Reforma, IAL-ët specialë përcaktojnë fituesit dhe kriteret e tjera

1246
Sigal

Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) me status të veçantë: Universiteti i Arteve dhe ajo e Sporteve; Akademia Ushtarake dhe ajo e Policisë; U. i Mjekësisë. Ja ndryshimet

Sipas raportit të parë për reformën e arsimit të lartë disa prej Instituteve të Arsimit të Lartë siç janë Universiteti i Arteve, Universiteti i Sporteve; Akademia Ushtarake dhe ajo e Policisë; Universiteti i Mjekësisë do të kenë një status të veçantë nga IAL-et e tjera. Këto IAL  janë me natyrë të veçantë në shumë gjëra të organizimit të tyre; mësimdhënies; punës krijuese; pranimit të studentëve dhe deri tek financimi. Dhe si të tilla sipas raportimit duhen trajtuar ndryshe. Ndaj dhe sugjerohet për këto IAL që pranimi i studenteve në IAL speciale duhet të realizohet me konkurs përpara një jurie profesionistësh të fushës, ndërsa nota mesatare për të aplikuar për në universitetet me status special duhet të jetë më e ulët. Ulja e kufirit të notës mesatare për të aplikuar në universitete me status special duhet për faktin se aplikanti konkurron për aftësitë e talentin që ka në një fushë të caktuar. Përcaktimi i numrit të studentëve fitues duhet të jetë kompetencë e vetë universiteteve me status special, duke lejuar tolerancë nga një numër minimal deri tek një numër maksimal fituesish në një degë të caktuar. IAL-ët specialë duhet të kenë të drejtë që të rregullojnë vetë veprimtarinë e departamenteve në lidhje me përcaktimin e numrit të stafit, ngarkesën mësimore të stafit, llogaritjen e normës mësimore, rekrutimin e stafit, kontrollimin e praktikave profesionale, punën kërkimore e shkencore, hartimin e sillabuseve, programet lëndore, analizën e mësimdhënies, etj. Ndërsa financimi i Universiteteve me status special duhet të marrë në konsideratë numrin e ulët të studentëve në këto institucione. Pesha e financimit nga këto grante, e bazuar mbi numrin e studentëve për këto universitete, duhet të jetë në përqindje më të madhe se e universiteteve të tjera. Komisioni mendon se nga ana financiare këto institucione duhet të jenë në varësi të dyfishtë, nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe nga Ministria përkatëse. Për shembull në rastin e Universitetit të Arteve në financimin e projekteve mund dhe duhet të financojë edhe Ministria e Kulturës. Në rastin e Universitetit të Mjekësisë, Ministria e Shëndetësisë financon në Spitalin universitar dhe në gjithë punën laboratorike të domosdoshme për mësimdhënie.

  Universiteti i Arteve (UART), tarifa më të larta se universitetet e tjera

Hyrja e studentëve në UART; duhet t’i nënshtrohet idesë se është një investim kombëtar; të realizohet me konkurs përpara një jurie profesionistësh të fushës; të eliminohet barriera e notës mesatare; modeli i hyrjes dhe i numrit të studentëve fitues në UART duhet të jetë kompetencë e vetë Universitetit. Raporti pedagog/student në realizimin e procesit të mësimdhënies, të përcaktohet nga vetë specifika që shpreh ky proces në departamentet e ndryshme të UART. Financimi nga shteti në formën e grantit i UART duhet të marrë në konsideratë numrin e ulët të studentëve në këtë institucion. UART duke pasur numër të ulët studentësh dhe kosto të lartë të përgatitjes për student, duhet të ketë tarifave të diferencuar mbi pagesat e shkollimit, ndryshe nga degët e universiteteve të tjera, Këto tarifa duke qenë më të larta, mund të rimbursohen pjesërisht edhe nga shteti.

 Universiteti i Sporteve (UST), jo vetëm mësues fizkulture

Në mënyrë që edukimi fizik të lidhet edhe me tregun e punës sugjerojmë që programet e studimit të fushës së edukimit fizik dhe sportit të fokusohen në prodhimin e diplomave të integruara në fushat e edukimit si p.sh: mësues i edukimit fizik dhe historisë; gjeografisë; edukimit shëndetësore etj. Është jo produktive vazhdimi i prodhimit të diplomave thjesht të mësuesve të edukimit fizik. Edhe për UST sikurse për UART-in raporti pedagog/student në realizimin e procesit të mësimdhënies të përcaktohet nga vetë specifika që ka ky institucion. Financimi nga shteti në formën e grantit duhet të marrë në konsideratë numrin e ulët të studentëve në këtë institucion.

 Universiteti i Mjekësisë, shefat e shërbimit me konkurrim

Procesi i mësimdhënies në një pjese të mirë të UMT-së realizohet në kushte specifike; në universitet, por sidomos në QSUT, në shtratin e të sëmurit, në kabinetet mjekësore, sallat e operacioneve, etj. Normalisht, kjo formëmësimdhënieje duhej të garantojë që studenti, me të mbaruar studimet universitare, të jetë në gjendje të diagnostikojë dhe mjekojë pacientin në mënyrë të pavarur. Aktualisht, kjo nuk ndodh. Për këtë arsye ne sugjerojmë që klinicistët e Qendrës Spitalore, të kenë detyrim kontraktual që të përfshihen në procesin mësimor. Aktiviteti shkencor i UMT-së duhet të jetë pjesë integrale e jetës shkencore të klinikave universitare. Prandaj theksojmë se performanca e pedagogut duhet matur edhe në lidhje me përfshirjen e studentit në kërkimin shkencor. Nga pikëpamja organizative dhe strukturore, edhe pse në përgjithësi në harmoni të plotë me IAL-të e tjera të vendit, UMT ofron një specifikë të rëndësishme për shkak të lidhjes së domosdoshme organike me aktivitetin e QSUT-së. Të gjitha linjat guidë të diagnostikimeve dhe mjekimit, në nivel kombëtar, përcaktohen nga këto shërbime. Sugjerohet që përzgjedhja e shefave të shërbimit, të bëhet me konkurrim të përgjithshëm, ku në grupin intervistues të marrin pjesë anëtarë të UMT-së, por edhe të Ministrisë së Shëndetësisë. Kriteret për zgjedhjen e shefave të Shërbimit pranë departamenteve sugjerohet të jenë: Titulli më i lartë; Vjetërsia e titullit; Vjetërsia pedagogjike (të paktën 15 vjeçare si pedagog i brendshëm); Botimet jashtë dhe brenda vendit; Aftësi organizative; Organizim i aktiviteteve shkencore; Pjesëmarrja në Projekte Ndërkombëtare; Mosha e cila duhet t’i lejojë të mbyllë mandatin 4 vjeçar.

 Akademia e Policisë përfshihet në Ligjin për Arsimin e Lartë

Akademia e Policisë duhet të respektojë angazhimet, parimet dhe përvojat e shkollave më të mira simotra në kuadër të angazhimit në NATO dhe BE, për t’u kthyer në një IAL elitare në ngritjen e kapaciteteve të formimit policor. Sistemit të arsimit policor, në kushte gjithnjë e në rritje të kërkesave që ka komuniteti për një polici profesionale dhe korrekte në shërbim të tyre, duhet t’i krijohen kushte ligjore për dhënien e një “statusi” më të lartë: Përfshirjen në ligjin e arsimit të lartë shqiptar të institucionit arsimor për Policinë e Shtetit. Krijimin e hapësirave ligjore për dhënien e mundësive për bashkëpunim si me institucionet e tjera të larta arsimore në vend dhe me ato jashtë vendit. Krijimin e mundësive për njohjen dhe transferimin e krediteve në institucione të tjera të larta arsimore dhe njohjen apo unifikimin e moduleve apo lëndëve mësimore. Ky institucion i arsimit të lartë mund të emërtohet: “Akademia e Sigurisë Publike”.

 Akademia Ushtarake me tre cikle studimi

Akademia e Forcave të Armatosura duhet të jetë i vetmi institucion për ekspertizë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në interes të vendimmarrjes politike. Konsolidim i plotë i strukturës akademike të AFA me të gjithë nivelet e saj të studimit. Përfshirjen në Ligjin e Arsimit të Lartë Shqiptar, të institucionit të Akademisë së Forcave të Armatosura si një institucion i arsimit të lartë. Krijimin e hapësirave ligjore për dhënien e mundësive për bashkëpunimin e këtij institucioni me institucionet e tjera të larta arsimore në vend dhe jashtë vendit. Krijimin e mundësive për njohjen dhe transferimin e krediteve të këtij institucioni, në institucione të tjera të larta arsimore në vend dhe njohjen apo unifikimin e moduleve dhe lëndëve mësimore. Realizimi në Akademinë e Forcave të Armatosura të të tria cikleve të studimit universitar, sikurse si modelet aktuale të akademive në SHBA, Belgjikë, Bullgari, Kanada, Angli, Çeki, Rumani, Norvegji, Poloni, etj. Krijimin e mundësive ligjore për ndjekjen pas përfundimit të programit bachelor në arsimin ushtarak, të studimeve master në profile të tjera si brenda institucionit ashtu dhe jashtë institucionit.