisë në ciklin universitar dhe më tej, punësimin dhe specializimin e tyre në fushat përkatëse.
Së fundi, historia është më shumë sesa e shkuara. Ajo është një pasqyrë ku mund të shohim veten, një mjet për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Nëse të rinjtë nuk e lexojnë më historinë, atëherë rrezikojmë të prodhojmë breza që nuk e njohin vetveten dhe që janë të verbër ndaj cikleve të padrejtësisë, urrejtjes dhe përsëritjes së tragjedive.
Të rinjtë nuk janë apatikë nga natyra, por janë produkt i një shoqërie që shpesh ua mohon lidhjen me rrënjët e veta. Rindërtimi i marrëdhënies me historinë kërkon më shumë se reforma arsimore; kërkon një kthesë kulturore, një rifillim të dialogut ndërbrezor dhe një narrativë të re, që ndërton urë midis të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Rizgjimi i interesit ndaj historisë është edhe një mision kulturor dhe shoqëror. Nuk është i lehtë, por është i domosdoshëm. Sepse kur e kaluara hesht, rrezikon të flasë e ardhmja me gjuhën e gabimeve të përsëritura.
*Mbajtur gjatë debatit në Komisionin e Përhershëm të Historisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.




















