Jorgaq Perika/ Një vëzhgim mbi problemet e të folurit të përditshëm të gjuhës shqipe

750
Sjellja e kulturuar, dhe veçanërisht të folurit e kulturuar, kërkojnë në çdo rast një gjuhë të pastër, të zgjedhur, të saktë dhe korrekte, që përjashton si fjalët e vrazhda, vulgare e banale, ashtu dhe ato të huazuara nga gjuhët e kombeve të tjera. Duke këmbëngulur në pastërtinë e gjuhës dhe në përdorimin sa më të gjerë të fjalëve me prejardhje nga shqipja, nuk dua të mendoj për t’u kthyer në asnjë mënyrë në një qëndrim prej fanatiku. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se fjalët e huaja kanë hyrë njëherë e përgjithmonë në fjalorin e përditshëm të shqipes, për të cilat nuk ka fjalë plotësisht të barasvlershme me të gjuhës sonë. Por çfarë ndodhi, sipas mendimit tim, në të folurit e përditshëm e sidomos pas ndryshimit të sistemit? Nëpërmjet vëzhgimeve, diskutimeve të lira, fjalimeve të politikanëve, të deputetëve, të intelektualëve të fushave të ndryshme, të gazetarëve e persona të tjerë, vërej se në përgjithësi përdorin gjuhën letrare shqipe, të kuptueshme, të saktë etj.
Por ka prej atyre, dhe ata nuk janë pak, të cilët për mua janë një minus i madh për kulturën në përgjithësi, pasi gjuha që përdorin, fjalët që këmbejnë mes tyre, të detyrojnë të mbyllësh veshët, të ndërrosh kanal, apo ta fikësh fare televizorin, kjo nisur dhe nga fakti se, përveç banalitetit që mbizotëron, përdorin fjalë apo shprehje të huaja që vështirë të kuptohen nga njerëz në nivel të përshtatshëm arsimor e jo më nga ata, të cilëve ju mungon përvoja e jetës ose arsimi i duhur.
Gjithashtu, ajo çka më ka tërhequr vëmendjen, janë titrat e lajmeve, përkthimet e ndryshme apo njoftimet e shkurtra informative etj., të cilat përmbajnë mjaft gabime gjuhësore, gjë që nuk iu falen jo vetëm gazetarëve, por edhe autorëve. Më ka bërë përshtypje se njerëz të artit e të humorit, kur japin shfaqje të ndryshme televizive qoftë në skena apo në radio, përdorin një fjalor banal për të argëtuar publikun apo telespektatorin që i shikon nga ekrani dhe, për çudi, një pjesë e tyre qeshin!!!… E përse? Sepse dëgjuan nga goja e aktorit apo aktores një fjalor të rëndomtë, një fjalor jashtë normave edukative? Dhe, madje, duke paguar për fjalë të tilla, kur fare mirë dhe pa shpenzime, domethënë falas, këto banalitete mund t’i dëgjosh në mjedise të veçanta shoqërore. Ku është etika e sjelljes? Ku është mesazhi që duhet të përcjellin nëpërmjet humorit? A ka vlerë edukuese? Nuk besoj se ka! Me përdorimin e fjalëve të huaja, mos ndoshta këta grupe njerëzish duan të tregohen “servilë” ndaj të huajve? Po sikur të mendojmë pak e t’i bëjmë pyetje vetes, nëse në shtete të tjera, a ndodh që ata të huazojnë fjalë nga gjuha jonë? Jemi në pritje që Shqipëria të bëhet pjesë e Europës si anëtare e saj me të drejta të plota. Por një gjë duhet të kemi parasysh dhe kjo gjithmonë sipas mendimit tim, se Europa do të na pranojë ashtu siç jemi: me historinë tonë, me kulturën, traditën e zakonet tona, si dhe me gjuhën e pastër shqipe, një gjuhë unike dhe e lashtë. Asnjë nuk ka të drejtë të justifikojë përdorimin e fjalëve të huaja në vend të fjalëve shqipe. Njerëz të fushës së letërsisë apo njohës të gjuhës, akademikë, filozofë etj., mendoj se duhet, që, rast pas rasti, të shprehen e ta thonë fjalën e tyre, të tërheqin vëmendjen me mendimet e vyera dhe bindëse. Të mos tregohen të tërhequr duke u justifikuar se jetojmë në kohë “moderne”, t’i përgjigjemi siç e kërkon Shekulli në të cilin jetojmë… e të tjera justifikime. Më poshtë po japim disa fjalë të huaja(këto janë një pjesë e jo të gjitha) në vend të fjalëve të shqipes, që përdorin këto grupe njerëzish, për të cilët u përmendën pak më lart. Lexuesi është i lirë të gjykojë e të nxjerrë vetë përfundimet e duhura:
Amendim – korrigjim 
Arredim – rregullim, mobilim 
Aplikim – zbatim, ushtrim, përdorim
Aludim – dyshim
Akomodim – përshtatje, strehim 
B
Balotazh – barazim
Bravo – të lumtë!
Ç
Çekap – kontroll 
Dominim – sundim
Drastik – i prerë
Destancion – drejtim, vendmbërritje
Definicion –përcaktim
E
Eveniment – ngjarje
Ekstravagancë – teprim, sjellje e çuditshme
Elokuent – rrjedhshëm, bindës
G
Grata – i dëshirueshëm
F
Fleksibilitet – ndjeshmëri
Flash – e shpejtë
Fansa – adhurues
Fondamentalist – thelbësor
H
Horror – i frikshëm, i tmerrshëm
Inspirim – frymëzim
Insistim – këmbëngulje
Inovacion – e re
Impenjativ – i përkushtuar
K
Kompetitiv – konkurrues
Koshient – i ndërgjegjshëm
Kolaps – ngërç
Kontemporan – bashkëkohor
Kreativ – krijues
L
Live – drejtpërdrejt
Lançim – transmetim
Life – jetë
M
Monitorim – në vëzhgim, në mbikëqyrje
Moderator – drejtues, ndërmjetës
N
Navigim – lundrim
Negociata – bisedime
O
Online – në linjë
Obligim – detyrim
Okej – mirë, në rregull
P
Promovim – paraqitje, njohje
Prezencë – prani 
Perfekt – i përsosur
Puntatë – pjesë
Prezantim – paraqitje
R
Resurse – burime
Reputacion – autoritet
Recepsion – informacion
Rikuperim – riparim, rifilloj
S
Suport – mbështetje
Spostim – zhvendosje
Sekuencë – pjesë
Sinjifikim – domethënie
Sensitiv – i ndjeshëm
Sh
Shoping – blerje
Sharm – paraqitje, bukuri, hijeshi
Shou – shfaqje
V
Vizion – shikim, largpamësi, parashikim
Vakancë – pushim
Vakant – bosh, i zbrazët
Sigal