Partizan MYFTARI/ Të kujtohet brigada e plehut?!

579
Sigal

Para disa ditësh një miku im i FB-së më kërkoi një mendim rreth sjelljes së diplomatëve në Shqipëri. Si reagojnë ata rreth politikbërjes shqiptare?

Si i vlerësojnë ata politikanët tanë?

Si e shikojnë ata punën e qeverisë dhe të opozitës? Mikun e kundërshtova për faktin se nuk i kam aftësitë e të konceptuarit të punës së një diplomati të huaj akredituar në Shqipëri, aq më shumë, kur nuk arrij të kuptoj politikanët shqiptarë të akredituar tek populli ynë. Miku këmbënguli se diçka duhej t’i thosha patjetër e nëse nuk mundesha, të paktën për ambasadorin amerikan, zotin Arvziu, diçka duhej të konceptoja edhe për vet faktin se, SHBA mbulon një kohë të shumtë në qiellin e qeverisjes sonë. Por, kur ngulin këmbët shqiptarët, nuk të lenë rehat dhe nuk të shqiten nga dera e Facebook-ut, si politikanët tanë, kur lypin votën. Shpesh, arsyeja, nuk kërkon modifikime e analiza të thella, por vjen lirshëm, kur kufiri i gjërave peshohet midis realitetit social dhe kodit etik që të rrethon.

Kodi, në vetvete, shfaqet si një kostum i qepur që mund ta veshin të gjithë, por askujt nuk i rri në masën e duhur. I ndershmi ka më pak “kode” ose  i “njeh” më pak ato kode etike të shkruara edhe në stilin më të lartë të komunikimit hartuar midis stilit juridik e diplomatik, si fjalor i parë i mbajtur në rrethanat e bisedimeve edhe nga diplomatët në përgjithësi. Korrierët diplomatikë që ndodhen në Shqipëri duke përfaqësuar shtetet e tyre, organizma e institucione të njohura nga palët, më shumë se sa kujdesen për Shqipërinë, natyrisht, shikojnë interesat e politikës së tyre dhe njëkohësisht ndihmojnë vendin tonë në përsosjen e elementeve juridike drejt një globalizimi universal të konceptimit të sistemit me të drejtat dhe detyrimet përkatëse. Këta korrierë diplomatik me artin e tyre, pa harruar në radhë të parë politikën e shtetit që përfaqësojnë, apo organizmat e tjerë (përfshi këtu edhe ato të Bashkimit Europian), hyjnë në labirinte komunikimi që nuk u gjen dot as fillin dhe as nëntekstin. Nuk është tendenca se ata pikërisht luajnë ndonjë dramë, por ndjekin dramën, ku jetojmë dhe bëhen aktorë që shpesh na çudisin, që edhe ata luajnë dobët, luajnë keq dhe e fundit bëhen edhe aktorë të turpshëm, sikur të mos jenë ata për të cilët kanë ardhur. Përse ndodh kjo?! Njerëzit human të gjithë mund të gabojnë në një çast të caktuar e në rrethana të ndryshme. Ne diplomatët i njohim më tepër për aftësitë e tyre atëherë kur shfaqen në publik, kur japin intervista, kur bëjnë deklarata shtypi në hapësirën e fuqisë të konceptimit. Ambasadorët a kanë vese?! Natyrisht që edhe mund të kenë, por objekti i rreshtave të mia nuk është ky. Ne përpiqemi t’i shohim ata si modele të civilizuara, i ndjekim me kujdes sepse fjala e tyre vlen, peshon dhe sjellin eksperiencën e vendit që përfaqëson. Disa herë qëndrimet e ambasadorit amerikan nuk më janë dukur aspak të matura, të nxituara dhe pa një leksik të thekur diplomatik. Për mendimin tim, me aq sa e kam ndjekur, kulmin e paaftësisë së tij personale diplomatike ai e arriti kur quajti “burrë shteti” Berishën, në vrasjet e katër demonstrueseve më 21 janar. Harbutçe!

Këtu nuk ka sjellje diplomatike, civile e moderne, kur t’i mburr një vrasës me pushtet. Jeta është më e shenjtë se sa çdo lloj pushteti i ngritur, edhe në mënyrën më demokratike. Berisha në këmbët e krimit e ti ma quan burrë shteti?! (Duke përfytyruar gjithë historinë e asaj që ndodhi më 21 janar). I fyeu edhe Meta demonstruesit, por Meta realisht i përket po atij populli dhe e harruan shpejt edhe Metën në epitetin e tij klasik si pjesë e së tërës. Deklarata e ambasadorit amerikan merr një tjetër interpretim, një tjetër vlerë mbi raportin e institucioneve me individin. Një tjetër vlerë mbi përmbledhjen e zemërimit popullor dhe interpretimin juridik të shtetit. Arvziu në këtë rast sikur lexonte Kanunin e Lek Dukagjinit dhe e drejta e gjakut ishte si një këmishë e përgjakur varur në bulevard dhe sytë e Berishës me gjithë shpurën e tij besnike të inkriminuar brenda pushtetit urdhëroi hapjen e zjarrit. Qytetarët e vrarë në ato çaste ishin anonim, por krismat kishin një emër: krisma të një pushteti të korruptuar, ku arsyeja kishte vdekur. Ambasadori amerikan nuk “dëgjoi” as krismat, nuk “dalloi” as viktimat, ai pa shumë mirë një “burrë shteti” që di të qëllojë mbi qytetarët e vet të pambrojtur. Berisha edhe sot vazhdon të ligjërojë i lirë në Kuvend. Pushteti gjyqësor i ka harruar viktimat.

Ambasadori amerikan tani merret edhe me debatet e rëndomta mbi marrjen ose mosmarrjen pjesë të ushtrisë në operacione të shpërndarjes së drogës, të iniciuara po nga “burri i shtetit”. Debate qesharake! Lufta për pushtet e një opozite të pandershme sikur lehtëson më shumë maxhorancën që vazhdon me mjegullën e rilindjes. A nuk do të ishte më mirë që diplomacia të mos i përkëdhel kaq shumë politikanët e të zgjedhurit tanë të korruptuar?! Mos vallë edhe demokracia perëndimore ka dështuar?! Mos vallë kasta diplomatike nuk arrin të arsyetojë zhvillimet globale?! Mos vallë diplomacia është bërë thjesht një kastë profesionale juridike, që mbështet padronët ekonomik lobet e fuqishme dhe kërkon të ruajë e kontrollojë tensionet me çfarëdolloj çmimi?!

Parë në këtë këndvështrim, ne jemi një vend i vogël dhe s’kemi asnjë lloj fuqie mbi lojërat botërore. Jemi një vend i vogël që na kanë bërë akoma më të vogël (copëtimi i kufijve tanë) edhe për shkak të keq qeverisjes nga ana e kapedaneve, komandanteve dhe politikanëve të sotëm. Dhe pastaj?! Duke qenë se ne jemi kaq të vegjël nuk kemi nevojë edhe për diplomatë të mëdhenj. Edhe makineria diplomatike prodhon shumë diplomatë dhe jo të gjithë janë në lartësitë e tyre më të mira. Shtetet e fuqishme, diplomatët më të mirë nuk i sjellin tek ne.

Tek ne punësohen diplomatë. Ju kujtohen kur në socializëm, nëpër fshatra u ngritën ca kohë brigada plehu. Detyra e tyre ishte të mblidhnin pleh në pyll dhe ta nxirrnin në krye të arave. Të shkonin shtëpi më shtëpi dhe kasolle më kasolle t’iu merrnin plehun fshatarëve dhe t’ua shpinin arave që të shtohej prodhimi. Kush i drejtonte brigadat e plehut?! Të gjithë brigadierët e dështuar në sektorë të ndryshëm, sepse të drejtohej një brigadë plehu nuk duhej ndonjë shkathtësi e madhe. As të kishe dalë i shkëlqyer me mësime. Plehu në pyll dhe në shtëpi nuk do mundime dhe një vend i vogël si yni nuk ka nevojë për diplomatë të mëdhenj. Mendohet, fatkeqësisht nuk duhet të jetë kështu, por tek ne si duket gjithmonë kanë punësuar diplomatë. Fakti 23- vjeçar i demokracisë dhe tranzicionit të zvarritur duket se kanë punësuar diplomatë që kanë pasur nevojë për një punë. Po të ishte ndryshe do të kishim rilindur prej kohësh edhe pse ne kemi kusuret tona brenda vetes.