Prof. Dr. Lush Susaj: Bujqësia dhe fermerët në kthetrat e mafies ordinere e politike

252
Sigal

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Situata e rëndë në të cilën është katandisur bujqësia shqiptare, falimentimi i bizneseve dhe fermerëve, mungesa e politikave me tregjet, falciteti, importimi i produkteve nga rajoni dhe Europa, vjedhjet e fondeve të BE-së për bujqësinë, mafia e projekteve fiktive, zëvendesimi i intelektualëve me injorancën, nepotizmin partiak, monopolet e ushqimeve dhe plehrave me mbështetjen e politikës dhe pamundësia e organeve të hetimit për ti ndëshkuar janë pjesë e një analize të gjatë që Prof. Lush Susaj ka përgatitur për Gazetën Telegraf.al. Ja analiza e plotë.

“Në vendin e elitës dhe ekspertizës së mirëfilltë, u kapultuan njerëzit më të paditur, gojëkyçurit dhe besnikët e njohur në korrupsion dhe në kopsitjen e dosjeve të fiktivitetit, për të cilat kryeministri pati premtuar aq shumë në vitet 2012-2013.”

  • Subvencionet dhe investimet nuk arrijnë tek fermeri e përpunuesi
  • Paratë e BE për krijimin e kloneve dhe markave autoktone, ju dhanë militantëve dhe të huajve
  • Korrupsioni e ka lënë fermerin pa subvencione të drejtëpërdrejta dhe pa investime reale e produktive në ruajtje, përpunim, marketing
  • Strukturat e kontrollit dhe të sigurisë ushqimore janë përkeqësuar
  • Shqipëria ka mbetur pa rajonizim dhe pa struktura funksionale varitore në të gjitha specialitetet e prodhimit bujqësor
  • Duhet luftuar efekti shkatërrues i monopoleve të njohura mbi pesticidet, plehërat kimike, farërat dhe fidanat
  • Jemi bërë vendi më i veçantë i rajonit dhe botës, shëmbull i të keqes ku mund të shikohen nga afër e në çdo nivel pasojat e injorancës, nepotizmit, hajnisë, korrupsionit dhe amatorizmit shtetërorë e politikë

“Sistemi i plotë i kontrollit dhe certifikimit të farave dhe fidanave, nuk ekziston, ndërsa investimet në këto drejtime kanë dështuar nga vjedhjet dhe abuzimet. Për të gjitha këto fajësoj vetëm injorancën dhe korrupsionin politik, që në vend të politikës zhvillimore ka prodhuar dështime politike. Mungesa e standarteve ligjore, do lind probleme me implementimi i tyre, për shkak se ligjet janë përkthyer keq…”

  • Heshtja ndaj përbindëshave të hajnisë dhe korrupsionit në Bujqësi

Nuk është koha për të heshtur më tutje përballë kësaj situate absurde të bujqësisë shqiptare, pasi nga heshtja lindin e rriten vetëm përbindësha e derra të korrupsionit. Nga të gjitha analizat dhe debatet e përditshme që bëjmë me kolegët e mirë provuar e të testuar në fushat e prodhimit, e që janë ekspertët dhe titullarët më të mirë të prodhimit bujqësor brenda dhe jashtë vendit, na rezulton një përfundim i saktë e i dukshëm si drita e diellit, që tregon që bujqësinë shqiptare, dhe më gjërë, e ka shkatërruar dhe po e shkatërron injoranca administrative e shkencore, e miksuar me korrupsionin shtetëror e politik. Injoranca dhe korrupsioni krijojnë atëmjergullën e dëndur e të shumëdëshiruar për hadutët dhe abuzuesit me politikat e zhvillimit, me investimet dhe me projektet, nga ku nuk ka rritje prodhimi, as rritje standartesh e as zhvillim të qëndrueshëm. Përkundrazi është shtuar e vazhdon të shtohet varfëria, pasiguria dhe ritmet e falimentimit të fermerëve, përballë një grushti oligarkësh e politikanësh të korruptuar, që fryhen, e që nuk po kanë të ngopur në vjedhje e as në dhimbje e ligësi. Le të bëjmë një krahasim midis atij fermerit që e prodhon qershinë, e që klanet dhe ligjet klienteliste të parties ja marrin me 20 lek/kg, për ta shitur me 200 lekë/kg (10 herë më shumë). Apo për të kuptuar se si ligjet kaotike të partive shtet e detyrojnë fermerin e Myzeqesë dhe të gjithë Shqipërisë që nga njëra anë të blejnë pesticidet, farat, fidanat dhe plehërat kimike me çmime 2-3 herë të rritura. Ndërsa nga ana tjetër, janë po këta shitës, importues dhe grumbullues të sajuar nga strukturat evotive të partisë, që ju bëjnë presion e ua marrin shalqinin me 15 lekë/kg, e pak më vonë edhe domaten e kuqe me 5-10 lekë/kg, etj. Kjo nuk është e nuk mund të quhet kurrë politikë zhvillimore, e as drejtim shtetërorë e politikë. Përkundrazi është një masakër e vjedhje e mirëfilltë ndaj fermerëve, ndaj të ardhurave, ndaj sigurisë ushqimore dhe të ardhmes së prodhimit bujqësor në Shqipëri. Në këtë këndvështrim është e lehtë që të kuptohet se kush punon dhe kush fiton më shumë në Shqipëri? Sa fiton prodhuesi që djersin e prodhon, dhe sa fitojnë ndërmjetësit apo shushunjat e krijuara nga korrupsioni politikë, e nga kaosi që buron prej tij. Çdo lexues, konsumatorë dhe prodhues shqiptarë, duhet të kuptojë faktin që është korrupsioni dhe injoranca profesionale e ligjore ajo që po shkakton falimentimin dhe braktisjen e përditshme të fermave bujqësore e blegtorale. Kështu po realizohet edhe dëbimi ditën për diell i prodhuesve, punëtorëve dhe specialistëve për në emigracion, duke lënë pas një fushë të shkretë, e ku nuk prodhohet më as bar i thatë.

“Projektet e BE janë për shqiptarët e për Shqipërinë, e jo për mafien e e projekteve, që në këto 25 vite i ka vjedhur, duke mos ngelur asgjë prej tyre. Për këtë arsye, pavarësisht nga sa është shkruar në dosjet fiktive dhe në konferencat propagandistike, realisht jemi në kushtet kur standartet dhe teknologjitë nuk janë rritur, por janë përkeqësuar.”

  • Subvencionet dhe investimet nuk arrijnë tek fermeri e përpunuesi

Korrupsioni e ka lënë fermerin pa subvencione të drejtëpërdrejta dhe pa investime reale e produktive në ruajtje, përpunim, marketing. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit dhe Europës, ku çdo fermer që mbjell e që plotëson kriteret, aplikon përmes skemave të thjeshta e jo burokratike (sikurse janë këtu tek ne), dhe merr subvencionin real, e të drejtëpërdrejtë që i takon. Në Shqipëri, nga mendja djallëzore e padija e thellë, është prodhuar një lloj aplikimi me vështirësi, padrejtësi dhe burokraci, nga ku fituesit shpallën sipas shpejtësisë së aplikimit, e jo sipas meritës. Kështu që shumë nga ata që i plotësojnë kriteret përjashtohen padrejtësishtë e në mënyrë jo ligjore. Po kështu, në terren, për shkak të mangësive të ligjeve të hartuar për njerëz të veçantë, janë krijuar struktura nepotike e korruptive, të cilat janë pozicionuar si shushunjat midis buxhetit të shtetit dhe fermerit,, e ku thithin investimet sikurse thithin shushunjat dhe rriçnat gjakun. Për këtë arsye absurde, nga rreth 45 euro/ha subvencione, vetëm 3 euro arrijnë tek fermeri shqiptarë, ndërsa pjesa më e madhe prej 42 euro (ose 94%), shkon për shpenzimet korruptive të sistemit, etj. Kjo ndodh për shkak se shteti ynë i molepsur nga korrupsioni, akoma nuk e subvencionon drejtëpërdrejtë fermerin sikurse e bën Maqedonia dhe vendet e tjera të rajonit. Përkundrazi, në Shqipëri janë shpikur lloj lloj ligësish dhe pengesash dekurajuese, që bëjnë që investimet dhe subvencionet të vidhen nga hallkat e ndërmjetme, duke mos shkuar asgjë tek prodhuesi. Maqedonia e Veriut subvecionon rreth 143 euro/ha në mënyrë të drejtëpërdrejtë, nga ku 98 euro shkojnë tek fermeri, ndërsa 45 euro (32%) shkon për hallkat mbështetëse dhe implementuese. Që do të thotë se administrata e Maqedonisë punon me efektivitet rreth tre herë më të lartë (94% me 32%). Shtojmë këtu edhe shëmbullin e Malit të Zi dhe Kosovës, që krahasuar me Shqipërinë, subvencionojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë rreth 18 herë më shumë. Për shkak të korrupsionit dhe injorancës në skema dhe ligje abuziviste, fermeri shqiptar merr apo subvencionohet 53:3=17,67 herë më pak. Pa përmendur këtu as atë efektin shkatërrues të monopoleve të njohura mbi pesticidet, plehërat kimike, farërat dhe fidanat. Apo monopolet mbi eksport-importet e prodhimeve bujqësore dhe mbi pikat e grumbullimit, e që kanë funksionuar e po funksionojnë në mënyrë kaotike e jashtë çdo lloj logjike ligjore, tregëtare dhe kontrolli financiarë. Apo për të kujtuar edhe gjendjen katastrofë të investimeve pa plan e pa strategji afatgjatë në qendrat e agropërpunimit, por në shumë prej tyre nuk përpunohet asgjë. Apo për të kujtuar atë mish mashin e krijuar me studimet, strategjitë dhe projektet e militantëve e të shoqatave të tyre të partisë, që tashmë kanë spostuar dhe kanë zevendësuar institucionet shkencore, titullarët e fushave dhe ekspertizën e mirëfilltë, e ku përveç posterave dhe dosjeve fiktive, nga dalldia e tyre nuk mbetet asgjë për shoqërinë dhe as për bujqësinë shqiptare. Për këtë arsye Shqipëria akoma nuk ka hartë kadastrale funksionale e as sistem të bonetimit bashkëkohorë të tokave, natyrisht që shoqatat afër politikës i kanë marrë paratë për dokumenta që nuk shërbejnë për asgjë. Shqipëria ka mbetur pa rajonizim dhe pa struktura funksionale varitore në të gjitha specialitetet e prodhimit bujqësor, sepse kjo është punë që mund ta bëjnë vetëm specialistët e jo militantët e shpërblyer e të katapultuar në krye të projekteve. Natyrisht që në dosjet fiktive ka edhe letra të shkruara për këto punë, studime pa oponencë dhe të shkruara nga njerëz totalisht jashtë specialiteteve të ngushta dhe jashtë realitetit bashkëkohor të tregjeve. Shqipëria ka mbetur edhe pa market autoktone, e kjo për shkak se projektet dhe paratë e BE për krijimin e kloneve dhe markave autoktone, ju dhanë militantëve dhe të huajve me urdhëra e me tarafe partie, në vend që këto punë t’i bënte universiteti, sikurse ndodh në të gjitha vendet e botës. Nuk mund të fshihet korrupsioni me projektet dhe investimet duke u fshehur pas të huajve që kurrë nuk mund të krahasohen me ekspertët tanë të aftë e me njohuri të plota mbi klimën dhe specifikat e Shqipërisë. Projektet e BE janë për shqiptarët e për Shqipërinë, e jo për mafien e e projekteve, që në këto 25 vite i ka vjedhur, duke mos ngelur asgjë prej tyre. Për këtë arsye, pavarësisht nga sa është shkruar në dosjet fiktive dhe në konferencat propagandistike, realisht jemi në kushtet kur standartet dhe teknologjitë nuk janë rritur, por janë përkeqësuar. Kapacitetet prodhuese, përpunuese dhe eksportuese janë përkeqësuar. Strukturat e kontrollit dhe të sigurisë ushqimore janë përkeqësuar. Edhe strukturat e financimit, këshillimit dhe dokumentacionit janë çorganizuar e përkeqësuar. Edhe sistemi i plotë i kontrollit dhe certifikimit të farave dhe fidanave, nuk ekziston, ndërsa investimet në këto drejtime kanë dështuar, janë abuzuar. Për të gjitha këto fajësoj vetëm injorancën dhe korrupsionin politik, që në vend të politikës zhvillimore ka prodhuar dështime politike..Pa folur edhe për atë boshllëkun tashmë të krijuar me standartet ligjore, dhe me problemet që do të dalin nga implementimi i tyre, për shkak se ligjet janë përkthyer keq, e akoma më keq janë përshtatur nga njerëz pa përvojë e pa njohje në fushat specifike, sikurse janë Pemëtaria, Vreshtaria, Bimët Medicionale, Bletaria, Peshkimi, Drithërat, Bimët Etero Vajore, etj, e ku dihet që edhe filtrat e parlamentit tonë kanë qenë dhe janë shumë të dobëta për këtë fushë specifike. Prodhuesit, konsumatorët dhe institucionet demokratike brenda e jashtë vendit, duhet të kuptojnë mënyrën se si vetëm për qëllime korruptive, janë mënjanuar ekspertët më të mirë, ata me dije e me dinjitet të lartë njerëzor, të njohur për antikorrupsion dhe burrëri intelektuale. Mafia e dinë shumë mirë që me të tillë ekspertë dhe intelektualë nuk mund të vidhet e nuk mund të shkatërrohej kurrë Shqipëria për llogari të klaneve korruptive. Kjo kategori ekspertësh dhe intelektualësh të kalibrit të lartë kombëtarë e ndërkombëtarë, nuk mund ta pranojnë kurrë fiktivitetin, as nuk mund të firmosin kurrë dosjet fiktive të korrupsionit. Kjo elitë e mënjanuar qëllimisht nga mafia politike e shtetërore e këtyre viteve, nuk mund të bëjë kurrë pazarë e as kompromis për shkencën, as teknologjinë e as standartet. Në vendin e tyre, politika e këtyre nëntë viteve, si kurrë më parë rekrutoi dhe katapultoi në krye të institucioneve, të projekteve, të studimeve, të strategjive dhe të strukturave prodhuese e përpunuese njerëzit me egoizëm e grykësi të pashëmbulltë. Në vendin e elitës dhe ekspertizës së mirëfilltë, u kapultuan njerëzit më të paditur, gojëkyçurit dhe besnikët e njohur në korrupsion dhe në kopsitjen e dosjeve të fiktivitetit, për të cilat kryeministri pati premtuar aq shumë në vitet 2012-2013. Për ta përmbyllur, unë mendoj se fatkeqësisht, jemi bërë vendi më i veçantë i rajonit dhe botës, shëmbull i të keqes ku mund të shikohen nga afër e në çdo nivel pasojat e injorancës, nepotizmit, hajnisë, korrupsionit dhe amatorizmit shtetërorë e politikë.