AV. Ndue Pjetra: Si dhe kur mund t’i drejtohen qytetarët Gjykatës, për të kërkuar dëmshpërblim

1055
Sigal

 Doli në qarkullim libri më i fundit “UDHËZUES PËR DËMSHPËRBLIMET” Nga AV. Ndue Pjetra

 Në këtë libër, lexuesi do të mësojë të gjitha rrugët ligjore për t’iu drejtuar gjykatës për të gjitha dëmet që i shkaktohen individit, si rezultat i mosrespektimit të ligjit nga të gjitha institucionet shtetërore, si policia, gjykata, prokuroria, etj, pa harruar këtu edhe dëmet që shkaktohen nga një individ tjetër, në lidhje me aksidentet rrugore. Në lidhje me shtetin, duhet të përmendim detyrimet e tij për dëmet e shkaktuar nga fenomenet natyrore, siç ndodhi me përmbytjen e disa zonave të Shkodrës, rrëshqitjen e dherave në Librazhd, etj. Në të vërtetë, edhe regjimi komunist, gjatë dëmeve të shkaktuara nga fenomenet natyrore, kryente gjithmonë detyrimet e veta, duke bërë dëmshpërblimin për çdo familje të dëmtuar. Kështu, në tërmetin e vitit 1979 shteti i atëhershëm, mori përsipër të gjitha dëmet e shkaktuara nga kjo ngjarje, duke i strehuar banorët në objekte të tjera dhe duke u ndërtuar shtëpitë brenda 30 ditëve. Kjo do të thotë se edhe në atë kohë, pavarësisht sistemit politik, janë marrë përsipër zhdëmtimet për të gjitha dëmet që erdhën nga fenomenet natyrore. Ndërsa në kohën tonë, pavarësisht “show-t” politik, ende kanë mbetur pa dëmshpërblime banorët e përmbytur në Shkodër, Durrës, Librazhd, Fier etj. Dhe rasti konkret i përmbytjes, brenda në Tiranë dhe pikërisht në Paskuqan, për shkak të lumit, mbeti pa u dëmshpërblyer. Para vitit 1990 askush nuk fliste për dëmshpërblimet, sepse atëherë propaganda politike trumbetonte me të madhe arsenalin e dëmeve. Para vitit ‘90, grabitja e pronave ndaj individit trumbetohej si fitore e kolektivizimit, ndërsa burgosja e njerëzve të pafajshëm në bazë të Nenit famëkeq nr. 55 të Kodit Penal konsiderohej si fitore kundër armiqve politikë. Në atë kohë hapësirat juridike për të fituar ndonjë nga të drejtat e njeriut, nëpërmjet gjyqeve ishte tepër e ngushtuar dhe për këtë arsye, njerëzit dridheshin kur i qëllonte rasti të kalonin para gjykatës, ose kur kishin punë në gjykatë. Ndërsa pas vitit 90-të, shoqëria shqiptare filloi të mendonte për të ndrequr atë që u prish në 46 vjet, duke kërkuar hapur rrëzimin e sistemit. Kështu, një nga kuptimet semantike, që na mësoi demokracia, ishte edhe përmbajtja kuptimore e fjalës “dëmshpërblim”, ose shpërblim për dëmin e kryer. Kështu nisën menjëherë kërkesat e shumta për dëmshpërblimin në adresë të ish të burgosurve politikë, apo për rikthimin dhe kompensimin e pronave. Por, sistemi i deformuar juridik, i cili filloi hapat e parë të reformimit, krijoi mosbesimin standard, se këtu drejtësia jep gjithmonë vendime të padrejta, ose nuk i jep hakun atij që i takon. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, politikanët e kastës së re shqiptare u vërsulën për të fituar menjëherë dëmshpërblimet e tyre, së bashku me kastën e tyre nepotike. Ndërsa njerëzit e thjeshtë mbetën përsëri të pambrojtur dhe të nënvleftësuar për shkak të këtyre deformimeve që thamë më lart. Këtu mjafton të përmendim disa pasazhe të thjeshta, në krahasimin midis politikanëve dhe njerëzve të thjeshtë. Ata që u morën me politikë nga ish të përndjekurit fituan menjëherë të drejtat e tyre të mohuara duke marrë shtëpi, para dhe vende pune, ndërsa të tjerët mbetën pa strehë dhe pa marrë asnjë lekë nga këto dëmshpërblime, me përjashtim të letrave me vlerë të cilat ishin pjesë e një sistemi piramidal që krijoi politika e asaj kohe. Këtu mjafton të përmendim faktin se politikanët Pjetër Arbnori, Spartak Ngjela, Kurt Kola, etj, patën shumë resurse pozitive, ndërkohë që Gjergj Ndreca, Lirak Bejko, etj, nuk përfituan asgjë nga realiteti i ri. Po kështu u trajtuan sipas hierarkisë politike dhe rastet e kthimit të pronave, ku disa politikanë të lartë si Sabri Godo, Jozefina Topalli, etj, u trajtuan me përparësi, ndërsa njerëzit e thjeshtë mbetën pas dore, në trajtesat dhe në vendimet e gjykatave. Për këtë arsye, ky libër është një gur kilometrazhi dhe një semafor që t’u tregojë njerëzve se ku duhet të drejtohen për zgjidhjen e hallit të tyre. Sepse shumë njerëz duke mos njohur Kodin Civil, drejtohen gabimisht te liderët e politikës, apo në zyrat e larta shtetërore. Por ata duhet të drejtohen në gjykatë, ku rasti i tyre do të trajtohet në bazë të ligjit dhe procedurës civile.

Ç’duhet të bëjë qytetari, kur policia e ndalon pa shkak

 Le të marrim një rast të thjeshtë: Ndodh shpesh në rrugët e Shqipërisë, kur policia rrugore e ndalon një automjet, në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Rrugor për të kontrolluar dokumentet. Pasi kontrollon dokumentet, ku gjithçka rezulton në rregull, polici i thotë drejtuesit të mjetit të vazhdojë rrugën. Pikërisht, për këtë arsye qytetari, ose drejtuesi i mjetit ka të drejtë t’i drejtohet organeve gjyqësore për të kërkuar dëmin që i është shkaktuar si rezultat i ndalimit të paligjshëm. Po kështu edhe në rastin kur policia kërkon të kontrollojë banesat, pronat private, lokalet, etj. Në të gjitha këto raste, ndërhyrjet e policisë janë të pambështetura në ligje dhe arbitrare. Prandaj, qytetari ose pronari ka të drejtë të kërkojë një dëmshpërblim, madje shumë më të madh se sa dëmi i shkaktuar ndaj biznesit të tij. Përderisa, pronari ka marrë licencën për të hapur një furrë buke, një bilardo, një diskotekë e të tjera si këto, policia e rendit nuk ka të drejtë të ndërhyjë në mënyrë arbitrare, por vetë ajo duhet t’i drejtohet zyrës së licencimeve për të verifikuar dhënien e licencës. Duke marrë të gjitha kompetencat në kundërshtim me ligjin, qytetarit i lind e drejta të kërkojë zhdëmtimin në gjykatë. Qytetarit nuk i intereson të ankohet te eprorët e policisë, ose të ministrisë, siç ka ndodhur në këto 23 vite. Sepse policia dhe punonjësit e administratës shtetërore janë mbrojtur nga tutela e politikës. Prandaj, vetëm kur qytetari i dëmtuar kërkon nëpërmjet gjykatës zhdëmtimin prej personit që i ka kryer veprimet arbitrare, puna mbyllet e kështu do mund të edukohet ai dhe e gjithë shoqëria.