- Premtimet në fushatë si ëndrrat e Nastradinit “hip këtu dhe shiko Stambollin”
- Na thonë do rrisim pensionet, por rrisin energjinë elektrike, ujin dhe çmimet e shportës
- Partitë janë si gratë e liga, grinden ditën në Parlament e puthen mbrëmjeve në darka për shtatë palë qejfe
- Sa mbarojnë votimet as kokën nuk kthejnë por të shohin si mjeranë!
- Për 50 vota të siguruara nga ana juaj do t’ju dhurojmë një “Smart”.
- Na premtojnë dhe bëjnë drejtora të përgjithshëm pranë Ministrive dhe pastaj punësojnë gratë, dashnoret dhe miqtë e tyre
-Fejton-
Nga: Niko Gjoni
Votimet janë në Maj dhe fushata kish filluar në TV, por dhe në gjithë rrjetet sociale. Në Tik-Tok, video, ëhatSaap, nëpër celularë, shkrime të ndryshme në gazeta. Më interesante dhe të drejtpërdrejta ishin telefonatat në celularët tanë, që kishin të bënin direkt me partitë dhe të përzgjedhurit për deputet. Sapo isha kthyer nga puna kur më bie zilja e celularit. Në ekranin e vogël të tij shikoj një numër të panjohur. -Alo… alo! Unë po dëgjoja dhe po prisja çfarë kërkonte marrësi. Dhe ai vazhdoi: Si je me shëndet… me shëndet të pyes si je? -Mirë jam. Po ju kush jinni? Mjeku i familjes? -Jo… jo… Ju flas nga Partia… nga qendra e lagjes së kandidimit dhe po ju pyes si jini, çfarë halli kini dhe me se mund t’ju ndihmojmë? Ne si grup veprojmë direkt për t’ju ndihmuar se njeriu gjithnjë ka një kërkesë, apo një dëshirë për të plotësuar… dhe ne prandaj jemi këtu…-Po mirë them se jemi, iu përgjigja gati i hutuar se nuk më kish ndodhur më parë. Tjetri heshti pak aq sa m’u duk se ishte larguar, por papritur dëgjoi sërishmi zërin e tij. -Si je me gjumin e natës? A ke probleme? Si thua sikur ta sjellim një dyshek Dormeo dhe një jastëk fizioterapik për ty…? Gruaja që ishte pranë po më shikonte në sy. I thashë se kemi dyshek me lesh, por që ishte vetëm për dimër se gjatë verës të përvëlonte.
-Ja zotni që kini nevojë për një dyshek Dormeo? Do jua sjellim tani së bashku me jorganin dhe jastëkët. Kërkova t’i spjegoja për apartamentin, adresën tone, por ai gati me të qeshur më tha: -E dimë, e dimë adresën ku banon, sepse për një orë do na kesh aty. Në këmbim të kësaj dhurate ne duam si dhuratë votën tuaj e të familjes…-Opo… po angazhoj gjithë fisin, pa merak, u përgjigja. Po vija rrotull në sallon. Të ishte e vërtetë, apo ndonjë nga shokët bënte lojë. Fiks pas një ore trokiti dera dhe tek pragu ishin dy djem të gjatë që më përshëndetën dhe më thanë që ju sollëm dyshekun…I lanë aty dhe me përshëndetje u larguan. Gruaja që deri atëhere nuk i kisha thënë gjë hapi sytë. -Nga i more këto or burrë, flinim si flinim dhe këtë vit… Koha priste… -Priste koha por nuk pret fushata, iu përgjigja.-Çfarë fushate thua? -Zgjedhjet grua, fushata e zgjedhjeve! Tani zbrazin thasët këta. I kemi dhuratë nga ata të Partisë. Ne do ju japim votën, ne na rehatojnë gjumin…
-Me të vërtetë?! Kisha dëgjuar që e blejnë votën, por si shtrenjtë… Paska shumë rëndësi, dhe qeshi. Gjithë qejf sistemuam krevatin dhe u shtrimë në një relaks të plotë. -Kësaj i thonë ta ndjesh fushatën, më tha ime shoqe dhe u ngrit të pregatiste diçka më të këndshme për darkë e të festonim. Pas tre-katër ditësh, përsëri në celular një numër i panjohur. -Alo, ju flas nga qendra e votimit. Jemi partia e re…Duhet ndryshuar kjo politikë dhe po punojmë të themi zërin tuaj në Parlament… Por, pa votën e popullit, nuk kemi se si të shfaqim programin tonë dhe ta realizojmë për një jetë më të mirë. Si thoni, do na ndihmoni me votën tuaj? Nuk kemi ndonjë ekonomi, por anëtarët e kësaj partie, bizesmenë po na ndihmojnë për fushatën. -Ju kuptoj, iu përgjigja. Kjo punë nuk bëhet me të thatë. -Sigurisht, vazhdoi zëri gjithë timbër në celular. Për 50 vota të siguruara nga ana juaj do t’ju dhurojmë një smart.
Ne e dimë që ju po t’i viheni punës keni mundësi dhe 100 vota të na jepni nga elektorati. Që nesër do ta sjellim aty para pallatit… Unë po përpiqesha t’u tregoja adresën ndërsa tjetri nuk vonoi të më plotësojë: -E dimë pallatin ku banoni. Pa merak. Nesër në orën pesë të mbasdites do të vijnë çunat tanë tua sjellin. Dhe kështu ramë në dakortësi. Ime shoqe tha se po bëja gabim që pranoja. I kishim dhënë fjalën atyre të Partisë dhe sikur nuk kish lezet…-Njësoj janë partitë grua. Nuk i shikon… Grinden ditës në Parlament e puthen mbrëmjeve në darka për shtatë pale qejfe. Kjo politikë bëhet tek ne. Nuk është bindëse. Ne nuk u kërkuam gjë, vetë po na i sjellin. Të nesërmen në mbasdite e sollën aty para pallatit, por pa motorr. Motorin do të na i sillnin pas zgjedhjeve. Në këtë kohë fushate dëgjoja dhe nga miqtë e mi për dhurata, apo lekë që ishin shpërndarë si bamirësi për familjet në nevojë dhe se pasi të fitonin do të na ndodheshin edhe më afër për zgjidhjen e çdo problemi. Të tjerë, që përcillnin kërkesën për marrjen e votës nga zona përkatëse elektorale, nuk nguronin t’u thoshin më të rinjve se kishin vënë dhe hotele e restorante për qejfe, të paguara nga vet ata, vetëm vota të hidhej për Partinë e tyre e të propozuarin për deputet. Në hotel-restorantet e caktuar, shkonte lista me emrat e qytetarëve që do të hanin, pinin e bënin qejf një javë rresht. Kënga dhe vallja ndizte ambjentet dhe të kënaqur me të dashurat e tyre kalonin natën në dhomat e komoduara për shtatë palë qejfe. -Kështu po ka lezet… Si me votën tonë dhe pa votën tonë, ata që janë caktuar për të fituar do të jenë në Parlament. Pse kush e ka dëgjuar popullin deri më sot…? Ja, këto metoda që po përdorin nuk janë të vjedhësh votën. Po hajt të bëjmë qejf këto ditë se dhe kur jam martuar e kisha mendjen në shlyerjen e borxheve për dasëm dhe nuk e kam shijuar tamam dasmën… Kjo është dasëm tamam dhe e madhe…-Ke të drejtë, u përgjigj Lorenci. Zgjedhjet me këtë politikë kanë përfunduar pa filluar. Po kjo loja e dhuratave gjatë fushatës ishte përhapur gjerësisht. -Alo, nga Partia jonë janë caktuar dy doktorë për deputet… E për shëndetësi kemi nevojë të gjithë. Njëri është kirurg dhe ju premton që operacionet për ju që e votoni janë pa lekë… Po kështu dhe dentisti… Shërbim të të gjitha llojeve… më dëgjoni: Janë premtime konkrete jo fjalë boshe. Kur ishim shtrirë dhe rehatuar në dyshekun Dormeo, dëgjoj sërishmi në celular. -Votoni për ne… Jemi PL. Do të kini për çdo votë nga një celular Samsung 10-ta me tre kamera…Eh, votë … votë moj që i tërbove njerëzit. Çfarë nuk bëjnë matrapazët të kenë emrin e deputetit e të jenë në Parlament! Është me shumë interes, sepse aty bëhen super matrapazë, xhambazë, kusarë aq të rrallë sa të kërkosh në gjithë botën nuk i gjen. Tek ne po dhe dalin hapur. Të gjithë njësoj duke mbrojtur njëri-tjetrin, të bardhën e bajnë të zezë dhe të zezën të bardhë… Askush nuk u beson më këtyre, po të përfitojnë çfarë të përfitojnë në kohë fushate… nuk është keq dhe kështu. Ndërsa jam ulur në një nga tavolinat e bar-restorantit në qendër të Tiranës, me tre shokët e mi po diskutojmë pikërisht për fushatën. -Si do t’i mbulojnë gjynahet deputetët?! Bëjnë pallate dhjetë katëshe, kanë biznese të papaguara, kultivohet hashash për llogari të tyre fshatrave dhe bëjnë pazare hapur. Bëhen drejtora të përgjithshëm pranë Ministrive dhe punësojnë gratë dhe vajzat e tyre sipas shoqërisë e miqësisë së ngritur. Ne po në vend pa punë sorrollatemi dhe djemtë tanë presin t’u jepet mundësia të largohen në emigrim. Eh… si na u bë kjo jetë në këta vite! Ata janë bërë rokfelerë, sulltanë dhe ne me fëmijët tanë shtresa më e varfër e shqiptarëve… Nuk e di si do vejë kjo jeta jonë… duke llogaritur qindarkën…-Unë kam dhe dy prindërit e moshuar në shtëpi… Do i mbaj se nuk do i nxjerr në rrugë. Pensionet që marrin nuk u dalin as për ilaçe e doktorë. Se doktorët të rrjepin kokën…Partitë fituese i kanë vendet në shtet gati. I heqin ata të partisë humbëse dhe krekosen vetë, megjithëse e gjejnë gjuhën dhe të humburit e të fituarit kur vjen puna për karige. Eh, të gjithë në sulm për vjedhje votash, – ndërhyn në bisedë Lefteri që deri atëhere vetëm rufiste kafenë me një vështrim të ftohtë nga ne. Mos u besoni premtimeve… vetëm mashtrojnë… Janë vjedhës me diploma e oratorë që nuk gjen lehtë. Mjerë njeriu i ndershëm. Nga përvoja e kësaj politike të pandryshuar e dimë që pavarësisht që hiqen si kundërshtarë dhe ministri i larguar e ka një post në drejtori të një ministrie tjetër. Ka nuk ka njohuri… me diploma reale apo fallso, që tashmë dihen, luhet kaq bukur në mes të ditës prej tyre sa ne mbetemi duke bërë sehir. Pas zgjedhjeve do ndodh e njëjta gjë. Zhgënjimi. Secili përgatit gati cv dhe mendon ku t’ja mbathi për të përballuar jetën: në Azi, Afrikë, Amerikë, Australi, kudo që t’i jepet mundësia e di që do të jetë qetë dhe nuk do të kthejë kokën pas.