Nasip Naço/ Për një sistemi gjyqësor të pavarur dhe transparent

512
Sigal

*Ministër i Drejtësisë

 Rivendosja e integritetit të pushtetit gjyqësor është kryefjala e reformave afatgjata dhe gjithëpërfshirëse të planifikuara për t’u ndërmarrë në vijimësi nga Ministria e Drejtësisë. Objektivat kyçe në realizimin e reformave do të jenë instalimi i shtetit të së drejtës, sundimi i ligjit, rritja e transparencës, përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të aktorëve të pushtetit gjyqësor, me synim rritjen e besimit të publikut në drejtësi. Po kështu, sikurse parashihet në programin e qeverisë, dëshiroj të nënvizoj faktin se reformat në sistemin e drejtësisë janë të ndërlidhura dhe të ndërvarura nga bashkëpunimi dhe vullneti i të gjithë aktorëve të fushës. Në këtë kuptim, i vetëdijshëm për rëndësinë e parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe të përgjegjësisë së përbashkët në administrimin e drejtësisë, shpreh vullnetin e palëkundur të Qeverisë për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë për të garantuar suksesin e reformave që do të ndërmerren. Në këtë kuadër, padyshim që raporti me Këshillin e Lartë të Drejtësisë paraqet një çështje kyçe të zhvillimit të planifikimit strategjik për sistemin gjyqësor.

Tashmë, është e pranuar gjerësisht ideja se një sistem demokratik është më efikas kur publiku është i informuar për çështjet me interes të përbashkët.

Në këtë drejtim, publiku ka të drejtë të dijë si administrohet drejtësia. Kjo arsye praktike ka çuar në sanksionimin e parimit se gjyqësori, ashtu si të dy degët e tjera të pushtetit, duhet të jetë transparent në marrëdhëniet e tij me qytetarët në përgjithësi.Transparenca e veprimtarisë së gjykatave dhe procedimeve gjyqësore përbën një parim të rëndësishëm që mbështet shumë vlera themelore, përfshirë besimin e publikut te sistemi gjyqësor, të kuptuarin e administrimit të drejtësisë dhe përgjegjshmërinë. Aksioma “Drejtësia nuk duhet vetëm të vendoset, por edhe të shihet që vendoset!” është sot po aq e vërtetë sa edhe në të kaluarën. E drejta për seancë publike është garanci thelbësore e ndershmërisë, drejtësisë dhe pavarësisë së procesit gjyqësor si dhe një mënyrë e mbrojtjes së besimit publik në sistemin e drejtësisë.

Ne e dimë se izolimi jep efektin e kundërt për të përmirësuar besimin dhe mbështetjen e publikut. Ne duhet të pyesim në fillim përse publiku e keqkupton dhe është armiqësor ndaj sistemit gjyqësor. Fatkeqësisht të gjitha raportet mbi gjendjen e sistemit gjyqësor evidentojnë probleme të tilla si korrupsioni, mungesa e pavarësisë, mungesa e transparencës si dhe mungesa e një sistemi kariere. Duke filluar nga sondazhi i financuar nga USAID në vitin 2010, ai i raportit analitik i vitit 2010 i Komisionit Europian për Shqipërinë, më tej, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2011-2012 dhe së fundi, Progres Raporti i vitit 2013.

Për të përmirësuar gjendjen disi të errët të besimit dhe mbështetjes së publikut ne duhet të ndalojmë së reaguari dhe të fillojmë të vlerësojmë veten.

Të vetëdijshëm për rëndësinë e luftës kundër korrupsionit Ministria e Drejtësisë si një masë imediate mundësoi portalin e denoncimeve online “Stop korrupsionit në drejtësi”.

Ndryshimet ligjore antikorrupsion

 Në përputhje me Strategjinë Kombëtare antikorrupsion si dhe me Strategjinë Ndërsektoriale priten këto ndryshime ligjore:

1-      Reflektimin në Kodin e Procedurës Penale të ndryshimeve kushtetuese në lidhje me heqjen dhe kufizimin e imuniteteve

2-      Trajtimin e korrupsionit si krim i rëndë

3-      Trajtimin e aseteve kriminale të cilat burojnë nga veprat penale të korrupsionit dhe që lidhen me korrupsionin sipas ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.