Moore: “Qeveria dhe Presidenti të bashkëpunojnë mes tyre”

503
Sigal

Drejtori për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, thekson nevojën që përplasjet e fundit mes qeverisë shqiptare dhe Presidentit të Republikës të zgjidhen në mënyrë ligjore dhe jo politike.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, zyrtari amerikan vlerëson faktin që presidenti Nishani po përdor mekanizmat ligjore për të gjetur zgjidhje për çështjen e kompetencave. “Ne duam të shohim që institucionet të funksionojnë normalisht. Presidenti po përdor mekanizmat ligjorë duke ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese, si për rastin e kreut të ILDKP. Ky është një hap shumë praktik. Në shumë vende ka situata të ngjashme mosmarrëveshjesh, të cilat duhen zgjidhur në mënyrë ligjore dhe jo politike.”- deklaroi Moore. Zyrtari i DASH theksoi rëndësinë që politika shqiptare të gjejë rrugën e bashkëpunimit, duke deklaruar se SHBA është e shqetësuar për polarizimin në Shqipëri. “Ne jemi të shqetësuar, jemi të ndërgjegjshëm për polarizimin në politikë. Ne duam të shohim përgjegjësi si nga ana e qeverisë dhe opozitës, të gjejnë rrugën e bashkëpunimit. Duhet të kenë bashkëpunim mes tyre”- u shpreh ai. Sipas zotit Moore, qeveria shqiptare ka punuar intensivisht dhe ka qenë e efektshme në këto 8 muaj, për ta çuar Shqipërinë drejt BE-së.
“Ne nuk kemi votë për në BE, por ne mbështesim me forcë Shqipërinë në këtë drejtim. Ne duam të shikojmë një Europë të bashkuar dhe në paqe, dhe ne do të dëshironim që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat”- deklaroi Moore.