Prof. Dr. Ago Nezha/Pulo Nezha, arkitekti me fantazi te arte.

1071
Sigal

Jeta, është një arenë cirku, ku individi vritet në orbitën e saj plot energji fizike e mendore, duke shpalosur aftësitë dhe talentin e tij gjenetik. Jo me të gjithë jeta sillet njësoj. Dikë e përkëdhel, e dikë e privon, e persekuton pa mëshirë nga mirësitë e kësaj bote. Shoqëria njerëzore, nuk ka barazi. Ka njerëz, që gjatë jetës së tyre, i japin shumë shoqërisë dhe marrin pak prej saj. Dhe anasjelltas, i japin pak dhe marrin në mënyrë të pa merituar atë që s’u takon. Këtë bilanc, mund ta bësh pa kompromis, në një shoqëri me demokraci të emancipuar.

Fëmijëri pa përkëdhelje prindërore

Një ndër ata njerëz, që punoi, krijoi dhe u sakrifikua pa u shpërblyer për gjenin e tij si arkitekt i talentuar, ishte  Pulo Nezha. Ai, u privua nga biografia. Rastësia e pruri, që babai i tij, Shyqyri Nezha, të vritet në luftën e Dukatit, me forcat e brigadës së parë dhe të pestë që provokuan fshatin, në mesnatën e 1 dhjetorit të vitit 1943. Kjo tragjedi, u bë shkak që Pulon, ta shoqëronte si një hije ogurzezë në çdo hap të jetës së tij. U rrit jetim, mes skamjes dhe skëterrës së biografisë. Vetminë fëminore, e mbështolli me përkujdesjen e xhaxhait të tij Riza Nezhës, në kushtet e jetës së fshatit, ku megjithëse kishin kapital, niveli i jetesës ishte disi feudal. Është e pabesueshme, që fëmijëria të konvertohet me përgjegjësi për të siguruar mjetet e jetesës. Si të gjithë fëmijët e moshës së vegjëlisë, në fshat jeta ishte tepër e vështirë. Të gjithë ishin të angazhuar në detyra bujqësore ose blegtorale. Punët e bujqësisë kryheshin në fushë, ndërsa ato të blegtorisë maleve të Vetëtimës, të njohura si malet  Akrokeraune, mes pyjeve dhe kafshëve të egra, si ujqër, derra, e çakejtë, që krijonin një simfoni të frikshme natën, me ulërimat e tyre korale. Ishte kohë primitive, që lodrat fëminore ishin zëvendësuar me kullotjen e bagëtive në mal, me punë bujqësore në fushë, me bel e drapër, ku shkolla quhesh e dorës së dytë. Pulos, si gjithë moshatarët e tij, i duhesh që sa të kthehesh nga shkolla, të linte librat në një qoshe të konakut dhe të shkonte të kujdesej për ruajtjen e deleve apo dhive. I lagur nga shiu në dimër, apo i djersitur nga vapa në verë, do kthehesh në mbrëmje i rraskapitur dhe  natën, me llampë vajguri, do të përgatiste mësimet për të nesërmen, për tu paraqitur në shkollë. Një odise e dhimbshme dhe pa asnjë kënaqësi shpirtërore. E vetmja lojë që organizohesh në mal, në vale, ishte futbolli me një top llastiku, ku për porta vendoseshin gurët në të dy anët. Skuadrat,që përballeshin me formacione rivalizuese, përbëheshin nga Kastrioti, Pulua, Idajeti, Agua dhe Neimi, ku loja do zhvillohej për aq kohë, sa do kullosnin bagëtia. Pulua, spikaste për inteligjencë, qysh në fëmijëri. Tregon një rast Kastrioti, kur po kullosnin bagëtinë në mal, natën vonë me xhaxhain e tyre Selmanin. Këta si fëmijë, se rezistonin dot pagjumësinë. Në këto kushte, Pulua sajon një ndodhi të pa qenë. I tremb bagëtinë për t’i çuar në vath, se gjoja kishin ardhur disa diversant dhe rrezikoheshin prej tyre. Për kohën, kjo ishte një shaka me rreziqe. Por xha Selmani, që ishte pak naiv, e mori për të vërtetë. Kur ja thanë këtë lojë të nesërmen xha Rizait, ai ju përgjigj, të ma bënit mua do jua tregoja mirë diversantët. Domethënë, do ju çoja në burg.  Fëmijëria, sado e vështirë që të jetë, pushteti i kujtimeve të saj nuk vdes kurrë dhe nuk zëvendësohet me asgjë tjetër të bukur.

I moshuar dhe në moshën e rinisë

I etur për dije e shkollë, bëri sakrifica jashtë moshës së tij. Mbasi mbaroi shkollën 7 vjeçare, në vendlindjen e tij, në Dukat, nuk ju dha e drejtë studimi, për në shkollë të mesme, për motive biografike. Këtu nisi kalvari i vuajtjeve pambarimisht. I braktisur, nga çdo përkujdesje shoqërore, u përball me sfidat e jetës duke luftuar i vetmuar. Vuajtjet, e poqën dhe e burrëruan para kohe. Shpesh herë thoshte me nostalgji, se unë s’e njoha rininë. Linda i moshuar dhe u moshova duke rrojtur mes vuajtjeve pa limit. Provoi si rrallëkush, të  flinte edhe lulishteve, se s’kishte vendstrehim për të vazhduar shkollën e mesme, gjimnazin e Vlorës në Ujë të Ftohtë. Edhe kur u sistemua, nuk e kishte të lehtë ta përballonte nga ana ekonomike. Punonte dhe mësonte mundimshëm. Mbaroi shkollën e mesme, me rezultate shumë të mira. Shokët e tij, e respektonin jo vetëm për inteligjencën,  por dhe për sjelljen e tij aristokratike. Por vetëm kaq, se biografia nuk e lejonte të shkollohej në universitet. Ishte tepër i talentuar, për pikturë dhe arkitekturë. Megjithë përpjekjet dhe ndërhyrjet, e miqve dhe shokëve, përsëri nuk u kapërcye dot, barrikada e biografisë. Filloi punën si fotograf. Krahas gjimnazit, mbaroi dhe shkollën e mesme të ndërtimit që lidhesh me arkitekturën dhe filloi të merret me projekte. Talenti dhe gjenia e tij, bëri që të jetë në vëmendjen e pushtetit të kohës, si një person i nevojshëm, që mund të përdorej për të bërë punë të mira, por i mbikëqyrur nga organet e sigurimit të shtetit. Kjo filozofi, funksionoi me baticat dhe zbaticat e saj. Kur rritej intensiteti i luftës së klasave dhe acarimi shkonte deri në veprime konkrete, kësaj epidemie nuk mund ti shpëtonte kurrë Pulua, megjithë kujdesin dhe maturinë që tregonte. Ai, mundohej të largohej nga rrezja e veprimit të biografisë që ngacmohej nga fshati, por ajo i afrohej si të ishte silueta e tij. Filluan alibitë e organeve të sigurimit të shtetit. Në dokumente sekrete, që konservoheshin në rrugë partie, sipas sigurimit, “Pulua portretizohej si shumë i zgjuar dhe tepër trim  që veprimtarinë e tij klandestine, do përmbyste pushtetin”. Sigurimi i Shtetit, nëpërmjet një agjenti të tij i krijonte vazhdimisht kurthe, intriga, incidente, që ta detyronte të shkonte drejt vetëkrimit. Me veprimet e tyre diversive, arritën deri aty, sa që kur kryente  punën fizike në Hidrocentralin e Smokthinës, ti hidhnin edhe helm në gjellë, por me intuitën  e tij arriti ta zbulojë dhe e evitoi.

Arkitekti, që jeton në vepra

Qyteti i Pavarësisë Vlora, në vellon e bukurisë arkitekturore që ka mbi kokë nga Sheshi i Flamurit deri në Ujë të Ftohtë, është edhe dora e arkitektit të pazëshëm, por plot fantazi,  Pulo Nezhës. Qysh nga koha e monizmit e deri në ditët e sotme në demokraci, objekte të shumta social-kulturore, rrjete tregtare, vila private, muze, ekspozita, fshatra turistik, punishte për përpunimin e gjineshtrës për prodhime artistike, e shumë vepra të tjera, mbajnë vulën e dorës të arkitektit të talentuar, Pulo Nezhës. Ai ka lënë dy vepra monumentale, kompleksin te Ujët e Ftohtë dhe vilat prej druri në Parkun e Llogorait, si dhe vila të tëra në zonën alpine, Dukat –Llogora. Kur ishte fjala për të zgjidhur momente kritike, edhe në kohën e monizmit, megjithëse nuk kishte garancitë politike për kohën, përsëri autoritetet më të larta të pushtetit të Vlorës, respektonin zgjidhjet arkitektonike që jepte Pulua. Vlora kishte një grup arkitektësh të fuqishëm, edhe pse Pulua ishte i vetmi me shkollë të mesme, si produkt i kohës, përsëri mendimi dhe dora e tij preferoheshin nga drejtuesit e pushtetit. Kur bëri kompleksin e vilave me dru në Llogora, Pulua u cilësua si arkitekti me fantazi të artë, nga udhëheqja më e lartë e kohës. Pulua, ishte njeriu që vlerësohesh nga të gjitha shtresat e shoqërisë vlonjate dhe më gjerë. Në vitet e demokracisë, ai nuk u përfshi në asnjë forcë politike. Megjithëse kishte qenë i vuajtur e i persekutuar, ruajti ekuilibre e marrëdhënie tepër korrekte, në të gjitha nivelet dhe shtresat e shoqërisë. Ai, donte një demokraci liberale, gjithëpërfshirëse, në dobi të gjithë shoqërisë. Jeta e Pulos, ishte një jetë me vuajtje, por, e mbushur plot lavdi, e krenari. Ai, u nda nga jeta vetëm fizikisht, duke lënë pas, një vepër të admirueshme, një emër të lakmueshëm dhe një familje të shëndoshë, që krenohen me jetën dhe veprën e njeriut të tyre më të dashur.