Prof. Dr. Ago Nezha: Gëzim dhe trishtim

 Prof. Dr. Ago Nezha

Familja shqiptare si një bashkësi natyrore, tradicionalisht ka qenë e krijuar në themele të shëndosha, në marrëdhëniet prindër fëmijë. Ajo përgjithësisht kishte një trashëgimi konservatore,  ku prindi ishte autokrat dhe diktonte mbi fëmijën autoritetin, parimet morale, sjelljen shoqërore, funksionimin, edukimin, shkollimin dhe punësimin, duke qenë në kufijtë e komunitetit zonal. Sistemi monist kolektiv, karakteri shoqëror i punës, edukata patriarkale, që ekzistonte në familje, kishte krijuar një stabilitet dhe uniformitet, saqë familjet ishin pak të dallueshme, në funksionet e tyre shoqërore dhe ekonomike. Fëmijët përgjithësisht ishin të ndrydhur, nuk kishin iniciativë dhe veprimtari të lirë e të pavarur, jashtë kuadrit familjar. Dashuria, respekti dhe përkushtimi i fëmijëve ndaj prindërve, ishte maksimal. Me ndryshimet politike të vendosjes të pluralizmit në Shqipëri, familja pësoi ndryshime rrënjësore, jo vetëm në strukturë, por dhe në përmbajtje dhe në funksion. Në raportet e marrëdhënieve prind-fëmijë, u krijua një kohezion liberal, që i krijon fëmijës privatësi dhe pavarësi, në mendim e veprim. Situatat e reja që rrodhën në Shqipëri pas viteve 1990, të ashtuquajtura demokraci, sollën një anarshi totale, që prekën dhe themelet e familjes shqiptare. Ndryshimet ekonomike shkaktuan dhe ndryshime sociale, por pa pasur një orientim shoqëror vizionar. Shkatërrimi i bazës ekonomike, sipas stuhisë politike,me teorinë zero, që të zhdukim çdo pasuri që trashëgojmë nga e kaluara, ishte katastrofike për vendin dhe krijoi një konfuzion, pasiguri dhe pamundësi  për të jetuar. Humbja e vendit të punës dhe shuarja e shpresës për të jetuar në një vend të shkatërruar, me mungesa të theksuara për mjetet e jetesës, bëri që rinia të çoroditej dhe të humbasë orientimin, duke e kërkuar shpëtimin nëpërmjet emigrimit në vende të ndryshme të Europës e të botës. Kryesisht, emigrimi më i madh u përqendrua në vendet fqinjë Greqi e Itali, si dhe në vendet e zhvilluara perëndimore, si Gjermani, Amerikë e Kanada. Ky kaos psikologjik, shpirtëror e moral, bëri që një pjesë e rinisë, të pësoi tronditje e çoroditje psikologjike. Duke mos u orientuar, ambjentuar e përballuar kërkesat që kishte perëndimi për punën, një pjesë e paformuar e rinisë, ju futën rrugës së degjenerimit, korrupsionit dhe krimit, plagë këto që ende nuk janë shëruar dhe kanë lënë pasoja, që janë prezent deri në ditët e sotme, edhe pse kanë kaluar mbi tre dekada.  Morën arratinë jo vetëm të rinjtë e pashkolluar e pa profesion, por edhe një pjesë e mirë e inteligjencës shqiptare, që synonin për një jetë më të mirë dhe u integruan në punë të rëndomta. Me kalimin e viteve, një pjesë e emigrantëve shqiptarë e kanë gjetur veten, dhe kanë prekur të dy anët e medaljes, jo vetëm të punësimit por dhe të suksesit, duke u bërë protagonist në shumë degë të ekonomisë së vendeve ku punojnë e jetojnë. Ky fakt të gëzon dhe të bën krenar si shqiptar. Duke qenë se përgjithësisht një pjesë e mirë e fëmijëve jetojnë jashtë vendit, ne si prindër i vizitojmë ata si miq, sepse ata janë të angazhuar në punëra tepër intensive, nga mëngjesi në darkë. Isha me bashkëshorten për gati dy javë te vajza në Padova, ku e përjetova  konkretisht intensitetin e punës të familjeve shqiptare si dhe ato vendase. Një fundjave me vajzën, dhëndërrin, nipin dhe mbesën, e kaluam në provincën malore “ Belluno “, qyteti “ Pieve Di Cadore”.Aty pamë vargmale përrallore, që nuk t’i rrok fantazia, ku piktore “natyra”, e kishte derdhur talentin e saj pa kursim. Mësuam nga pronari i vilës ku ishim akomoduar, se kryetarja e bashkisë së qytetit, ishte shqiptare. U emocionuam  dhe u ndjemë krenar. Unë kërkova që mund ta takonim, por ishte fundjavë dhe nuk patëm mundësi. Mbushesh me gëzim dhe krenari kur mëson se shqiptarët, që i përplasi jeta padrejtësisht rrugëve të botës, sot kanë bërë karrierë të ndershme. Jo vetëm për fëmijët e tu të pushton kjo ndjesi, pasi vajza mbaroi Universitetin në Padova në Fakultetin e Drejtësisë për “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe sot është drejtoreshë në një Kompani të “Shërbimit Social”. Gjatë qëndrimit në Padova takuam djalin e xhaxhait Ardian Nezhën, që drejton një firmë ndërtimi në Venecia dhe është një personalitet i njohur i kësaj bashkie. Ai, është nderuar me disa tituj të lartë si “Kavalier i Republikës”, “Kavalier i San Marco”, dhe “ “Ecellenza e Provincës Venezias “. E shikon përkrah Kryetarit të bashkisë, Ambasadores tonë në Romë dhe së fundi duke takuar Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Arritjet dhe sukseset e shumë fëmijëve shqiptarë në vendet ku janë integruar, janë një aset që na motivojnë për të modeluar imazhin tonë pozitiv,që në ndonjë rast edhe mund të jetë cenuar e prishur nga individë të papërgjegjshëm. Shembujt e shumtë pozitiv të shqiptarëve në vende të ndryshme të botës, që me aftësitë e talentin e tyre kanë bërë emër në shumë fusha të jetës, si në ekonomi, në art e në shkencë, duke u bërë egoist, fillon e mendon, do ishte mirë që dijet dhe kontributin e tyre ta derdhnin për vendin e tyre dhe familjen  tradicionale. Ikim me gëzim te fëmijët dhe kthehemi me trishtim, duke e mbajtur kokën mbrapa. Zbrazëtia e Shqipërisë nga rinia, është një plagë me pasoja të rënda për të ardhmen e vendit, që politika dhe qeveria duhet të gjejë mekanizma që t’u krijoi mundësi që të punojnë e jetojnë në vendin e tyre, që natyra e ka privilegjuar, por politika “demokratike “, për më shumë se tre dekada, e ka dënuar.

NOA