POETI HAVZI NELA SI ZGJIM I NDËRGJEGJËS MORALE  KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE NË SHQIPËRI

625
Sigal

Nga Frank Shkreli

32 vite më parë, kur në Shqipëri ishte ende regjimi komunist u var në litar një poet se mbronte për fjalën e lirë dhe për pikëpamjet e tija perëndimore, pro-amerikane dhe pro-evropiane.  Havzi Nela, poeti disident dhe autori i mijëra vargjeve u vra për shkak të krijimtarisë së tij.  Me rastin e 32-vjetorit të varjes, bashkëshortja e tij, Lavdie Nela vendos lule, me lot në sy, në bustin e martirit të demokracisë, ngritur në qytetin e Kukësit pranë gjimnazit të qytetit që mban emrin e tij.  Ajo kërkon nga enti i ri i drejtësisë, hapjen e dosjes së bashkshortit dhe zbardhjen e plotë të saj, raportoi gazeta Telegraf e Tiranës.

Vrasja e tij në litar me urdhër të drejëtsisë komuniste enveriste, u shpreh ajo me këtë rast, ”Më vrau shpirtin, më plagosi zemrën, më nxiu jetën, më prishi lumturinë, më preu ëndrrën, më prishi shpresën, më tmerroi rininë sepse populli i Kukësit meriton të jetojë në liri, se sot diktatura është në të gjitha qytetet e Shqipërisë, si në vitin ’67, kur u arratisëm”, citohet të jetë shprehur Lavdie Nela, bashkwshortja e Havzi Nelës, me rastin e 32 vjetorit të vrasjes së bashkshortit të saj në litar.

Sa për informacion për lexuesit që ndoshta nuk kanë shumë njohuri për vrasjen makabër të këtij poeti të pafajajshëm në muajt e fundit të regjimit komunist shqiptar.  Shkurtimisht, ishte data 10 gusht 1988, ora 02:00 të mëngjesit kur poeti Havzi Nela mbylli sytë përgjithmonë pasi u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit, pas miratimit përfundimtar të dënimit me vdekje nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, të drejtuar nga Ramiz Alia.

Havzi Nela, pas një kalvari vuajtjesh dhe internimesh në kampet famëkeqe të komunizmit, sipas të dhënave botuar në gazetën Telegraf, dy ditë më parë, u mbyll në burgjet e Burrelit dhe Spaçit e me pas më 10 gusht 1988 u var në qendër të qytetit të Kukësit me akuzën e tradhtisë së lartë ndaj atdheut.  Poeti Nela ka qenë gjithmonë kundër diktaturës dhe nuk u pajtua kurrë me komunizmin.  Pikërisht, komunizmi me të cilin nuk pajtohej Havzi Nela, ishte regjimi që ia mori jetën atij dhe mijëra të tjerëve – një regjim që sipas Kryeministrit aktual të Shqipërisë, Edi Rama – ishte “në anën e duhur të historisë”.

Dua tu kujtoj atyre, që edhe sot e konsiderojnë Ramiz Alinë si të moderuar, se ishte regjimi komunist hoxhist i Ramiz Alisë ai që vari në litar një poet se mendonte ndryshe, jo në vitin 1945 ose 1955, ose 1965 – por vetëm 14 muaj para se të shembej Muri i Berlinit, atëherë kur komunizmi po jepte shpirt në pjesën tjetër të Evropës.  Mënyrë më barbare nuk besoj të ketë për t’i marrë jetën një njeriu se varja në konop, të një njeriu të pafajshëm, e sidomos një poeti, në kontinentin e Evropës në fund të shekullit XX. Por, për fat të keq, siç ka shkruar edhe Ismail Kadare për Shqipërinë e asaj kohe, “Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë as në kontinentin e qytetëruar të popujve.  Shqipëria, në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare.”  Megjthkëtë, shumë veta, edhe sot 30-vjetë pas rënjes zyrtare të komunizmit, për këto krime monstruoze ia lenë fajin, “kohës”, ashtu ishte “koha”, thonë.  Justifikojnë edhe varjen e një poeti me “kohën”, sikur të ishim duke folur për mesjetën e jo për fundin e shekullit 20, në kontinentin e qytetëruar të njerëzimit – “kohën”, kur dënimet me vdekje në Shqipëri vendoseshin nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor, të drejtuar nga Ramiz Alia.

 

Jo se vrasja në litar e Havzi Nelës ishte i vetmi akt barbar gjatë pothuaj 50-vjet komunizëm.  Mijëra kundërshtarë politikë të regjimit komunist u vranë në Shqipëri, me plumb e me litar,vdiqën në kampe të përqëndrimit dhe u vranë në kufi duke u arratisur nga “parajsa” e Enver Hoxhës — individë dhe personalitete ndër më të njohura politike, kulturore dhe fetare të kombit shqiptar.  Por vrasja e Havzi Nelës ishte — siç është shprehur Ismail Kadare, në një artikull vitin e kaluar — një akt dëshpërimi nga ana e një regjimi kriminal e të pa penduar: “Rendi komunist i egërsuar nga shënjat e para të lirisë, ashtu si bisha që egërsohet prej sinjaleve të dritës, donte të jepte një mesazh të kundërt me shpresën.  Një mesazh frikësimi dhe tmerri.  Dhe, për të qenë i besueshëm se ende nuk do të bënte asnjë lëshim, për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte i aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të marrjes së jetës: varjen me litar”, ka shkruar Kadare në shkurtë të vitit të kaluar, me rastin e ditëlindje së poetit Nela, (20-Shkurt, 1934).

Ismail Kadare është shprehur se Poeti Havzi Nela “është një kambanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë.  Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t’u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë.  Shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet e të mbrojë liritë demokratike kundër çdo lloj kërcënimi që i vjen nga çdo lloj drejtimi e i fshehur pas çdo lloj maske.  Vetëm kështu ajo do të jetë në gjendje të fitojë drejtpeshimin e munguar.  Martirët e kanë qetësinë e tyre atje ku pushojnë. Është shoqëria shqiptare, që nuk e ka. Dhe për këtë duhet të luftojnë të gjithë”, ka shkruar Kadare vitin që kaloi.

Duhet të luftojnë të gjithë ashtuqë ushtima morale e kambanës së Havzi Nelës të dëgjohet nga të gjithë — nga autoritetet shqiptare, po se po, por edhe nga ndërkombëtarët në Tiranë, të cilët thonë se po punojnë për të vendosur drejtësi në vend.  Shqipëria ka nevojë për një zgjim moral, nga të gjithë që po përpiqen të kontribojnë në këtë drejtim.

Me rastin e 32-vjetorit të varjes së Havzi Nelës, bashkshortja e Havzi Nelës, Lavdije Nela kërkoi nga SPAK hapjen e dosjeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke shtuar se gjatë 32 viteve të kaluara, asnjë ent drejtësie as qeveri nuk ka bërë asgjë për të zbardhur vrasjen e të dashurit të saj dhe për të çuar para drejtësisë, përgjegjësit që dhanë urdhër për varjen e poetit të pafajshëm.

“Mjerimi s’don mëshirë” ka thënë Migjeni.  As Lavdije Nela nuk kërkon mëshirë as lotë krokodili për humbjen e saj të madhe, por këmbëngulë për drejtësi nga entet shqiptare të drejtësisë por edhe nga komuniteti ndërkombëtar në Tiranë!  Drejtësi për bashkshortin e saj Havzi Nelën, për familjen e saj dhe për të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri.

Fatkeqësisht, e kam thenë shpesh dhe do vazhdoj ta them se Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të gëzojnë drejtësi të vërtetë për derisa ai vend nuk përballet me të kaluarën e saj dhe me krimet e regjimit komunist, si dhe per derisa nuk pastron nga politika dhe nga organet e drejtësisë — përfshir entin e ri SPAK– zyrtarët që kanë marrë pjesë — drejt për drejt, ose tërthorazi — në ato krime dhe në mbajtjën në pushtet të atij regjimi të pashpirt.  Havzi Nela dhe mijëra viktima të komunizmit –të cilët edhe 30-vjet post-komunizëm kërkojnë drejtësi –nuk ishin të tepërt për Kombin shqiptar as për njerëzimin.

Të nderuar përfaqësues të diplomacive perëndimore në Tiranë: Unë nuk jam në favor që fëmija ta pësoj për mëkatet e prindërve (pasi ashtu vepronte regjimi i Enver Hoxhës), por dukjet dhe shfaqjet e jashtme (appearances) kanë shumë rëndësi për kredibilitetin e një organi sidomos të drejtësisë, në emërime dhe në vendime me rëndësi, siç janë emërimet e fundit në entin e ri të drejtësisë, SPAK.  Jam i sigurt se kini dëgjuar tanimë ankesat dhe shqetësimet në popull dhe në media për disa prej emërimeve në atë ent të rëndësishëm si dhe për të kaluarën e disa prej personave të emëruar — shqetësime që me të drejtë venë në pyetje kredibilitetin e këtij enti të ri dhe punës që do të kryej në të ardhmen  — ent ky i cili nga disa krahasohet me FBI-në amerikane.  Ju lutem pushoni nga ky krahasim se i jepni një emër shumë të keq FBI-së amerikane, duke e krahasuar me Spakun.

Më vjen keq të them, por jam i bindur se – bazuar në përvojën e historisë 30-vjeçare “post-komuniste”, as autoritetet politike shqiptare as SPAK-u nuk janë të disponuar të dëgjojnë thirrjen e Lavdie Nelës për hetime në lidhje me varjen barbare të bashkshortit të saj të jetës dhe as që e kanë ndër mend të përballen me ose të hetojnë krimet e regjimit komunist në Shqipëri, ashtu siç ka bërë Evropa ish-komuniste.  Andaj, nuk është aspak e rastit që brenda dhe jashtë Shqipërisë se sistemi i ri nuk është asgjë tjetër veçse një relikt i sistemit të vjetër.

Për fat të keq, edhe unë jam i detyruar të shpreh (me Migjenin) dëshpërimin tim prej 30-vjetësh tashti, se “Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e më thellë”, se — me SPAK-un ose pa SPAK-un — pa një përballje serioze të atdheut tonë Shqipërisë me të kaluarën komuniste, ai vend do të mbetet një “njollë e zezë në hartën e kontinentit” evropian – pjesë e një bote autoritare jo perëndimore — ashtu siç ishte edhe në vitin 1988, kur u varë në litar Poeti Havzi Nela.  Në këtë përvjetor, 32 -vjet pas dënimit me vdekje në litar, Havzi dhe mijëra viktima të tjera të komunizmit — nga amshimi — presin për një zgjim moral kombëtar dhe ndërkombëtar në Shqipërinë post-komuniste dhe kërkojnë sot që të dëgjohet zëri dhe zemra e plagosur e Lavdie Nelës dhe mijëra bashkshorteve, nënave dhe bijave, anë e mbanë Shqipërisë!  Deri kur durim e shpresë!?

“Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja, duhen meritue.” (O, Liri, O Vdekje, Havzi Nela)

 

Frank Shkreli*

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar- Shqiptaro-Amerikano (NAAC)

 

O LIRI, O VDEKJE –Nga HAVZI NELA

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
Si e duron robninë zemra e nji trimi?!

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh
kurrë serbes,
Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me durim e shpresë nuk due te vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.