Kumbaro mbledh drejtuesit e arsimit parauniversitar; Porositë për vitin e ri shkollor, risi shtrirja e programit “Pas Shkolle” në mbi 400 institucione arsimore

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, mblodhi në një takim të zgjeruar drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, agjencive të arsimit parauniversitar si dhe drejtorive rajonale e zyrave arsimore vendore në gjithë Shqipërinë.

Në fokus të këtij takimi ishin masat dhe përgatitjet për nisjen e një procesi mësimor të rregullt në gjithë institucionet arsimore të vendit, si nga pikëpamja e infrastrukturës mësimore, ashtu edhe në krijimin e një komunikimi të qëndrueshëm e një mjedisi mikrpitës për nxënësit.

Sigal

“Me drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe agjencive të arsimit parauniversitar, të Drejtorive Rajonale dhe 52 Zyrave Vendore Arsimore nga gjithë Shqipëria, në një takim ku diskutuam secili mbi masat e marra për nisjen e një viti sa më të mbarë shkollor—që nga infrastruktura në shkolla, siguria, kurrikulat e reja, krijimi i mjediseve sa më miqësore dhe mikpritëse për nxënësit, ndërtimi i një komunikimi të qëndrueshëm me prindërit, mësuesit dhe komunitetet arsimore, si dhe kompletimi i përvojës në shkollë me zgjatjen e orarit përtej mësimit me programin “Pas shkolle”.

Po i japim dorën e fundit përgatitjes së programit “Pas Shkolle”, i cili do të shtrihet në më shumë se 400 institucione, duke ofruar jo thjesht qëndrim pas orarit të mësimit, por kohë cilësore të mbushur me aktivitete sociale, artistike, sportive, artizanat, e shumë veprimtari të tjera në bashkëpunim me komunitetin”, ishte mesazhi i ministres Kumbaro.

Kumbaro vuri gjithashtu theksin tek nisja e programit të kurrikulave të reja për klasat 1, 6, 10, shpërndarja e teksteve të reja dhe falas nga klasa I-V, respektimi i udhëzimit për ndalimin e celularëve në shkolla dhe pasurimi i platformës SMIP edhe me programin “Pas Shkolle”.

Në vitin e ri shkollor do të hapin dyert 42 objekte arsimore dhe terrene sportive të reja të pajisura me kushte bashkëkohore të mësimdhënies. Ndërkohë, prej 24 gushtit ka nisur faza e dytë e regjistrimeve për  klasën e parë dhe të dhjetë e cila ka afat deri më 7 shtator.