Nesip Kaçi: Tradhtari Ballaban Pasha masakroi bashkatdhetarët e tij

35
Sigal

Nesip Kaçi
Publicist

Historia e popujve shpesh është e dhimbshme. Në faqet e saj në disa raste përshkruhen lloj-lloj ngjarjesh dhe tradhti të poshtëra, që i neverisin ata që i kanë kryer. Në historinë e popullit tonë një i tillë është Ballaban Pasha, i cili, në emër të perandorisë osmane dhe karrierës së tij ogurzezë ushtarake,  masakroi bashkëatdhetarët e tij, kreu ndaj tyre vepra çnjerëzore dhe përfundoi tradhtari më i madh i shqiptarëve.

Sipas Fan Nolit, Ballaban Pasha ishte shqiptar nga Martaneshi, i rritur nëTurqi, ndërsa historiani Paulin Zefi, në studimet e tij, na e jep në mënyrë të hollësishme origjinën e Ballabanit : prindërit e tij, quheshin Millosh dhe Helena, një familje katolike, që e pagëzuan djalin me emërin Mëhill, i cili ka lindur në fshatin Baderë, që mendohet se është Batra në Matin e sotëm. Mëhilli ishte biond dhe trup-shkurtër. Në moshë të vogël Mëhilli u muar peng dhe u dërgua në kryeqytetin osman, në Adrianopojë, në Edirne dhe përmes  Devshirme-së, u edukua dhe u rrit në pallatet e Sulltanit duke u kthyer në islam, mysliman, ku nga Mëhill e pagëzuan Ballaban, që do të thotë i pamposhtur. Këtu më 1430 u vu në shërbim të osmanëve dhe në bazë të aftësive të tij dhe zgjuarsisë arriti një karrierë të madhe ushtarake; nga jeniçer u bë Pasha.

Në pushtimin e Konstantinopojës, gjatë betejës së vitit 1453 ishte ndër të parët që hyri, sulmoi dhe depërtoi duke vendosur flamurin osman në kryeqytetin bizantin dhe këtu fitoi simpatinë e Sulltan Fatihut, Fitimtarit.

Ndër arbërit e turqizuar, që luftuan në marrjen e Konstantinopojës ishin dhe Ulubatllë Hasan, ky ishte i pari që vendosi flamurin osman në muret e trefishta të Konstantinopojës, ku gjeti vdekjen nga shigjetat e harkëtarëve bizantinë. Por në pushtimin e Konstantinopojës u dallua edhe arbëri i islamizuar, Zagan Pasha, që duke iu referuar historianit turk Halil Inallxhëk, ishte djali i komandantit të shquar arbër Vrana Kontit(Kont Urani), që gjatë gjithë jetës së tij luftoi në krah të Skënderbeut dhe në rrethimin e parë të Krujës ishte kështjellar i saj. Zagan Pashanë osmanët e kishin marrë peng në Arbëri në fëmijërinë e hershme. Zagan Pashai ishte Admiral i Flotës së perandorisë, më vonë Vezir i Madh i perandorisë, miku më i besuar i Sulltan Mehmetit II. Në pushtimin e Konstantinopojës Zagan Pashai në vitin 1453 ishte komandant i përgjithshëm i ushtrisë osmane dhe ishte ndër kryesorët në marrjen e kryeqytetit bizantin.

Në regjistrin kadastral osman të Sanxhakut Arnavut (shqiptar) të vitit 1431-1432 Ballaban Pasha përmendet si timarli i katër fshatrave të vilajetit të Krujës, kurse dy vjet më pas emërohet dizdar( kështjellar) i saj dhe gjatë viteve 1437-1439 do të ishte vartës i Skënderbeut kur u emërua subash i Krujës. Ballabani përmendet si ” Gulam-i  mir” dhe me cilësimin  “i vogël” (Ballaban-i kycyk), që përkon me përshkrimin që Barleti i bën fizikut të tij: “nga shtahti ishte i shkurtër dhe i pakët”.

Kur Skënderbeu dezertoi nga fronti i Nishit dhe u kthye në Krujë, Ballabani ishte kështjellar i saj dhe pasi mori pushtetin, Skënderbeu bashkë me ushtarët osmanë e dëboi dhe dizdarin (kështjellarin) Ballaban. Që nga kjo kohë Ballabani u vendos në pronat e tij, që shtriheshin në lindje të Ohrit, këtu Ballabani filloi dhe zhvilloi luftimet me forcat e Skënderbeut. Në Ohër Ballaban Pasha ka shërbyer edhe si Sanxhakbej. Në betejën që u zhvillua në Oranik të Dibrës osmanët pësuan një disfatë të rëndë dhe Ballabani mezi shpëtoi nga vdekja.

Pas fitoreve të Skënderbeut kundër Sheremetbeut, Sulltan Mehmeti zgjodhi Ballaban Pashën të komandojë ushtrinë osmane kundër Skënderbeut. Në betejën e parë që u zhvillua në prillin e 1465 në luginën e Vajkalit (Bulqiza e sotme), ushtria osmane u thye, por Ballaban Pasha mundi të zinte në pusi tetë komandantë të dëgjuar të Skënderbeut: Moisi Golemin e Dibrës, Vladan Juricën, Muzaka i Angjelinës (djalin e motrës së Skënderbeut), Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berishën, Gjergj Kukën dhe Gjin Maneshhin. Tetë komandantët e Skënderbeut, Ballaban Pasha ia dërgoi Sulltanit në Konstantinopojë që të justifikonte humbjen.Me gjithë kërkesën e Skënderbeut që t’i kthente ushtarakët e tij të padëmtuar në këmbim me 200 robër osmanë për çdo ushtarak arbër, sulltani nuk pranoi, por urdhëroi t’i torturonin për 15 ditë dhe t’i rripnin të gjallë. Si kundërveprim Skënderbeu urdhëroi vrasjen e robërve osmanë.

Duhet të theksojmë se Ballaban Pasha i humbi të gjitha betejat kundër Skënderbeut.

Fatihu mendoi se kishte ardhur koha për një goditje vendimtare me të gjitha forcat ushtarake të Perandorisë Osmane. Në pranverën e vitit 1466 sulltani u nis në krye të gjithë ushtrisë osmane, që numëronte 165.000 vetash, për të rrethuar Krujën dhe për t’i dhënë goditjen vendimtare Gjergj Kastriotit. Por Kruja i rrezistoi sulmeve të artilerisë osmane, ajo mbrohej nga 4.400 burra me në krye Tanush Topinë, ku përfshiheshin 1.000 venetikas me Baldasar Perduçin dhe 200 pushkatarë dhe  shigjetarë napolitanë. Ballaban Pasha, në emër të Sulltan Mehmetit II, u kërkoi mbrojtësve të Krujës të dorëzoheshin duke i premtuar shuma të mëdha, por ata nuk pranuan dhe përgjigjen ua dhanë duke bombarduar pozicionet osmane. Sulltani për këtë u hakmor duke ekzekutuar mijra civilë arbër, dogji fshatrat rreth saj, Kurbinit, Matit, Dibrës e Durrësit dhe përgjatë luginës së Shkumbinit, ku vlen të citohet masakra e tmerrëshme e Qidhnës së Dibrës, ku u vranë 10. 000 pleq, gra dhe fëmijë. Pasojat më të rënda do të vinin pas ndërtimit të Kalasë së Elbasanit, të cilën sulltan Mehmeti II e ndërtoi për të dobësuar fortesën e Krujës.

Pas dy muaj luftimesh të ashpra Mehmeti II, Fatihu, u bind se Kruja nuk mund të pushtohej me forcën e armëve, ai u tëhoq i turpëruar drejt Stambollit dhe la Ballaban Pashën në krye të 80.000 ushtarëve, që të vazhdonte rrethimin e Krujës, me shpresën se mbrojtësit e kështjellës së Krujës do të dorëzoheshin ose do të vdisnin nga uria. Rrethimi i Krujës vazhdoi shtatë muaj, gjatë kësaj kohe Ballaban Pasha masakroi civilë, vëllezër të një gjaku dhe gjuhe, preu pemët frutore, shkatërroi të mbjellat, dogji vreshtat, lëshoi ushtrinë osmane për plaçkitje, vrasje, përdhunime dhe sipas burimeve të kohës, këto ishin ditët më të zeza të kombit tonë të shkaktuara nga një bashkëpatriot i poshtër, siç ishte Ballaban Pasha.

Ndërkohë Gjergj Kastrioti, i ndodhur në vështirësi, në dhjetor 1966 u nis nga Lezha drejt Raguzës dhe lundroi drejt Ankonës, për të shkuar në Romë, ku “Atletit të Krishtit” iu bë një pritje e madhe, por ndihma e Papa Palit II ishte një ndihmë shumë e vogël prej 5.000 dukate.

Rrethimi i Krujës vazhdoi gjatë dimrit 1466-1467 dhe Skënnderbeu në prill të 1967 u kthye nga Roma dhe Napoli me pak ndihma. Me t’u kthyer në atdhe ai organizoi një ushtri prej 16.000 veta në qytetin e Lezhës dhe së bashku me Princin Leka i tretë Dukagjini, Vojvodën e Shkodrës dhe me ndihmën e disa reparteve veneciane, që numëronin rreth 500 mercenarë, fillimisht sulmoi dhe shpartalloi një ushtri osmane të komanduar nga vëllai i Ballabanit, Jonuzi, të cilin më 19 prill 1467 e zuri rob, sëbashku me të birin Hajdarin. Që këtej, Skënderbeu u nis të thyente rrethimin e dytë të Krujës, dhe beteja u zhvillua më 23 prill 1467, ku Ballaban Pasha nga rrethues, u kthye i rrethuar. Fatmirësisht, gjatë këtij sulmi të befasishëm, Ballaban Pasha u godit me një shigjetë në fyt nga një harkëtar i kalasë së Krujës, që quhej Gjergj Aleksi, i cili ishte një gjahtar  dhe harkëtar profesionist nga Malësia e Krujës. Pas kësaj goditjeje me shigjetë në fyt Ballaban Pasha sa arriti në shatore vdiq. Vdekja e Ballaban Pashës shkaktoi demoralizim të plotë të ushtrisë osmane, e cila u tërhoq me shumë humbje, dhe duke qënë se mbetën pa komandant, ishte më e lehtë për Malësorët arbër të merrnin në dorë situatën dhe u lëshuan mbi ta me të gjitha forcat, u hakmorën pa mëshirë dhe i ndoqën këmba-këmbës deri brenda territorit osman.

Pas këtyre fitoreve të mëdha, Gjergj Kastrioti furnizoi me ushqime mbrojtësit legjendarë të Krujës, që po bëheshin gati për rrethimin e tretë, sepse në muajin korrik 1467 Sulltan Mehmeti II, Fatihu, u rikthye në Krujë në krye të një ushtrie akoma më të madhe, që të hakmerrej për humbjen katastrofike dhe vrasjen e Ballaban Pashës, por që edhe kësaj here u detyrua të tërhiqej me shumë turp dhe e mbyti Arbërinë në gjak, duke kryer një genocid që deri në atë kohë kurrë nuk e kish përjetuar një komb europian. Në rrethimin e tretë të Krujës, brenda 15 ditëve të qëndrimit të Sulltan Mehmetit II në Arbëri u masakruan 30.000 arbër të pafajshëm.

Në mënyrë të përmbledhur për Ballaban Pashën mund të shtojmë edhe këto : ai ishte i dobishëm për perandorinë osmane në Ballkan, sepse e njihte mirë terrenin shqiptar dhe në shumë aspekte kishte aftësitë e Skënderbeut në luftime, ndaj u bë rivali i tij më problematik ushtarak në katër vitet e fundit të jetës së Skënderbeut. Në betejën e parë të Vajkalit Ballaban Pasha për pak e zuri rob Skënderbeun, por sipas Nolit dhe disa historianëve, Skënderbeun e shpëtoi kali i tij, falë një kërcimi të jashtëzakonshëm, që mundi ta nxirrte nga terreni i thyer ku ishte rrethuar.

Duhet të theksojmë se kur Mëhilli (Ballabani) ishte i vogël, nënën e tij, Helenën, e përdhunuan dhe e vranë kalorësit osmanë të Isak Bej Evrenozit kur depërtuan në fshatrat e Martaneshit, por Ballaban Pasha e la pas dore historinë rrëqethëse të nënës së tij dhe u vu në shërbim të osmanëve, gjë që flet se Ballabani nuk ka njohur as trashëgimi dhe as moral. Ballabani ishte një gjeneral i famshhëm osman, që masakroi bashkëatdhetarët e tij . Ai ishte armiku më i rrezikshëm i Skënderbeut, i pabesë dhe i pashpirt, antishqiptar deri në maksimum, që e ngjiti veten në majat e poshtërsisë ndaj kombit të tij.

Në Krujë sot është një gurrë dhe një çinar (rrap) që quhen Kroi dhe Çinari i Ballabanecit, që domethënë se këtu Ballabani neci- ngeci. Për këtë në prill të vitit 1933 Zef Harapi ka shkruar në të përkohëshme jezuite “Leka”  një artikull me titull  “Krueja: Kroi dhe Çinari i Ballabanecit”.

Populli, urrejtjen e tij ndaj këtij tradhtari me damkë, ia qëndisi me këto fjalë: Ore, ti, Ballaban Pasha, mjaft i vrave kaq të trasha, se këtu ( në Arbëri) more i mjerë, trim si ti me qindra herë, lanë kokën dhe guberë.